·         Skandali me tenderin fiktiv 2.5 milion euro nga AKSHI, kush fshihet pas përfituesit të taksave të shqiptareve, Igli Gjelishti?! Edi Rama duhet të japër përgjigjen e kësaj pyetje një orë e më parë. Kompania Image & Communications Development, kompani e privilegjuar në tenderat publikë nga qeveria, miliarda lek në 4 vitet e fundit

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENDRI HASA

 

Javën e shkuar denoncuam vjedhjen e radhës së taksave të shqiptarëve të firmosur nga AKSHI për Image & Communications Development.

 

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit vetëm gjatë muajit korrik dhe gusht i ka dhënë 2.5 miliard lekë tendera fiktivë, pa konkurrencë dhe afër fondit limit kësaj kompanie.

 

Kjo kompani që rezulton të jetë në pronësi të Igli Gjelishtit, ka përfituar në të njëjtën mënyrë plot 7.5 miliardë lekë në 2 vjet.

 

10 milion lekë çdo ditë ka përfituar Igli GJelishti nga paratë e shqiptarëve ndërkohë që ekonomia është zhytur në krizë dhe mijëra qytetarë humbin vazhdimisht vendet e punës duke mos siguruar dot  as bukën e gojës.

 

Qytetaret kanë vështirësi ekstreme dhe luftojnë për mbijetesë, por taksat e tyre nuk përdoren për të rimëkëmbur ekonominë sepse banda e hajdutëve në qeveri mendon vetëm si ti çojë paratë në xhepat e pushtetarëve dhe miqve të Edi Ramës.

Image & communications Development edhe pse e krijuar në vitin 2010 nuk ka deklaruar fare të ardhura dhe as ka depozituar bilance deri në vitin 2014.

 

Kompania e Igli Gjelishtit ka filluar të deklarojë fitime vetëm në vitin 2015, vit kur ka filluar rritja e saj galoponte duke shërbyer si kompani fasade për të përfituar fondet publike.

 

Si ka mundësi që kjo kompani për portalin opendata.gov.al që në fakt pasqyron vetëm te dhëna statistikore të institucioneve është paguar 739 milion leke në vitin 2018?

 

Si ka mundësi që ndërkohë që kjo kompani ka përfituar mbi 2.3 miliardë leke ne vitin 2018 për sistemin e gjobave elektronike për Policinë e Shtetit, policët e trafikut vazhdojnë të mbajnë blloqe letre në dorë?

 

Si ka mundësi që kostoja për regjistrin elektronik për formularët e vizitave të Mjekut të Familjes është shumëfishuar në krahasim me kërkesat e vetë institucionit duke i paguar kompanisë plot 1.8 miliard lekë?

Si ka mundësi që sistemi për shkëmbimin e informacionit financiar te tatimeve do ti kushtojë Shqiptarëve 899 milion lekë?

 

Ç’farë lidhje ka kompania me shërbimet publike të publikuara e E-albania për të përfituar mirëmbajtjen e tyre për 430 milion leke?

 

Kush ishte ai që e mundësoi rritjen galoponte të përfitimeve të Image and Communication Development?

 

Kush fshihet pas Igli Gjelishtit?

 

Kjo pyetje duhet të marrë përgjigje sot, një orë e më parë.

 

Drejtësia duhet të hetojë abuzuesit dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që janë përfshirë këto abuzime me paratë e shqiptarëve.

 

Ata që vjedhin me tendera fiktivë paratë e shqiptarëve duhet të përballen me drejtësinë dhe të marrin ndëshkimin e duhur ligjor.