- Akt kriminal i Ministrisë së Shëndetësisë, shpërndan 1.2 milion maska të skaduara për personelin mjekësor. Prokuroria të nisë hetimet.
DEKLARATË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI, PAS INSPEKTIMIT NË QENDRËN SHËNDETËSORE NË KAMËZ ME ANËTARËT E GRUPIT TË PUNËS PËR KORONAVIRUSIN, ALBANA VOKSHI DHE BARDH SPAHIA
Sot kam qenë bashkë me kolegët e grupit të punës ngritur në Partinë Demokratike për të verifikuar marrjen e masave nga qeveria për parandalimin e përhapjes së virusit koronavirus në disa qendra shëndetësore në gjithë Tiranën. Kjo është qendra e fundit shëndetësore, një nga më të mëdhatë në qarkun e Tiranës.
Siç jeni në dijeni gjatë gjithë muajit shkurt ka patur një propagandë të vijueshme nga qeveria se ka marrë të gjitha masat për të mbrojtur personelin mjekësor. Keni qenë dëshmitarë që vetëm pasi kolegët vizituan disa nga qendrat shëndetësore, Ministria e Shëndetësisë, në datën 28 shkurt deklaroi se ka shpërndarë për stafin mjekësor, pra për mjekët dhe infermierët maska mbrojtëse, që janë këto kutia që shihni këtu.
Nga data 28 shkurt e deri më sot kemi marrë me dhjetëra denoncime nga mjekë që nga përdorimi i këtyre maskave mbrojtëse të shpërndarë nga Ministria e Shëndetësisë, Manastirliu, një propagandë e admirueshme, 1 milionë e 200 mijë maska deklaron në çdo studio televizive që i ka shpërndarë mjekëve. Denoncimet nga mjekët në të gjithë Shqipërinë që nga përdorimi i këtyre maskave kanë patur irritim në fytyrë. Kemi verifikuar arsyet se përse shkaktohej ky irritim në fytyrë tek mjekët që në disa raste ka shkuar deri në probleme me frymëmarrjen.
Të jemi të sinqertë nga faktet që kemi marrë dje nuk donim të besonim se ajo që na raportohej ishte e vërtetë, por për fat të keq sot jemi njohur me një fakt tronditës, me një fakt që tregon papërgjegjshmëri të lartë të qeverisë dhe me një akt kriminal nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
Siç e shikoni këto kuti, me të cilat kanë pajisur mjekët me maska kanë një pullë, që ka bllokuar datën e skadencës së këtyre maskave. Nëse pullën e heq, do të shikoni se data e skadencës së këtyre maskave që janë shpërndarë personelit mjekësor është 20/12/2011. Kjo tregon që Ministria e Shëndetësisë, personalisht Ministrja e Shëndetësisë dhe të gjitha institucionet shëndetësore në vend janë përfshirë në një veprimtari kriminale me pasoja të rënda për shëndetin e stafit mjekësor.
Këto nuk janë mjete mbrojtëse mjekësore. Këto janë mbetje mjekësore që do të duhej të ishin nënshtruar menjëherë procedurës së asgjësimit siç parashikon ligji. Jo vetëm nuk janë asgjësuar, jo vetëm mjekët janë sot më shumë të pambrojtur dhe nga këto maska iu rrezikohet edhe shëndeti i tyre, por për këto maska sigurisht që janë paguar edhe para dhe Ministria e Shëndetësisë është përfshirë në një skenar kriminal të manipulimit, pra të fshehjes së vërtetës duke vënë në dispozicion të mjekëve mbetje spitalore. E ripërsëris, nuk janë mjete mbrojtëse spitalore janë mbetje spitalore që do të duhej të ishin asgjësuar.
Kam dy apele nga Qendra Shëndetësore Kamëz, që është qendra e fundit shëndetësore që ne vizitojmë sot:
Së pari, për Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë. Ky është një krim i rëndë shtetëror me përgjegjëse direkte ministren e Shëndetësisë e cila është përfshirë në një operacion manipulimi për të marrë mbetjet spitalore që duhej të asgjësoheshin dhe për t’ia vënë në dispozicion stafit mjekësor.
Së dyti, nga ky operacion kriminal sigurisht që rrezikohet jeta e mjekëve, por duke qenë se sot të gjithë shqiptarët i kanë sytë nga mjekët, i kanë sytë nga personeli mjekësor do të thotë se rreziku i shëndetit dhe jetës së mjekëve do të thotë se është rrezik për jetën dhe shëndetin e çdo qytetari shqiptar.
E kemi bërë me dije që ditën e parë, kur kjo gjendje e jashtëzakonshme u krijua në të gjithë botën dhe ku kërkuam marrjen e masave edhe në vendin tonë. Ka nevojë për përgjegjshmëri. Ka nevojë për përulësi. Ka nevojë për fonde financiare për të pajisur mjekët me mjetet e nevojshme spitalore dhe shëndetësore.
Nuk ka nevojë për propagandë, nuk ka nevojë për shfaqje.
Prandaj, apeli im i dytë shkon për qeverinë: të lërë propagandën, të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur stafin mjekësor, për të mbrojtur mjekët dhe infermierët dhe gjithashtu për të mbrojtur të gjithë qytetarët shqiptarë.
I bëj edhe njëherë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm: këto kuti, 1 200 000 maska sipas ministres Manastirliu, ndodhen në të gjitha Qendrat Shëndetësore në të gjithë territorin e Shqipërisë, është përgjegjësi ligjore, kushtetuese, e Prokurorit të Përgjithshëm që në këtë moment, që pa asnjë vonesë të urdhërojë të gjitha prokuroritë e rretheve, përfshirë dhe Prokurorinë e Tiranës, të sekuestrojë në cilësinë e provës për këtë akt kriminal, të gjitha këto kuti të skaduara të mbetjeve spitalore që mjekëve u janë vënë në dispozicion si pajisje mbrojtëse për të përballuar situatën me koronavirusin.
Është një situatë të cilën opozita në tërësi dhe veçanërisht Partia Demokratike në veçanti, nuk la dashur dhe nuk do kurrë për ta përdorur për politikë, mirëpo është në përgjegjësinë tonë kushtetuese dhe ligjore, për të denoncuar çdo fenomen që rrezikon, së pari jetën e personelit shëndetësor dhe mbi të gjitha jetën e gjithë qytetarëve shqiptarë.
Faleminderit!