· Edi Rama gënjeu shqiptarët për rindërtimin në kohë të shkollave të dëmtuara nga tërmeti. Në Rrogozhinë ashtu si kudo tjetër dështimi i qeverisë prek qindra nxënës dhe mësues që nuk kanë shkollë ku të nisin mësimin me 14 shtator.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, LUÇIANO BOÇI
Jemi në fshatin Kryevidh me banorët, në vendin e shkollës 9-vjeçare që siç e shihni ka vetëm rrënoja. Rama premtoi se shkollat e dëmtuara nga tërmeti do të jenë gati në shtator, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Nuk ka ndodhur këtu në Kryevidh, bashkia Rrogozhinë, sikur se nuk ka ndodhur në Durrës, në Thumanë dhe kudo ku ka pasur shkolla të dëmtuara. Kjo nuk ka ngjarë sepse kjo qeverisje nuk e ka në vëmendje arsimin, nuk e ka prioritet arsimin.
Rrogozhina është futur në zonat e prekura nga tërmeti dhe në programin e rindërtimit, por shkollat e kësaj bashkie janë të pa ndërtuara dhe nuk janë gati. Nga 4 të tilla, nga të dhënat vetëm në njërën ka filluar ndërtimi por nuk ka përfunduar.
E keqja më e madhe është që nxënësit e kësaj shkolle bëjnë 10 kilometra për të mbërritur në shkollën tjetër që në gjendje të keqe sa ç’ka qenë shkolla e Kryevidhit në vendin e të cilës sot janë vetëm rrënojat. Dhe madje kjo qeverisje nuk ka fare plan transportin e tyre . Banorët thonë se e kanë përballuar vetë ata dërgimin e fëmijëve në shkollën që është 10 kilometra larg.
Edhe sivjet në kushtet e pandemisë COVID-19 nuk ka një plan masash për transportin e fëmijëve, për transportin e mësuesve dhe për ti ardhur në ndihmë me paketa financiare këtyre fëmijëve me familje në gjendje jo të mirë ekonomike për të përballuar rregullat e protokollit të sigurisë nga coronavirusi.
Për pos kësaj, shkollat pritëse këtu në Rrogozhinë sikurse në të gjithë Shqipërinë, kanë problemet e degradimit fizik, problemet e kushteve higjeno-sanitare, problemet e klasave sepse nuk ka klasa. Nxënësit duhet të shkojnë në turnin e dytë dhe nuk do kenë asgjë, as klasën e tyre të personalizuar, as bankën e personalizuar dhe as mjetet mësimore.
Në këto rrethana, bashkë me problemet e tjera që kanë shkollat në rrogozhinë dhe kudo në Shqipëri, me personelin mësimor të reduktuar, me çështjet e tjera që lidhen me sigurinë, me çështjen e klasave kolektive, me çështjen e kasoit që ekziston në arsimin e Rrogozhinës dhe kudo nuk mund të flitet për protokolle sigurie pasi mungojnë këto masa të domosdoshme.
Kjo qeverisje nuk ka në kujdes as sigurinë e fëmijëve tanë nga COVID-19 dhe as dhënien për ta të një dije me themel që do ti shërbejë nesër në sfidat e së ardhmes.
Ky është fakti.
Kjo është e vërteta siç e shihni vet.
Kjo është gjendja e arsimit realisht.
Ju e prekni dhe ky arsim është i rrënuar dhe është i rrëzuar në tokë.
Përtej fjalëve boshe, përtej mashtrimit, përtej propagandës, kjo është pamja e vërtetë e këtij kryeministri dhe e kësaj qeverie.