· Basha falënderon qytetarët për sakrificën 3 javore në karantinë. Apeli për qeverinë: Masat kufizuese duhet të shoqërohen me masa lehtësuese financiare për të gjithë.
· Basha: Paketa e qeverisë duhet të trefishohet. të arrijë në nivelin e Kosovës. shuma e destinuar aktualisht është shumë e vogël. Kjo që po kërkojmë është e arsyeshme, është e zbatueshme.
· Basha: nëse ka vullnet nga qeveria, buxheti ka para për të përballuar krizën të paktën për 3 muaj. të anulohen 120 milionë euro koncesione, të rialokohen 140 milionë euro shpenzime operative.
· Thirrja e Bashës: duhet transparencë për testimet, transparencë për kapacitetet për testim. Mos testimi zhvlerëson sakrificën e shqiptarëve.
· “Testimi ndal përhapjen e COVID-19”, Basha pyetje konkrete: sa pajisje testuese ka? sa pika testimi ka të hapura? sa pika testimi do të hapë qeveria?
· Basha përshëndet ekipin mjekësor të dërguar në Itali dhe kërkon kujdes maksimal për stafin mjekësor në Shqipëri: nuk duhet të mungojë asgjë për mbrojtjen e tyre
· “Shëndetësia, njerëzit në nevojë, ekonomia”, Basha: Po hyjmë në një periudhë kritike të rritjes së kurbës. Duhen rritur testimet, kapacitete pritëse, ndihma për njerëzit. kriza nuk përballet me fjalë dhe telefonata.
· “Çfarë do të bënit ju ndryshe nga Rama”, Basha tregon tre prioritetet: Shpresoj të mos jenë të vërteta denoncimet se për testimin po mendohen skema për të favorizuar njerëz afër qeverisë.
· Basha: e pafalshme që në kohë pandemie, qeveria u shërben klientëve të betonit, jo qytetarëve. Vonesat në blerjen e ushqimeve kanë ardhur edhe për arsye të mirëfillta klienteliste.
· Basha: Nuk kemi ndryshuar qëndrim për koncesionin e dializës. Nëse garantohet shërbimi për të sëmurët, të anulohet njësoj si koncesionet e tjerë korruptivë.
· “Më mirë vonë se kurrë”, apeli i Bashës: të merren masat për 3 prioritetet, përndryshe situata do të përkeqësohet. Arben Ahmetaj në konflikt interesi.
· Aplikacioni e-Albania jashtë funksionit, Basha: masat e shpallura për distancimin social duhet të jenë të zbatueshme. Qeveria të mos lërë vetëm njerëzit në nevojë. Qytetarët duhet të kenë siguri absolute për ushqimin dhe të ardhurat minimale
· Gazetarët denoncojnë tek Basha konferencat e regjistruara më parë të Ministrisë së Shëndetësisë për COVID 19, Basha thirrje qeverisë: T’i jepet akses medias.
BASHA FALENDERON QYTETARËT PËR SAKRIFICËN 3 JAVORE NË KARANTINË. APELI QEVERISË: MASAT KUFIZUESE DUHET TË SHOQËROHEN ME MASA LEHTËSUESE FINANCIARE PËR TË GJITHË.
Dua ta nis me një mesazh për qytetarët. E di që po kaloni kohë të vështira, po mbushet java e tretë e një regjimi të paprecedentë në jetët tona dhe për shumicën prej jush kjo ka sjellë jo vetëm kufizimin e lëvizjes por dhe rritjen e pasigurisë, rënien e të ardhurave. Për qindra mijëra prej jush ka sjellë mbylljen e biznesit, ku keni qenë të punësuar apo të vetëpunësuar, në fund të marsit, në fund të muajit ka sjellë pikëpyetje të mëdha për të ardhurat tuaja dhe për mënyrën sesi do të vazhdojmë përpara.
Së pari, dua t’ju falenderoj nga zemra për gjithë sakrificën që keni bërë në këto tre javë, e cila pa pikë diskutimi ka qenë e nevojshme e domosdoshme, por po kështu është një sakrificë e cila ka dhënë rezultatet. Falë sakrificës tuaj, falë masave të distanicimit social që i keni zbatuar me vetëdije të plotë Shqipëria ia ka dalë që në këto tre javë të mbajë nën kontroll në mënyrë optimale kurbën e infeksioneve të konfirmuara zyrtarisht, e cila është më e ulët sesa numri real i infeksionieve, por megjithatë, ajo që është më e rëndësishme punën më të madhe dhe barrën më tëmadhe e kanë mbajtur qytetarët, e keni mbajtur ju dhe për këtë dua t’ju falenderoj nga zemra. Siç e dini gjatë gjithë kohës ne si PD, opozitë dhe unë kemi kërkuar zyrtartisht që masave kufizuese t’i bashkëngjisim edhe masa lehtësuese.
- Së pari, për ata që janë më shumë në nevojë edhe para shpërthimit të epidemisë.
- Së dyti, për të gjithë ata që janë prekur nga masat shtrënguese në xhepat e tyre, në arkën e tyre, në të ardhurat e tyre.
- Së treti, po kështu për sipërmarrjet, biznesin e vogël, fermerët dhe punëdhënësit e mëdhenj të cilët janë gjendur në vështirësi të paparishikueshme në mënyrë që kjo krizë pandemike, që ka ndikim në krizën ekonomi, të mund të menaxhohet brenda mundësive, por edhe brenda kërkesave dhe nevojave të popullsisë dhe kategorive në nevojë.
THIRRJA E BASHËS: DUHET TRANSPARENCË PËR TESTIMET, TRANSPARENCË PËR KAPACITETET PËR TESTIM. MOSTESTIMI ZHVLERËSON SAKRIFICËN E SHQIPTARËVE.
Mbetet urgjente prej më shumë se 10 ditësh ndryshimi radikal strategjisë së testimt. Ndonëse numri i atyre që janë konfirmuar të infektuar është zyrtarisht akoma në shifra të menaxhueshme, është për t’u theksuar fakti se përqindja e viktimave në raport me shifrat e konfirmuara mbetet e lartë, çka tregon se për shumë ekspertë se numri i testimeve është jashtëzakonisht i ulët.
Ndaj, në përputhje me kërkesën e OBSH dua të bëj thirrje së pari për rritjen drastike të numrit të testimeve, së pari tek personeli shëndetësor, tek personeli shtetëror në kontakt me njerëzit, tek personeli i biznesit në kontakt me njerëzit, si dhe nisjen e sistemit të gjurmimit në bashkëpunim me pushtetin vendor, në mënyrë që, përmes testimit, gjurmimit dhe izolimit të sjellim rezulatet e vërteta në izolimin dhe trajtimin e personave të infektuar.
Pa këtë hap të domosdoshëm, sakrifica e këtyre tre javëve mund dhe do të shkojë dëm. Ne duhet ta dimë me saktësi sa të infektuar kemi, ku i kemi, në mënyrë që të marrim masat sot përpara se sakrifica trejavore e distancimit social të na shkojë kot dhe të infektuarit të paidentifikuar të vazhdojnë të infektojnë pjesën tjetër të popullsisë dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në numrin e të infektuarve dhe në këtë mënyrë të paevitueshme në rritjen e numrit të viktimave.
Ndaj thirrja ime është transparencë për testimet dhe në radhë të dytë transparencën për kapacitetet tona për të testuar. Dhe këtu mjafton të marrin shembullin e Kosovës, e cila ka bërë të qartë se ka 7 mijë kite testimi. Mjafton të shohim vendet e tjera të rajonit që numri i testimeve po rritet. Ndaj mendoj se është një thirrje e qartë ndaj autoriteteve për të mos vonuar më rritjen e testimeve, me transparencë, duke bërë përditë dhe administruar testimet me transparencë dhe jo duke rënë pre e skemave abuzive. Qytetarët, personeli shëndetësor kanë nevojë t’i nënshtrohen një numri sa më të madh testimesh. Mostestimi do ta çojë gjithë këto sakrificë kot.
“TESTIMI NDAL PËRHAPJEN E COVID 19”, BASHA PYETJE KONKRETE: SA PAJISJE TESTUESE KA? SA PIKA TESTIMI KA TË HAPURA? SA PIKA TESTIMI DO TË HAPË QEVERIA?
Pyetje: Çfarë mendoni se nuk po bën mirë qeveria Rama sa i përket masave që ka ndërmarrë ndaj COVID-19 dhe si kjo situatë mund të ishte menaxhuar më mirë sipas jush?
Lulzim Basha: Së pari dua ta bëj të qartë se kjo nuk është koha për një debat politik. Kjo nuk është koha për të treguar përgjegjësitë për ato që nuk janë bërë apo që janë bërë me vonesë. Qëllimi i kësaj konference për shtyp është që përmes vetëdijësimit qytetar dhe përmes kërkesave që ne paraqesim për interesin e qytetarëve, për jetën e tyre, për sigurinë e tyre, për mirëqenien e tyre, të mundësojmë që veprimet të kryhen ashtu siç duhet dhe të kryhen në kohë. Pa diskutim, do të ketë një kohë kur të kërkojmë llogari, ku të kërkojmë përgjegjësitë për hapat e hedhur me vonesë dhe kur të kërkojmë të bëhet një transparencë totale se pse ndodhi kjo dhe kush është përgjegjës për këtë. Po kjo nuk është koha për të bërë këtë. Tani është koha për të përqendruar të gjithë energjitë tona, të gjithë fokusin tonë dhe të gjithë vemendjen tonë, te kalimi me sukses me sa më pak viktima, me sa më pak humbje jetësh, me sa më pak dhimbje të kësaj epidemie.
Ajo që duhet bërë me urgjencë është ajo që po vënë theksin gjithmonë e më shumë ekspertët: testimet si mënyra për të parandaluar përhapjen e COVID-19 dhe për të ndërprerë zinxhirin infektues. Dhe në këtë kuadër nuk kemi akoma informacion se sa materiale testuese ka në dispozicion vendi ynë. Nuk e dimë se çfarë po bëhet për testimin masiv të mjekëve, testimin e punonjësve të policisë apo të forcave të armatosura që janë në terren, punonjësve të furave të bukës, dyqaneve ushqimore, zyrave të shërbimit, të gazetarëve, të mediave që po kështu jeni në terren. Psh në Maqedoni dimë që ka 13 pika testuese. Dimë që Kosova mori së fundmi 7 mijë kite testuese. Po Shqipëria pse nuk ka transparencë?! Uroj që mos të fshihet diçka pas kësaj dhe i kërkoj qeverisë urgjentisht të bëjë transparente: sa pajisje testuese ka? Sa pika testimi ka të hapura? Sa pika testimi do të hapë? Kostoja e testimit sipas ekspertëve është 3-4 euro si në Shqipëri dhe në Kosovë. Pra kostoja e mjaftueshme për të blerë kite testuese për ta shtrirë testimin sa më masiv, natyrisht nuk mund të bëhet për gjithë popullsinë, po sa më masive sipas analizës së riskut, është shumë më pak se shumat marramendëse që kemi dëgjuar të tenderohen këto ditë për kontrata betoni.
Ndërkohë që numri i testimeve është i ulët dhe një nga gjërat që dëgjojmë në mënyrë të vazhdueshme që s’ka lekë, është hapur një tender 411 milion lekë për zyrat e Spitalit të Traumës. Nuk është prioritet mobelimi, arredimi apo fasadat e spitalit të Traumës. Prioritet për shëndetin e mjekëve në spitalin e Traumës, për shëndetin kudo të mjekëve infermierëve, personelit shëndetësor, është marrja me urgjencë e paisjeve të mjaftueshme për testimin e tyre. Që do të thotë: kitet testuese, pajisjet testuese. Tani teknologjia po ecën shumë shpejt, koha e testimit po shkurtohet, është e pafalshme që mjekët nërradhë të parë që janë më të ekspozuarit bashkë me personelin shëndetësor, të presin me ditë të tëra për t’u testuar, me ditë të tëra për të marrë përgjigjen e testimit, ndërkohë që vazhdojnë të jenë në kontakt me kolegët e tyre, në kontakt me pacientë dhe, në këtë mënyrë, ata që në fakt duhet të jenë vija mbrojtëse ndaj sëmundjes, shpesh herë për shkak të këtyre mangësive, kthehen në shkak që të karantinohen, të vetëkarantinohen ata dhe kolegët e tyre.
Ndaj kërkesa kryesore që kam sot sa i përket administrimit në kuptimin shëndetësor të krizës është të ndryshojë kryekëput qasja e këtyre tre javëve, të sigurohen mjaftueshëm pajisje testuese dhe kite testimi dhe të shtrihet testimi në mënyrë masive si e vetmja rrugë për të parandaluar përhapjen e COVID-19 dhe për të ndërprerë zinxhirin infektues. Kjo është e dmosdoshme që sakrifica 3 javore e gjithë shqiptarëve mos të shkojë kot. Kjo është e domosdoshme që të mbajmë të ulët numrin e të infektuarve dhe të mbajmë nën kontroll numrin e viktimave.
BASHA: NËSE KA VULLNET NGA QEVERIA, BUXHETI KA PARA PËR TË PËRBALLUAR KRIZËN TË PAKTËN PËR 3 MUAJ. TË ANULLOHEN 120 MILIONË EURO KONCESIONE, TË RIALOKOHEN 140 MILIONË EURO SHPENZIME OPERATIVE.
Pyetje: Zoti Basha, ju folët për masa lehtësuese, a duhet të përdor qeveria modelin amerikan për të dhënë para në dorë? Dhe a jeni të gatshëm të uleni me kryeministrin Rama në një tryezë për të zgjidhur këtë situatë e cila është krizë shëndetësore dhe ekonomike?
Lulzim Basha: Nuk ka nevojë të merremi me modelet që kanë mundësi ekonomike të ndryshme nga vendet tona. Mjafton të shikojmë përkushtimin e vendeve të cilat kanë ekonomi të ngjashme, buxhete të ngjashme dhe sfida të ngjashme me vendin tonë. Prandaj le të rrimë tek Kosova, le të rrimë tek Maqedonia e Veriut për të parë se si mund të zgjidhim problemet nëse ka vullnet, nëse ka vizion dhe nëse ka dëshirë për të ndihmuar njerëzit. Në këtë kuadër ne kemi propozuar një paketë të plotë e cila ka të bëjë me të gjitha aspektet. Ka të bëjë me aspektin në shëndetësi, ka të bëjë me detyrimet e shtetit që burojnë nga shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, ka të bëjë me efektet ekonomike të krizës dhe masat që duhen për të garantuar stabilitetin ekonomik të vendit, ka të bëjë me efektet tek shtresat në nevojë, tek shumica e njerëzve që janë në vështirësi të mëdha ekonomike sot dhe ka të bëjë po kështu me mënyrën sesi mund të garantojmë mirëfunksionimin e autoriteteve shtetërore në këto kohë krize. Këto propozime i kemi bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe të përditshme do të vazhdojmë t’i ndërmarrim.
Por le të marrim një shembull edhe një herë, si mundet që Shqipëria t’i dalë parë dhe jo ta ndjekë pas pasojat e krizës së koronavirusit në ekonomi? Duke bërë të mundur që jo vetëm të flasim, por edhe të veprojmë. Në qoftë se tjetër flasim dhe tjetër veprojmë, atëherë të jeni të sigurtë që kriza ekonomike do të shkatërrojë me qindra mijëra vende pune. Edhe sot që flasim asnjë qindarkë nuk është shpërndarë për njerëzit në nevojë. Njerëzit kanë nevojë për mbështetje financiare, kanë nevojë për para.
Përgjigja për pyetjen ku t’i gjejmë paratë është fare e qartë: anullo 120 milionë euro kontrata koncensionare si fillim. Sot e ke krejtësisht të mundur me ligjin për fatkeqësinë natyrore.
Së dyti, rialoko 140 milionë euro të tjera nga shpenzime operative, shpenzime luksi dhe shpenzime të tjera të cilat nuk janë domosdoshmëri në kushtet e krizës. Kjo shumë do të mjaftonte për të administruar të paktën 2 ndoshta 3 muaj të një situate të tillë. Dhe të jeni të sigurtë që buxheti dhe ekonomia shqiptare kanë edhe mundësi të tjera, edhe rezerva të tjera për të përballuar krizën në qoftë se ka vullnet.
Pra, të mos shohim Amerikën, le të shohim Kosovën dhe të veprojmë pa vonesë. Në këto kushte nga opozita ka patur vetëm bashkëpunim sepse të propozosh zgjidhje, të nxisësh që këto zgjidhje të adoptohen për sigurinë, shëndetin dhe jetën e qytetarëve është detyra jonë por edhe bashkëpunimi më luajal që opozita e një vendi mund të bëjë për hir të interesit të qytetarëve.
BASHA PËRSHËNDET EKIPIN MJEKËSOR TË DËRGUAR NË ITALI DHE KËRKON KUJDES MAKSIMAL PËR STAFIN MJEKËSOR NË SHQIPËRI: NUK DUHET TË MUNGOJË ASGJË PËR MBROJTJEN E TYRE
Pyetje: Edhe një koment nëse mundeni. Ka qenë një gjest i komentuar shumë edhe në mediat italiane vajtja e 30 mjekëve shqiptarë në ndihmë të Italisë. Keni një koment për këtë?
Lulzim Basha: Patjetër dua t’i falenderoj nga zemra ata mjekë dhe infermierë që kanë treguar gatishmërinë të mbështesin Italinë, e cila ndodhet në një gjendje tepër të vështirë. Dua t’u uroj punë të mbarë dhe të jenë sa më të sigurtë, si dhe të kthehen shëndoshë e mirë. Dua të falenderoj me qindra, në mos me mijëra mjekë dhe infermierë shqiptarë, që ndodhen tashmë në Itali, një pjesë prej tyre larguar për arsye që të gjithë i dimë gjatë dy-tre viteve të fundit.
Në të njëjtën kohë dua të kërkoj vemendje maksimale, mbështetje maksimale për mjekët dhe infermierët shqiptarë këtu që janë në një gjendje stresi konstant, presioni konstant dhe po bëjnë një punë të jashtëzakonshme, në kuptimin jo thjesht të shpërblimit financiar i cili absolutisht nuk duhet të mungojë, por në kuptimin e mbrojtjes së tyre.
Sot jam informuar që kanë ardhur pajisjet e para mbrojtëse nga Turqia, ndërkohë që është shumë vonë dhe kjo na ka kushtuar. Edhe vetë e keni parë që edhe figura të njohura janë konfirmuar të infektuar mes personelit mjekësor, përfshirë këtu mjekë të njohur, infermierë, kryeinfermierë. Megjithatë, dua t’i falenderoj nga zemra. E gjithë shoqëria është në borxh mirënjohje të thellë me ta. Kanë kryer dhe vazhdojnë të kryejnë akte heroizmi të panjohur për shumicën e njerëzve.
Përshembull, dje mësova se në orët e vona në spitalin Shefqet Ndroqi, duke shpërfillur çdo rrezik ekspozimi personal është kryer një operacion për të shpëtuar jetën e një 19-vjeçari. Dua të përshëndes gjithë ekipin kirugjik që ka bërë të mundur këtë ndërhyrje nën drejtim e Dr.Ylber Vatës, të cilin e njoh personalisht dhe me këtë rast dua ta përshëndes, por dua të përshëndes me qindra, me mijëra që i njoh apo nuk i njoh përsonalisht, për sakrificën dhe shërbimin e tyre të përditshëm, bashkë me infermierët, bashkë me personelin shëndetësor, në këto kushte të vështira meritojnë të gjithë mbështetjen tonë, e meritojnë mbështetjen e qytetarëve pa diskutim dhe këtu bëj thirrje që në kontaktet e tyre me personelin shëndetësor të jenë sa më të drejtëpërdrejtë, sa më të sinqertë edhe përsa i përket kontakteve që kanë pasur në rastet kur dyshohet infeksion të Covid.
Por mbi të gjitha dua t’i bëj thirrje qeverisë t’i japë mbështetje totale dhe mbështetja më e mirë që mund t’u japë sot është që çdo mjek dhe çdo anëtar i personelit shëndetësor të ketë paisjet e mjaftueshme mbrojtëse. Së dyti të ketë mjaftueshëm kapacitete testimi dhe testimi të bëhet brenda kohës më të shkurtër dhe jo të presin me ditë për t’u testuar e me ditë për të marrë rezultatin. Dhe së treti duhet urgjentisht që kapacitetet shëruese, për të cilat u krijua dhe një tender para një jave, të vihen sa më shpejt në funksion në mënyrë që të përballohet fluksi në rritje i të infektuarve në spitalet tona.
BASHA: PAKETA E QEVERISË DUHET TË TREFISHOHET. TË ARRIJË NË NIVELIN E KOSOVËS. SHUMA E DESTINUAR AKTUALISHT ËSHTË SHUMË E VOGËL. KJO QË PO KËRKOJMË ËSHTË E ARSYESHME, ËSHTË E ZBATUESHME.
Pyetje: Si e vlerësoni situatën në terren?
Lulzim Basha: Situata në terren duket jashtëzakonisht kritike dhe ka shumë pak lidhje midis asaj që thuhet dhe asaj që është bërë apo më mirë themi nuk është bërë. Që në fillim të shpalljes së paketës u duk qartë se shuma e destinuar ishte shumë e vogël për të përballuar nevojat.
Po marrim dy shembuj krahasues. Shembulli i parë: Kosova e cila ka një popullsi më të vogël, një buxhet pothuajse sa gjysma e buxhetit të Shqipërisë, ka vënë në dispozicion për të njëjtat masa 170 milionë euro. Shqipëria që ka pothuajse dyfishin e buxhetit dhe pothuajse 50% më shumë popullsi ka vënë në dispozicion 1 të 3-ën e kësaj shume dhe e ka shtrirë këtë shumë me efekt nga 1 prilli në 3 muaj. Pra duket qartë që shuma është ë pamjaftueshme.
Tani të shohim mënyrën sesi destinohet kjo shumë.
Me zbardhjen e aktit normativ, së pari duket qartë që numri i bizneseve që përfitojnë nga kjo shumë nuk e tejkalon 1 të 3-ën e bizneseve të vogla të rregjistruara në Shqipëri. Gjatë tre ditëve të fundit shumica e bizneseve që e kanë kuptuar këtë janë në panik total, sepse e vërteta është që mbi 80%, mbi 85% e bizneseve janë detyruar të mbyllen. Janë detyruar të mbyllen ne radhë të parë për shkak të masave për të parandaluar përhapjen e virusit dhe në radhë të dytë lë të jemi të sinqertë, në qoftë se shumica e popullsisë urdhërohet të qëndrojë në shtëpi, në qoftë se orari për të dalë, për të bërë pazar apo për të blerë është i kufizuar ose kufizohet edhe më shumë tani me anë të procesit të vetëdeklarimit apo marrjes online të autorizimit, atëherë t’i kërkosh një biznesi të qëndrojë hapur kur nuk ka konsum, kur nuk ka xhiro, nuk është gjë tjetër veçse të krijosh një alibi për të mos e mbështetur këtë biznes. Sepse një biznes që qëndron i hapur dhe ka vetëm kosto dhe nuk ka asnjë xhiro ka një fat po kaq të keq, mos të themi më të keq sesa një biznes i mbyllur. Pse them edhe më të keq? Sepse do të vazhdojë të paguajë faturën e energjisë, faturën e ujit, do të vazhdojë të ketë disa shpenzime minimale që biznesi i mbyllur nuk i ka.
Pra është e qartë që kjo masë është ë pamjaftueshme. Prek maksimumi 1/3 e bizneseve që, faktikisht, janë prekur nga masat e pandemisë. Ndaj kërkesa ime e përsëritur është që ky akt normativ të rishikohet me urgjencë. Të vendosen mjaftueshëm fonde dhe të hapet aplikimi për të gjitha bizneset e mbyllura.
Po të marrim masat për shtresat në nevojë, të cilat janë në tre kategori. Po të marrim kategorinë e atyre që janë në pagesë papunësie, janë afërsisht 2600 persona, por në fakt, numri i atyre që janë në kushte të papunësisë, të cilët nuk përfitojnë pagesë papunësie është shumë herë më imadh.
- Çfarë do të ndodhë më ta? Edhe ata kanë familjarë, edhe ata kanë fëmijë për të ushqyer. Erdhi fundi i muajit.
- Si do t’i mbajnë këta fëmijë?
- Me çfarë do të paguajnë koston minimale të jetesës?
Marrim kategorinë tjetër, përsonat që marrin ndihmë sociale. Absolutisht për t’u përshëndetur dyfishimi i ndihmës sociale, por numri i atyre që janë larguar nga lista e ndihmës ekonomike është po aq sa numri i atyre që kanë mbetur, në fakt më i madh. Disa prej mediave kanë treguar skena rrënqethëse se ku jetojnë ata. Jetojnë në kushte të mjerueshme, nuk kanë asnjë të ardhur. Ishin me të ardhura shumë të pakta dhe para krizës. Me çfarë do të mbijetojnë ata? Eshtë e domosdoshme që këta njerëz të kenë siguri për ushqimin e tyre. Të kenë siguri për ushqimin e fëmijëve të tyre. Të kenë mundësi të paguajnë qeranë, dritat, ujin.
Dhe së fundmi, të marrim kategorinë tjetër të personave të cilët kanë mbyllur bizneset e tyrë pavarësisht se nuk janë në listën e bizneseve që duhen mbyllur në mënyrë kategorike. Nuk kanë xhiro. Nuk ka konsum dhe, si rezultat nuk ka fitim për ta. Nga njëra anë nuk përfitojnë, nga ana tjetër u kërkohet prapë të plotësojnë detyrimet tatimore.
Kjo duhet të marrë fund menjëherë. Paketa është e pamjaftueshme. Paketa duhet si fillim te trefishojë, të paktën të arrijë në nivelin e paketës së Kosovës. Kjo që po kërkojmë është e arsyeshme, është e zbatueshme. Natyrisht kërkon që të ketë një prioritet të qartë dhe prioritet i qartë do të thotë që në këtë moment duhet anulluar çdo shpenzim tjetër.
BASHA: E PAFALSHME QË NË KOHË PANDEMIE, QEVERIA U SHËRBEN KLIENTËVE TË BETONIT, JO QYTETARËVE. VONESAT NË BLERJEN E USHQIMEVE KANË ARDHUR EDHE PËR ARSYE TË MIRËFILLTA KLIENTELISTE.
Mbrëmë kemi parë diçka sa qesharake aq edhe të tmerrshme. Një nga mediat online ka botuar një tender të 9-të marsit, të hapur me 6 mars të premten dhe të mbyllur me 9 mars të hënën për blerje qeleshesh. Janë blerë qeleshe me një vlerë prej 2 milionë lekësh të vjetra. Tregon mentalitetin, tregon gjendjen mendore totalisht të gabuar në këtë situatë. Do të thoni ju çfarë janë 2 milionë lekë? Janë mjaftueshëm që të mos kemi si ato nënat, si ajo nëna që dëgjuam në Vlorë që tha kam pirë ujë më sheqer dhe, po kështu, kemi të bëjmë me një numër tjetër abuzimesh, të cilat, siç i patë edhe ditën e sotme, tregojnë se për disa kjo emergjencë duket sikur është një mundësi për të përfituar, për të përfituar. Të pamundurit, të varfrit janë pa ushqime sot. Kanë kaluar 3 javë prej fillimit të krizës dhe një nga arsyet është që se pse askush nuk po mendon për ta, por mendojnë për klientët kushdo të marrë paratë. Vetëm ky lloj mentaliteti mund të çojë që të tenderosh rikualifikime urbane apo të japësh para 22 milionë euro për beton. Unë nuk jam që bizneset që kanë kryer punë, të mos paguhen, por në kohë krize, në kohë lufte, kur u kërkon sakrificë të gjithëve do t’u kërkosh sakrificë edhe atyre. Do t’u thuash që do t’i shtyjmë pagesat tuaja, sepse me 22 milionë euro mund të bëhen shumë gjëra urgjente që nuk po bëhen që janë të rëndësishme për sigurinë dhe jetën e qytetarëve. Siç është për shembull, mbyllja e vatrave potenciale të infeksionit, e fasoneve e call centers, e vendeve të tjera me sipërfaqe të vogël dhe të mbyllur, ku ka një dendësi punëmarrësish. Me 22 milionë euro, me 15 milionë euro mundet që në 1 muaj të paguhen të 70 mijë punonjësit e fasonerisë. Sipas të dhënave të shoqatës së fasonerisë janë afër 70 mijë, me pagë minimale dhe në këtë mënyrë në radhë të parë shmangim mundësinë që këto të kthehen në burime infeksioni dhe të zhbëjnë të gjithë sakrificën e ndërmarrë deri tani nga popullsia. Por në fakt, këto para po shkojnë për 6 apo për 8 kontraktorë të qeverisë, të cilët kanë hedhur apo do të hedhin beton. Kjo është e pafalshme. Faktet skandaloze provojnë se vonesat në blerjen e ushqimeve të nevojshme për familjet në nevojë kanë ardhur edhe për arsye të mirëfillta klienteliste. Nuk dua të zgjatem tek kjo çështje, sepse është e neveritshme të shohësh se si në kohë pandemie mendohet se si do t’i shërbesh klientit në vend që t’i shërbesh qytetarit, por për këtë ju ftoj të ndiqni pak më vonë edhe konferencën e zotit Alibeaj.
BASHA TREGON SA KUSHTON FATURA E PAKETËS SË PROPOZUAR NGA PD DHE SA KOHË MBULON ME TË ARDHURA TË GJITHË QYTETARËT E PREKUR NGA MASAT KUFIZUESE.
Pyetje: Ju thatë nevojitet një paketë realiste, por a ka Partia Demokratike një faturë të paketës financiare për përballimin e kësaj krize financiare dhe humanitare?
Lulzim Basha: Paketa jonë që kemi bërë publike ka një faturë prej 90 milionë euro në muaj dhe i shtrin efektet e saj për tre muaj dhe kjo shumë është lehtësisht e disponueshme, në qoftë se hidhen këto tre hapa që kemi 10 ditë që përsërisim:
- pezullimin dhe anulimin e koncensioneve,
- rialokimin e të paktën 40 milionë eurove të shpenzimeve operative të qeverisë dhe
- rialokimin e të paktën 100 milionë eurove nga investimet publike të cilat, gjithsesi nuk janë më prioritare dhe nuk janë nje pjesë prej tyre nuk janë më të mundshme në kushtet ku është futur ekonomia dhe i gjithë regjimi shoqëror për shkak të pandemisë.
Pyetje: Sapo është miratuar një VKM për rritje dhe indeksimi I pensioneve me 2.4% si e shihni këtë, a ëshët një masë pozitive në nëj kohë krize?
Lulzim Basha: S’kam dijeni, ndoshta ka ndodhur në këto çaste që jemi në konferencë për shtyp. Do ta shoh aktin dhe do ta komentoj. Por në parim, rritja dhe indeksimi i pensioneve është detyrim dhe, siç e dini, detyrimi ligjor minimal është të rritet të paktën sa është rritja e inflacionit. Sigurisht, në kushtet e pandemisë është e pamjaftueshme, duket më shumë si një masë rutinë e planifikuar në kushtet para se të plaste pandemia. Megjithatë duhet të shoh aktiv për t’u shprehur më konkretisht.
“SHËNDETËSIA, NJERËZIT NË NEVOJË, EKONOMIA”, BASHA: PO HYJMË NË NJË PERIUDHË KRITIKE TË RRITJES SË KURBËS. DUHEN RRITUR TESTIMET, KAPACITETE PRITËSE, NDIHMA PËR NJERËZIT. KRIZA NUK PËRBALLET ME FJALË DHE TELEFONATA.
Pyetje: Në fakt deklaruat që nuk është koha për politikë, por pothuajse përdite keni bërë akuza dhe kritika ndaj qeverisë Rama. Ndërkohë që kurba e pandmisë momentalisht është nën kontroll, a duhet të themi se qeveria ka marrë masat e duhura?
Lulzim Basha: Së pari, asnjë nga prononcimet dhe deklarimet tona nuk është as kritike dhe as akuzë, është kërkesë për të vepruar në interes të vetëm që e ka çdo shqiptar, siguria, shëndeti, jeta, mirëqenia e çdo shqiptari. Në qoftë se ne na kërkohet të bëjmë detyrën tonë, kjo është mënyra se si opozita mund ta bëjë detyrën e saj. Dhe ne këtë kuadër, kemi mirëpritur edhe ato shprehjet, vlerësimet që kanë arritur si nga qytetarët, si nga grupet e interesit, si nga bizneset, shëndetësia dhe në raste të veçanta, pse jo edhe nga autoritetet. Kjo është detyra jonë, po bëjmë detyrën tonë.
Ajo që s’po bëjmë është të merremi me përgjegjësitë e asaj që ka kaluar dhe prandaj nuk mund të futem në pjesën e dytë të pyetjes. Absolutisht në vlerësimin tonë shumë prej masave janë marrë me vonesë, shumë mund të ishin parandaluar. Ne kemi informacione te bollshme për ta treguar këtë, por tani nuk është koha për t’u marrë me atë që shkoi, tani është koha për t’u marrë me atë që kemi përpara, sepse kriza vazhdon dhe vazhdon të intensifikohet.
Ne po hyjmë në një periudhë kritike të rritjes së kurbës, kurba nuk ka ndalur, as ka filluar të bjerë. Po rritet nga dita në ditë numri i të infektuarve, po rritet nga dita në ditë numri i viktimave, duhet rritur në mënyrë eksponenciale numri i testimeve, duhet rritur në mënyrë eksponenciale numri i kapaciteteve pritëse për të infektuarit e pritshëm dhe duhet me çdo kusht sot të veprohet për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.
Edhe kjo konferencë për shtyp këtë qëllim ka që të mos flemë mbi dafina, që mos të vetëkënaqemi, natyrisht nuk ka asnjë përfitim që të biem në depresion apo të dorëzohemi përpara të keqes, përkundrazi duhet të jemi sa më të fortë, sa më të vendosur. Por kriza nuk përballet me fjalë, kriza nuk përballet vetëm me telefonata, përkundrazi mund të jetë një harxhim kohe, dhe sigurisht është një harxhim financash të merresh me propagandë në kohën e krizës. Kriza kërkon një plan të mirëmenduar, kërkon veprime të shpejta dhe të vendosura një: në fushën e shëndetësisë; dy: tek njerëzit në nevojë; tre: për të shpëtuar ekonominë. Dhe këtu kemi qenë dhe jemi fare të qartë ne atë që kërkojmë. Gjatë dy ditëve të fundit po kaq të qartë kanë qenë edhe faktorë të ndryshëm shoqërorë. Dua të përshëndes qëndrimet e shoqatës së prodhuesve, të cilët kanë dalë me kërkesa jashtëzakonisht të qarta. Po kështu edhe shoqata e biznesit të vogël dhe të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Shohim se në propozimet e tyre janë të marra një pjesë e mirë e propozimeve që kemi bërë prej datës 11 Mars. I bëj thirrje qeverisë t’i shqyrtojë keto propozime me urgjencë, t’i adoptojë dhe t’i bëjë pjesë të një pakete të rishikuar, sepse paketa aktuale e para, është e pamjaftueshme, e dyta nuk po jep asnjë efekt për arsyen e thjeshtë sepse nuk po zbatohet.
“ÇFARË DO TË BËNIT JU NDRYSHE NGA RAMA”, BASHA TREGON TRE PRIORITETET: SHPRESOJ TË MOS JENË TË VËRTETA DENONCIMET SE PËR TESTIMIN PO MENDOHEN SKEMA PËR TË FAVORIZUAR NJERËZ AFËR QEVERISË.
Pyetje: Zoti Basha, çfarë do të bënit ju ndryshe nga qeveria Rama
Lulzim Basha: Nuk kam folur në rrafshin e propozimeve hipotetike. Propozimet tona janë konkrete, janë të detajuara, janë të zbatueshme. Sot, mes dhjetëra gjërave që nuk janë bërë, 3 janë më kryesoret:
- Testim masiv. I gjithë personeli shëndetësor duhet të testohet e të ristestohet në mënyrë të vazhdueshme. Testimi duhet të shtrihet tek njerëzit në risk, duke përfshirë ata që kanë kontakt me publikun, për shkak të detyrës, punonjësit e policisë, të forcave të armatosura, të shërbimeve tregtare, të medias. Duhet nisur pa vonesë një proces masiv transparent gjurmimi dhe izolimi i personave të infektuar. Nëse nuk e bëjmë këtë, nëse nuk arrijmë të izolojmë dhe ndërpresim zinxhirin e transmetimit 3 javë apo 6 javë të mbyllur në shtëpi, nuk do të ketë efekt. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë, është testimi. Shikoni sesi po rritet numri i testimeve kudo ku kriza është në progres. Aty ku numri I testimeve rritet, aty ku gjurmohen dhe izolohen rastet, aty ka edhe sukses strategjia e distancimit social. Edhe një herë, Kosova ka thenë kemi 7 mijë kite testimi. Sa kemi ne? Pse po vonohet? Çfarë fshihet pas kësaj? Nuk dua t’i zë besë, por kam dëgjuar gjëra të tmerrshme që edhe për testimin po mendohen skema për të favorizuar njerëz afër qeverisë. Kjo do të ishte e pafalshme. Nëse ka edhe arsyen më të vogël për të vonuar shtrirjen e testimit për të përfituar dikush, kjo do të jetë kriminale. Dhe për këtë do të mbajnë përgjegjësi. Shpresoj të mos jetë e vërtetë. Shpresoj të jetë thjesht çështje e paaftësisë, e vonesave, e moseficensës qeveritare që, gjthsesi është shumë e rëndë në këto kushte.
- Duhen ndërprerë urgjentisht çdo qindarkë që shkon në drejtime të tjera me përjashtim të mbështetjes për shëndetësinë, mbështetjes për çdo familje në nevojë. Çdo familje në nevojë duhet të ketë mjaftueshëm cash, para për të siguruar bukën e gojës, pagesat minimale.
- Mbështetje për ekonominë. Jo vetëm për 30 mijë biznese, por për të 99 mijë bizneset e vogla. Jo vetëm për bizneset e vogla, por për të gjithë aktivitetin prodhues apo të çfarëdolloj tjetër që ëhstë goditur rëndë nga kriza.
Këtu duhet të shkojnë paratë e administruara nga qeveria, qofshin paratë e taksapaguesve shqiptarë, qofshin këto para të marra borxh. Çdo shpenzi tjetër është i panevojshëm, është një harxhim i kotë, është i pafalshëm në këtë kohë krize.
BASHA: NUK KEMI NDRYSHUAR QENDRIM PËR KONCESIONIN E DIALIZËS. NËSE GARANTOHET SHËRBIMI PËR TË SËMURËT, TË ANULLOHET NJËSOJ SI KONCESIONET E TJERË KORRUPTIVË.
Pyetje: Z. Basha, ju thoni se zgjidhja për të gjetur qeveria paratë dhe për t’ia transferuar popullit janë padyshim anullimi i koncensioneve, por nga ana tjetër thoni se koncensioni i dializës të mos preket. Ky koncension është marrë nga një kompani fantazëm dhe është shitur në nëj dorë tjetër. Ju e keni denoncuar këtë atëherë, pse keni ndryshuar qëndrim?
Lulzim Basha: Sepse kompania fantazëm dhe kompania tjetër do të vijë dita që do të përgjigjen dhe do të përgjigjen mirë. Por në qoftë se ne ndërpresim shërbimin e dializës, bëhet fjalë për qindra pacientë të cilët pastaj rrezikojnë vdekjen e sigurtë.
Pyetje: A nuk kishte rrezik për pacientët, kur e denoncuat ju këtë koncesion? Ndikon ky qendrim i ndryshuar në konherencën tuaj si opozitë?
Lulzim Basha: Nuk ka asnjë ndryshim qendrimi. Koncesioni i dializës, në analizën tonë, është bërë me një kosto të paarsyeshme. Fakti i trasnferimit nga firma fillestare që e ka marrë, tregon për mungesë totale transparence. Ndaj e kemi futur në listën e koncesioneve që duhen anulluar, por shërbimi i dializës nuk duhet ndërprerë për asnjë çast. Nëse sot, garantohet që shërbimi nuk ndërpritet, absolutisht le të anullohet edhe koncesioni i dializës, menjëherë. Nëse kjo është e pamundur, atëherë gjithçka që është përfituar në mënyrë të paligjshme, që është përfituar mbi kostot e arsyeshme duhet dhe do t’u rikthehet qytetarëve, njësoj si me koncesionet e tjera korruptive.
“MË MIRË VONË SE KURRË”, APELI I BASHËS: TË MERREN MASAT PËR 3 PRIORITETET, PËRNDRYSHE SITUATA DO TË PËRKEQËSOHET. ARBEN AHMETAJ NË KONFLIKT INTERESI.
Pyetje: A mund të shkojë Shqipëria në një situatë si ajo e Italisë, nëse nuk bën më shumë testime?
Lulzim Basha: Nuk dua të bëj asnjë krahasim me asnjë vend, por dua të them në qoftë se nuk marrim masa, situata nuk do të përmirësohet, por do të përkeqësohet. Kjo është e qartë për këdo. Në qoftë se do të ishin marrë masa më shpejt në kufizimin social, absolutisht që kurba do të kishte qenë më e ulët. Në qoftë se do të kishim marrë masa më shpejt për mbrojtjen e mjekëve, numri i të infektuarve do të ishte shumë më i ulët. Nëse do të kishim vepruar dhe jo pritur për tre javë, gjendja e ankthit dhe panikut që ka kapur shumicën e njerëzve për arsye të pasigurisë ekonomike që i shtohet pasigurisë së shëndetit, do të ishte shumë më e mirë. Çfarë ka ndodhur, çfarë ka kaluar, më mirë vonë sesa kurrë. Ndaj thirrja ime është të veprohet menjëherë. Likuiditet për të gjithë njerëzit, familjet dhe faktorët ekonomikë në nevojë që do të thotë të ndalet rrjedhja e parasë së taksapaguesve shqiptarë në çdo drejtim tjetër. Të ndalet çdo tenderim tjetër. Të ndalet çdo shpenzim tjetër dhe të gjithë paratë e shqiptarëve të shkojë në këto tre drejtime.
- Drejtimi i parë mbështetje totale për shëndetësinë duke rritur numrin e testimeve. Eshtë prioritet absolut.
- Drejtimi i dytë, akti normativ i pamjaftueshëm që nuk mbulon as 1/3 e nevojave, as për biznesin, as për njerëzit në ndihmë ekonomike apo në nevojë për ndihmë ekonomike, as për të papunë, të rishikohet menjëherë.
- Drejtimi i tretë, të ndërpritet çdo shpenzim tjetër. Është shumë vonë për qeverinë, megjithatë siç e thashë edhe më parë më mirë vonë sesa kurrë. Të ndërpresë menjëherë 120 milionë euro kontrata. E imagjinoni në këtë muaj të paguash qindra mijëra euro një kontrate kaq korruptive dhe abuzive siç është ajo e inceneratorëve. Kjo është e papërgjegjshme. Të mos them kriminale. Dhe këtu kam një kërkesë konkrete për kryeministrin. Ministri i ngarkuar për këtë portofol është në konflikt të hapur interesi. Nuk është koha këtu për të treguar si, qysh, tek. E di fare mirë, të ndërpritet pagesa për çdo koncensionar. Nuk janë konçensionet sot prioritet. Hiq dializa që është prioritet shëndetësor çdo konçension tjetër është sot një shpenzim luksi mos të themi një aferë e hapur korruptive, e cila po dëmton detyrimin e shtetit, detyrimin e qeverisë në ligjin për fatkeqësinë natyrore që të ndihmojë me para në dorë të gjithë ata që kanë nevojë të ndihmohen: familjet në nevojë, të papunët, biznesin e vogël, të vetëpunësuarit dhe të gjithë ata të punësuar që nuk e marrin dot rrogën sepse sepse bizneset e tyre janë në gjendje kolapsi.
APLIKACIONI E-ALBANIA JASHTË FUNKSIONIT, BASHA: MASAT E SHPALLURA PËR DISTANCIMIN SOCIAL DUHET TË JENË TË ZBATUESHME. QEVERIA TË MOS LËRË VETËM NJERËZIT NË NEVOJË. QYTETARËT DUHET TË KENË SIGURI ABSOLUTE PËR USHQIMIN DHE TË ARDHURAT MINIMALE
Pyetje: Ju e keni mbështetur masën e marrë për të qëndruar në shtëpi, e-albania nuk po funksionon si duhet për të marrë leje e për të dalë qytetarët me rradhë dhe me orar të kufizuar, ndërsa e hëna ngjante si një ditë e zakonshme dhe të gjithë ishin me makina. Si e vlerësoni ju, a duhen marrë masa të tjera, çfarë duhet të bëjmë zoti Basha?
Lulzim Basha: Çdo masë e shpallur duhet të jetë një masë e zbatueshme dhe që të jetë e zbatueshme ajo duhet të jetë realiste. P.sh, nëse kërkon që çdokush të dalë nga shtëpia, një anëtar i familjes për një orë vetëm për nevojat e familjes, në qoftë se kërkon një masë të tillë që ky person të aplikojë, atëherë aplikacioni duhet të jetë funksional. Kjo është ajo që kërkova para tre ditësh. Aplikacioni nuk ka qenë funksional, dje këtë e ka pranuar edhe kryeministri. Është mirë që gjërat që nuk bëhet të thuhet troç: kjo nuk funksionon dhe të shtyhet masa, sesa të thuhet që policia të jetë mirëkuptuese. Kjo masë nuk ka funksionuar dhe nuk funksionon as sot. Uroj që të merren gjithë hapat e nevojshëm që, në qoftë se qytetarëve u kërkohet një kufizim i tillë, atëherë të jenë në gjendje që atë që përfitojnë një orëshin, ta përfitojnë realisht. Nuk ka rrugë tjetër për ta mbajtur nën kontroll përhapjen e koronavirusit përveç distancimit social, për këtë nuk duhet të kemi asnjë dyshim. Ndaj thirrja ime prej fillimit ka qenë që këto masa të merreshin dhe të merreshin më parë seç u morën. Pa diskutim që distancimi social vjen me përfitime të kufizimit apo të frenimit të përhapjes së virusit apo vjen edhe me dhimbje të mëdha sociale, ekonomike dhe psikologjike.
Edhe njëherë dua t’i drejtohem çdo qytetari, unë e di se sa e vështirë është bërë jeta këto tre javë dhe në veçanti pas tre javëve sakrificë dhe dua t’ju falenderoj nga zemra, duhet të tregojmë sa më shumë mirkuptim për njëri-tjetrin brenda familjes, bashkëshortët për njëri-tjetrin, më fëmijët, me të moshuarit. Të jemi sa më mirkuptues, sa më tolerantë me njëri-tjetrin sepse kjo është realisht e jashtëzakonëshme. Por ndërkohë që ju kërkoj këtë qytetarëve në mënyrë të përsëritur në emër tim, në emër të opozitës dua të përsëris apelin, thirrjen, kërkesën time për qeverinë: të mos lërë këta njerëz vetëm. Qytetarët duhet të kenë siguri absolute për nevojat minimale të jetës. Duhet të kenë siguri absolute për ushqimin, të kenë siguri absolute për të ardhurat minimale. Dhe nuk ka rrugë tjetër për ta bërë këtë, përveçse injektimit të parave, në rradhë të parë te familjet në nevojë, në rradhë të dytë tek ato biznese, te shumica e bizneseve që janë stopuar dhe në radhë të tretë injektimi direkt të parave apo shtyrjen e detyrimeve financiare për ato biznese që vazhdojnë në kushte të vështira.
GAZETARËT DENONCOJNË TEK BASHA KONFERENCAT E REGJISTRUARA MË PARË TË MINISTRISË SË SHËNDETËSISË PËR COVID 19, BASHA THIRRJE QEVERISË: T’I JEPET AKSES MEDIAS.
Pyetje: Një shqetësim që ka qenë për mediat gjatë këtyre ditëve. Ministria e Shëndetësisë, Task Forca e Ministrisë së Shëndetësisë të gjithë të dhënat e saj qoftë për pacientët e infektuar, qoftë edhe për personat që ndërrojnë jetë, i bën përmes disa videokonferencave të regjistruara paraprakisht. Ndërkohë që duke ndjekur shembullin Italian, atje shohim se ka mbi një orë videokonferencë. Keni ju një kërkesë që edhe ne si media që edhe ne ato kërkesa që ju i shtroni të kemi mundësi t’i drejtojmë drejtpërdrejtë në Task Forcën e ngritur në Ministrinë e Shëndetësisë?
Lulzim Basha: As unë nuk isha në dijeni që ishin të regjistruara. Kështu që nëse mundem duke mbështetur plotësisht këtë që sapo kërkuat dhe duke i bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që t’i japë akses medias dhe jo vetëm asaj, por i bëj thirrje çdo zyrtari publik, nga kryeministri e të gjithë të tjerët: duhet t’i japin akses medias, sepse vetëm kështu ndihmohet transparenca, vetëm kështu ndihmohet përgjegjshmërinë maksimale për ndaljen e akteve të panevojshme, korruptive, abuzive dhe destinimin e gjithë energjisë, burimeve shtetërore dhe financave shtetërore në ndihmë të njerëzve të prekur nga pandemia, qoftë në kuptimin shëndetësor, qoftë kuptimin social, qoftë kuptimin ekonomik. Por dua t’ju bëj thirrje edhe ju si media ta bëni këtë kërkesë në mënyrë të përditshme. Sepse në fund të fundit, është pjesë e detyrës tuaj të përditshme të kërkoni akses dhe të kërkoni mundësitë që të bëni punën tuaj, që është transparenca dhe që i shërben interesit të qytetarëve, i shërben interesit publik. Në këtë, natyrisht, do të keni mbështetjen time të plotë dhe të opozitës.