• Dështimi i refomës në drejtësi, qeveritarët e korruptuar mbeten të paprekshëm! Prokuroria e Tiranës, vegël politike për mbylljen e aferave korruptive të Erion Veliajt me kompaninë Fusha.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DHURATA ÇUPI
Vendimi për të mbyllur një dosje flagrante si ajo e pagesës së hotelit të nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës nga kompania private Fusha është një nga treguesit e dështimit të reformës në drejtësi. Vendimi për të mbyllur edhe dosjen tjetër të abuzimit me pishat në autostradë në ngarkim sërish të Erion Veliajt dhe kompanisë Fusha, është tregues se drejtësia është nën kontroll politik!
Në të dyja rastet, Partia Demokratike dhe media kanë bërë publikë dokumenta të pakundërshtueshëm që provojnë shkeljen e ligjit, por prokuroria e kapur nga Edi Rama dhe Erion Veliaj bën sikur nuk sheh dhe nuk dëgjon.
Përballë presionit të vetingut dhe dëshirës për t’i shërbyer pushtetit, Prokuroria e Tiranës është kthyer në një vegël politike, duke mbrojtur qeveritarët e korruptuar dhe duke goditur opozitën dhe qytetarët.
Fatura e hotelit të paguar nga Fusha për nënkryetarin e bashkisë 908 euro nata nuk është mohuar nga Bashkia e Tiranës.
Në përpjekje për të fshehur këtë aferë të pistë, bashkia e Erion Veliajt gënjeu hapur, duke thënë se kompania kishte paguar për shpenzimet e udhëtimit, meqë ishte e përfshirë në çmimin për sheshin Skënderbej në Barcelonë! Një supermashtrim!
Partia Demokratike bëri publik dokumentat që vërtetuan se Bashkia e Tiranës gënjente. Erion Veliaj bëri tender 9 milionë lekë për udhëtimin në Barcelonë me paratë e buxhetit të Bashkisë dhe jo të Fushës.
Duke i shërbyer pushtetit me shpresën se vetingu politiik do ta mbyllë njërin sy për pasuritë dhe vendimet e pajistifikuara te se kaluarës, Prokuroria e Tiranës ka mbyllur edhe çështjen e pishave të skaduara 12 milionë lekë copa, që Erion Veliaj me kompaninë Fusha blenë për dekorimin e autostradës.
Këto fakte dhe dokumenta janë hedhur në kosh nga Prokuroria Politike e Tiranës, duke rritur zhgënjimin tek qytetarët nga sistemi gjoja i ri i drejtësisë.
Është fakt, se edhe pas reformës në drejtësi, edhe pas vetingut, edhe pas të ashtuquajturve ligje KÇK, pushtetarët janë të paprekshëm, korrupsioni në nivele të larta të qeverisë dhe të pushtetit është i paprekshëm!
Kush pyet pse prokuroria mbyll çështjet e zyrtarëve dhe të oligarkëve të korruptuar përgjigjen e merr tek paratë që ata dajnë me pushtetin. Shoqëria Fusha ka marrë mbi 110 milionë euro tendera nga qeveria e Edi Ramës, 40 milionë prej të cilave nga Bashkia e Tiranës.
Paratë me korrupsion, me tendera pa garë, me kosto të fryra përfitimi paligjshëm është përgjigja pse drejtësia sot është e pafuqishme përballë pushtetit të korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Për të shpëtuar nga kjo e keqë që vjedh dhe varfëron çdo ditë shqiptarët, për të shpëtuar nga e keqja që ka kapur sistemin e drejtësisë, na duhet që vendi të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme. Vetëm vota e lirë do të na sigurojë një qeverisje më të mirë dhe drejtësi të barabartë për të gjithë!