DEKLARATË E PËRFAQËSUESIT TË PARTISË DEMOKRATIKE NË TRYEZËN POLITIKE PËR REFORMËN ZGJEDHORE
Ky është takimi i dytë që patëm si grup i katër përfaqësuesve politikë bashkë me ekspertët e ODIHR-it.
Opozita sot bëri disa propozime. Janë tre paketa në lidhje me atë që ne mendojmë se është instrumenti që do të ndajë politikën nga krimi, do të godasin krimin zgjedhor, do të rrisin efikasitetin e krimit zgjedhor.
Është roli i Policisë së Shtetit në një kuadër masash që garantojnë fushën e barabartë të lojës. Futja e një numri instrumentesh që kanë të bëjnë me të drejtën dhe mbrojtjen e subjekteve që do të denoncojnë krimet zgjedhore, rol të shtuar për Policinë Gjyqësore dhe elementë të tjerë që garantojnë sekretin dhe lirinë e zgjedhësve në procesin e votimit.
Po ashtu, kemi bërë propozime në lidhje me rolin që do të ketë Prokuroria, qoftë ajo e zakonshme, qoftë ajo e Posaçme në goditjen e krimit zgjedhor, në mënyrë të veçantë Prokuroria e Posaçme për korrupsionin zgjedhor, qoftë atë aktiv, qoftë atë pasiv dhe futja e këtij të fundit në kompetencat e SPAK-ut, sepse në të shkuarën është lënë jashtë duke dëmtuar një qëllim që ka jo vetëm Kushtetuta por edhe reforma zgjedhore e mëhershme, që krimi i korrupsionit zgjedhor duhet të goditet nga strukturat më të specializuara që kemi ne sot nga reforma në drejtësi.
Pra, është një paketë e cila trajton disa çështje nga axhenda e miratuar nga Komisionit dhe bashkë me ekspertizën e ekspertëve të ODIHR-it besojmë se do të ecim me shpejtësi për t’u dhënë drejtim çështjeve që janë me ndikim shumë negativ mbi procesin zgjedhor.