“Kam punuar në emigrim. Gjithë investimi i jetës më është shkatërruar”, turizmi në Velipojë i shkatërruar nga pandemia dhe shteti.
“11 punëtorë i paguaj nga xhepi, më 15 i nis në shtëpi, do e mbyll”, operatorët turistikë në Velipojë pothuajse të falimentuar.
Basha: Të gjithë ata që e kanë bërë këtë masakër, do mbajnë përgjegjësi.
KOMUNIKIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, ME OPERATORËT TURISTIKË NË VELIPOJË
Në vazhdën e takimeve me operatorët turistikë në vend, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është ndalur ditën e sotme në qytetin e Velipojës. Të goditur nga kriza e pandemisë dhe mungesa e turistëve, bizneset në këtë zonë, si në të gjithë Shqipërinë, ankohen për rënien e xhiros, si dhe për taksat që vazhdojnë t’i paguajnë si në kohë normale.
“Numri i pushuesve shumë i vogël, xhiroja gjysëm përgjysëm ka shkuar. 20 vjet dyqan, që vitin e shkuar ka rënë xhiroja shumë. Taksat vazhdojnë po njësoj”- u shpreh pronari i një ushqimoreje.
Teksa një pjesë e pronarëve të këtyre bizneseve u duhet të mendojnë se si të përballen me krizën që i ka kapluar, pjesa tjetër janë të shkatërruar psikologjikisht pasi shteti ua prishi bizneset në mënyrën më barbare dhe pa asnjë arsye.
“9 vjet me dokumenta. Më erdhën pa paralajmërim në 12 të natës dhe ma prishën. Taksat i kam paguar të gjitha deri në ditën kur ma kanë prishur” – tha njëri nga pronarët, që ia kishin prishur restorantin.
Ndërsa një pronar tjetër u shpreh se për interes të disa bizneseve të zonës, të lidhura me qeverinë, i është prishur i gjithë investimi i jetës, edhe pse e kishte me letra të rregullta. “Kam punuar në emigrim për kaq vite dhe i gjithë investimi i jetës më është shkatërruar për 5 minuta, për interes të disa oligarkëve të zonës. E kam pasur me letra të rregullta, me të gjitha! 15 familje i kam mbajtur në punë me këtë biznes”- u shpreh pronari i lokalit të prishur.
Hotelet e mëdha, si zgjidhje momenti shohin shkurtimin e punonjësve, pasi e kanë të pamundur t’i përballojnë pagat e tyre.
“Kam hotelin me 60 dhoma dhe vetëm 10 dhoma i kam të zëna për fundjavë. Punë s’ka, 11 punëtor ua paguaj rrogën nga xhepi. Deri më 15 u kam thënë të punojnë, pastaj të ikin në shtëpi, se nuk i mbaj dot”, – u shpreh pronari i një hoteli.
Kryetari Basha, u zotua para pronarëve se me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, gjëja e parë që do të bëjë është të vendosë ligjin dhe rendin njësoj për të gjithë dhe të gjithë ata që qëndrojnë pas kësaj padrejtësie, do të mbajnë përgjegjësi.
“Me forcën e ligjit dhe ligjshmërinë më absolute, sot ua premtoj se nesër, si kryeministër, me të njëjtën vendosmëri, me ndarjen totale nga krimi, me një ministër të brendshëm, po kështu të pastër nga lidhjet me krimin, gjëja e parë që do të vendosim është ligji dhe rendi njësoj për të gjithë” –theksoi kreu i opozitës.