• Kemi bashkuar sot gjithë forcat tona anë e mbanë Shqipërisë në një projekt ndryshimi, i cili merr jetë me votën e shqiptarëve. Ndryshimi në Shqipëri është i paevitueshëm.

 

  • Edi Rama i provoi botës më 17 Maj se me të nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, por vetëm dhunim të të drejtave të qytetarëve.

 

  • PD dhe opozita kanë treguar vullnet për Reformën Zgjedhore. Sot nuk është përgjegjësia jonë. Më 17 maj PS dhe Edi Rama hodhën në erë besimin tek procesi. Opozita nuk mund të jetë fasadë, përgjegjësia është e Edi Ramës.

 

 

KOMUNIKIMI I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA PAS PROTESTËS

 

 

Pyetje: Kjo është protesta e dytë e thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, a do të vazhdojë opozita të jetë në krah të artistëve dhe kur do të ketë një protestë masive popullore siç keni lajmëruar ditë më parë?

 

Lulzim Basha: Opozita ka një qëllim, t’u japë fund menjëherë kushteve në të cilat padrejtësia shtyp qytetarët, shkatërron pronën e tyre, i varfëron dhe kjo padrejtësi e ka një emër: ky është Edi Rama. Në funksion të këtij qëllimi ne kemi bashkuar sot gjithë forcat tona anë e mbanë Shqipërisë në një projekt ndryshimi, i cili merr jetë me votën e Shqiptarëve. Ndryshimi në Shqipëri është i paevitueshëm. Edi Rama është investuar të ndalë rrugën europiane të Shqipërisë, është investuar të ndalë përpjekjet për zgjedhje të lira e të ndershme dhe me 17 maj i ka provuar mbarë botës se me të nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, me të mund të ketë vetëm dhunim të të drejtave të qytetarëve. Ndaj kjo i jep sot betejës tonë tash trevjeçare për zgjedhje të lira e të ndershme një apel kombëtar dhe ndërkombëtar të painjorueshëm. Në ditët në vijim Partia Demokratike dhe opozita do të përvijojnë hapat e mëtejshëm me qëllim që synimi ynë i kahershëm për t’u dhënë shqiptarëve lirinë e votës, pa të cilën nuk mund të ketë as ekonomi, as zhvillim, as punësim dhe as Europë, të realizohet një orë e më parë dhe t’u mundësojmë atyre t’i drejtohen kutive të votimit për të shporrur me një votë plebishitare dhe popullore një qeveri uzurpatore të institucioneve, një hajdut ordiner dhe një kriminel të faktuar para gjithë botës si i tillë me krimin e 17 majit, që do të përpiqemi me të gjitha forcat tona të jetë krimi i fundit i kësaj qeverie të babëzisë dhe korrupsionit.

 

Pyetje: Kur dhe si do të largohet Edi Rama? A do të uleni sërish në tryezën e reformës zgjedhore?

 

Lulzim Basha: Partia Demokratike dhe Opozita kanë patur dhe kanë treguar vullnet për Reformën Zgjedhore pikërisht sepse duhet që një orë e më parë shqiptarët t’u drejtohen kutive të votimit. Sot nuk është përgjegjësia e jonë. Me atë që ndodhi me 17 maj Partia Socialiste dhe Edi Rama kanë hedhur në erë besimin në një proces që pa besim nuk është asgjë. Opozita nuk mund të jetë fasadë, përgjegjësia është e Edi Ramës.

 

Pyetje: A e keni parë propozimin amerikan për sistemin zgjedhor?

 

Lulzim Basha: Nuk kam parë asnjë propozim amerikan për sistemin zgjedhor.

 

Pyetje: Propozim për sistem danez zoti Basha?

 

Lulzim Basha: Jua dhashë përgjigjen.

 

Pyetje: Lista të hapura ju jeni dakord?

 

Lulzim Basha: Ne do të jemi gati për lista të hapura dhe ndryshim sistemi, ju e dini idenë time për maxhoritar të pastër dhe dy dhoma, për kufizimin e mandateve të deputetëve, kryeministrit, por asgjë nuk do të ketë kuptim sa kohë që kujdestare e zgjedhjeve është hajdutja e zgjedhjeve dhe hajduti i zgjedhjeve Edi Rama.

 

Pyetje: Ka një kërkesë nga Gjiknuri për zotin Bylykbashi dhe zotin Vasili për të shkuar në tryezë, do të jenë përfaqësuesit e opozitës?

 

Lulzim Basha: Besoj përgjigjen e morët të plotë dhe shteruese nga ajo që ju thashë.  Faleminderit!