•             Qeveria duhet të lejojë ekspertët të kryejnë testim të zgjeruar. Përvojat më të mira botërore konfirmojnë se testimi i zgjeruar është thelbësor për të mbajtur nën kontroll COVID 19.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DR. MIRELA TABAKU

 

Në emër të Partisë Demokratike, fillimisht, dua të shpreh vlerësimin dhe nderimin për gjithë punën dhe sakrificat e mjekëve, infermierëve, laborantëve, imazheristëve, sanitarëve, ekspertëve, stafeve mbështetëse qe punojnë në çdo sektor të shërbimit shëndetësor kudo në vend.

Të dashur bashkëqytetarë,

Në stadin epidemiologjik ku është Shqipëria, për të mos çuar dëm sakrificën e qytetarëve, por edhe stafit shëndetësor, merr peshë të madhe testimi më i zgjeruar.

 

Kjo masë është e domosdoshme për të ditur situatën reale ku ndodhet vendi, për të realizuar me efikasitet procesin e gjurmimit e me pas izolim dhe trajtim, por edhe si do të veprojmë për të parashikuar dhe llogaritur masat shëndetësore, ekonomike, sociale etj. që nevojiten për të përballuar këtë situatë.

Pa dashur të ripërsëris argumentet shkencore për këtë fakt dhe faktet e vendeve me eksperiencat më të mira në këtë pandemi për testimin,  theksoj se Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (ECDC) kanë theksuar se testimi i zgjeruar është thelbësor për të mbajtur nën kontroll COVID 19, për të reduktuar transmetimin e tij, si dhe për të zvogëluar impaktin e tij negativ ne ekonomi, shëndet publik dhe aspektin social.

Është momenti që Qeveria të vlerësojë me seriozitet dhe përgjegjshmëri që sa më shumë të zgjasë periudha e testimeve të ulëta, aq më të mëdha do të jenë pasojat në shëndetin e qytetarëve, pasojat ekonomike dhe sociale, që gjithashtu sjellin pasoja ne shëndetin mendor dhe fizik te popullatës.

Me keqardhje, edhe si mjeke në kontakt të vazhdueshëm me kolegët e mi, më duhet të pohoj se kemi humbur shumë kohë duke e mbajtur në minimum numrin e testimeve.  Masat e distancimit social janë të domosdoshme për të ngadalësuar përhapjen, por vlera e mbylljes në shtëpi bie, nëse nuk e dimë se kush është i infektuar.

Gjurmimi i të gjitha kontakteve të personave të konfirmuar me COVID-19 dhe testimi i tyre, testimi i stafeve shëndetësore dhe punonjësve të tjerë që janë në kontakt të përditshëm me qytetarët duhet të jetë prioritet. Pushteti lokal, institucionet e shëndetit publik në zonë, mjekët e familjes duhet të përfshihen në këtë gjurmim, pasi janë shumë më afër qytetarëve dhe njohjet janë më të mëdha.

Ndaj ripërsërisim kërkesën ndaj Qeverisë që t’u mundësojë ekspertëve numrin e mjaftueshëm të testimeve, që ata të jenë në gjendje të bëjnë detyrën e tyre.

Qeveria duhet të ketë një strategji të qartë dhe transparente, jo vetëm për rritjen e numrit të testimeve, por edhe për llojet e testeve dhe zgjerimin e kategorisë së personave që e kryejnë testin, bazuar plotësisht në udhëzuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Qendrës Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Çdo ditë që kalon pa testime masive është një ditë që ndihmon përhapjen e virusit!