• Qeveria, mungesë transparence për ndihmën sociale dhe atë ndaj biznesit. Qytetarët duhet të dinë kush përfiton nga ndihma.

• Nuk ka akoma përgjigje çfarë do të bëhet me 35 mijë biznese dhe mbi 70 mijë të papunë të përjashtuar nga skema.

• Ndihma është detyrim ligjor i qeverisë në kushtet e fatkeqësisë natyrore. Të anullohet çdo transaksion i panevojshmë deri në kalimin e krizës.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, JORIDA TABAKU

Në emër të Partisë Demokratike dua të ndaj me ju shqetësimin për mungesën e tranparencës për ndihmën e parashikuar për shtresat në nevojë dhe për ekonominë.

Ndonëse u premtua disa herë se ishte gati vendimi i Këshillit të Ministrave që detajonte rregullat për përfitimin e ndihmës nga kategoritë që përfshihen në Aktin Normativ të miratuar të dielën, ende nuk është publikuar asgjë.

17 ditë pas rëndimit të krizës, pse nuk ka ende një VKM për pagesat që u lajmëruan nga Qeveria?!

Pse nuk bëhet e ditur lista e plotë e përfituesve nga kjo pagesë, që qytetarët të kenë mundësi të shohin nëse janë apo jo përfitues?

Kush janë bizneset e vogla që përfitojnë?

Kush janë personat qe do të marrin pagesë papunësie?

Kush janë personat qe do të përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike?

Dua ta përsëris me forcë. Paketa sociale e miratuar nga Qeveria është e pamjaftueshme. Mijëra familje në nevojë apo biznese nuk përfitojnë prej saj.

Sot llogariten rreth 65-80 mijë biznese të mbyllura, pa asnjë aktivitet si pasojë e masave të marra nga epidemia. Rreth 35 mijë, në rastin më të mirë, nuk janë përfshirë në paketën sociale të Qeverisë. Çfarë do të ndodhë me ta? Kush kujdeset për ta?

Çfarë do të bëhet me mbi 70 mijë familje që i kanë hequr nga ndihma ekonomike dhe nuk janë përfitues të skemës së Qeverisë?

Në këto momente, transparenca është shumë e rëndësishme për te ndalur diskriminimin, por dhe për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetareve që sot kanë nevojë.
Veprimi në kohë nga Qeveria është i domosdoshëm dhe çdo vonesë është e patolerueshme.

Sot 300 mijë familje në nevojë për mbijetesë kanë nevojë për ndihmë, pasi mbyllja në shtëpi i ka hequr edhe mundësinë minimale për të ushqyer me bukë fëmijët.

Shteti ka detyrimin që në këtë moment të vështirë të jetë pranë të pamundurve, t’u sigurojë atyre minimumin për të jetuar dhe për t’u ushqyer.

Qeveria duhet të veprojë pa asnjë vonesë për t’u ardhur në ndihmë familjeve në pamundësi për të ushqyer fëmijët. Ky është detyrim i saj ligjor dhe jo çështje e dëshirave apo vullnetit të Edi Ramës.

Paratë e taksapaguesve duhen vënë menjëherë në shërbim të qytetarëve dhe duhet anulluar çdo transaksion tjetër deri në kalimin e kësaj situate.