“Ndëshkim dhe parandalim në kohë reale” Enkelejd Alibeaj shpjegon 4 shtyllat kryesore të paketës së PD dhe opozitës kundër krimit zgjedhor dhe përfshirjes së krimit dhe pushtetit në zgjedhje.

 

Motivi kryesor për draftimin e propozimeve tona është një: në zgjedhje nuk duhet të ndodhë që qytetari të ketë frikë nga pushteti. E kundërta, pushteti duhet te këtë frikë nga qytetari, nga vota e lirë e tij.

 

Janë katër vlera kryesore në propozimet tona ligjore.

 

  1. Së pari, mbrojtësi më i madh i votës është qytetari.
  2. Së dyti, i duhen dhënë qytetarit mjete dhe instrumenta në dorë për ta mbrojtur votën
  3. Së treti, agjencitë ligjzbatuese do të duhet të mbrojnë votën duke zbatuar ligjin. Polici nuk duhet të heqë kapelen për të bërë vota për pushtetin. Polici duhet të mbajë në kokë kapelen dhe në dorë ligjin.
  4. Së katërti, shkelja e detyrimeve ligjore prej institucioneve shtetërore duhet të çojë në plavleshmërinë e zgjedhjeve dhe kështu mbyllet qarku.

 

Strukturimi i 4 vlerave.

 

SHTRIRJA E KONTROLLIT NË TERRITOR

 

Në qendrat e votimit të vendosen kamera që vëzhgojnë çfarë ndodh në territorin e shenjtë ku konkretizohet vullneti I qytetarëve. Sistemi I kamerave në qendrat e votimit, të lidhura ne qendër dhe të vëzhguara gjatë gjithë kohës nga institucionet ligjzbatuese.

 

TERRITORI JASHTË QENDRËS SË VOTIMIT.

 

Në proceset elektorale ky është territor i dominuar nga banda, nga krimi dhe nga drejtues të administratës, që rreshtojnë administratën për të votuar sipas frymëzimit të pushtetit. Territori duhet të pastrohet nga banda, nga krimi dhe ku qytetari shkon i lirë për të votuar. Propozimi ynë është që forcat e policisë, në mënyrë distante, të stacionuara aty, të krijojnë këtë hapësirë lirie për të votuar jashtë krimit dhe shantazhit shtetëror.

 

PJESA TJETËR E TERRITORIT

 

Krimi zgjedhor finalizohet në qendrën e votimit, në territorin jashtë qendrës së votimit, por fillon jashtë qendrave të votimit. Fillon në banesat e qytetarëve, në qendrat e punës të administratës, ku shantazhohen nga drejtuesit e administratës.

 

SHTRIRJA NË KOHË E KONTROLLIT

 

Nuk mjafton që kontrolli të ndodhë vetëm ditën e zgjedhjeve. Krimi zgjedhor është ai që fillon shumë muaj më parë. Kemi propozuar jo vetëm ngritjen e strukturave të policisë dhe prokurorisë 2 javë pas caktimit të datës së zgjedhjeve. Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesi I Prokurorisë së Posaçme, SPAK, duhet të marrin masa për të ngritur njësi hetimore të posaçme, të shtrira në territor, që do të monitorojnë dhe do të reagojnë në kohë reale ndaj krimit zgjedhor.

 

DOKUMENTIMI I VEPRIMTARISË SË POLICISË

 

Propozojmë ngritjen e një Regjistri Kombëtar, me qendër në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, që do të dokumentojë të gjitha njoftimet, referimet, kallëzimet e bëra, si nga qytetarët, në bazë të mekanizmit të sinjalizueve, nga stafet e subjekteve zgjedhore dhe nga vetë subjektet zgjedhore. Elementi I dokumentimit është kyç për kontrollin e veprimtarisë ligjore të organeve të policisë dhe të prokurorisë. Do të ketë edhe një regjistër që do të dokumentojë se në ç’masë policia, si në qendër dhe në bazë, ka vepruar në bazë të sinjalizimeve, kallëzimeve, referimeve për kryerjen e krimit zgjedhor në terren. Ky dokument, regjistër, që jo vetëm do të shërbejë për të kontrolluar, korrektësinë ligjore të agjencive ligjzbatuese, policisë, prokurori, por do të jetë një regjistër që do të aksesohet edhe prej KQZ, apo si do ta ketë emrin organi që do të administrojë zgjedhjet, në funksion edhe të provueshmërisë dhe vlefshmërisë ose jo të zgjedhjeve.

 

NDËSHKIM DHE PARANDALIM NË KOHË REALE

 

Përveç dokumentimit, përveç referimit, përveç vendosjes së policisë dhe prokurorisë në gjendje për të vepruar, do të duhet që policia dhe prokuroria gjatë gjithë periudhës së zgjedhjeve, edhe ditën e zgjedhjeve, të reagojnë në kohë reale për parandalimin dhe për ndëshkimin e krimit zgjedhor. Për këtë arsye, kemi propozuar që gjendja e flagrancës të krimit zgjedhor, siç parashikohet në Kodin e Procedurës Penale, dhe kushdo e kupton që “gjendja e flagrancës të krimit zgjedhor” fillon shumë kohë më parë, por përfundon ditën e zgjedhjeve, është e tillë, që do të duhet të detyrojë që në kohë reale policia dhe prokuroria t’u hedhë prangat atyre që kryejnë krime zgjedhore në kohë reale. Ndëshkim për ata, parandalim për të tjerët.

 

DEKRIMINALIZIMI I STAFEVE ZGJEDHORE

 

Kemi propozuar edhe zgjerim të konceptit të dekriminalizimit. Sillni ndërmend “çunat problematikë”. Propozimi ynë është që dekriminalizimi të shtrihet jo vetëm në administratën zgjedhore, por përtej kësaj, edhe pjesë të stafit të fushatës së subjekteve. Kini parasysh  “çunat problematikë”, bandat dhe krimi, të cilët i ngjiten si këpushë subjekteve zgjedhore në fushatë zgjedhore. Do të jenë të detyruar subjektet zgjedhore të deklarojnë cilët janë pjesëtarët dhe anëtarët e stafeve të zgjedhore, të ditur këto edhe për policinë, në mënyrë që veprimtaria e tyre të monitorohet. Policia, prokuroria, policia gjyqësore do të jetë e ngarkuar që në momentin që caktohet data e zgjedhjeve të kryejnë veprimtari të natyrës parandaluese, analiza risku. Cilat janë familjet e varfra, të cilat janë targeti, fokusi i shitblerjes së votës, cilët janë lëvizjet monetare. Të mos ndodhë që në fushatë zgjedhore, çmimi i euros të bjerë, siç ka ndodhur edhe më parë. Sa herë të ketë sinjale më të imëta të fillimit të veprimtarisë së tillë, të nisë që në atë moment parandalimi dhe ndëshkimi i tyre. E gjitha kjo do të shërbejë si bazë dokumentare për pavlefshmërinë e zgjedhjeve.

 

Kjo sa i përket organeve të policisë. Një ristrukturim, një zile alarmi, e cila do të përshkojë fushatën zgjedhore që nga momentet fillestare dhe deri ditën e zgjedhjeve, ndoshta edhe pas përfundimit të saj.

 

ROLI I PROKURORISË NË NDËSHKIMIN E KRIMIT ZGJEDHOR

 

Nuk mjafton për të ristrukturuar mobilizimin e policisë. Krimi zgjedhor duhet të parandalohet, krimi zgjedhor do të duhet të dokumentohet, por mbi të gjitha krimi zgjedhor do të duhet të ndëshkohet. Për këtë arsye kemi propozuar ndryshime përsa i përket mënyrës sesi duhet të funksionojë prokuroria. Dhe jo vetëm prokuroria, por të gjitha organet që rrethrrotullohen tek sistemi i prokurorisë, duke filluar nga Prokurori i Përgjithshme. Propozojmë që dy javë pasi caktimit të datës së zgjedhjeve, Prokurori i Përgjithshëm, përmes instrumenteve që ka, nxjerrjen e udhëzimeve, të udhëzojë ngritjen e strukturave të posaçme të prokurorisë të shtrira në territor, pra prokuroritë civile, për ta ndarë nga SPAK. Me regjimin e ri të organizmit të sistemit të prokurorisë, ku janë vendosur ndarje të një marrëdhënie pothuajse autonomie, midis Prokurorit të Përgjithshëm dhe drejtuesve të prokurorisë, edhe drejtuesit e prokurorive të rretheve, në zbatim të udhëzimeve të Prokurorit të Përgjithshëm, do të duhet të ekzekutojnë ngritjen e këtyre njësive të posaçme hetimore, tagri i të cilëve është krimi zgjedhor.

 

ROLI I ORGANEVE TË REJA TË DREJTËSISË NË ZGJEDHJE

 

Ashtu, si Prokurori i Përgjithshëm, edhe drejtuesi i SPAK, që në momentet e para nga caktimi i datës së zgjedhjeve, nëpërmjet instrumenteve që ka në dorë, udhëzimeve që ka, por edhe të drejtës dhe kompetencës që ka për të menaxhuar BKH-në, do të duhet të nxjerrë udhëzimet për mënyrën e funksionimit dhe ristrukturimit. Drejtuesi i BKH-së është i përfshirë dhe merr detyra të reja për fushatat zgjedhore. Për ta përmbyllur panoramën, ne propozojmë që edhe KLP të ketë detyra të posaçme në mbështetje të detyrave që do të marrin Prokurori i Përgjithshëm, drejtuesit e prokurorive, ashtu edhe drejtuesi i SPAK. Së fundmi, edhe ILD do të ketë detyra të posaçme për të ndëshkuar, për të proceduar, për të ndëshkuar çfarëdolloj shkelje ligjore nga subjektet që ai ka nën kontroll, prokurorët dhe gjyqtarë.

 

Këto janë propozimet tona që fillojnë nga individi, shkojnë tek policia, përcillen tek prokuroria dhe tek instrumentet e tjerë shtetërorë për të kontrolluar të gjithë këtë konstelacion organesh, që do të monitorojnë jo ditën e zgjedhjeve, jo vetëm fushatën, por periudhën zgjedhore.