- Bizneset në gjendje të vështirë, energjia elektrike 30-40% më shtrenjtë. PD: Ulja e çmimit të energjisë për familjet dhe bizneset pikë kryesore e planit për rimëkëmbjen
Energjia elektrike është një nga faturat që rëndon më shumë biznesin. “Energjia është shtrenjtuar 30-40% më shumë”- i tha përfaqësuesit të PD, Eno Bozdo pronari i një dyqani mishi, që punon gjithë kohës me strukturë frigoriferike. Fatura me çmimin e rritur të energjisë, tani po ndjehet edhe më shumë, për shkak të rënies drastike të xhiros. Në planin e PD për rimëkëmbjen ulja e çmimit të energjisë për familjet dhe biznesin është një nga pikat kryesore.
DEKLARATA E PËRFAQËSUESIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, ENO BOZDO
Në vitin 2013-të Edi Rama erdhi në pushtet me premtimin se do të ulte çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe për biznesin. Në 2015-ën, ai realizoi rritjen më të madhe të çmimit të energjisë elektrike për të dy kategoritë. Sot Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon, me përjashtim të Malit të Zi. Në raport me fuqinë blerëse, Shqipëria renditet e 21-ta në Europë, duke lënë mbrapa, pra duke patur çmim më të shtrenjtë të energjisë elektrike, vende të zhvilluara të BE si Gjermania, Franca, Hollanda, Suedia, Anglia etj.
88% e familjeve shqiptare dhe 100% e bizneseve, sot paguajnë më shumë për energjinë elektrike. Një familje shqiptare paguan mesatarisht 64 mijë lekë të vjetra në vit më shumë. Bizneseve u është rritur çmimi me mesatarisht 20%. Fashat të caktuara të biznesit shkojnë në rritje të çmimit nga 35 deri në 40%.
Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, anketimit mbi ndërmarrjet, 43% e kompanive që operojnë në Shqipëri e cilësojnë furnizimin me energji elektrike si pengesën kryesore të të bërit biznes. Kjo shifër 7 vite më parë ishte vetëm 20%.
52% e kompanive deklarojnë që kanë një gjenerator, sepse vuajnë nga ndërprerjet e shpeshta dhe tensioni i ulët i energjisë elektrike. 18.6 ditë i duhet një biznesi për t’u lidhur në rrjet, ndërkohë që 7 vjet më parë kjo shifër ishte vetëm 10 ditë.
Biznesi shqiptar vuan nga sistemi i energjisë elektrike. Sot përllogaritet, sipas raportit të BB, që 2% e prodhimit të ekonomisë shqiptare humbet si pasojë e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike. Është afërsisht një shifër 200 milion euro në vit, një shifër e stërmadhe po të mendojnë se vetëm 100 milion euro qeveria shqiptare ka dhënë ndihmë reale për biznesin këtë vit për t’u përballur me pandeminë.
Pra e ashtuquajtura reformë në sistemin e energjisë elektrike, propaganduar me forcë nga Edi Rama dhe maxhoranca, ka dështuar totalisht.
Partia Demokratike, Lulzim Basha, e konsideron sektorin e energjisë elektrike jetik dhe strategjik. Ne kemi një plan të detajuar për rimëkëmbjen ekonomike.
Plani ynë do të sjellë jo vetëm uljen e ndjeshme e të menjëhershme të çmimit për konsumatorët familjarë dhe për bizneset, por do të realizojë mirëmenaxhimin e të tre kompanive që operojnë në këtë sektor, duke çrrënjosur përfundimisht nepotizmin dhe veçanërisht megakorrupsionin që ka kapur sektorin si tipar dallues i qeverisjes Rama.