- Bizneset në Durrës pa ndihmë nga qeveria dhe të mbytur nga faturat afrofe. Basha: Dështimet e Ramës po u kushtojnë shumë shtrenjtë qytetarëve.
TAKIMET E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, ME BIZNESET NË DURRËS
Durrësi është po aq i prekur sa Tirana nga mungesa e ndihmës së qeverisë për qytetarët dhe bizneset. Për shkak të tërmetit të nëntorit, situata atje është edhe më e rënduar. Disa dhjetëra tregtarë që takoi kryetari i opozitës Basha në Durrës treguan për rënien drastike të konsumit dhe për mosmarrjen e asnjë qindarke ndihmë nga shteti, duke faktuar se dështimet e Edi Ramës po u kushtojnë shumë shtrenjtë qytetarëve, që po varfërohen edhe më shumë.
“Xhiro është 50% më pak. Nga ndihma nuk përfituam asgjë. “- tha një tregtar, ndërsa një tjetër që kishte tre të punësuar pohoi se asnjëri prej tyre nuk e ka marrë pagesën e ndihmës.
Pronarët e bizneseve të vogla e përkufizojnë si vjedhje të tyre vendimin e qeverisë për faturat afrife të dritave dhe të ujit.
“Ne patëm dy goditje njëra pas tjetrës. Si nga tërmeti, që s’patëm asnjë ndihmë, si nga koha e virusit, ne thjesht po mbahemi me një rrogë minimale. Na kanë futur në faturën, e faturuar sipas këtij muaji të vitit të kaluar. Është afrofe 340 mijë lekë”- tha njëri prej tyre, duke e bërë faturën e dritave shumë të lartë sesa pagesën e marrë nga qeveria, siç vuri në dukje kreu i opozitës.
Njësoj si qytetarët e Tiranës, edhe në Durrës tregtarët kërkojnë të dinë ku janë paratë që ata kanë paguar si taksa të rritura gjithë këto vite.
“Duam pak mbështetje se në ditë të mirë, ditë me diell ecim vetë
Po mbajmë deri diku niptin hapur me shpresën që mund të rimëkëmbemi, mund të na japin ndonjë kredi të butë me atë që dëgjojmë në televizor, por për momentin s’dimë asgjë. Shkojmë nëpër banka asnjë lloj përgjigje, është thjesht vetëm llafe, letrat nuk dihet se ku janë, se ça bëhet”- u shpreh një tregtar tjetër.
Në Durrës, Kryetari Bashi u takua edhe me disa pronarë hotelesh e agjencish turistike, të cilët janë prekur rëndë nga izolimi për shkak të pandemisë. Disa prej tyre, të njohur në Durrës si mbështetës të PS, shprehën zhgënjimin për braktisjen e plotë nga qeveria për sektorin e turizmit. Kërkesa e tyre për anullimin e taksave lokale deri në mars 2021 është mbështetur nga Kryetari Basha. Të gjithë ishin të një mendimi se qeveria duhet të ndihmonte bizneset që të mbante hapur vendet e punës dhe jo të bënte amnisti fiskale për paratë e pista te krimit dhe të klienteles së saj.