·      Qeveria të ndryshojë menjëherë strategjinë për testimet. Pa testime masive, pa njohur të vërtetën, dalja nga karantina bëhet e vështirë ose e rrezikshme.

 

·      “10 mijë testime në javë”, Basha tregon tre vendimet e rëndësishme që do të merrte, nëse do të ishte kryeministër dhe se çfarë i ka kërkuar Edi Ramës në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.

 

·      Projeksionet e Ramës me 18 mijë të vdekur janë plotësisht të pavërteta. Qeveria duhet të bëjë transparencë. Rritja e testimeve na çon tek e vërteta dhe vendimet që duhen marrë për daljen nga kriza.

 

·      “I pafalshëm improvizimi i qeverisë në javën e 5-të të krizës”, Basha: Qeveria nuk ka plan. Kam vënë zyrtarisht në dispozicion të institucioneve pikëpamjen tonë për hapat që duhen hedhur për daljen nga situata.

 

·      “Masat sporadike të qeverisë, të paefektshme për ekonominë”, Basha: Qeveria duket se po lufton më shumë njerëzit se virusin. Kërkesë Ramës, të bëjë publike strategjinë e daljes, nëse e ka.

 

·      Me përjashtim të një rasti, nuk mbështesim ashpërsimet e dënimeve në Kodin Penal. Beteja nuk është me njerëzit, por me virusin.

 

·      Thirrje qeverisë për zbatimin e paketës së parë: Mijëra familje të varfra nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria. Duhet transparencë për të shmangur abuzimet.

 

·      “Luga bosh e qeverisë”, Basha: Paketat e qeverisë nuk janë të mjaftueshme. E para është zbatuar për pak njerëz, e dyta akoma nuk ka hyrë në fuqi.

 

·      Institucionet financiare ndërkombëtare, Shqipëria është vendi me paketën më të ulët ekonomike dhe sociale në Europë. Rama ose gënjen ose është kryeministri më i painformuar.

 

BASHA: QEVERIA TË NDRYSHOJË MENJËHERË STRATEGJINË PËR TESTIMET. PA TESTIME MASIVE, PA NJOHUR TË VËRTETËN, DALJA NGA KARANTINA DO TË BËHET E VËSHTIRË OSE E RREZIKSHME.

 

Të dhënat e fundit tregojnë një zgjerim të hartës së të infektuarve duke u shtrirë edhe në Kukës dhe në Mallakstër. Fatkeqësisht vetëm sot kemi 6 anëtarë të personelit shëndetësor të infektuar. Kjo sjell edhe një herë në vemendje domosdoshmërinë e rritjes eksponenciale të testimit, pra, ndryshimin kryekëput të strategjisë të ndjekur deri tani me testimin. Duke nisur me testimin për stafet mjekësore, praktikë që po ndiqet masivisht në çdo vend, dhe, po kështu me të gjithë punonjësit e vijës së parë, qofshin këta të sektorit publik, punonjësit e policisë, Forcave të Armatosura që mbështesin policinë në terren, të administratës që shërbejnë qytetarëve, por edhe të atyre që konsiderohen de facto vijë e parë, edhe pse nuk i përkasin sektorit publik, siç janë furnitorët, kamionistët, njerëzit të cilët punojnë në shërbim të tregtisë, të supermakatave, të tregjeve. Testimi dhe prekja e situatës në gjithë thellësinë e saj do të na japë shifra të sakta dhe përmasat e vërteta të infeksionit dhe duke patur këto shifra të sakta do të kemi të mundur të menaxhojmë situatën në vazhdim.

Në besimin tonë, gjurimimi i të gjithë personave të kontaktit të personave të konfirmuar me COVID -19, testimi dhe kontrolli periodik i stafit mjekësor, testimi i punonjësve të policisë dhe punonjësve që janë në kontakt të përditshëm nuk po bëhet në masën e duhur dhe duhet të kthehet urgjentisht në një prioritet absolut të autoriteteve, duke nisur me ndryshimin kryekëput të përqasjes së deritanishme.

Kërkesës tonë prej tre javësh për një përqasje të re përsa i përket testimit i janë bashkëngjitur edhe zëra të rëndësishëm të ekspertëve kombëtarë, madje edhe zëra brenda maxhorancës, ndaj dua të përsëris sot sërish kërkesën tonë të vëzhdueshme që, deri tani për fat të keq nuk ka patur vemendjen e autoriteteve, për të ndryshuar menjëherë strategjinë për testimin.

Të dashur qytetarë në qoftë se kjo strategji nuk ndryshon, në qoftë se ne vazhdojmë të prekim vetëm sipërfaqen e problemit, vetëm majën e ajsbergut atëherë do ta kemi shumë të vështirë që ta drejtojmë vendin drejt hapjes, që t’i japim fund hap pas hapi qëndrimit të detyrueshëm nëpër shtëpi dhe, po kështu, t’i japim fund hap pas hapi mbylljes së ekonomisë. Është e pamundur që njerëzit të mbahen në shtëpi pa plan për të garantuar daljen e tyre graduale. Dhe është e pamundur të kemi një plan të tillë me nivelin aktual të testimeve, i cili, siç kemi treguar në vijimësi, është shumë më i ulët sesa i vendeve fqinj dhe përbën kështu pengesën e parë të madhe për qeverinë dhe për këdo tjetër që të hartojë një plan dhe të zbatojë një plan për daljen nga kjo situatë.

Prandaj, prioritet absolut duhet të jetë procesi i gjurmimit të rasteve të infeksionit, historia e tyre dhe zinxhiri i kontakteve. Në këtë drejtim, pushteti vendor ka qenë dhe mbetet jashtë loje, ndaj kërkesa e jonë e parashtruar edhe institucionalisht është që menjëherë, në bazë edhe të ligjeve në fuqi, të normohet përmes një VKM angazhimi total i pushettit vendor, së bashku, me institucionet publike në zonë për të bërë të mundur gjurmimin dhe izolimin e të gjithë rasteve të infeksionit pa të cilin karantina do të ketë fare pak kuptim ose nuk do të ketë kuptim dhe se dalja nga karantina do të bëhet e vështirë ose e rrezikshme. Ky proces kërkon po kështu protokolle të qarta për zbatim dhe njerëzit në terren të cilat po kështu duhet të sigurohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave dhe institucioneve të tjera shëndetësore.

 

 

BASHA THIRRJE QEVERISË PËR ZBATIMIN E PAKETËS SË PARË: MIJËRA FAMILJE TË VARFRA NUK KANË MARRË ASNJË NDIHMË NGA QEVERIA. DUHET TRANSPARENCË PËR TË SHMANGUR ABUZIMET.

 

Dua të vi tek një problem i madh i cili vazhdon të bëhet çdo ditë e më i madh, çdo orë e më i madh dhe ky është problemi i sigurimit të mjeteve të jetesës për të gjithë njerëzit në nevojë dhe sigurimi i mjeteve për të garantuar që ekonomia shqiptare të mos kalojë në një koma totale. Efekti social që kjo krizë ka shkaktuar është jashtëzakonisht i madh. Pamjet që na shfaqen nëpër ekranet e mediave janë shqetësuese dhe të dhimbshme. Qytetarë në pamundësi të mëdha ekonomike të cilët çdo ditë humbin vendet e tyre të punës janë në pasiguri të shtuar dhe në një ngarkesë psikologjike dhe stres që sa vjen dhe rritet. Pesë javë pas krizës duhej që familjet në nevojë të kishin marrë jo një, por dy a më shumë paketa ushqimore. Në fakt jemi në një situatë ku mijëra e mijëra familje në nevojë ekstreme që nuk kanë asnjë mundësi tjetër mbijetese nuk janë kontaktuar fare, nuk kanë marrë as paketa ushqimore as ndihmë financiare. Pranë opozitës dhe pranë medias përditë po rritet volumi i ankesave të qytetarëve që nuk marrin asnjë lloj përkrahje, asnjë lloj përgjigje kur e kërkojnë këtë. Unë u bëj thirrje autoriteteve të garantojnë për të shpërndarë të paktën ndihmën e akorduar në paketën e parë. Kjo duhet bërë në mënyrë transparente, duke bërë të ditur listën e personave që e kanë përfituar ku çdo qytetar të marrë vesh, nëse janë apo jo përfitues dhe të mos përplasen në zyra të mbytur nga stresi, nga dëshpërimi dhe nga pamundësia. Transparenca do të na japë mundësinë të shohim kush ka përfituar dhe të shmangim, po kështu, edhe abuzimet për të cilat ankesat nuk janë të pakta, disa prej tyre të faktuara tashmë nga media.

 

 

“MASAT SPORADIKE TË QEVERISË, TË PAEFEKTSHME PËR EKONOMINË”, BASHA: QEVERIA DUKET SE PO LUFTON MË SHUMË NJERËZIT SESA VIRUSIN. KËRKESË RAMËS, TË BËJË PUBLIKE STRATEGJINË E DALJES, NËSE E KA.

 

Testimet janë një vendimarrje politike, strategjike dhe aspak teknike, që shtrojnë rrugën për t’u dhënë njerëzve qartësinë që meritojnë sesa do të zgjasë karantina, për t’u dhënë shqiptarëve, që kanë bërë sakrificën, çmimin e merituar të kësaj karantine – sigurinë e daljes hap pas hapi nga karantina pa një rrezik të shtuar të infeksionit. Pra, testimet mbeten problem kryesor.

Beteja, natyrisht, është me virusin. Beteja është me pasojat e virusit. Beteja nuk është me njerëzit. Virusi luftohet, njerëzit ndihmohen. Qeveria nuk po bën mjaftueshëm dhe shpesh po lë përshtypjen sikur po lufton njerëzit. Propozimet janë sporadike, janë të pastudiuara dhe efekti për të parandaluar rënien në ekonominë e gjithësecilit dhe në ekonominë kombëtare, eshtë, deri më tani, pothuajse i pandjeshëm. Këto masa janë një seri masash dhe jo një plan as për daljen nga kriza dhe as për përballjen me sukses të plotë të pasojave të krizës. Akoma nuk e dimë, nëse qeveria ka një plan të tillë, nëse ka një startegji për daljen nga karantina, për sistemin shëndetësor, për testimet, për periudhën e tranzicionit derisa të gjendet vaksina. Nëse e ka, i përsëris thirrjen, për herë të dytë brenda 24 orëve, që ta bëjë atë publik. Transparenca mbetet një problem i madh. Të gjithë përpiqemi të analizojmë mbi fakte gjysmake, sepse nuk thuhet e vërteta. Ka një frikë nga shifrat, ka një frikë nga e vërteta. Por ka, po kështu, një shprehje. “vetëm e vërteta do të na çlirojë.”

Vendi ka nevojë për një plan dhe për një strategji që do t’u mundësojë njerëzve të kapërcejnë këtë krizë ekonomikë dhe t’i kthehen sërish punës, aty ku munden, normalitetit apo shanseve dhe mundësive për normalitet. Pa palnin e duhur, njerëzit do të vazhdojnë të gjenden për një kohë të gjatë në këtë situatë dhe ekonomia jonë e brishtë do të vazhdojë të fundoset. Ia kam kërkuar dhe ia përsëris këtë kërkesë kryeministrit publikisht, të nisë urgjenistisht ndihmën financiare për njerëzit, të ndryshojë buxhetin dhe të rrisë fondin e emergjëncës, sepse akoma nuk jemi as në nivelin e Kosovës. Koha nuk pret!

 

BASHA: ME PËRJASHTIM TË NJË RASTI, NUK MBËSHTESIM ASHPËRSIMET E DËNIMEVE NË KODIN PENAL. BETEJA NUK ËSHTË ME NJERËZIT, POR ME VIRUSIN.

 

Pyetje: Si i shikoni ndryshimet që janë miratuar sot në Kodin Penal?

 

Lulzim Basha: Ajo që dua të them është se për ne një pjesë e mirë e propozimeve nuk kanë qenë të nevojshme.  Qeveria ka përforcuar me dënime administrative relativisht të rënda parandalimin e shkeljeve të rregullave të karantinës dhe në gjykimin tonë e gjitha kjo ka qenë e mjaftueshme, me përjashtim të rastit të një personi mbartës të infeksionit, i cili me vetëdije shkel rregullat e karantinimit të detyrueshëm dhe me vetëdije rrezikon shëndetin e një bashkëqytetari apo bashkëqytetarëve të tjerë. Hiq këtë parashikim, siç e bëra të ditur edhe insituticionalisht, ne nuk e mbështesim pjesën tjetër të përqasjes, sepse le të marrim një shembull konkret. Në qoftë se një qytetar ka dalë për 90 minuta dhe është në minutin e 95-të, apo ka dalë për të marrë bukë dhe nuk ka marrë dot lejen tek e-Albania, për raste të tilla masat administrative që janë shpallur janë mëse të mjaftueshme dhe nuk ka nevojë për masa të tjera më të rënda. Beteja nuk është me njerëzit, beteja është me virusin, virusi luftohet. Pasojat që ka sjellë pandemia në ekonomi dhe tek familjet në nevojë dhe tek njerëzit në nevojë luftohen, njerëzit ndihmohen.

 

 

“LUGA BOSH E QEVERISË”, BASHA: PAKETAT E QEVERISË NUK JANË TË MJAFTUESHME. E PARA ËSHTË ZBATUAR PËR PAK NJERËZ, E DYTA AKOMA NUK KA HYRË NË FUQI.

 

Pyetje: A janë të mjaftueshme dy paketat e qeverisë?

 

Lulzim Basha:  Në volumin financiar janë të pamjaftueshme, janë 2/3 e paketës së parë të Kosovës. Në mënyrën sesi I trajtojnë problemet e qytetarëve janë të pamjaftueshme. Në qoftë se e marrim të mirëqenë paketën e dytë, e cila deri në këto momente që flasim nuk e di të jetë bërë efektive, pra nuk kemi një akt qeveritar, një akt ligjor zyrtar, ligjor që e vë në lëvizje paketën e dytë, pra nëqoftëse e marrim të mirëqenë, prapë se prapë në total trajton më pak se 10% të popullatës, e cila ndodhet në probleme të thella ekonomike për shkak të pandemisë. Dhe këtu bëhet fjalë për të papunët, bëhet fjalë për njerëzit në asisetencën sociale, bëhet fjalë për njerëzit që janë në shtrëngesën totale ekonomike, por nuk e përfitojnë asistencën sociale, bëhet fjalë për të vetëpunësuarit që kanë humbur të ardhurat për shkak të mbylljes së biznesit, bëhet fjalë për të punësuarit në biznese që ose janë mbyllur për shkak të masave ose kanë qëndruar hapur dhe nuk kanë përfituar asgjë për shkak të rënies së konsumit. Pra, pasojat e krizës janë ndjerë në një spektër shumë më të gjërë, ndërsa ndihma në letër, pra vendimet në letër e japin ndihmën me pikatore dhe me vonesë. Sipas të dhënave tona nuk bëhen as 10 mijë ata që kanë marrë ndihmën nga paketa e parë, paketa e dytë vetëm është shpallur dhe akoma nuk është vënë në lëvizje.

Sot, 5 javë pasi ka filluar zyrtarisht edhe regjimi i distancimit social dhe i karantimit de facto jemi jashtëzakonisht vonë dhe pasojat po ndihen dhe dhimbja po ndihet në çdo familje. Prandaj përgjigjja e shkurtër është Jo. Të dyja paketat nuk janë të mjaftueshme dhe zbatimi i paketave lë shumë për të dëshiruar. E para akoma nuk është zbatuar, e dyta akoma nuk është zbardhur. Kjo është të mbushësh njerëzit me lugë bosh dhe me lugë bosh nuk mbushet as barku I vogëlushëve, as xhepat e të papunëve dhe as tryezat e të pamundurve.

 

 

BASHA: PROJEKSIONET E RAMËS ME 18 MIJË TË VDEKUR JANË PLOTËSISHT TË PAVËRTETA. QEVERIA DUHET TË BËJË TRANSPARENCË. RRITJA E TESTIMEVE NA ÇON TEK E VËRTETA DHE VENDIMET QË DUHEN MARRË PËR DALJEN NGA KRIZA.

 

 

Pyetje: Kryeministri Rama nga foltorja e parlamentit u shpreh se falë masave të marra prej tij u shmang një tragjedi e madhe me rreth 2800 të vdekur. A kishin ekspertët tuaj të dhëna për përmasat që mund të kishte virusi?

 

Lulzim Basha: Duhet të përsëris atë që ju thashë që pa transparencë të gjithë përpiqemi të analizojmë gjysmë fakte dhe gjysmë të vërteta. Analiza më e plotë e asaj që është shpallur sot nga kryeministri në parlament ka ardhur për fat të mirë nga media dhe nga një koleg i juaji, që quhet Redi Gjuzi. Më lejoni të citoj fjalë për fjalë këto kalkulime që sipas një vlerësimi paraprak të ekspertëve tanë rezultojnë tërësisht të sakta. Sa i përket shifrës së parë të 18 mijë të vdekurve që u tha nëse nuk do të merreshin masat ekstreme që sipas kryeministrit kanë dalë nga ekspertë të pavarur i bie, po ta marrim në raport progresiv, të marrim Suedinë që është vendi pa karantinë, ka sot 119 të vdekur për 1 milion banorë. Pra në qoftë se Shqipëria nuk do të kishte marrë asnjë lloj mase, në qoftë se do të kishte 18 mijë të vdekur siç u pretendua, atëherë i binte të kishte 6254 të vdekur 1 milion banorë. Mora këtë shembull, por njësoj si edhe shembujt e tjerë kjo tregon që ajo që është thënë sot në parlament është tërësisht e pavërtetë. Tani është humbje kohe për mua, është humbje kohe për ju, është humbje kohe për qytetarët të vazhdojmë të bëjmë komente të atyre që janë gjysmë të vërteta, të pavërteta, qofshin këto të rekomanduara nga ekspertë të pavarur kryeministrit apo të rekomanduara në mënyrë jo të vërtetë nga vetë autoritetet. Prandaj thirrja ime është t’i jepet fund mungesës së transparencës. Transparenca nuk është problemi. E vërteta nuk është problemi. E vërteta është mënyra e vetme për të menaxhuar situatën sot dhe për të ndërtuar një urë dalëse nga kjo situatë. Nuk mund t’i mbajmë njerëzit pafundësisht në shtëpi pa plan. U kemi kërkuar një sakrificë një javë, dy javë, tre javë, katër javë, pesë javë, në qoftë se do t’ua kërkojmë edhe një javë tjetër edhe dy javë të tjera, tre javë të tjera, atëherë duhet t’ua shpjegojmë se pse ua kërkojmë këtë sakrificë. Dhe këtë “pse” as unë, as kryeministri, askush nuk mund ta dijë për sa kohë testimet mbahen në këtë nivel. Prandaj hapi i parë është ndryshimi tërësor i përqasjes me testimet. Rritja në mënyrë eksponenciale e testimeve do t’i japë në rradhë të parë qeverisë instrumentin e të vërtetës, transparencës me atë që po ndodh mbi bazë të së cilës pastaj mund të marrë masa për shtrëngimin apo për lirimin e masave duke mos rrezikuar jetën e njerëzve, por edhe duke vlerësuar sakrificën. Sepse t’u kërkosh njerëzve të mbajnë bizneset mbyllur, të rrinë në shtëpi pa një plan kjo është papërgjegjshmëri, papërgjegjshmëri, e cila dy dhe trefishohet kur ti, nga njëra anë merr masa shtrënguese, por nga ana tjetër masat ndihmuese i ke në nivelin më të ulët në Europë dhe më të ulëtin në rajon në krahasim me vendet fqinje duke përfshirë këtu edhe Kosovën apo Maqedoninë e Veriut.

 

INSTITUCIONET FINANCIARE NDËRKOMBËTARE, SHQIPËRIA ËSHTË VENDI ME PAKETËN MË TË ULËT EKONOMIKE DHE SOCIALE NË EUROPË. RAMA OSE GËNJEN OSE ËSHTË KRYEMINISTRI MË I PAINFORMUAR.

 

Besoj se të gjithë e keni parë atë hartën e publikuar nga institucionet ndërkombëtare financiare që Shqipëria është vendi me paketën më të ulët ekonomike dhe sociale në Europë. Sot na u tha e kundërta. Sot tha jemi vendi me paketën më të lartë. S’është e vërtetë. Nuk është e vërtetë. Ose është një gënjeshtër ose njësoj e pafalshme, kemi të bëjmë me një kryeministër thellësisht të painformuar. E vërteta është që Shqipëria ka paketën më të ulët. E ka edhe më të ulët sesa Kosova. Edhe si shifër absolute, edhe si përqindje të buxhetit edhe si përqindje të Prodhimit të Brendshëm të vendit dhe efektet e kësaj, që të mos kthehet në lojë numrash, i ndiejnë qytetarët sot. Sepse shqiptarët sot janë njerëzit më të pambështetur duke filluar me ata që kanë nevojë dhe duke vazhduar me biznesin që është në pasiguri totale. Vlerësimin e qeverisë sot dua t’a them fare qartë. Situata ku ndodhemi është e paprecedente në raport me çdo vend tjetër të rajonit. Dhe kjo është përgjegjësi totalisht e qeverisë, e cila akoma nuk ka shpalosur çfarë plani, çfarë strategjie, çfarë perqasje ka, por shpall masa sporadike të cilat nuk zbatohen. Ka ardhur koha t’i jepet fund kësaj përqasje. Kam bërë thirrje dhe kam këshilluar edhe institucionalisht autoritetet t’i japin fund kësaj përqasje që i rendin krizës pas apo shpallin masa televizive, të cilat nuk kthehen asnjëherë në lekë apo në ushqime apo në mbështetje për njerëzit në nevojë apo në siguri dhe mbështetje për biznesin dhe urgjentisht të mbyllin apo të ngushtojnë hendekun midis fjalëve dhe veprave.

 

 

“I PAFALSHËM IMPROVIZIMI I QEVERISË NË JAVËN E 5-TË TË KRIZËS”, BASHA: QEVERIA NUK KA PLAN. KAM VËNË ZYRTARISHT NË DISPOZICION TË INSTITUCIONEVE PIKËPAMJEN TONË PËR HAPAT QË DUHEN HEDHUR PËR DALJEN NGA SITUATA. PRES REFLEKTIM TË MENJËHERSHËM DHE SHPALLJEN E NJË STRATEGJIE TË QARTË.

 

Pyetje: A ka një plan/strategji Partia Demokratike për turizmin pasi jemi në prag të sezonit. Nga ana tjetër zoti Klosi deklaron se duhet marrë leje në e-albania për të shkuar në plazh. A e dëmton turizimin dhe marrja e lejes në këtë paltformë, ku shohim që qytetarët kanë vështirësi me një platforme të tillë?

 

Lulzim Basha: Të flasim për hapa konkretë, kur nuk kemi një strategji është spekulative dhe ky është problemi kryesor që i kam parashtruar dhe do të vazhdoj t’ia parashtroj autoriteteve edhe sot përmes kësaj konference për shtyp. Nëqoftëse nuk kemi strategji, atëherë qartësisht po improvizon. Improvizimi është i kuptueshëm momentin e parë të përballjes me emergjencën. Është i kuptueshëm javën e parë sa ta marrin veten institucionet, por është i pakuptueshëm, është i pafalshëm javën e pestë apo të gjashtë të emergjencës. Nuk të falet improvizimi. Kjo tregon se nuk ke plan, nuk ke strategji. Kam vënë në dispozicion të institucioneve edhe zytarisht pikpamjen tonë për hapat që duhen hedhur për të dalë nga kjo situatë dhe pres, por jo dhe shumë gjatë, reflektim të menjëhershëm dhe shpalljen e një strategjie të qartë që të nisë me ndryshimin kryekëput të përqasjes me testimet, rritjen eksponenciale të numrit të testimeve, me gjurmimin dhe kontakteve të burimit që do të na japë një paraqitje më të qartë dhe të vërtetë të situatës, në mbështetje shumë më të madhe për shëndetësisnë seç kemi sot, në matjen dhe menaxhimin e situatës  në bazë të matjeve që na tregojnë se vërtet pandemia po frenohet dhe si mund të lirohet dhe cilët sektorë mund të lirojmë apo cilat zona gjeografike mund të lirojmë në ekonomi  dhe në qoftë se pandemia po përparon çfarë masash duhet të marrim për ta frenuar.

Së fundmi, por më e rëndësishme, tranzicioni që në bazë të këtyre të dhënave duhet të bëjmë nga situata e karantinës për njerëzit dhe situata e karantinës ekonomike drejt hapjes së kësaj karantine dhe rihapjes së ekonomisë, sepse siç u thashë, nuk mund t’i mbash njerëzit në shtëpi pafund pa pasur një plan. Prandaj duhet një plan dhe asgjë nuk mund ta zëvendësojë planin. As duke folur në hava si shkohet në plazh apo si nuk shkohet në plazh, as duke e ndryshuar diskutimin dhe duke prezantur masa të tjera represive e ndryshime në kodin penal. Duhet urgjentisht, sot, të kemi një plan, një strategji dhe transparencë para qytetarëve. Ky është plani, këto hapa do të hedhim. Nëqoftëse këto hapa kanë këtë rezultat, atëherë presim që brenda kësaj date qytetarët të kenë këto përfitime sa i përket daljes nga shtëpia, sa i përket hapjes së ekonomisë, por askush nuk mund të spekullojë për këto, sepse spekullimi në këtë rast realisht do të na kushtojë jetë, shëndet dhe ekonomi.

 

“10 MIJË TESTIME NË JAVË”, BASHA TREGON TRE VENDIMET E RËNDËSISHME QË DO TË MERRTE, NËSE DO TË ISHTE KRYEMINISTËR DHE SE ÇFARË I KA KËRKUAR EDI RAMËS NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË SIGURISË.

 

Pyetje: Nëse ju do të ishit në pushtet në këto kohë pandemie, cilin model të ndonjë vendi europian do të zgjidhnit ju?

 

Lulzim Basha: Siç ia bëra të ditur edhe dje kryeministrit, si Kryeministër do të merrja tre vendime të mënjehershme. Do të anulloja me pushtetet që më jep emërgjenca civile të 10 apo 12 kontratat koncensionare, që i kushtojnë Shqipërisë 2 miliard euro; 120 milionë euro vetëm këtë vit.  Po kështu do të shkurtoja të paktën 140 milionë euro nga buxheti aktual, në investime kapitale dhe shpenzime operacionale.  Do të liroja menjëherë 260 milionë euro dhe do të ndërtoja një paketë e cila do të kishte dy elementë kryesorë: mbështetje për shëndetësinë dhe rritje te testimeve me të paktën 10 mijë testime në javë, analizimin e këtyre të dhënave dhe në bazë të tyre marrjen e masave të mëtejshme. Dhe pjesën tjetër mbështetje për çdo familje në nevojë, për çdo individ të pamundur dhe për të gjitha bizneset.