KONFERENCA E PËRBASHKËT PËR SHTYP MES KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS, AVDULLAH HOTI DHE KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA.

  • Vizita zyrtare e Bashës në Prishtinë, kryeministri Hoti falenderon kreun e opozitës: Në momente kyçe të shtet ndërtimit të Kosovës kemi patur gjithmonë mbështetjen e zotit Basha.
  • Basha: Kryeministri Hoti tregoi lidership në rinisjen e dialogut. Keni mbështetjen e plotë timen, të PD dhe opozitës, që ky dialog të ketë vetëm një përfundim – njohjen reciproke midis Kosovës dhe Serbisë.
  • Basha: Një ndër vendimet e para të miat si kryeministër do të jetë heqja e taksës dhe traut në Rrugën e Kombit, një vendim i padrejtë që rëndon mbi ekonominë e Kosovës. Qëllimi ynë është mirëqenia dhe hapja e vendeve të punës.
  • Basha: Në nivel bashkërendimi për mbështetjes e Kosovës Tirana ka vetëm një detyrë – sa më takon mua – të mbështes pa asnjë rezervë, me të gjitha resurset qeverinë, parlamentin, institucionet dhe popullin e Kosovës.

 

DEKLARATA E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS, AVDULLAH HOTI PAS TAKIMIT ME KRYETARIN E PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA 

Ishte kënaqësi për mua që, bashkë me zëvendës Kryeministrat dhe anëtarë të kabinetit të presim Kryetarin e Opozitës, zotin Lulzim Basha. Patëm një takim shumë të shtrenjtë dhe ndamë me të shqetësimet tona edhe për menaxhimin të situatës me COVID, edhe për Çështjet e rimëkëmbjes ekonomike – dy prioritete tona kryesore si qeveri. Informova në detaje për aktivitetet që po i bëjnë ekspertët tonë shëndetësorë në menaxhimin e situatës me COVID, të cilën, fatmirësisht, ditët e fundit kemi filluar ta sjellim nën kontroll. E informova për aktivitetin që po i bëjmë për t’i dalë në ndihmë biznesit dhe qytetarëve në një përpjekje të rimëkëmbjes ekonomike. Biseduam edhe për proceset e rëndësisë nacionale, siç është procesi i dialogut dhe proceset e tjera, të cilët po kalojmë si klasë politike në Kosovë dhe ndamë ato shqetësime për këto procese. Falenderoj edhe njëherë shumë për vizitën edhe për mbështetjen që gjithmonë kemi patur nga zoti Basha, personalisht, në momente kyçe të shtet ndërtimit të Kosovës në funksione të ndryshme që ka patur në qeverinë e shqiptarëve.

DEKLARATA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

Faleminderit zoti Kryeministër! Faleminderit për ftesën. Faleminderit për bashkëbisedimin shumë të hapur, miqësor edhe vëllazëror. Unë ndodhem gjithmonë me kënaqësi shumë të madhe në Prishtinë që është, në fakt, edhe qyteti im i dytë pas Tiranës. Jo vetëm për faktin se gjatë periudhës 2000-2004 kam jetuar, ka qenë shtëpia ime, por edhe pse e bëtë të tillë me vendimmarrjen tuaj për të më shpallur “Qytetar Nderi” të Prishtinës para disa vitesh. Por sot ndodhem këtu, në rradhë të pare, për t’ju përshëndetur ju, autoritetet e Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarët e Kosovës në një moment të rëndësishëm dhe plot sfida, siç është ky ku ndodhet Kosova, por edhe Shqipëria dhe gjithë rajoni. Po ndjekim padyshim me shqetësim përparimin e pandemisë Covid, por, po kështu, jam inkurajuar nga paketa e masave që ju si autoritete të Republikës së Kosovës keni njoftuar qoftë në aspektin shëndetësor – shumë e rëndësishme për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe, po kështu, në aspektin social ekonomik, sepse kjo pandemi ka një aspekt tjetër, ka një pasojë tjetër shumë të rëndë, që është kriza ekonomike edhe pasojat sociale tek qytetarët. Në këtë kuadër, gjykoj se me paketën ekonomike që ju keni njoftuar, në raport me prodhimin e brendshëm bruto të Kosovës, edhe me buxhetin e Kosovës, një paketë e tillë, pa diskutim, ju vendos në krye të vendeve të rajonit edhe përbën një shembull edhe për Shqipërinë, ku situata është po kaq kritike, qoftë përsa i përket pandemisë, edhe madje më shumë kritike përsa i përket krizës ekonomike dhe pasojave sociale. Ndaj, gjykoj se në këtë aspekt, vendimmarrja juaj dhe mënyra sesi do të zbatohet kjo paketë përbën një shembull edhe për Tiranën dhe, natyrisht, edhe për ne, pavarësisht se, për momentin, në opozitë.

Së dyti, dua t’ju falenderoj për rolin tuaj, për lidershipin tuaj në rinisjen e dialogut mes Republikës se Kosovës edhe Republikës së Serbisë në shinat ku ky dialog u konceptua, si dhe t’ju shpreh, edhe njëherë, mbështetjen e plotë timen, të Partisë Demokratike dhe të opozitës së bashkuar në këtë përqasje parimore, e cila ka dhe mund të ketë vetëm një përfundim – njohjen reciproke midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Së treti, dua t’ju falenderoj për diskutimin shumë frytdhënës, përsa i përket të ardhmes e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ne vazhdojmë të themi “potencialet janë shumë të mëdha”, që, në fakt, është një mënyrë e sjellshme për të thënë që nuk kemi bërë sa duhet akoma, por ju siguroj se tek Partia Demokratike do të keni një partner të devotshëm, që ato punë që i kemi nisur, siç ishte Rruga e Kombit dhe liberalizimi ekonomik, në të dyja anët e kufirit, të vazhdojnë dhe më tej për të prodhuar më shumë mirëqenie dhe vende pune për qytetarët tanë ne Shqipëri dhe në Kosovë. Në këtë aspekt, dua të rikonfirmoj se një ndër vendimet e para të miat si kryeministër i zgjedhur, në zgjedhjet e ardhshme të Republikës së Shqipërisë, do të jetë heqja e taksës dhe traut në Rrugën e Kombit, një vendim i padrejtë që rëndon mbi ekonominë e Kosovës dhe ekonominë e Shqipërisë, ngadalëson shkëmbimin ekonomik dhe shanset për bashkërendim të faktorëve ekonomikë në dy vendet tona. Po kështu, na duhet një thellim i bashkëpunimit në të gjitha fushat e tjera që nga infrastruktura, energjia, bujqësia, agrobiznesi dhe kështu me rradhë. Në këtë aspekt, dua të çmoj lart qëndrimet tuaja dhe fokusin tuaj në aspektin e bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë dhe Kosovës, ku keni dhe do të keni mbështetjen time dhe të Partisë Demokratike.

Po kështu, në atë nivel bashkërendimi ne fushën e mbështetjes së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës që keni gëzuar ne 2007-2008 e më tutje në procesin para shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës  dhe në procesin  shumë të suksesshëm për  numër vitesh të njohjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, edhe në këtë aspekt, Tirana ka një dhe vetëm një detyrë – sa më takon mua, të mbështes pa asnjë rezerve, por me të gjitha resurset qeverinë e Kosovës, parlamentin e Kosovës, institucionet dhe popullin e Kosovës. Edhe njëherë ju falenderoj për këtë pritje vëllazërore.

Pyetje: Dy pyetje, fillimisht për zotin Basha.  A ka për qëllim vizita juaj këtu faktin që thirrja e presidentit dhe kryetarit të PDK për ringritjen e aktakuzës ndaj krimeve të luftës që pretendon gjykata speciale Apo është ndonjë qëllim tjetër që vjen pas kërkesës ose ftesës që ju ka bërë Kryeministri i Kosovës? Dhe një pyetje tjetër është për z. Hoti. Është thënë nga Mirosllav Lajçak që, pas takimit këtë javë në Bruksel, do të takohen ekspertët e dy vendeve dhe për këtë është akorduar në takimin që ju keni pasur në Bruksel. Tani po thoni që nuk është dialogu…… që po ndodh këtë javë dhe qysh do të jetë, qysh do të prezantohet dhe përfaqësohet?

Lulzim Basha: Faleminderit për pyetjen. Vizita ime është paksa e vonuar. Natyrisht, ndodh në një moment zhvillimesh në Kosovë, ku përfshihen zhvillimet që ju përmendët, por jam këtu pas një ftese të kryeministrit Hoti gjatë vizitës së tij në Tiranë dhe një ftese të përsëritur, po kështu dhe të autoriteteve të tjera të Kosovës, duke përfshirë presidentin Thaçi, kryetaren e kuvendit Osmani dhe krerët e Partive Politike në Kosovë.

Avdullah Hoti: Lidhur me Dialogun, ju e dini që ky proces ka filluar pas më shumë se 20 muajve, të bllokadës. Në ditët e para të qeverisjes sonë ne kemi qartësuar platformën tonë, qasjen tonë për procesin e dialogut dhe e kemi komunikuar me publikun, e kemi komunikuar me Kuvendin, me partitë politike opozitare, me të gjithë është diskutuar pozicioni i Republikës së Kosovës në këtë proces dhe është mirëkuptuar plotësisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Kemi filluar me Samitin e Parisit dhe me video konferencën të dielën e javës që shkoi dhe, mandej, takimin e fundit në Bruksel të enjten, për dy tema specifike, duke ditur gjithmonë cili është qëllimi final i procesit të dialogut, që është vetëm njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve. Normalizimi i marrëdhënieve është derivat i njohjes reciproke. Çdo zgjidhje që ne bëjmë në marrëveshjen finale për normalizimin e marrëdhënieve duhet të jetë derivat i njohjes reciproke, pra si dy vende të pavarura, sesi i adresojnë çështjet e hapura që kanë në mes tyre. Dialogu është vetëm politik, për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve. Të enjten është një takim tjetër në Bruksel, ku do të jetë prezent koordinatori shtetëror për dialog, të cilin do ta emëroj së shpejti, për të biseduar dhe për të draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke. Ky është objektivi ynë i vetëm në këtë proces. Çdo koment tjetër që dëgjoni, besoj që, ose nuk janë të informuar plotësisht, ose dëshirojnë vetë t’i shtrembërojnë gjërat ashtu se si dëshirojnë ata. Sot kam dërguar ftesat për nesër, për forum të liderëve të partive politike, gjithashtu kam dërguar ftesa në Kuvendin e Kosovës për të informuar Kuvendin për Samitin e Parisit dhe të gjitha zhvillimet deri më tash në proces të dialogut. Ashtu si kam thënë prej ditës së parë, do të jem plotësisht transparent në këtë proces, por dialog teknik nuk ka. Ka dialog politik vetëm për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve.

Faleminderit shumë!