DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA PAS TAKIMIT ME KOMISIONERIN PËR ZGJERIM Z.OLIVÉR VÁRHELY.

Ne jemi të vendosur t’i japim fund krizës politike dhe do të bëjmë gjithçka, do të ndërmarrim çdo hap me çfarëdo kosto për të mos vonuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe legjitimitetin e institucioneve, si rruga e vetme për t’i dhënë fund krizës politike.

Mirëpres sensin e realizmit që do t’i kontribuojë kredibilitetit, besueshmërisë së procesit të anëtarësimit dhe po kështu shpreha mbështetjen në emër të opozitës së bashkuar për axhendën e integrimit europian të vendit, për të cilën siç e dini fare mirë kemi bërë gjithçka, jo vetëm para tetorit por edhe gjatë vitet të kaluar dhe do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka.

Nuk ka rrugë tjetër përveç zbatimit të 9 kushteve të Bundestagut. Në këto 9 kushte opozita ka rolin e vet në vetëm 1 kusht, për të cilin ka insistuar prej 4 muajsh dhe, më në fund, prej ditës së sotme ka nisur një proces, të cilit i uroj sukses, por është akoma herët për të parë, nëse do të kemi vullnet dhe nga pala tjetër. E gjithë pjesa tjetër është detyrë e qeverisë.

Ndaj, në këtë kuadër, jam i lumtur që me Komisionerin e ri për Zgjerimin patëm mundësinë të flasim drejtpërdrejt dhe të mirëkuptohemi për prioritetet kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Pyetje: Zoti Basha, kjo do të thotë që ju jeni i gatshëm të shkoni në zgjedhje edhe me Edi Ramën si kryeministër?

Lulzim Basha: Kjo do të thotë atë që kemi thënë prej fillimit. Opozita e Bashkuar beson se jo vetëm rregullat e shkruara, por zbatimi i këtyre rregullave ka rëndësi. Edi Rama ka djegur çdo mundësi që të jetë njeri i besueshëm për të zbatuar një reformë zgjedhore apo për të mbikqyrur një proces të lirë zgjedhor. Qendrimi ynë është i pandryshueshëm. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme.

Pyetje: Sa mund të funksionojë tryeza për reformën zgjedhore, duke qenë se kishte pakënaqësi ndaj zotit Damian Gjknuri dhe a ishit të detyruar vetëm nga ndërkombëtarët ju si parti opozitare, që u ulët në këtë lloj tryeze?

Lulzim Basha: E keni keqkuptuar. Detyroi maxhorancën të pranojë ta nxjerrë procesin nga parlamenti ilegjitim i damianëve, imerëve, avdylajve dhe të pranojë që reforma të kalojë vetëm me konsensusin e opozitës së bashkuar dhe jo me rrotaxhilet e krimit dhe paterciat e tyre në pseudoparlament. Kjo është e para. E dyta, se pse Edi Rama vendos ta ndjekë këtë proces me dikë që duhet të ishte në burg për shitblerje votash është një pyetje për Edi Ramën jo për Lulzim Bashën. Drejtojani këtë pyetje Edi Ramës, po patët shansin, se, zakonisht, ai ka vetëm kamerat e ERTV-së me vete.