• Milot-Fier, vjedhja më e madhe e qeverisë. Edi Rama dhe Belinda Balluku 6 fishuan koston për të rritur çmimin e kalimit në rrugë.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ERVIN MINAROLLI, SEKRETAR PËR BURIMET NJERËZORE

 

Rruga Milot-Fier është vepra më e madhe e vjedhjes së qeverisë së Edi Ramës para largimit.

1.2 miliardë euro për 115 kilometra përkthehet si rrugë që kushton, rreth 10 milionë euro për 1 kilometër. Kosto del shumë më e lartë, nëse merret parasysh se 62 kilometra të saj do të kalojnë në rrugët dhe autostradat ekzistuese.

 1.2 miliardë euro për një rrugë që nuk kalon në terren të vështirë dhe kur më shumë se gjysma e saj rezulton e ndërtuar, është një vendim antikombëtar.

Është futje e duarve në xhepat e varfër të qytetarëve, të cilët duhet të paguajnë shumë shtrenjtë kalimin në rrugën e florinjtë të Edi Ramës dhe të Belinda Ballukut.

Ekspertët llogarisin se kostoja e projektit është fryrë, në mënyrë që pagesa e detyruar për qytetarët të jetë sa më e lartë. Ata që do të kalojnë në këtë rrugë, do të nxjerrin nga xhepi, të paktën 17.4 euro për një udhëtim vajtje-ardhje.

Partia Demokratike nuk është kundër zhvillimit të infrastrukturës, pasi ne kemi investuar më shumë se çdo qeveri tjetër që shqiptarët të lidhen me rrugë moderne dhe të shpejta nga veriu në jug, nga lindja në perëndim.

Për ne është e papranueshme që, qeveria të ndërtojë me kosto 6 herë më të lartë se standardi i Bashkimit Europian.

7 vjet më parë ne siguruam fonde nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për një rrugë të ngjashme, ndërtimin e bypass-it të Fierit me një kosto prej 1.8 milionë euro për kilometër.

Sot, është e papranueshme që rruga Milot-Fier të ndërtohet me 6 fishin e kostos dhe milionat nga paratë e shqiptarëve të përfundojnë në xhepat e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.

Kush ka ndërmend të bëhet bashkëpunëtor me Edi Ramën në këtë vendim antikombëtar, që vjedh qytetarët në mënyrë skandaloze, ka akoma kohë të tërhiqet.

Partia Demokratike e ka bërë të qartë: Ne nuk do të njohim asnjë vendim të marrë nga kjo qeveri 12 muaj para zgjedhjeve, pa iu nënshtruar më parë ligjshmërisë së vendimit. Në rastin e Milot-Fier gjithçka vjen era korrupsion!