BASHA: NËSE ZGJEDHJET DO TË ISHIN NESËR, PËR SHKAK TË EDI RAMËS, PS DO TË KISHTE DISFATËN MË TË RËNDË TË KËTYRE 30 VITEVE
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha foli për përkeqësimin e situatës nga pandemia për shkak të keqmenaxhimit nga qeveria. “Ka shumë fjalë, shumë pak veprim nga autoritet”- tha zoti Basha, i cili vuri në dukje se 5 javë pas nisjes së karantinës, numri i atyre që janë në pamundësi reale ekonomike është shtuar me të paktën 20-30 përqind. Në një bisedë në emisionin “Abc e mëngjesit”, zoti Basha rrëzoi të pavërtetë një sondazh të qeverisë për përparësinë elektorale të Ramës në këtë situatë. “Është një nga ato raste, kur del para pasqyrës dhe i thua vetes se jam mirë, madje porosit dhe një kor që ta përsërisin këtë”- tha kreu i opozitës.
“Kjo qeveri prej kohësh ka humbur legjitimitetin, sepse ka ardhur nga një proces i manipuluar zgjedhor Nesër, nëse do të kishte zgjedhje, do të kishte disfatën më të thellë që ka pësuar ndonjë parti politike në 30 vite në Shqipëri. E gjithë strategjia e Edi Ramës në këto vite është bazuar në shiblerjen e votës dhe nuk ka gjë më mirë që e tregon këtë sesa tërheqja me turp nga padia që bënë me tam-tame ndaj gazetës Bild, e cila ekspozoi se si ka ardhur në pushtet Edi Rama. Gjithë shqiptarët kanë dëgjuar kriminelë duke folur me politikanët për blerje të votës. Nuk ka asnjë shans. Në qoftë se zgjedhjet bëhen nesër apo të dielën e ardhshme është e qartë se Partia Socialiste do të ketë një katastrofë elektorale të paprecedentë në 30 vite dhe të merituar do të thoja, për shkak të Edi Ramës, për shkak të mosmbajtjes së premtimeve, për shkak të kaosit dhe kolapsit ekonomik ku e ka futur vendin, edhe para pandemisë, për shkak të keqmenaxhimit të gjithçkaje, edhe të tërmetit. Por kjo nuk është tema sot. Një qeveri ka për detyrë t’i vijë në ndihmë njerëzve, detyrë në të cilën kjo qeveri ka dështuar në mënyrën më spektakolare, por këtë dështim e paguajnë qytetarët”
BASHA I PËRGJIGJET SHQETËSIMIT: OPOZITA I DHA FUND FASADËS 1 VIT MË PARË. DOKUMENTIN E BE PËR ZGJEDHJE TË LIRA NUK E ZË DOT KORONAVIRUSI
Pyetje: Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme Shqipëria tërhiqet nga disa nene të Kartës Europiane të Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut, privatësia, prona dhe protesta. Deri dje këtë veprim e kanë bërë Shqipëria, Moldavia dhe disa vende të republikave të brishta. Sot të gjithë thonë se po montohet një diktaturë dhe lajmi i keq është se kjo diktaturë po montohet duke patur një opozitë, ju rrezikoni t’ju përdorin si fasadë?
Lulzim Basha: Është një shqetësim i tejkaluar, fasada mori fund në momentin që opozita i dha fund legjitimitetit të një parlamenti që, siç e pamë, doli nga një proces zgjedhor i manipuluar. Ndërkohë, kemi një dokument europian për daljen nga kriza politike dhe kushtetuese ku e zhyti vendin Edi Rama para pandemisë dhe këtë dokument nuk e zë koronavirusi. Dokumenti është i qartë, reforma zgjedhore, zbatimi i reformës zgjedhore, miratimi i standardeve zgjedhore, zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet legjitime vendore janë disa nga pikat kryesore të cilat duhet t’u paraprijnë me dënimin e atyre që kanë vjedhur dhe blerë votat e shqiptarëve. Pra, këtu nuk ka asnjë ndryshim. Fati i mirë i Shqipërisë është që ndodhet në zemër të Europës. Fati i mirë i Shqipërisë është që, edhe për shkak të betejës opozitare, ne nuk kemi lejuar që opozita të kthehet në fasadë dhe që hap pas hapi ia kemi dalë të tregojmë se Edi Rama është një one man show dhe se nën drejtimin e tij shteti shqiptar është kthyer në një shtet kartoni, i paaftë as në minimumin që do të bënte një shtet tjetër ballkanik, qoftë me krizën e tërmetit, qoftë me krizën e pandemisë.
Në këtë moment, ne si opozitë, po bëjmë gjithçka për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Shqiptarët e kanë kuptuar se taktika e ngopjes me lugë bosh nuk funksionon. Nuk funksionon me veçanti në kohë krize. Kur xhepat janë bosh dhe barku i fëmijëve është bosh, fjalët e Edi Ramës nuk mjaftojnë.