•             Qeveria klasifikon si sekret shtetëror në mënyrë antiligjore tenderat urgjentë të Ministrisë së Shëndetësisë për luftën anti-COVID.

•             Qeveria po fsheh sa lekë u shpenzuan, si u përzgjodhën kompanitë dhe çfarë ofertash bënë

•             KLSH dhe SPAK të verifikojnë procedurat dhe të vendosin përpara përgjegjësisë ligjore abuzuesi​t me paratë e shqiptarëve

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELEJD ALIBEAJ

 

Qeveria shqiptare ka përdorur situatën e epidemisë për të fshehur paratë që ka shpenzuar për të blerë disa pajisje mjekësore.

Ministria e Shëndetësisë ka klasifikuar si sekret shtetëror 4 tendera të kryer me urgjencë për blerjen e këtyre pajisjeve.

Në datën 21 Mars dhe 3 prill, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që me tender sekret 24 orësh:

•             të furnizohet me mjete mbrojtëse për stafet shëndetësore

•             të blejë kite për laboratorin e QSUT-së,

•             të trajtojë mbetjet spitalore të pacientëve me COVID 19,

•             të blejë respiratorë për të rritur dhe fëmijë.

Per te gjitha këto, Partia Demokratike kishte kërkuar që në muajin shkurt të merreshin masa, por qeveria bëri të vetmen gjë që di të bëjë mirë:  Kryeministri në fillim u tall dhe pastaj gënjeu se kishte gjithçka duhej për përballimin e situatës.

Por disa javë më vinë  qeveria urdhëroi blerjet urgjente dhe i klasifikoi ata si sekret shtetëror.

Kjo do të thotë se opinioni publik nuk duhet të dijë, nëse qeveria i ka shpenzuar paratë e tyre në mënyrë të ndershme apo jo.

Duke klasifikuar tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë për COVID 19 si sekret, mungesa e transparencës është skandaloze:

•             Ka zero të dhëna si u përzgjodhën kompanitë fituese.

•             Ka zero informacion për ofertat e kompanive.

•             Ka zero informacion për kriterete cilësisë së mallit të blerë.

Urdhri i Edi Ramës për klasifikimin sekret të tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë do të thotë se shqiptarët nuk lejohet të dinë sa lekë kushtuan 3 kontratat e miratuara më datë 3 Prill. Duke ndaluar çdo informacion për këto tendera askush nuk llogarit dot sa kushtuan gënjeshtrat e Edi Ramës në muajin shkurt dhe mars se Shqipëria ishte e mirëpajisur dhe e përgatitur për epideminë.

Edi Rama ka sot rastin të përgjigjet për disa pyetje të thjeshta:

1.            Pse nuk lejon të bëhen transparente procedurat për 4 tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë?

2.            Sa është vlera e tenderave të shpallur sekret dhe kush ka paraqitur oferta?

3.            Ku e cënon sigurinë kombëtare transparenca për blerjen e respiratorëve, të kiteve për testim, të mjeteve mbrojtëse për stafin shëndetësor apo kush do të trajtojë mbetjet spitalore.

Sigurisë kombëtare nuk i vjen asnjë rrezik nga transparenca. Antivirusi më i mirë për vjedhjen e lekëve të shqiptarëve është transparenca!

Partia Demokratike i bën thirrje Qeverisë të bëjë menjëherë publike dosjet e prokurimit të këtyre 4 tenderave dhe të bëjë transparencë para qytetarëve për milionat e eurove që po fshihen si kontrata sekrete.

Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion SPAK duhet urgjentisht të verifikojnë këto procedura prokurimi dhe të vendosin përpara përgjegjësisë ligjore këdo që abuzon me paratë e shqiptarëve, që janë sot edhe më të varfër për shkak të krizës së rëndë të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Të dashur bashkëqytetarë,

Të abuzosh me tenderat apo të paracaktosh fituesit e tyre është krim në çdo kohë. Por ta bësh këtë në kohën kur rrezikohet shëndeti, jeta dhe puna e qytetarëve kjo është më shumë se kriminale. Është antinjerëzore.