• Fuqizimi i bizneseve të vogla, punësimi i të rinjve, bujqësia, prioritetet e PD në qeverisje. Basha me Shoqatën e Mikrofinancës: Garanci shtetërore për të ndihmuar kreditimin.

 

TAKIMI I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, ME SHOQATËN MIKROFINANCA SHQIPTARE

 

Në një takim me Shoqatën e Mikrofinancës Shqiptare, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, konfirmoi si prioritete të qeverisjes së ardhshme fuqizimin e biznesit të vogël, hapjen e bizneseve të reja, kryesisht nga të rinjtë dhe punësimin i tyre, si mbështetjen e bujqësisë.

 

Duke i falenderuar për zbatimin e moratoriumit, që ndihmon kredimarrësit në situatën e rënduar pas pandemisë, zoti Basha ndau shqetësimin për mungesën e likuiditetit dhe për krizën ekonomike. “Nëse nuk veprohet shpejt për tejkalimin e saj, kjo do të verë në pozitë të vështirë sistemin bankar dhe veçanërisht institucionet e mikrokreditit, pasi do të rritet pamundësia e qytetareve dhe bizneseve për t’i shlyer kreditë.”- u theksua në takimin me Shoqatën e Mikrofinancës Shqiptare.

 

Vonesa në ripagimin e kësteve dhe shtyrjet e detyruara kanë ulur me 60% arkëtimet vetëm në institucionet e mikrokreditit. Deri më sot janë 175,000 vende pune të krijuara nga bizneset e financuara prej institucioneve të mikrokreditit, ku vetëm gjatë 2019 këto institucione kanë mbuluar 68% të të gjithë kërkesave për kredi në vend.

 

Me presidenten e shoqatës znj. Arlinda Muja dhe Sekretaren e Përgjithshme znj. Brunilda Isaj, zoti Basha diskutoi për vështirësinë për sukses të bizneseve të konsoliduara, për shkak të situatës ekonomike që po kalon vendi dhe rritjes së vazhdueshme të taksave, e cila ka ndikuar negativisht edhe për hapjen e bizneseve të reja. Në takim u theksua se lufta për mbijetesë ka bërë që shumë biznese të mbyllin vende pune, ku më të prekurit janë të rinjtë.

 

Për Partinë Demokratike, krijimi i mundësive për të hapur një biznes, fuqizimi i bizneseve të vogla, rritja e mundësive për punësim është një nga synimet kryesore të saj.

 

“Në planin tonë ne planifikojmë garanci shtetërore ndaj institucioneve të mikrokreditit për të ndihmuar ato në kreditimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të drejtuara kryesisht nga të rinjtë, ndërsa me prioritet do të konsiderohet dhe mbështetja për bujqësinë. Programi ekonomik i Partisë Demokratike ka në fokus të tij uljen e barrës fiskale sidomos për biznesit e vogël, mbështetjen me subvencione ndaj fermerit me të paktën 100 milionë euro në vit, eliminimin e procedurave të tepërta burokratike dhe krijimin e kushteve për konkurrencën e lire e të ndershme nëpërmjet një procesi dialogu me të gjithë aktorët kryesorë të tregut financiar.”- u shpreh kreu i opozitës Lulzim Basha në takimin me Shoqatën e Mikrofinancës Shqiptare.