· Është koha të flasin mjekët, ekspertët, specialistët dhe jo propaganda. Është koha të hartohet plani i detajuar i masave konkrete dhe qytetarët të njihen me të.
· Vendi ynë ka mjekë dhe ekspertë shumë të mirë, që kanë aftësitë dhe përgatitjen e nevojshme për ta menaxhuar situatën, nëse u jepet mbështetja e nevojshme nga institucionet.
· PD po monitoron situatën dhe do të vazhdojë të jetë zëri i atyre ekspertëve dhe mjekëve, të cilët mund ta kenë të vështirë të shprehen në kushtet e propagandës mbi të vërtetën.
DEKLARATË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA
Të dashur bashkëqytetarë!
Gjatë 24 orëve të fundit kam ndjekur me intensitet zhvillimet në Italinë fqinje dhe risqet e shtuara për vendin tonë dhe qytetarët shqiptarë në Shqipëri dhe në Itali, si rezultat i konstatimit të rasteve të para dhe, më pas, përhapjes masive të epidemisë së koronavirusit në një nga zonat e Italisë së Veriut.
Gjatë ditës së sotme, kam pasur disa takime me ekspertët më të rëndësishëm të fushave të sëmundjeve infektive dhe studimeve të epidemive, si dhe me ekspertët e Departamentit të Shëndetësisë të Partisë Demokratike dhe një numër profesorësh dhe specialistësh të QSUT-së dhe universitetit Mjekësor të Tiranës, sikundër disa konsulta me drejtues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Europë dhe me ekspertë europianë dhe amerikanë. Ndërkohë, kemi ndjekur hap pas hapi zhvillimet në terren si dhe kemi monitoruar edhe komunikimet, edhe veprimet e kryera apo të pretenduara nga ana e autoriteteve.
Sot kam për ju disa mesazhe, të cilat dua t’i përcjell përmes medias në një moment, kur e di që shumë kush prej jush, prindër me fëmijë të vegjël apo me prindër të moshuar në shtëpi, po përjetoni momente pasigurie dhe ndoshta dhe ankthi.
Sot është koha të flasin mjekët, të flasin ekspertët dhe specialistët, të hartohet plani i detajuar i masave konkrete. Ky plan duhet të ndahet dhe shpërndahet me qytetarët në mënyrë që qytetarët të informohen për masat që duhen të merren. T’u vihet në ndihmë më të rrezikuarve duke qenë se infeksioni nuk shfaqet menjëherë duhet krijuar një mundësi, një regjistër i personave që vijnë nga zonat e infektuara dhe të mbahen nën mbikëqyrje.
Nuk është koha për propagandë. Është koha që të flasin mjekët dhe ekspertët. Qeveria dhe institucionet, kanë detyrën të veprojnë plotësisht në mbështetje të tyre.
Vendi ynë ka mjekë dhe ekspertë shumë të mirë, ekspertë të zotë, të cilët kanë të gjithë aftësitë dhe përgatitjen e nevojshme për ta menaxhuar këtë situatë, nëse u jepet mbështetja e nevojshme nga institucionet.
Prandaj, ju bëj thirrje të dashur bashkëqytetarë, së pari të mos neglizhoni asnjë shenjë gripi, qoftë edhe më të lehtën. Dhe, së dyti, të bashkëpunoni me strukturat shëndetësore, sepse përmes bashkëpunimit me ta, do të jetë më e lehtë të menaxhohet situata.
Partia Demokratike, me grupin e veçantë të punës që ka ngritur, do të vazhdojë të monitorojë situatën hap pas hapi, ditë pas dite dhe orë pas ore.
Edhe njëherë ju kërkoj që të jeni larg panikut, të mirëinformoheni. Ndërkohë, që i kërkoj autoriteteve të informojnë qytetarët në mënyrë të detajuar, transparente dhe të përgjegjshme, për masat që duhet të merren dhe të lënë mjekët, specialistët, të flasin.
Sot është koha të flasin ata.
Pyetje: Zoti Basha a ka Partia Demokratike informacion të besueshëm kur thoni se Spitali i Kavajës do të shërbejë si karantinë, pasi autoritetet e kanë mohuar një gjë të tillë?
Lulzim Basha: Partia Demokratike po monitoron situatën në çdo komponent të saj. Detyra jonë sot, është t’u shërbejmë qytetarëve shqiptarë përmes transparencës dhe përmes çfarëdolloj ndihme që mund të japin ekspertët e angazhuar pranë Partisë Demokratike, si dhe të bëhemi zëri i atyre ekspertëve, mjekëve të fushës, të cilët mund ta kenë të vështirë të shprehen në kushtet e propagandës mbi të vërtetën. Këto janë detyrat tona si opozitë. Dhe këto detyra po i kryejmë dhe do t’i kryejmë me përgjegjësi të lartë ndaj qytetarëve, që nga momenti i parë i alarmit për mundësinë e epidemisë, duke qenë se tashmë ndodhet shumë pranë vendit tonë dhe në një vend ku kemi një numër shumë të madh qytetarësh.
Faleminderit!