• Prioriteti numër 1 për plotësimin e kushteve të Bundestagut është miratimi i menjëhershëm i reformës zgjedhore, që i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe lokale, me standarde dhe garanci për votën e lirë.

 

  • Pritja për qendrimin e Edi Ramës pro apo kundër propozimeve tona nuk do të vazhdojë pa fund. Duke u fshehur pas tërmetit, dogji afatin e dhjetorit. Ne do të ndërmarrim çdo vendim dhe veprim.

 

  • Shqipëria ka nevojë për një qeveri dhe një kryeministër kujdestar të zgjedhjeve të lira e të ndershme, i cili nuk është i përlyer dhe as pjesë e tepsisë me krimin dhe e pushtetit të marrë me krimin.

 

  • Ta harrojë Edi Rama dhe kushdo tjetër, që bën sikur nuk e njeh situatën se 2020-a do të jetë një tjetër vit zvarritje i të pashmangshmes. Vetëm largimi i kësaj qeverie dhe këtij kryeministri hap rrugën për ndryshimin.

 

  • Për Edi Ramën nuk do të pranohet më asnjë alibi për vonesat me reformën zgjedhore apo për mitet me uljen e kryetarit të opozitës. Ka vjedhur gjithë kohën e mundshme duke u fshehur prapa tërmetit, ndërsa njerëzit janë më keq.

 

  • Le ta zgjedhin shqiptarët çfarëdo sistemi që të duan. Por, të mos kenë asnjë iluzion që çdo sistem do të bjerë dhe do të jetë një zhgënjim edhe më i madh, pa e ndarë politikën nga krimi, pa larguar paratë e pista, pa ndëshkuar krimet elektorale

 

  • PD dhe opozita është e hapur të pranojë çdo sistem që ka mbështetje popullore. PD ka fituar me çdo sistem. Diskutimi për sistemin është shërbimi më i mirë për të larguar vëmendjen nga problem numër 1 dhe i pazgjidhur, kriminalizimi i vendimarrjes politike nga Rama.

 

  • Dosjet për shitblerjen e votave dhe hetimi i koncesioneve dhe oligarkëve e pushtettarëve janë testi I madh dhe I vërtetë, nëse kemi apo nuk kemi SPAK të vërtetë.

 

  • Për PD-në zgjidhja e krizës së thellë ekonomike është prioritet absolut. Këto muaj ndërtuam alternativën ekonomike më ambicioze të 30 viteve me nobelistë dhe personalitete botërore – problem konkret, zgjidhje konkrete dhe e besueshme.

 

  • Shqipëria ka dalë sërish e para në një listë turpi. 50% e shqiptarëve ë jetojnë në varfëri. Vendi po ecën prapa, ekonomia sot punon vetëm për pëfitimin e një grushti njerëzish në biznes dhe në qeveri.

 

  • Arsyeja e vetme pse kjo qeveri dështoi të menaxhojë pasojat e tërmetit është sepse nuk preku paratë e oligarkëve, që ata ndajnë bashkë me Edi Ramën. I shemburi më i madh i 26 nëntorit, është shteti i Edi Ramës, shteti i babëzisë, i hajdutërisë dhe i dështimit total të Edi Ramës.

 

  • Koeficienti i vjedhjes dhe korrupsionit me tenderat ka shkuar në 80%. I njëjti shërbim në Itali kushton 5 herë më pak sesa në Shqipëri. 200 mijë euro atje, 1 milionë në Shqipëri, për shkak të vjedhjes nga qeveritarët.

 

 

BASHKËBISEDIMI ME GAZETARËT I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA.

 

 

Kam tre mesazhe të cilat dua t’I ndaj, përmes jush, me qytetarët shqiptarë dhe, më pas jam në dispozicionin tuaj për çdo pyetje që mund të keni për këto tre çështje apo çështje të tjera të lidhura me to.

 

Së pari, nuk duhet humbur asnjë moment për të përmbushur kushtet e Bundestagut, që janë e vetmja rrugë për të hapur negociatat, për ta bërë Shqipërinë anëtare të BE. Është e vetmja rrugë për të thithur fonde nga BE dhe për t’i mirëadminsitruar ato në drejtim të nevojave akute, siç janë ato të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, në drejtim të bujqësisë në drejtim të biznesit, në drejtim të shëndetësisë, të arsimit dhe kudo tjetër.

 

Gjatë ditës së djeshme, siç e dini, kam patur takime në Itali dhe më bëri përshtypje një fakt. Vetëm Rumania, si vend anëtar, përfiton fonde të drejtpërdrejta nga BE, 3 herë sa buxheti i Shqipërisë. Për pagatishmërinë, për mungesën e vullnetit për të luftuar krimin dhe korrupsionin, për zhytjen e vendit në krim dhe korrupsion, kjo qeveri dhe ky kryeministër po na mban larg Europës. Kjo nuk është vetëm një fjalë goje, këto janë miliona euro që i humb Shqipëria ditë për ditë, para që taksapaguesit europianë, ua japin vendeve si tonat për të përafëruar edhe më shumë ekonominë, shëndetësinë, arsimin me standardet europiane.

 

Dje, drejtuesit më të lartë europianë, Kryetarja e Komisionit Europian, kryeministri kroat, në emër të Preësidencës së BE-së, kanë shprehur edhe një herë vullnetin e tyre për të hapur negociatat. Në komunikimin tim me ta, të dy personalitete të PPE, ma kanë konfirmuar këtë, në mënyrë, të vazhdueshme dhe jam i lumtur që dje e kanë konfirmuar publikisht, ky është qendrimi PPE, i partisë tonë i PD. Ne nuk duhet ta humbim këtë shans të madh për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë së shkatërruar shqiptare, shëndetësisë, arsimit, bujqësisë dhe çdo sektori tjteër. Ky është një vit shumë i rëndësishëm, kemi 2 vende mike që marrin presidencën, Kroacia këto 6 muaj dhe Gjermania 6 mujorin e dytë.

 

Prandaj, prioriteti numër 1 është miratimi i menjëhershëm i reformës zgjedhore, që i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në një ditë me zgjedhjet vendore, me standarde dhe garanci për votën e lirë, për t’i dhënë fund fenomenit të shitblerjes së votës, përdorimit të krimit dhe parave të pista të krimit dhe për të ndëshkuar krimin elektoral, që janë tre kushte të tjera të Bundestagut gjerman për të hapur negociatat me Shqipërinë.

 

Ne kemi paraqitur propozimet tona. Që nga shtatori opozita i prin këtij procesi dhe ndërkohë ka kaluar një afat, që është afati i dhjetorit. Jemi ne në pritje të qendrimit të PS dhe dhe të Edi Ramës. Pro apo kundër. Por dua të them se kjo pritje nuk mund të vazhdojë pa fund. Dhe se ne do të marrim absolutisht çdo vendim dhe do të ndërrmarim çdo veprim të domosdoshëm për të mos e lënë Shqipërinë pa reformë zgjedhore dhe pa zgjedhje të lira e të ndershme. Ky nuk mund të jetë një proces tavolinash të mbyllura e dhomash të errëta, duhet të jetë jë proces gjithëpërfshires, i aktorëve dhe faktorëve politikë dhe jo vetëm, edhe faktorëve shoqërorë, që të garantojë një refomë zgjedhore me standarde, që të garantojë zgjedhje të lira e të nderhsme.

 

Propozimet tona janë të qarta, janë të publikuara. Asgjë nuk ka ndryshuar. Asnjë presje, asnjë pikë, asnjë qendrim nuk ka ndryshuar. Natyrisht, që këtu prevalon vullneti politik. Ai që vendos është vullneti politik. Përsa kohë Edi Rama vazhdon ta mbështesë karrierën e tij politike dhe fatin e tij politik tek kriminelët, përsa kohë zbulohen kriminelë në Kuvend, në bashki, në insitucione dhe ai vazhdon të kruajë mjekrën sikur nuk ka ndodhur asgjë, harrojeni se këtu do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme! Shqipëria ka nevojë për një qeveri dhe një kryeministër kujdestar të zgjedhjeve të lira e të ndershme, i cili nuk është i përlyer dhe as pjesë e tepsisë me krimin dhe e pushtetit të marrë me krimin. Asnjë sistem nuk ka për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, po nuk e ndamë politikën nga krimi dhe ky mbetet prioriteti absolut i PD dhe i opozitës.

 

Asnjë sistem nuk ka për të garantuar zgjedhjet, nëse ne nuk ndëshkojmë krimin elektoral të publikuar nga Zëri i Amerikës dhe Deutsche welle, nga mediat e pranishme në sallë dhe, natyrisht, nga ne, nga opozita politike.

 

Dje, jeni njohur me faktin e një tjetër kryebashkiaku të kapur me rekorde kriminale, të emëruar kryebashkiak në Mallakastër. Kjo tregon se nuk është një problem sporadik. Edhe kur i emëron pa kundërshtarë, Edi Rama zgjedh kriminelë apo njerëz të lidhur me kriminm siç është Tushe i Lushnjës, që i plasin granatat në zyrë dhe prapë, ky njeri hesht, në vend që ta kishte shkarkuar 24 orëshin e parë. Pse? Sepse ky njeri nuk ndahet dot nga krimi. Dhe ky është problemi numër 1 që ka Shqipëria, një kryeministër që nuk ndahet dot nga krimi. 4 të tjerë janë provuar tashmë me rekorde kriminale. Si zgjidhet kjo? Çfarë sistemi do ta zgjidhë këtë? Problem sistemi është ky? Natyrisht që jo! Është problem i një njeriu që e ka ndërtuar karrierën e tij politike dhe çdo betejë të tij politike në aleancë me krimin, në kurriz të qytetarëve.

 

Ka dy dosje të shitblerjes së votës, që janë në prokurori. Këto janë testi i madh i vërtetë, nëse kemi apo nuk kemi SPAK të vërtetë, ashtu siç e ka votuar PD, me amendamentet që u bënë realitet falë mbështetjes së SHBA. Ky është testi numër 1. Hetimi i koncesioneve dhe oligarkëve, të lidhur me pushtetarët dhe i pushtetarevë te lidhur me oligarkët është testi numër 2. Pa kaluar këto 2 teste mund të themi se SPAK-u nuk është gjë tjetër veçse hije e asaj që duhet të ishte. Ndaj, thirrja ime ndaj prokurorëve të SPAK-ut është të mos humbasin asnjë sekondë kohë, por të marrin në dorë këto dy çështje jetike për ekonominë dhe demokracinë shqiptare: shitblerjen e votive, koncesionet korruptive të kësaj qeverie.

 

Si rezultat i kësaj gjendje të stërgjatur ilegjitimiteti, me kryebashkiakë të emëruar dhe jo të zgjedhur, me kryebashkiakë kriminelë, me parlament të cunguar, Shqipëria është zhytur në një krizë të thellë ekonomike, në një krizë emigracioni të paparë e të padëshmuar prej 30 vitesh. Dua t’ju them se për mua dhe Partinë Demokratike adresimi i kësaj krize, zgjidhja e kësaj krize, janë prioritet numër 1.

 

E nisa me instrumentin, se instrument tjetër përveç zgjedhjeve dhe një qeverie të përgjegjshme me një plan me politika ekonomike, që u vijnë në ndihmë njerëzve në nevojë, pensionistëve, të papunëve, rinisë, sipërmarrjes, nuk mund të ecet përpara. Por dua t’ju them se e gjithë energjia dhe i gjithë fokusi ynë në këto muaj ka qenë në ndërtimin e një alternative, të një plani ekonomik, me politika të qarta ekonomike, të gatshme për t’u ekzekutuar që ditën e parë të qeverisë së re, të zgjedhur me votën e qytetarëve shqiptarë.

 

Dua të shpreh falënderimet e mia më të sinqerta për personalitete të kalibrit botëror, nobelistë, drejtues të suksesshëm të demokracive perëndimore që kanë drejtuar reforma ekonomike transformuese për vendet e tyre dhe të gjithë ata që kanë bërë të mundur mbledhjen e një ekipi fantastik, me të cilët do të kem nderin që, në muajt e ardhshëm, t’u shpalos shqiptarëve programin më të mirë dhe më ambicioz ekonomik, që ka njohur Shqipëria në 30 vite, por, po kështu, garancinë se ky vend me potenciale të jashtëzakonshme do ta lërë mbrapa dimrin ekonomik të qeverisë Rama.

 

Ky dimër ekonomik sot është futur në çdo shtëpi dhe, pavarësisht përpjekjeve banale për të falsifikuar të dhënat, ato nuk fshihen dot. Shqipëria ka dalë prapë e para në një listë turpi, 50% e shqiptarëve tashmë jetojnë në varfëri, zyrtarisht, nën kufijtë e varfërisë. Ky është një lajm i tmerrshëm për një vend, i cili duhej të ecte para, por po ecën prapa.

 

Ekonomia sot punon vetëm për pëfitimin e një grushti njerëzish. T’u themi elitë, fyejmë fjalën “elitë”, pra, për një grusht njerëzish. Tani, ka ardhur koha të bëjmë që ekonomia shqiptare të funksionojë për të gjithë njerëzit e zakonshëm, për njerëzit normalë, jo vetëm për ata që kanë lidhje me pushtetin, por për çdo shqiptar dhe shqiptare që kërkon të punojë me djersën e ballit. Për këtë ka mbaruar koha e premtimeve të mëdha dhe boshe, me të cilat është marrë dhe është menaxhuar një pushtet që i ka shërbyer vetëm kësaj elite të inkriminuar ekonomike, që është sot e vetmja që përfiton nga kjo gjendje amullie.

 

Nuk ka asnjë dyshim se ky është produkti i një qëndrimi politik fyes ndaj shqiptarit, i cili premton gjithçka dhe pastaj nuk bën asgjë dhe e mbulon me propagandë. Prandaj përqasja e PD dhe e imja personale nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë ajo e premtimeve boshe por i një platforme, i një vizioni, i një plani dhe i politikave ekonomike, të cilat shkojnë drejtpërdrejt tek problemi konkret me ofertë konkrete, të besueshme dhe të zgjidhshme.

 

 

Dua t’u kthehem edhe një herë të dhënave ekonomike që në ditët e ardhshme do të shpalosen nga drejtuesit dhe anëtarët e ekipit ekonomik këtu në Tiranë për t’ju thënë që nuk jemi më në buzë të greminës, por ekonomia shqiptare ka rënë në greminë.

 

Këtu keni të dhënat e publikuara, të cilat hedhin poshtë mashtrimet e INSTAT që tregojnë se Shqipëria është, për fat të keq, në vend të parë me 49% të popullsisë të varfër dhe të përjashtuar në kuptimin shoqëror të fjalës, të përjashtuar, që do të thotë se nuk kanë shanse reale për punësim, për mbështetje sociale, ekonomike, nuk kanë shanse reale për të çuar fëmijët në shkolla që të paktën brezi i dytë t’i shkëputet mjerimit.

 

Këto janë të dhëna zyrtare shumë serioze. Niveli i rrezikut për të qenë i varfër tregon përqindjen e personave që jetojnë në familje ku të ardhurat e disponueshme janë nën kufirin zyrtar dhe tregojnë një shkallë privimi material, të cilën e masin në mënyrë konkrete. Po ju jap vetëm disa kategori:

 

  • Vonesa të kredisë ose të qerasë për banesën kryesore, për shërbimet bazë, blerje me këste ose pagesa të tjera të kredive, listat për ushqimet.
  • Pamundësinë për të përballuar shpenzimet qoftë edhe për një javë shkëputje marrëdhënie pune, për të mos thënë pushime larg nga shtëpia;
  • Pamundësi për të përballuar një vakt me proteina nga mishi, pula apo peshku.50% e shqiptarëve.
  • Pamundësinë për të përballuar një shpenzim të paparashikuar financiar, qoftë pozitiv apo negativ.
  • Pamundësinë fianciare për të blerë një telefon cellular.
  • Pamundësinë financiare për të pasur një televizor me ngjyra, një makinë larëse, lavatriçe, automjet.
  • Pamundësinë financiare për ta mbajtur shtëpinë ngrohtë. Është viti i tretë rradhazi që Shqipëria është vendi i parë në Europë me numrin më të madh të popullsisë, që nuk ngrohin dot shtëpinë e tyre në dimër.

 

Pra Shqipëria është futur në një ngricë ekonomike, përtej motit, që ka kohën e vet.

 

Pak ditë më parë, ju thashë se një tjetër lajm i keq është raporti i Fitch, që tregoi se Shqipëria ka një qeveri jolegjitime. Një qeveri jo legjitime, prindër jo legjitimë nuk mund të kujdesen për fëmijët.

 

Kjo qeveri jolegjitime dhe ky kryeministër në krye të saj akoma nuk ka një bilanc të dëmeve të tërmetit. Nga 26 nëntori akoma nuk kemi një bilanc të dëmeve të tërmetit. E gjitha ishte shfaqje. Gjithçka ishte shfaqje për të mbuluar dështimet e pritshme dhe tani të ndodhura nga një përqasje ku ka propagandë, ka fjalë, ka llafe, ka fotografi, puth fëmijë, puth duar, e puth kokë dhe asgjë për njerëzit në nevojë. Absolutisht asgjë!

 

Sot mbi 90% e atyre që nuk kanë mundësi të kthehen në banesat e tyre janë më keq se para një jave, më keq se para dy javësh. Ju i keni mbuluar, në veçanti këto 10 ditë, kam parë që shumica e mediave kanë qenë pranë tyre, madje edhe media që dikush mund të thoshte se ka një prirje të qartë proqeveritare, i përgëzoj sepse kanë treguar humanizëm dhe kanë treguar kushtet e vështira të tyre. Pse ndodh kjo?! Duhet të presim ne paratë e xhymyrjetit turk që t’i nxjerrim ne njerëzit tanë nga mjerimi?

 

Sepse nuk preken paratë e oligarkëve, kjo është e vetmja arsye. Që të mos preken paratë e oligarkëve, që në fakt janë paratë që ndajnë oligarkët bashkë me pushtetarët, bashkë me Edi Ramën.

 

Se po të ishin prekur ato para, të cilat janë të gjitha para që vidhen, ky shtet, po të kishte minimumin e përgjegjësisë, do të kishte nga një kontenier që bën nga 1500-2000 euro për çdo familje, që nuk strehohet dot diku tjetër, që nuk largohet dot nga banesa për çfarëdolloj kushti, do të kishte vlerësuar dëmet, do t’u kishte dhënë paratë në dorë banorëve në zonat rurale për t’i riparuar vetë shtëpitë. Sepse nuk ka nevojë për tendera të tjerë që të grihen dhe vidhen paratë e shqiptarëve, në vend që të riparohen dëmet dhe do të ishte bërë gati një zgjidhje për banorët në zonat urbane. Asnjëra nuk ka ndodhur, as faturën nuk e dimë. Njerëzit po ngrijnë jashtë. Kanë marrë disa kontenierë nga TAP, disa të tjerë i kemi marrë ne me aq mundësi, sa kemi pas me shokë e miq me miq, me donacione dhe shteti është inekzistent, është lakuriq. I shemburi më i madh i 26 nëntorit, është shteti i Edi Ramës, shteti i babëzisë, i hajdutërisë dhe i dështimit total të Edi Ramës.

 

Tani po futem në fazën tjetër që kam paralajmëruar prej katër javësh, në impaktin që ka në ekonomi, duke filluar me ekonomitë e Durrësit, Tiranës, e qarkut të Lezhës dhe, natyrisht, duke goditur këto ekonomi godet gjithë ekonominë e vendit; Hoteleria, turizmi, prodhimi, biznesi i vogël.

 

Kur shpalosa planin me 5 pika për t’i ardhur në ndihmë të biznesit, të cilin nuk e modelova sipas qejfit dhe dëshirave të mia, as për të venë në vështirësi këtë qeveri se nuk ka nevojë që ta vë unë në vështirësi këtë qeveri, se është qeveri e dështuar nga fillimi deri në fund, por e modelova sipas një modeli të njohur që është modeli Italian, përputhur me rrethanat dhe mundësitë shqiptare, pas katër ditë heshtje, siç bëri me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, tha “po i hartojmë!”. Ku i ka pra, ku i ka? Të dhënat nga Durrësi janë tronditëse, rënia e numrit të rezervimeve për vitin e ardhshëm është në pikjatë. Është më shumë se përgjysmuar volumi i shkëmbimit të shërbimeve, motorri i dytë ekonomik i Shqipërisë.

 

Dje, kam patur takime me investitorët italianë, të cilët absolutisht, duan të investojnë në Shqipëri, por problem kryesor, siç ia kanë bërë të ditur kryeministrit te tyre, siç ma ka bërë të ditur edhe ai në Tiranë, kanë korrupsionin, kanë perden e pashpueshme të korrupsionit të kësaj qeverie. Ka arritur puna që i njëjti tender për të njejtin shërbim në Itali kushton 5 herë më pak sesa në Shqipëri. E imagjinoni dot këtë?! Më treguan të dhënat.  200 mijë kushtonte një shërbim i kërkuar nga qeveria italiane. Ekzaktësisht i njejti shërbim 1 milionë euro në Shqipëri. Pse?! Se do t’i vjedhin në Shqipëri. 80% është koeficienti i vjedhjes në atë tender, por që është përfaqësues për çfarë ndodh këtu.

 

Shqetësimi i investitorëve italianë natyrisht që është edhe shqetësimi i investitorëve shqiptarë, i bizneseve vendase. Këtu, e dimë fare mirë, që të marrësh një tender, ose do të paguash cash në dorë pushtetarit, ose do të çosh kriminelin ta marrë krimineli tenderin për ty. Pastaj na ndodhin ngjarje si ato që na ndodhin dhe prapë qeveria bën sikur nuk ka ndodhur asgjë se për Edi Ramën dhe për Sandër Lleshajn hanë kokat ata. Megjithëse është futur snajpër profesionist dhe vriten njerëzit rrugëve, askush nga këta nuk merr përgjegjësi. E kujt është përgjegjësia që po vriten njerëzit me snajper mes rrugëve? E kujt është përgjegjësia që dalin njëri pas tjetrit kryebashkiakët me drogë, me krim e me prostitucion e hidhen granata nëpër zyrat e bashkive? E opozitës, e medias, e qytetarëve?! Është e një njeriu dhe sistemit që ka ngritur ai.

 

Prandaj nëse nuk ndryshojmë një orë e më pare, kolapsi është i pashmangshëm dhe e vetmja mënyrë ndryshimi politike për të cilën jemi akoma të përkushtuar, është përmes zgjedhjeve një orë e më parë. Ta harrojë Edi Rama dhe kushdo tjetër, që ose bën sikur nuk e njeh situatën, ose nuk e njeh situatën, se 20200-a do të jetë një tjetër vit zvarritje të të pashmangshmes. Vetëm largimi i kësaj qeverie dhe këtij kryeministri hap rrugën për ndryshimin. Natyrisht, përgjegjësitë tonë si opozitë i njohim dhe i kemi marrë.

 

Siç ju thashë, ne po punojmë fuqishëm për planin tonë ekonomik, për propozimet tona ekonomike dhe për planin tonë politik, ku kryesore do të jetë që shqiptarëve t’u kthejmë gjithçka: institucionet kryesore, aksesin në institucione, shërbimet e munguara dhe, mbi të gjitha, t’u kthejmë fatin për të ardhmen e tyre. Kjo mund të ndodhë vetëm kur t’ju kthejmë votën, nuk ka mënyrë tjetër, nuk ka instrument tjetër, të tjera janë llafe bosh.

 

Ndonëse lajmi për marrjen e presidencës së OSBE-së duhet të ishte një lajm shumë i mire, në nidhmë për reputacionin e Shqipërisë, siç e keni parë është kthyer në një bumerang që në ditët e para, siç e keni parë lajmet janë: OSBE-në e mori në dorë vendi më problematik që s’bën dot zgjedhje, ku qeveria është e lidhur me krimin, ku droga është një nga kontributorët kryesorë të GDP-së dhe ku varfëria sa vjen e thellohet dhe emigracioni masiv vetëm rritet e rritet nga viti në vit.

 

Nuk ka asnjë rrugë tjetër të dashur qytetarë përveçse marrjes në dorë të fatit tuaj dhe në demokraci fati merret në dorë me votë. Sikundër lëshohet në dorë të hajdutëve, të babëziturve, të kriminelëve kur e shet votën. Ne jemi gati të marrim çdo vendim dhe të ndërmarrim çdo veprim që t’ju japim qytetarëve shqiptarë mundësinë që, njësoj si në Maqedoni, që u ndëshkua padrejtësisht nga Shqipëria, të keni mundësinë një orë e më parë të vendosni fatin tuaj me votën tuaj.

 

Asgjë nuk e marrim për të mirëqenë. Ne do të jemi pranë jush, para jush, me ju, për të kërkuar dhe shpejguar pse jemi ne ata që kemi planin, vizionin, vendosmërinë, kapacitetet njerëzore për ta nxjerrë vendin nga kriza. Por duhet të jeni ju dhe vetëm ju që do të vendosni me votë. Kjo është beteja, e cila ka nisur prej vitit të kaluar e nuk do të ndalë derisa shqiptarëve t’u kthehet ajo që u është rrëmbyer padrejtësisht: një parlament dhe një qeveri legjitime që buron nga vota juaj, e aftë të përpilojë dhe të zbatojë politika ekonomike, që e nxjerrin vendin nga kriza dhe që japin mundësi çdo shqiptari, që t’i japin mundësi çdo shqiptari dhe çdo shqiptareje të jetojë me nder dhe dinjitet në vendin e vet. Japin mundësinë, po kështu, vendeve mike që ato qëllime të mira që kanë ndaj nesh, në veçanti hapjen e negociatave, t’i bëjnë realitet, duke plotësuar të 9-të kushtet e Bundestagut gjerman ka vendosur për hapjen e negociatave dhe pa të cilat askush nuk ka asnjë mundësi të na ndihmojë për të hedhur hapin tjetër drejt Europës.

 

Këto janë tre çështjet kryesore, gjendja e tmerrshme e ekonomisë, për të cilën siç ju thashë në mënyrë të detajuar do të keni një prezantim nga ekipi ekonomik në ditët e ardhshme, dështimi total me krizën e shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit dhe qëndrimi i opozitës së bashkuar dhe Partisë Demokratike për daljen nga kjo situatë.

 

Pyetje: Zoti Basha, në shkurt bëhet një vit që nga momenti kur opozita dorëzoi mandatet, nga ai moment për gati një vit ju keni provuar çdo aksion politik, bojkot të zgjedhjeve, protesta, edhe presione ndaj qeverisë. Çfarë mekanizmi do të përdorni ju dhe çfarë veprimesh do të ndërmerni për ta detyruar kryeministrin të bëjë zgjedhje të parakohshme, sepse Edi Rama në një intervistë disa ditë më parë tha që e vetmja mënyrë që të bëhen zgjedhjet e jashtëzakonshme është nëse i vendos Partia Socialiste dhe PS nuk ka në plan të bëjë zgjedhje.

 

Lulzim Basha: Shqipëria nuk është e Edi Ramës. Madje nuk është as e Partisë Socialiste, e cila sot në pjesën më të madhe është jashtë tepsisë, sepse tepsia sot është e kriminelëve, është e snajperistëve, drogaxhinjëve, e përdhunuesve, është e oligarkëve. Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve dhe janë shqiptarët ata që vendosin, nëse do të rrinë peng të një njeriu të dështuar dhe të një qeverie të dështuar si kjo apo do të shkojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ne do të përdorim të gjitha mjetet dhe format për ta sjellë këtë ditë, një orë e më parë, për të sjellë zgjedhjet e parakohshme një orë e më parë për t’i bërë ato realitet.

 

Pyetje: Dua të ndalem tek një deklaratë e juaja në prill të vitit 2019. Ju thoni: “Ka ide të vlefshme si lista të hapura ku qytetarët të vendosin jo thjesht për siglat e parties, por të vendosin kë preferojnë nga listat e deputetëve, për një parlament që ka deputetët që e lidhin fatin me qytetarët sepse kjo është një garanci që i shërben interesave të qytetarëve”. Çfarë ka ndodhur që keni ndryshuar qëndrim dhe tashmë thoni se çfarëdo sistemi zgjedhor do të dështojë të rrisë cilësinë e përfaqësimit?

 

Lulzim Basha: Nuk është ndryshim qëndrimi. Është i njëjti qëndrim. Ta ndajmë politikën nga krimi, të pamundësojmë paratë e pista dhe kriminelët si njerëzit që vendosin se kush do të jetë parlamentar e kush do të jetë qeveritar, të ndëshkojmë krimin elektoral, le ta zgjedhë Edi Rama sistemin, po të dojë. Ta zgjedhë kush të dojë sistemin. PD ka fituar me mazhoritar të pastër, ka fituar me mazhoritar me korrektim proporcional, ka fituar me proporcional, nuk është problemi i sistemit. Problemi është nëse zgjedhjet e ardhshme do të jenë zgjedhje ku do të vendosin shqiptarët apo zgjedhje ku do të vendosë prapë krimi i organizuar. Padyshim për mua, procesi duhet të takojë vetëm përmes konsultimit me të gjithë shqiptarët. Ky nuk mund të jetë më një proces, i cili i takon një, dy, apo qoftë edhe tre partive. Do të jetë një proces që t’u takojë të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ajo që kam thënë është se “është një iluzion i rrezikshëm të thuash se për të gjitha e ka fajin sistemi.”. Është njësoj si të thuash që “po shkojmë në drejtimin e gabuar dhe fajin e kanë këpucët.” Për pushtetin lokal sistemi e ka fajin? Se 1 në 10 kryebashkiakë tani kanë dalë kriminelë. Të jesh e sigurtë se ka më shumë. Pyetja është retorike, natyrisht, nuk pres përgjigje. Sistemi e ka fajin? Natyrisht që jo. Kush i vuri ata kriminelë kryebashkiakë? Është një fyerje edhe për socialistët, se kanë edhe ata fëmijë që i kanë çuar nëpër shkolla, kanë investuar, i kanë edukuar, i kanë arsimuar. Si mund të shkojë dora gjithmonë tek një përdhunues, tek një hajdut, tek një drogaxhi. Kurrë nuk të shkoi dora tek një njeri me vlera?!

 

Pra duhet të jemi fare të qartë.

 

Partia Demokratike, unë opozita e bashkuar nuk kemi absolutisht asnjë problem me një sistem që ka apo do të ketë nesër mbështetje popullore. Kam qenë dhe mbetem i hapur në emër të Partisë Demokratike, në emrin tim, në emër të opozitës së bashkuar për çdo system, me kusht që të jetë produkt i një sistemi transparent dhe gjithpërfshirës të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Nga ana tjetër kam thënë dhe dua ta përsëris se futja e diskutimit tek sistemi është shërbimi më i mirë për të larguar vëmendjen nga problemi numër një që ka sot Shqipëria, që është kriminalizimi i vendimmarrjes politike nga Edi Rama.

 

Prandaj në këtë kuadër do të jem i lumtur të pranoj verdiktin e qytetarëve shqiptarë për çfarëdo sistemi që dëshirojnë. Unë personalisht preferoj maxhoritarin e pastër. Por edhe ai do të dështojë, siç ka dështuar nëse ne nuk ndajmë politikën nga krimi, nëse ne nuk zbrapsim paratë e pista dhe të oligarkëve, nëse ne nuk ndëshkojmë krimin elektoral. Nuk kam absolutisht asnjë problem me sistemin e listave të hapura apo listave kombëtare. Është një vendim që u takon shqiptarëve. Por, është gjëja më e gabuar nëse diskutimi për dekriminalizimin e politikës, për ndarjen e politikës nga krimi, përfundon në diskutimin për sistemin. Është nderi më i madh që i bëhet Edi Ramës, kriminelëve të tij në Parlament, kriminelëve të tij në bashki, njerëz që sot fitojnë qindra, mijëra, miliona euro çdo ditë në kurriz të shqiptarëve.

 

E vetmja mënyrë për ta zgjidhur këtë është ta ndajmë politikën nga krimi.

 

Pyetje: Keni bërë ligjin e dekriminalizimit pikërisht për të ndarë politikën nga krimi. Është një ligj i cili parimisht është një ligj shumë i mirë, për sa kohë që ka kandidatë që fshehin dënimet tyre, si mund të bëhet ndarja e politikës nga krimi me këtë sistem që ne kemi, ku ju thoni se shteti është i kapur?

 

Lulzim Basha: Propozimi ynë është i plotë dhe shterues, qoftë në propozimin politik, që nuk sjell asgjë tjetër përveç asaj që ka sot Maqedonia e Veriut. E di ju që ka dhënë dorëheqjen Zaev në Maqedoninë e Veriut?! Pse e ka dhënë dorëheqjen?! Sepse me ato që ndodhen në Maqedoninë e Veriut konsiderohet se kryeministri është në konflikt interesi. Ne prej fillimit kemi kërkuar një qeveri kujdestare, tranzitore, e cila të jetë jashtë konfliktit të interesit dhe ti garantojë shqiptarëve një proces zgjedhor të ndershëm. E dyta: Listat e votuesve, identifikimi i tyre, votimi elektronik, roli i policisë. I ke të gjitha në prioritetet e OSBE-së. Prandaj kemi që në shtator që themi, të ulen e ti marrin një nga një, sepse ekspertët tanë ndërkohë kanë përfunduar amendamentet ligjore. Amendamentet ligjore, Ambrozia! Jo thjeshtë konceptin, edhe ligjin si duhet ndryshuar. Zvarritja e këtij procesi bëhet me një e vetëm me një qëllim; për tu mbajtur me thonj pas karriges. Këtë nuk mund ta pranojmë dhe nuk do ta pranojmë.

 

Pyetje: Zoti Basha ju thoni se nuk do ta prisni pafundësisht PS-në për Reformën Zgjedhore. Cili është afati që ju keni për mazhorancën përsa i përket Reformës Zgjedhore dhe çfarë ndodh nëse drafti juaj që keni lajmëruar që do ta publikoni deri në fund të këtij muaji, nuk pranohet?

 

Lulzim Basha: Do t’i shikoni të dyja. “Në qoftë se nuk ndodh dhe çfarë do të bëhet”, do t’i shikoni në ditët në vazhdim. Sot jam për t’ju dhënë këtë lajm, që nuk do të pritet pafundësisht.

 

Pyetje: Po bëhet një vit tashmë që ju për zgjedhje po kërkoni një qeveri kujdestare, kur në fakt as me protesta, as me djegie mandatesh nuk është arritur. Çfarë ndodh në qoftë se edhe me reformën zgjedhore nuk do të arrihet. Do të shkoni në zgjedhje në 2021 me Ramën kryeministër?

 

Lulzim Basha: Pyetje të tilla të cilat bëhen në mënyrë të përsëritur, të cilat nuk shkojnë tek thelbi i problemit. Nuk kam asnjë problem unë që të shkoj që nesër në zgjedhje, kështu siç jam. Problemi im është a do të arrish të votosh dot ti dhe gjithë kolegët e tu këtu dhe operatorët atje apo do të pengoheni nga kriminelët? Pra, kjo nuk është një betejë për Lulzim Bashën, as për Partinë Demokratike, është një betejë për ju. Prandaj e kemi nisur dhe do ta përfundojmë me qytetarët shqiptarë. Nuk do të jetë diçka që do të përfundojë me një pakt politik apo me një marrëveshje politike midis partive politike për të kënaqur partitë politike. Ose do të ketë votime ku shqiptarët të votojnë të lirë e të pakërcënuar dhe të mos ketë shitblerje masive të votave, që dikton parlamentin dhe qeverinë e ardhshme, ose ndryshe beteja do të vazhdojë derisa kjo të mundësohet. Pa mundësuar këtë nuk do të ketë as ekonomi, as punësim, as mirëqenie, as Europë, as zhvillim, as shtet. Do të kesh këtë palo shtet që i ranë të brendshmet me tërmetin e 26 nëntorit dhe ka dalë lakuriq para shqiptarëve, do të kesh këtë palo qeveri, do të kesh këtë kryeministër që tallet nga mëngjesi deri në darkë me popullin. Ka të tilla në botë, nuk është vetëm Shqipëria, por nuk janë pjesë e Europës, janë pjesë e një gjeopolitike tjetër.

Alternativa është e qartë: Keni një njeri që do të bëjë gjithçka për pushtetin e tij, siç ka bërë deri më sot, keni një opozitë, një Parti Demokratike dhe një kryetar të saj që do të bëjë gjithçka për t’ia shkurtuar ditët Shqipërisë jo-europiane dhe për t’i hapur rrugën një Shqipërie europiane, ku shqiptarët gëzojnë të njëjtat mundësi dhe të njëjtat të drejta siç i gëzojnë bashkëqytetarët e tyre kudo në Europë; në Itali, në Gjermani, në Britani, në Angli dhe kudo tjetër. Kjo është beteja. Këto janë dy mundësitë. Midis këtyre të dyjave do të zgjedhin shqiptarët dhe beteja është që të zgjedhin të pa kërcënuar, të pa shitur, të pa blerë dhe të pa joshur nga krimi dhe oligarkia.

 

Pyetje: Si do të arrihet kjo, kur edhe vetë sistemi thatë që nuk e arrin?

 

Lulzim Basha: Propozimet tona kanë qenë dhe janë shumë të qarta. Kemi bërë të paktën tre prezantime para jush sesi do të luftojmë shitblerjen e votës, përdorimin e aseteve shtetërore, keqpërdorimin e Policisë së Shtetit, dhunimin e sekretit të votës dhe votimin në grup, keqpërdorimin dhe disbalancimin e medias, kërcënimet ndaj qytetarëve dhe ndaj administratës me heqjen nga puna, që tashmë janë interceptuar edhe nga prokuroria. I kemi bërë ne prezentë të gjitha hapat që duhen hedhur, në detaje. Tani i kemi në nivel amendamentesh ligjore. Por ky nuk është problemi, sepse ligji e ndalon edhe sot Edi Ramën që të çojë një kriminel në krye të bashkisë, por ai e çon. Atëherë cila është zgjidhja? Edhe për këtë ne i kemi prezantuar një zgjidhje shqiptarëve. Është largimi i tij dhe i shpurës së tij, çlirimi i procesit zgjedhor. Për këtë ka nisur beteja. Pyetja është: a do të vazhdojë? Absolutisht do të vazhdojë. Me të gjitha format dhe mënyrat e mundshme. Sepse nuk është një betejë as për mua, as për Partinë Demokratike. Është një betejë për ty dhe për çdo shqiptar. Luftohet sot, por do të jetë e rëndësishme edhe për fëmijët e tu dhe të çdo shqiptari.

 

Pyetje: Gjatë mesazhit që ju përcollët për shqiptarët thatë se opozita do të bënte çdo gjë për mos ta lënë Shqipërinë pa reformë zgjedhore. A nënkupton kjo që jeni të gatshëm të uleni në një tryezë me kryeministrin?

 

Lulzim Basha: Jo, nuk e nënkupton këtë për arsyen e thjeshtë se miti i uljes së kryetarit të opozitës me kryeministrin zgjidh gjithçka, ka rënë. U provua dhe çfarë ndodhi? Unë iu përmbajtja marrëveshjes së 17 majit, ndërsa Edi Rama vodhi vota më shumë se kurrë më parë. Prandaj, le të mos i kthehemi diçkaje që e kam bërë të qartë: Nuk ka për të ndodhur diçka e tillë. Ne kemi propozuar një kornizë të qartë të angazhimit të opozitës me palën tjetër. Propozimi është i mesit të shtatorit. Ka vjedhur gjithë kohën e mundshme, është fshehur prapa tërmetit, se po të kishte bërë ndonjë punë gjatë tërmetit, do t’i kishim thënë të paktën ishe në krye të detyrës, por ishte në krye të propagandës dhe të cirkut, ndërkohë që njerëzit janë më keq se kurrë. Tani nuk ka më asnjë alibi dhe nuk do të pranohet më asnjë alibi.

 

Pyetje: Gazment Bardhi deklaroi se kthimi i protestave është një hap i mundshëm. Çfarë do të thotë kjo? A do të kemi më protesta?

 

Lulzim Basha: Protestat kanë qënë, janë dhe do të jenë. Sa të ketë qytetarë europianë, sa të ketë opozitë që beson për liri e demokraci, do të ketë protesta. Këtë mos e vini asnjëherë në dyshim.

 

Pyetje: Folët për zgjedhje të parakohshme, por kur e shihni ju të arsyeshme që këto zgjedhje të ndodhin. A ka një datë nga ana juaj?

 

Lulzim Basha: Nesër. Nesër. Për mua nesër. Sot është e shtunë, nesër të bëjmë zgjedhjet. Kështu e shoh unë të arsyeshme. Sigurisht se si e shoh unë të arsyeshme dhe si do të bëhen, janë dy gjëra të ndryshme, por ne do të luftojmë që këto zgjedhje të bëhen një orë e më parë.

 

Pyetje: Në SPAK vetëm nisma Thurje ka depozituar dosje, ju si Parti Demokratike po përgatisni ndonjë dosje?

 

Lulzim Basha: Të gjitha aferat janë kallëzuar në sistemin e prokurorisë. Disa mbahen në sirtar, disa janë mbyllur me të padrejtë dhe pa na informuar. Nuk ka nevojë të bëhemi ne babysister të SPAK-ut. Të shkojnë e t’i marrin dosjet. Kjo është prova e SPAK-ut! Aty i kanë dosjet. Aty i kanë provat. Dhe këtë pres prej tyre, sepse e kemi mbështetur ligjin. Është i vetmi nga 7 ligjet që i kemi mbështetur, falë qëndrimit të Shteteve të Bashkuara që pranuan amendamentet tona. Është i vetmi aspekt i reformës që ka shansin të tregojë sukses. Sepse të tjerat po i shikojmë sesi po shkojmë. Po kthehen të gjitha në detashmente të Partisë Socialiste. Po Dvoranizohen nga e para tek e fundit.

 

Pyetje: Thatë se protestat do të vazhdojnë, kur? Dhe sa e unifikuar është opozita?

 

Lulzim Basha: Opozita është njëqind për qind e unifikuar për çdo vendim, në veçanti, për vendimet që do t’i bëjmë publike një mase shumë të madhe, të jeni të sigurt që nuk do ta mbajmë sekret. Do t’ju njoftojmë.

 

Pyetje: Çfarë do të bëjë nesër PD, po flasim për këtë të dielën që akoma nuk është e diela e zgjedhjeve?

 

Lulzim Basha: Do të bëjmë atë që ka kërkuar Bundestag-u. Do të japë gjithë kontributin e saj për një reformë zgjedhore që i jep fund praktikave që OSBE-ODIHR-i i ka listuar. Nga shitblerja e votes, te kërcënimi i zgjedhësve, kërcënimi i administratës zgjedhore, politizimi i policisë, zhbalancimi i mbulimit mediatik, dhunimi i sekretit të votës dhe votimi në grup, po të marrësh shtatë më kryesorët. Do të bëjë gjithçka për t’i sprapsur këto fenomene, për të pasur aq sa është e mundur që t’i sprapsin këto fenomene, përfshirë këtu edhe reforma të rëndësishme, siç është dhe financimi i partive politike, zbardhja e financimit të partive politike, në mënyrë që ta bëjnë gjithnjë e më të vështirë paranë e pistë të hyjë në partitë politike. Dhe mbi të gjitha, vullneti për t’i zbatuar këto. Sepse edhe sot ligjet shqiptare, përfshirë edhe Kodin Zgjedhor, janë goxha të forta, por nuk e kanë penguar as Edi Ramën dhe as kriminelët të hyjnë në parlament, të bëhen kryetarë bashkish, të depërtojnë në policinë e shtetit dhe në institucione të tjera. Prandaj kërkohet vullnet politik. Pa vullnet politik, nuk ka për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme. Formulën tonë për vullnetin politik për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme e kam bërë publike. Dhe nuk e kam shpikur! Është ajo që po zbatohet sot në Maqedoni. Sot po zbatohet në Maqedoni që do të ketë zgjedhje me 12 prill. Çfarë kemi ne që s’e kanë ata?! Çfarë kanë ata që s’e kemi ne?! Përgjigjen besoj e merrni vetë me mend.

 

Pyetje: Zoti Basha, kryeministri Rama thotë se nuk ka krizë, ka një krizë artificiale, sepse ka dakordësinë e opozitës për të zbatuar një nga kushtet më kryesore që është për zgjidhjen e krizës, e cila është reforma zgjedhore me rekomandimet e OSBE-ODIHR. Thotë se ka dakordësinë tuaj. Çështjen e sistemit zgjedhor, komisioni i posaçëm nuk po e prek. Ju këtu, apriori, parimisht, thatë që jeni dakord për ta rishikuar sistemin, por në draft-axhendën e PD, deri tani, çështja e sistemit nuk ka hyrë. Opozita, thoni ju, është e unifikuar. Aleatët tuaj në intervista që kanë pasur, thonë se janë dakord të lëshojnë për sistemin që ka qënë një nga kushtet e tyre thelbësore për të vazhduar aleancën me ju, vetëm në këmbim të zgjedhjeve të parakohshme. Përndryshe, thonë se do të rishikojnë raportin me PD-në. E para, a do të ishit të gatshëm të humbisni këta aleatë në qoftë se nuk do të kishte zgjedhje të parakohshme? E dyta, a po vihet në zbatim një skenar të cilit i ishte druajtur opozita parlamentare të cilën ju nuk e njihni, por që thotë se ka një marrëveshje të fshehtë PD-PS, dhe çështja e sistemit nuk po preket?

 

Lulzim Basha: Opozitën parlamentare e njeh Taulant Balla dhe besoj mjafton. Nuk ka nevojë ta njohim edhe ne. Njeri tjetër përveç Taulantit nuk e njeh opozitën parlamentare. Se dihet që është produkt i asaj që është. Mos të merremi më gjatë. Tani çështja është fare e thjeshtë. Problemi për zgjedhjet e shqiptarëve cili është? Është sistemi apo ndarja e politikës nga krimi, është blerja e votës, është kërcënimi i votuesve, është mos ndëshkimi i krimeve elektorale? A i zgjidh ndryshimi i sistemit këto probleme? Natyrisht që jo. Prandaj po e përsëris për herë të pestë besoj sot, dhe jo për herë të fundit. Sa herë të më pyesni, do të kem detyrimin t’jua shpjegoj ju dhe çdo shqiptari: jemi të hapur për çdo sistem. Ta zgjedhin shqiptarët çfarë sistemi të duan. Po të dojë le ta zgjedhë edhe vetë Edi Rama. Natyrisht që Edi Ramës nuk mund t’i besohet asnjë vendim i rëndësishëm, jo më ky vendim. Le ta zgjedhin shqiptarët çfarëdo sistemi që të duan. Por, të mos kenë asnjë iluzion që çdo sistem do të bjerë dhe do të jetë një zhgënjim edhe më i madh, pa e ndarë politikën nga krimi, pa larguar paratë e pista, pa ndëshkuar krimet elektorale. Këto janë prioritetet tona dhe këto janë propozimet tona për reformën zgjedhore që përputhem me rekomandimet e OSBE-ODIHR. Që përputhen me atë që tha OSBE-ODIHR edhe për 30 qershorin e turpshëm, ku edhe pse pa kandidatë rivalë, kandidoi kriminelë, bleu vota, kërcënoi qytetarët, kërcënoi administratën, keqpërdori policinë e kështu me radhë. Prandaj jemi farë të qartë. Nuk ka fare vend për asnjë dilemë. Opozita është njëqind për qind e bashkuar. Është e kotë të kërkoni mes opozitës, ndasi për këtë çështje. Madje do të thoja se ky bashkim, shkon përtej radhëve të opozitës. 100% të bashkuar për zgjedhje të parakohshme parlamentare me një reformë zgjedhore që garanton mosblerjen e votave, garanton votën e qytetarëve dhe të hapur për çdo sistem elektoral si ta duan shqiptarët, me kusht që ta vendosin shqiptarët në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente.

 

Pyetje: Çfarë vendosin shqiptarët zoti Basha? Keni folur gjatë ditëve të fundit për konsultime me qytetarët. Çfarë do të thotë, do të zbrisni, do të keni një tur tjetër në gjithë Shqipërinë?

 

Lulzim Basha: Patjetër do t’i bëjmë publike të gjitha propozimet tona. Po, patjetër, përmes jush, përmes kontakteve të drejtpërdrejta, përmes kontakteve me grupet e interesit, këto janë biseda të cilat janë zhvilluar në tryezë të rrumbullakëta, me Aleancën për Teatrin, me mediat, me Akademinë, në kuptimin me profesorët e universiteteve, me studentët; absolutisht me të gjithë. Nuk kemi ne absolutisht asgjë për të fshehur dhe asgjë për t’iu druajtur. Në momentin që ne do të ndërpresim lidhjet e politikës me krimin, për të cilat kërkohen jo thjesht dhe vetëm ndryshimet zgjedhore që kërkon OSBE/ODIHR-i, por vullneti politik, jemi gati të futemi në zgjedhje me çfarëdo sistemi të dëshirojnë shqiptarët.

 

Pyetje: Do të jenë sërish ndërkombëtarët që do t’ju ulin në tryezë, zoti Basha apo si do të prezantohen tek maxhoranca kërkesa tuaja?

 

Lulzim Basha: Pak rëndësi ka për mua sesi prezantohen, rëndësi ka të kryhen. Sepse sot është data 11 janar dhe Bundestagu e ka bërë të qartë që e kërkonte brenda dhjetorit kalimin e reformës zgjedhore. Ndaj duke u fshehur pas fatkeqësisë së 26 nëntorit ky kryeministër dhe kjo qeveri e dështuar kanë bërë shkeljen e parë dhe dëmin e parë për procesin e integrimit, kanë shkelur një nga afatet gjermane për miratimin e reformës zgjedhore. Thirrja ime është: Asnjë minutë vonesë më! Propozimin tonë e kanë prej shtatorit. Gatishmërinë tonë para shqiptarëve e kemi përkthyer në amendamente ligjore për të kaluar dhe për të miratuar. Padyshim kryesore dhe deçizive do të jetë vullneti politik për të zbatuar këto amendamente, sepse, siç ju thashë, në tërësi Shqipëria edhe kështu, edhe pa këto ndryshime, ka një nga kodet zgjedhore më të mira për të ruajtur votën, për të garantuar lirinë e votës. Por nga teoria në praktikë në këto 7 vite deti është bërë oqean.