KONFERENCA E PËRBASHKËT PËR SHTYP E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA DHE KRYETARIT TË KOMUNËS SË MITROVICËS, AGIM BAHTIRI
- “Qytetar nderi” i Mitrovicës, Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, flet hapur: Basha, mik i shquar, së shpejti e pres si kryeministër. Kombit i vlen një njeri si shërbëtor i qytetarëve, jo ata që janë bërë si gjarpër i tërbuar.
- “Kryeqyteti i kombit është Mitrovica”, Basha falenderon kryetarin e Komunës për qëndresën kundër copëtimit të Kosovës: Ky plan do të niste me copëtimin e Mitrovicës.
- Jam krenar që PD dhe unë, personalisht, i jemi bashkëngjitur qëndrimit të drejtë dhe konsekuent kundër copëtimit të Kosovës, ruajtjes së tërësisë teritoriale si parakusht i vazhdimësisë së sovranitetit dhe pavarësisë.
- Heqja e traut dhe taksës në Rrugën e Kombit, që shtrenjton lëvizjen e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës, do të jetë një ndër vendimet e mia. Mitrovica meriton, dhe do të ketë vëmendje speciale nga qeveria e ardhshme në Tiranë.
DEKLARATA E PLOTË E KRYETARIT TË KOMUNËS SË MITROVICËS, AGIM BAHTIRI
Së pari, falenderoj mediat që keni marrë pjesë në këtë vizitë të çmuar timen. E falenderoj përzemësisht Kryetarin e Partisë Demokratike, i cili është për mua një mik i shquar, një mik i fuqishëm, i ngrohtë për mua. Kësaj radhe e kam pritur si Kryetari i Partisë, por në vitet që vijnë, do ta pres si Kryeministër të vendit, për arsye se këtij vendi, këtij populli dhe këtij kombi, përgjithësi i vyen një njeri, i cili me të vërtetë ia vlen të jetë shërbëtor i qytetarëve, sepse jemi lodhur nga njerëzit që janë bërë si gjarpër i tërbuar, që e shtrydh këtë popull, e shtrëngon këtë popull.
Ky popull duhet të lirohet prej atyre njerëzve dhe shpresoj se në të ardhmen do të kemi një njeri një Kryeministër, i cili bën gjithçka për vendin e vet, por edhe inkuadron edhe krejt Ballkanin, sepse jemi mbetur jashtëzakonisht keq ne shqiptarët. Kështu që, falenderoj nga zemra për ardhjen e tij dhe i shpreh mbështetje të fuqishme për sfidat që do të presim dhe bashkërisht ne do të jemi që ky njeri i çmuar europian, i shkolluar ne Europë dhe duke ditur shpirtin e tij të brendshëm, të jetë ai i cili, ne dëshirojmë, jo vetëm unë personalisht, por krejt Kosova.
Faleminderit zoti Basha që keni gjetur kohën pë rtë ardhur, faleminderit shumë!
DEKLARATA E PLOTË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA
Faleminderit zoti Kryetar për këtë pritje kaq të ngrohtë dhe vëllazërore. Është gjithmonë një kënaqësi të kthehem në Mitrovicë, në qytetin, të cilin ju e keni kthyer, përmes vendimit tuaj për të më shpallur “Qytetar Nderi” edhe në një nga shtëpitë e mia të zemrës, së bashku me kryeqytetin e Kosovës, Sot, unë ta them me gojën plot se kryeqyteti i kombit është Mitrovica. Dua t’ju falenderoj, në radhë të parë për dimensionin kombëtar të qendresës suaj, në emër të banorëve dhe qytetarëve të Mitrovicës kundër copëtimit të Kosovës, plan i cili do të niste me copëtimin e qytetit dhe komunës së Mitrovicës.
Qëndrimi juaj i qartë dhe i prerë gjithë këto vite, në emër të qytetarëve që ju kanë besuar, me të drejtë, administrimin dhe drejtimin e qytetit dhe komunës së tyre, ka qenë e një vlere të jashtëzakonshme për të përcjellë vullnetin e vërtetë të njerëzve si një faktor i pazëvendësueshëm në vendimmarrjen e këtij lloji dhe si një qëndresë shembullore edhe për të gjithë ata, të cilët marrin përsipër të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve të tyre.
Në këtë kuadër jam krenar që edhe Partia Demokratike, unë personalisht, i jemi bashkëngjitur qëndrimit të drejtë dhe konsekuent kundër copëtimit të Kosovës, ruajtjes së tërësisë territoriale si parakusht i vazhdimësisë së sovranitetit dhe Pavarësisë së Kosovës, investime të lara me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të Kosovës, investime europiane dhe emerikane, investime euroantlantike.
Së dyti dua t’ju falenderoj me mirënjohje për shërbimin e devotshëm në kushtet më sfiduese në raport me çdo drejtues tjetër vendor, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë hapësirën mbarëshqiptare, ku keni bërë të mundur, përmes politikave tuaja të zgjuara dhe përkushtimit tuaj, një zhvillim sa më të mirë të qytetit dhe ku e di që dhe në përballjen aktuale me COVID-in, me krizën ekonomike dhe sociale që më pas sjell kjo pandemi, qyteti i Mitrovicës, qytetarët e Mitrovicës kanë tek ju një nga drejtuesit më të përkushtuar dhe më të aftë për t’u përballur me këto sfida.
Dhe së treti, ju shpreh mirënjohjen edhe një herë për aktin tuaj largpamës, të cilin kam patur nderin dhe privilegjin ta mbështes edhe si Kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitin 2015, të rikthimit të Isa Boletinit në shtëpinë e tij, në Boletin, si një akt, i cili vërteton jo vetëm shpirtin patriotik dhe vullnetin tuaj si një tribun dhe si zëdhënës i qytetarëve të Mitrovicës, por, po kështu, përkushtimin ndaj atij kompromisi kombëtar që çoi në pavarësimin e Kosovës, pacënueshmërinë e territorit, natyrën unitare të shteti , natyrisht me respekt të plotë për të drejtat dhe liritë themelore të çdo qytetari, pavarësisht prej etnisë.
Në këtë aspekt them që qyteti i Mitrovicës vazhdon të jetë me fat që ka kryetarin e saj patriot të kulluar, një administrator të shkëlqyer, por edhe një europianist të përkushtuar drejt vlerave dhe parimeve që e bëjnë Europën e Bashkuar synimin dhe destinin e çdo shqiptari dhe, natyrisht, të dy shteteve tona, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
Edhe një herë ju falenderoj nga zemra për mikpritjen jashtëzakonisht të ngrohtë dhe vëllazërore.
Pyetje: Në qoftë se ju merrni qeverinë në Tiranë, çfarë do të ndryshojë në statusin Kosovë-Shqipëri çfarë do të bëhet ndoshta ndryshe që nuk është bërë?
Lulzim Basha: Padiskutim, gjëja e parë që do të ndodhë është heqja e traut në “Rrugën e Kombit”. Unë kam privilegjin dhe nderin e rrallë të kem qenë autor dhe promotor në ndërtimin e Rrugës së Kombit. Kjo është trashëgimia e Partisë Demokratike dhe e qeverisjes sonë të atëhershme, natyrisht edhe e imja në detyrat që kam patur në qeverinë e Sali Berishës. Ndërkohë që shoh me trishtim të madh se i vetmi kontribut aktual është shtrenjtimi i lëvizjes së lirë midis Shqipërisë dhe Kosovës, përmes traut, dhe i taksës në rrugën e kombit. Ndaj gjëja e parë dhe e prekshme për çdo qytetar të Kosovës do të jetë eleminimi i kësaj takse, heqja e atij trau, si një ndër vendimet e mia të para në ditët e para.
Ky vendim, do të bashkëshoqërohet me vendime të tjera që, po kështu, do të bëjnë me të lehtë, më të mundshëm bashkimin ekonomik, ku përfshihet reduktimi i çmimit të karburantit, përmes eleminimit të një takse të imponuar këto vitet e fundit dhe që e ka bërë karburantin në Shqipëri të jetë shumë i shtrenjtë, pothuaj dyfish më i shtrenjtë se karburanti në Kosovë. Ai ka një impakt të drejtpërdrejtë me koston e transportit dhe mundësinë në veçanti të prodhuesve shqiptarë duke përfshirë sektorin e bujqësisë, që të sjellin në Kosovë mallrat e tyre. Me rritjen e çmimit të karburantit, me rritjen e taksës, e cila, në veçanti për kamionët, shkon shumë lart, shkatërron atë leverdi ekonomike, në vend të na afrojë na largon nga njëri-tjetri.
Padiskutim, këto janë dy vendime konkrete, të prekshme, por ne kemi një plan të plotë dhe të detajuar sa i përket bashkëpunimit me Kosovën, ku prioritet është infrastruktura, duke përfshirë infrastrukturën portuale që do të vemë në dispozicion sovran të Republikës së Kosovës, që do të thotë që Kosova do ta ketë atë pjesë të portit si pjesë të territorit të saj në të gjithë aspektet, edhe të administrimit fiskal, doganor dhe gjithçka tjetër.
Së dyti bashkëpunimi në fushën e energjisë ka një potencial të jashtëzakonshëm. Po e perseris atë që thashë edhe në fillim me zotin Hoti dje. Kjo është një frazë e sjellshme për të thënë që s’kemi bërë aq sa ç’duhet dhe, padiskutim, një bashkëpunim i ngushtë që patëm me shumë sukses në rrafshin diplomatik, në kohën e pavarësimit të Kosovës dhe njohjes së Kosovës ndërkombëtarisht, i cili do të rikthehet jo si protagonizëm, jo si paternalizëm, aq më pak si vetëshërbim i plotikanëve të Tiranës, duke përdorur Kosovën si sfond, por do të kthehet si përkushtim dhe detyrë morale, kombëtare dhe kushtetuese, në dispozicon të institucioneve, forcave politike e qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë të gjithë mençurinë, pjekurinë dhe vendosmërinë për të marrë vendimet e duhura, detyra e Tiranës është t’i mbështesë pa asnjë rezervë në vendimet që do të marrin.
Në veçanti për Mitrovicën, duhet të them që, me mundësitë e kufizuara si Kryetar i Bashkisë, kemi bërë aq sa kemi bërë atë kohë, në veçanti për rindërtimin e shtëpive në veri, por, siç i thashë Kryetarit Bahtiri, Mitrovica meriton, mund të presë, dhe do të ketë një vëmendje speciale nga qeveria e ardhshme në TIranë. Dhe kur them vëmendje, nuk e kam vetëm për fjalë dhe konferenca shtypi.
Faleminderit! Ditë të mbarë!