Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë sot në Samitin e Liderëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor të Partisë Popullore Europiane (PPE), në kuadër të Samitit të Zagrebit.
Kreu i opozitës shqiptare falenderoi liderët e Bashkimit Europian për mbështetjen e dhënë për të përballuar epideminë COVID-19, një ndihmë e çmuar në kushtet e krizës së thellë që po kalon vendi. Kryetari i PD, kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Bashkimit Europian, pasi kriza ekonomike që ka përfshirë vendin është thelluar me numrin e lartë të vendeve të punës të humbura gjatë këtyre 2 muajve.
Gjatë Samitit, kreu i opozitës shprehu mirënjohjen për konfirmimin e vullnetit nga ana e BE-së për të hapur negociatat me Shqipërinë, ndërkohë që tani gjithçka varet nga plotësimi i 15 kushteve të vendosura nga BE. Plotësimi dhe zbatimi i këtyre kushteve është rruga drejt hapjes së negociatave dhe zgjidhjes së krizës së thellë politike në vend.
Zoti Basha shprehu domosdoshmërinë e reagimit të shpejtë për të ndalur zhbërjen e standardeve demokratike dhe të proceseve zgjedhore, goditjen ndaj drejtësisë së pavarur dhe lirisë së mediave, siç është faktuar edhe nga raporti i fundit i Freedom House. Kërcënim real për mirëqenien dhe demokracinë përbën edhe rritja e nivelit të korrupsionit, siç konstatohet nga Transparency International. Rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë thelbësore jo vetëm për transformimin politik dhe social-ekonomik të vendit dhe rajonit, por dhe për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, si dhe janë në interesin më të mirë të popujve tanë, theksoi Basha.
Kryedemokrati Basha nënvizoi se Partia Demokratike është plotësisht e përkushtuar për ta bërë realitet integrimin europian të Shqipërisë, ashtu si për anëtarësimin në NATO dhe lëvizjen pa viza. “Në këtë drejtim, përmbushja e 15 kushteve është çelësi i suksesit për të ecur përpara.”- u shpreh zoti Basha.
Gjatë Samitit drejtuesit më të lartë europianë shprehën vlerësimin e tyre për vendosmërinë dhe lidershipin e treguar nga Partia Demokratike dhe Opozita në mbështetje të aspiratës së qytetarëve shqiptarë për arritjen e standarteve europiane.
PPE është grupimi më i madh dhe më me ndikim në Bashkimin Europian. Aktualisht PPE përfshin 83 parti dhe partnerë nga 43 vende. Nga PPE vjen Presidenti i Komisionit Europian dhe 10 anëtarë të Komisionit Europian. PPE ka grupin më të madh në Parlamentin Europian dhe 11 drejtues shtetesh dhe qeverish të BE, mes të cilëve dhe kancelarja Merkel.