Basha mbështet kërkesat e biznesit të vogël për të shpëtuar nga falimentimi: Me taksat e qytetarëve të shpëtohet ekonomia, jo të pasurohet qeverias dhe oligarkët
Në vazhdën e takimeve që kam organizuar me përfaqësuesit e biznesit në Shqipëri, sot kam takuar kryesinë e Shoqatës Kombëtare të Biznesit të Vogël. Biznesi i vogël është në vështirësi të mëdha dhe po shtyhet drejt falimentimit. Kjo rrezikon daljen në rrugë si të papunë të dhjetëra, ndoshta qindra-mijëra të vëtëpunësuarve nga ky sektor. Gjithë vëmendja e qeverisë është tek oligarkët, nuk është tek njerëzit, nuk është tek biznesi, në veçanti tek biznesi i vogël. Por biznesi i vogël përbën motorrin e ekonomisë shqiptare, përbën bazën e ekonomisë shqiptare dhe përfshin numrin më të madh të të vetëpunësuarve në këtë sektor.
Paratë që ka paguar gjatë viteve, taksat që ka paguar gjatë viteve sot ka nevojë më shumë se kurrë t’i marrë mbrapsht ose si lehtësi fiskale, ose si subvencionim, si mbështetje financiare. Dhe po kështu ka nevojë për një paketë të qartë masash që do të ndihmojnë në hapjen graduale, sipas protokollit të sigurisë, por jo hapje thjesht për të mos paguar biznesi. Sepse në qoftë se biznesi hapet, por konsumatori nuk lejohet të shkojë tek biznesi kuptohet qartë se situata është kaotike, është e pashpresë dhe do të vazhdojë të rëndohet. Përveç kësaj biznesi i vogël në veçanti, sikundër i gjithë biznesi, po vuan masa të tjera arbitrare të ndërmarra kuturu; siç është përshumbull fatura aforfe, fatura aforfe e energjisë, e cila shkon me vlerën e marsit 2019 tek biznese që kanë 6 javë që kanë mbyllur qepenat.
Pra, në vend që të ndihmohet siç po e ndihmon çdo vend tjetër i rajonit, të mos flasim për Europën, siç po e ndihmon Kosova, siç po e ndihmon Maqedonia e Veriut, biznesi i vogël po përballet me vështirësi të jashtëzakonshme që janë të shkaktuar nga mungesa totale e mbështetjes nga kjo qeveri. Ndërkohë paratë e taksave të shqiptarëve vazhdojnë të shkojnë për oligarkët. Paratë e taksave të shqiptarëve shkojnë kudo përveçse aty ku ka më shumë se nevojë se kurrë shqiptarët sot, tek njerëzit në nevojë, tek biznesi i vogël, tek mbështetja tek ata që po humbin vendet e punës. Situata është dramatike.
Së pari, mbështesim totalisht kërkesat e drejta të biznesit të vogël. E njohim dhe e kemi ndjekur gjendjen përpara pandemisë. Gjatë pandemisë në mënyrë pothuajse të përditshme kam qenë në kontakt jo vetëm me këta zotërinjtë, por edhe me përfaqësues të biznesit të vogël në qytetet kryesore të vendit. Dhe po vazhdojmë ta ndjekim në kushte kur nga njëra anë pretendohet mbështetje me fjalë, por nga ana tjetër biznesi vetë po denoncon se asnjë mbështetje nuk ka.
Me propagandë, me shfaqe televizive dhe me mashtrime, biznesi jo vetëm nuk po ndihmohet, por po zhytet gjithmonë e më thellë. Zhutja e bizneist të vogël në këtë situatë është parathënie e krizës ekonomike. Ndaj, e gjithë vëmendja jonë dhe e gjithë energjia jonë duhet të jetë tek pandemia ekonomike, që po i zë vendin pandemisë COVID 19. Është pandemia ekonomia 2020, që ka një autor dhe një shkaktar – këtë qeveri dhe këtë kryeministër, që e kanë braktisur biznesin në ditën e vet më të vështirë. Taksat ua kanë marrë për vite me radhë, taksat ua kanë rritur, faturat ua kanë rritur për vite me radhë. Tani që kanë nevojë për paratë e tyre, nuk po kërkojnë lëmoshë, asnjë nga ato dhjetëra mijëra biznese që nuk kanë parë asnjë qindarkë, megjithëse u është premtuar mbështetje, nuk kërkon lëmoshë, kërkon që të mbështetet nga taksat, sepse qeveria prandaj ekziston. Taksat që merr nga qytetarët, t’i përdorë për qytetarët. Sot, taksat që ka marrë nga biznesi i vogël, taksat që ka marrë nga të gjithë qytetarët, përfundojnë kudo, përveçse tek ata që kanë nevojë. Ose më mirë të themi, përfundojnë tek një grusht njerëzish, tek nje grusht oligarkësh me të cilët, kjo qeveri vazhdon të ndajë favore, tendera korruptivë dhe pasuritë e vendit.
Biznesi i vogël me tre kërkesa: Qeveria na ka dhënë lëmoshë, jo ndihmë. Situate është e rëndë
Prononcimi i kryetarit të Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Albert Naste: Gjendja e biznesit të vogël dhe të mesëm që përbën 95 % të biznesit në Shqipëri nuk është aspak e mirë. Po kalon drejt një degradimi total. Qeveria ka miratuar vetëm 2 paketa, një me 260 mijë lekë, tjetra me 400 mijë lekë, por të dyja paketat nuk përfshijnë më shumë se gjysmën e atyre që duhet të kishin mbështetje.
Për ne si shoqatë, këto nuk janë paketa ndihme për biznesin, janë paketa ndihme sociale. Këto nuk janë as paketa lufte, sepse në luftë nuk paguan asnjë taksë, askush. Dhe konfirmojmë se vetëm 44 përqind biznesit i kanë marrë këto paketa. Qeveria nuk ka asnjë plan konkret, asnjë plan ekonomik afatshkurtër, afatmesëm, afatgjatë, të jemi realistë, këto paketa nuk po e ndihmojnë biznesin.
Ne nuk duam lëmoshë, ne duam atë që na takon. Ne duan të zbatohet kushtetuta, ku neni 167 thotë se “në rast fatkeqësie natyrore, shteti duhet të dëmshpërblejë qytetarin”. Bashkitë nuk kanë hequr asnjë taksë apo tarifë lokale. Ne po na faturohet energjia elektrike e 2019-ës, sikur të ishim në punë të plotë. Kjo është e jashtëligjshme. Po shprehim pakënaqësinë tonë, sepse nuk mund të kalohet kriza me 260 mijë lekë të vjetra apo 400 mijë lekë.
Këtu duhen hedhur lekë, duhen krijuar modele europiane apo të vendeve fqinje. Kryeministri duhet të marrë detyrimet mbi supet e veta, të nxjerrë ekonominë dhe biznesin nga kjo krizë. Janë 250-300 mijë të punësuar në biznesin e vogël. Çfarë do të bëjmë ne? Ne sot jemi këtu për t’i paraqitur gjendjen e rënduar kreut të opozitës, kur vetëm 45 përqind e bzinesit e ka marrë ndihmën. Ne kërkojmë:
1. Mbështetje financiare nga qeveria. Të hedhë para në ekonomi për të ndihmuar biznesin, pasi gjendja është shumë e rënduar. Ajo që kemi marrë është e papërfillshme, qesharake, e vonuar, tallëse. Siç e kemi marrë muajin e parë 260 mijë lekëshin, ne kemi paguar taksat dhe tarifat. Jemi me humbje të rënda.
2. Kërkojmë hapjen e plotë të ekonomisë, të paktën për biznesin e vogël me kushtet e duhura të sigurisë për shëndetin. Të jemi të lirë të punojmë. Ne jemi të regjistruar 107 mijë biznese të vogla, që varemi nga konsumi. Nëse qytetarët nuk janë të lirë të lëvizin, nuk ka biznes, nuk ka para. Nëse vazhdon kështu, do të thotë se qëllimi është të na nxjerrë ne nga paketa e ndihmës. Nëse vazhdon kështu, papaunësia do të jetë e paparë.
3. Kryeministri t’u kërkojë anëtarëve të partisë së tij, që drejtojnë pushtetin lokal, të përjashtojnë biznesin e vogël nga taksat dhe tarifat vendore përsa kohë zgjat pandemia.