• Nga fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në konferencën “Sfida dhe Vizione në Shëndetësi”, e organizuar nga PD në bashkëpunim me fondacionin Konrad Adenauer.

 

 SHQIPËRIA E FUNDIT NË BALLKAN EDHE PËR SHËNDETËSINË

Në prill të vitit të kaluar, s’është bërë akoma viti, deklarova se sistemi shëndetësor është në vdekje klinike apo në gjendje kome. Sot jemi edhe më keq. Fakti është se sistemi shëndetësor në Shqipëri renditet zyrtarisht i fundit në Ballkan për të gjithë treguesit. Nuk ka një tregues për të cilin sistemi shëndetësor shqiptar të mos jetë i fundit në Ballkan, duke filluar me financimin nga buxheti i shtetit, katandisur në 115 dollarë për frymë, 3 herë më pak se Bosnja Hercegovina.

Po të marrim prapë për krahasim Bosnjën, shpenzimet nga xhepi të shqiptarëve kanë arritur në 58%, 2 herë më shumë se në Bosnjë.

Shkaktar i kësaj katastrofe, janë faktorët që tashmë janë përmendur këtu; duke nisur me financimin e ulët, mbështetjen e ulët nga financimi buxhetor, nga taksat e shqiptarëve, vjedhjen e hapur, ku përmes koncesioneve korruptive apo aferave korruptive, se t’u themi koncesione gënjejmë, nuk janë koncesione, nuk janë PPP, janë vjedhje të pastra. Janë në rastin më të mirë kontrata shërbimi me tre-katërfish çmimin, që mund të sigurohej përmes një procesi minimalisht të ndershëm dhe të hapur prokurimi, me një vlerë që po arrin tashmë 40 milionë euro në vit, 35-40 milionë euro në vit. Kjo shumë është e mjaftueshme për të ndërmarrë disa nga reformat kryesore për ta sjellë sistemin shëndetësor shqiptar, të paktën në parametrat e pranueshëm dhe të krahasueshëm me vendet e tjera të rajonit.

NUK KA SHËNDETËSI FALAS – KA AFTËSI TË QEVERISË PËR TË VJEDHUR

Problemet janë të qarta, nisin dhe bazohen mbi një gënjeshtër të madhe: shëndetësinë falas, kur në fakt ky është një slogan dhe një parullë mashtruese dhe gënjeshtare që në fillim. Nuk ka shëndetësi falas, shëndetësia falas është një parrullë mashtruese për të zbukuruar apo mbuluar, në rastin më të mirë, financimin e plotë nga taksimi universal. Ky financim, si përqindje e prodhimit të brendshëm, ka ardhur në ulje dhe barra që i imponon sistemit shëndetësor është bërë e papërballueshme, e ka thyer në mes shëndetësinë shqiptare.

Kësaj përqasje propagandistike i është shtuar edhe centralizimi i skajshëm. në disa raste ka tejkaluar edhe centralizimin e sistemit diktatorial komunist. Pse është bërë kjo? Për mungesë vizioni, përqasje realiste që të njohësh problemin dhe të dish s’i ta zgjidhësh dhe të ofrosh një zgjidhje realiste? Jo, nuk ka ndodhur as për mungesë vizioni, as për mungesë aftësie. Ka ndodhur për aftësinë e pakonkurueshme që karakterizon këtë qeverisje, aftësinë për të vjedhur dhe shpërdoruar fondet publike. Dhe nuk ka pasqyrë më të qartë sesa vjedhja me afera korruptive, sesa afera korruptive e të ashtuquajturave PPP dhe koncesione, 35-40 milionë euro në vit, para të taksapaguesve shqiptarë, sot taksapaguesit e dytë më të varfër në Europën gjeografike. Lëmë mbrapa vetëm një shtet i cili po na afrohet me shpejtësi.

Kësaj i mbivendoset financimi nën nivele subekuatoriale të Afrikës, 2.1% e prodhimit të brendshëm bruto. Dhe pastaj keqmenaxhimi. Keqmenaxhimi i institucioneve shëndetësore, keqpërdorimi politik i tyre, mbivendosja e militantizmit, klientelizmit, paaftësisë me arrogancë ndaj elitës shkencore dhe mjekësore në Shqipëri, sot nuk është thjesht problem, por është një krim i rëndë dhe i përditshëm dhe faturën nuk e paguajnë vetëm mjekët, profesorët, shefat e departamenteve, stazhierët, e paguajnë drejtpërdrejtë pacientët dhe familjarët e tyre.

QEVERIA SI ARMIKE E PERSONELIT SHËNDETËSOR DHE PACIENTËVE

Duke i deklaruar luftë të hapur parimeve bazë të ndërtimit të një sistemi të suksesshëm shëndetësor, kjo qeveri ka kthyer në armiq pacientët në radhë të parë, pastaj mjekët dhe është futur edhe në këtë fushë, ka angazhuar edhe në këtë fushë debatin pervers se fajin për dështimin e politikave të tyre apo për hartimin e politikave të gabuara, apo për hartimin e politikave perde për të vjedhur, e kanë personeli shëndetësor. E njëjta luftë që po bëhet edhe kundër personelit akademik në universitete. Fajin e kanë të gjithë, e kanë çdo shqiptar; nga ai që sapo kanë lindur sot dhe deri tek më i moshuari për dështimet e qarta të kësaj qeverie. Ndërkohë realiteti, siç u cek këtë takim, është që pagat e mjekëve dhe personelit shëndetësor në Shqipëri janë më të ulëtat në Europë.

Dje dëgjuam marrëzinë se do të kthejmë mjekët nga diaspora, ndërkohë, ditë për ditë na ikin me dhjetëra mjekë, me qindra infermierë. A ka kufij marrëzia që ndërkohë që po të ikin masivisht mjekët, infermierët dhe personeli shëndetësor, ti del dhe harxhon qindra miliona lekë të taksapaguesve shqiptarë me regji qendrore për t’iu shitur pallavrat e radhës e t’u thuash “Do të kthejmë mjekët nga diaspora”.?! Po ti mbaj njëherë mjekët që ke këtu, sepse shpopullimi i personelit shëndetësor po e çon krizën në shëndetësi në përmasat e një krize të sigurisë kombëtare. Sot jemi 1 mjek në 1 mijë banorë. Nuk e di ku do të jemi, nëse nuk ndalim këtë dhe nuk e ndalim shpejt. Nuk e di se ku do të jemi kur të mblidhemi përsëri.

 

FARMACEUTIKA NËN PUSHTETIN E MAFIAS SË BARNAVE

Farmaceutika shqiptare sot është tërësisht nën pushtetin e mafies së barnave, të cilat, përmes diktimit në bashkëpunim me qeverinë, me këtë kryeministër dhe skotën e tij hajdute po u imponojnë shqiptarëve barna me origjinë të pasigurt, barna fallco dhe një treg tërësisht të atrofizuar, monopolizuar dhe të kontrolluar nga kjo mafie.

Fare shkurtimisht dua të konfirmoj edhe një herë, pa u futur në nivel detaji që do të na kërkojë më shumë kohë dhe mundësi për të përthithur mendimet tuaja përmes një konsultimi dëgjese që nuk do të mungojë dhe do të organizohet po kështu me ndihmën e partnerëve tanë gjermanë dhe amerikanë, për sa i përket programit tonë.

PIKAT KRYESORE TË FAZËS SË PARË PËR NXJERRJEN E SHËNDETËSISË NGA KRIZA

Oferta jonë programore është në zhvillim. Përbën angazhimin tonë për ta nxjerrë shëndetësinë nga kriza dhe për të nisur një ofertë dinjitoze për pacientët shqiptarë dhe familjarët e tyre. Pa zgjidhur shëndetësinë nuk mund të kemi ambicie të tjera.

 

  1. Rritja e financimit dhe mirëmenaxhimi i fondeve do të nisë me anullimin e të ashtuqujturave koncesione. Akti i anullimit të tyre do të jetë ndër aktet e para të qeverisë sonë. Çlirimi i mbi 35 milionë eurove në vit, që sot, në emër të buxhetit për shëndetësinë përfundojnë në 3-4 duar dhe bashkëndahen me pushtetarët e korruptuar, do të jetë mundësi e mirë për të nisur ekzekutimin e politikave tona.
  2. Profesionalizmi dhe rikonceptimi i sistemit. Që rritja e financimit shëndetësor, jo vetëm përmes anullimit të koncesioneve, por edhe rritjes së kontributit të taksimit universal për buxhetin e shëndetësisë të japë rezultatet e duhura, duhet të kemi një rikonceptim total të institucioneve të kujdesit shëndetësor. Koncepti i “spitalit sipërmarrje, kujdesi shëndetësor parësor në shtëpi, shëndeti përmes mjekut të familjes-profesionist lirë, janë disa nga konceptet qe duam të diskutojmë më korpusin e profesionistëve dhe administratorëve të shëndetit publik. Këto ndërhyrje, sipas nesh, janë esenciale për të rritur cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe për të eliminuar korrupsionin dhe keqpërdorimin e tyre politik sot apo nesër.
  3. Spitali autonom do të bëjë të mundur që të mos mungojnë asnjëherë barnat, analizat laboratorike apo ekzaminimet, një nga mangësitë që e bartim edhe nga koha e qeverisjes sonë.

Nëse hedhim këto tre hapa, financimi, autonomia, dhe profesionalizimi, do të mundësojmë që shqiptarët të mos blejnë më barna nga xhepi, të mos paguajnë bakshishe nën dorë. Do të mundësojmë një mjedis të qetë pune për profesionistët e shëndetësisë, mjekët dhe infermierët. Kjo mënyrë e re e funksionimit të spitaleve, ku do të krijohen të tjera marrëdhënie midis spitalit, mjekut dhe personelit shëndetësor, përveç kontratave me kohë të plotë, do të ketë edhe mjekun e familjes profesionist të lirë dhe do të bëjë të mundur që, të paktën në fazën e parë, ne të jemi në gjendje të zbatojmë angazhimin tim dhe të PD që pagat e personelit shëndetësor të rriten në mënyrë të menjëhershme me 1200 euro për mjekët dhe 700 euro në muaj  për infermierët, si një masë e domosdoshme për të nisur kontrollin e largimit masiv të personelit shëndetësor dhe pasojat që sjell për pacientët.

Për këtë duhet një ndarje e qartë e roleve në sistem.

Nëse kryeministri ose ministri i shëndetësisë sillet si drejtor i QSUT, gjërat do të shkojnë keq e më keq.  Nëse drejtori i QSUT përzgjidhet për shërbimet politike ndaj kryeministrit, asgjë nuk do të funksionojë.

  • Qeveria dhe ministria janë politikëbërëse.
  • Sigurimet shëndetësore janë financuese të shërbimit.
  • Ofruesit e shërbimit janë institucione autonome.

Do të marrë fund praktika – që ka vetëm një arsye, korrupsionin dhe vjedhjen- që ministria të vendosë se çfarë shërbimesh do të ofrojnë spitalet, të kryejë tenderat për barnat dhe të japë koncesionet korruptive klientëve politikë të rradhës. Kjo nuk ka për të ndodhur më! Gjithçka që ka ndodhur deri tani do të zhbëhet dhe përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Nuk do të ketë pandëshkueshmëri dhe as harresë dhe as gëzim të fryteve pasurore korruptive për askënd që ka qenë pjesë e këtyre aferave korruptive në kurriz të të sëmurëve shqiptarë dhe familjarëve të tyre.

LIBERALIZIMI I TREGUT TË SIGURIMEVE SHËNDETËSORE – GARANCI PËR CILËSINË-FUND KORRUPSIONIT

Sa i përket financimit që përbën edhe pjesën kryesore të ndërhyrjes, propozimi është që dy kolonat kryesore, atë të mbledhjes dhe shpërndarjes së fondeve sipas nevojave të pacientëve, ta bëjë përmes forcimit të skemave të sigurimeve shëndetësore, duke kthyer pagesat nga xhepi në kontribute shëndetësore. Fakt është që, sipas matjeve, shqiptarët paguajnë për kokë për shëndetësinë më shumë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut, po të llogarisësh taksimin universal, sado i ulët, 2.1%, pagesat që bëjnë për spitale private, biletat e avionit dhe hotelerinë jashtë vendit, po t’i mbledhësh të gjitha bashkë, çdo qytetar paguan më shumë mesatarisht se një qytetar i Maqedonisë së Veriut, ku ndryshimi në cilësinë e shërbimit është i dukshëm.

Motivimi i qytetarëve për të kryer sigurimet shëndetësore do të bëhet duke liberalizuar tregun e sigurimeve shëndetësore, duke ofruar paketa sipas nevojës së pacientëve, duke hequr monopolin e blerësit të vetëm dhe duke formuar tregun shëndetësor në vend.  Kjo është përqasja realiste europiane, e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund motivimeve për korrupsion kapilar në sistemin e shëndetësisë.

Ka kategori vulnerabël që do të mbulohen nga buxheti i shtetit. Solidariteti shoqëror është element i pandashëm i çdo politike që ne kemi propozuar.

Kjo do të thotë që brenda mandatit tonë të parë ne zotohemi që përqindja e buxhetit të dedikuar për shërbimet shëndetësore ndaj qytetarëve shqiptarë, do të barazohet ose do të tejkalojë përqindjen që sot shpenzohet nga Maqedonia e Veriut. Nuk ju premtoj as Zvicër, as Itali, as Gjermani, por kjo përqindje do të arrihet. Nuk ka asnjë pengesë, përveç mungesës së vullnetit, apo ta themi më troç, projektit kriminal për të vjedhur të sëmurët shqiptarë.

FRENIMI I SHPOPULLIMT TË SISTEMIT SHËNDETËSOR

Mjekët dhe infermierët, që po bëhen me shpejtësi grupi shoqëror më fluent në gjermanisht, është një problem që sapo ka nisur dhe do të vazhdojë të jetë edhe më kërcënues, nëse ne nuk veprojmë. Gjermania dhe Italia sot janë në nevoja të jashtëzakonshme për personel të kualifikuar shëndetësor.  Çfarë do të bëjmë? Do t’u marrim pasaportat mjekëve? Do të bëjmë kontrata fiktive, të parealizueshme? Do t’u çojmë përmbarimin në Mynih, Dyseldorf apo Vjenë? Ne nuk mund ta ngrijmë tregun, se ky është një fenomen edhe në vendet e zhvilluara, por mund ta përdorim që, nga një spirale që shkon poshtë e më poshtë, ta kthejmë në një mundësi. Duhet të kuptojmë se nuk e përballojmë dot shëndetësinë me numrin e të diplomuarve për vit. Kjo është emergjenca e parë. Dyfishim, trefishim, katërfishim të numrit të studentëve të mjekësisë, që do të kërkojë rritje të kapacieteve të Fakultetit të Mjekësië. çfarë e pengon qeverinë e nesërme të investojë që, në vend të 150 të diplomuarve në vit, të jenë 300 apo 450, që të stimulojmë sa të mundeimi, edhe përmes pagave, mbajtjen e mjaftueshme të personit shëndetësor për nevojat tona? Dhe përmes reformës dhe liberalizimit të tregut të sigurimeve shoqërore, të autonomisë së spitaleve publike dhe të synojmë atë që sot mund të duket e pamendueshme, por që ekonomikisht është e arritshme, rroga të barabarta e kolegët në vendet e zhvilluar në BE. Çfarë frenash ka kjo ambicie përveçse mungesës së vizionit, mungesës së vullnetit, sepse qeveria e ka mendjen për të vjedhur. Nuk ka asnjë pengesë tjetër.

Objektivi ynë duhet të jetë që brenda 5 viteve Shqipëria jo vetëm të japë shërbime shëndetësore cilësore për qytetarët e saj, por të synojë që të ofrojë bazat e turizmit shëndetësor. Kur e bëjnë vende me një situatë shumë më të dëshpëruar se kjo e jona, republikat e Kaukazit, nuk ka pse të mos e bëjë Shqipëria, një orë nga Mynihu, një orë nga Roma, 1 orë nga Vjena, në zemër të Europës. Kjo duhet të jetë ambicia jonë. Nuk mund të pranojmë viktimizimin nga kjo qeveri të mjekëve, të infermierëve, të pacientëve, të familjarëve të tyre. Ne duhet të mendojmë të ardhmen, nëse hedhim këto hapa, e nesërmja është plot me shpresë dhe me dritë. Është plot me potenciale dhe mundësi.

BARNAT DHE CILËSIA E TYRE

Këtu duhet të ndiqen disa parime të qarta e të thjeshta. Çfarë është një medikament i certifikuar në BE, SHBA, Japoni, në Australi, është një medikament i certifikuar në Shqipëri. Origjina e sigurt është i vetmi instrument për të mbrojtur shëndetin e pacientëve. Kjo është oferta jonë për ta nxjerrë shqiptarin nga ankthi se mos medikamenti që ka blerë është fallco apo akoma më keq i dëmshëm për shëndetin. Eliminimi i barnave klienteliste, rritja e numrit të barnave të rimbursueshme, me synim afrimin me mesataren europiane, është një tjetër angazhim programor i PD.