• Tenderat në kohë pandemie, Blendi Gonxhja kampion i abuzimeve dhe luksit, harxhoi mbi 2 milionë euro për fasada dhe zyra.

 

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ZËDHËNËSJA INA ZHUPA

 

Qeveria e Edi Ramës nuk do t’ia dijë për qytetarët, pavarësisht vështirësive që ata kanë. Bie tërmet? Tenderat zhvatës nuk ndalojnë. Goditemi nga pandemia, bizneset mbyllen, mbi 120 mijë vende pune zhduken? Tenderat për fasada vazhdojnë si të mos ketë ndodhur asgjë.

 

Shembulli më tipik i shpërfilljes së hallit të qytetarëve dhe abuzimit me paratë në kohën më të keqe për ta është drejtori i transportit rrugor, Blendi Gonxhe. Ai është modeli i zyrtarit të kësaj qeverie që shpik tendera dhe përqendron çdo fond në duart e veta, duke abuzuar dhe duke i çuar paratë për fasada dhe luks në zyrat e veta.

 

Prej një viti e gjysëm në detyrën e Drejtorit të Transportit Rrugor të Shqipërisë, Blendi Gonxhja ka tenderuar rreth 8 milion euro, pjesën më të madhe të të cilave vetëm për fasada dhe rikonstruksione zyrash.

 

Të dhënat zyrtare tregojnë se Blendi Gonxhe nuk i ka ndalur tenderat e fasadave dhe luksit as në kulmin e pandemisë.

 

Kur qytetarët ishin të mbyllur në shtëpi, kur bizneset u mbyllën dhe mijëra njerez humbën punën, Blendi Gonxhe ka zhvilluar 8 tendera për fasadat e godinave dhe riskintruksione zyrash.

 

Janë rreth 1.7 milionë euro të shpenzuara për luks nga Blendi Gonxhe, kur bizneset në karantinë detyroheshin të paguanin faturat afrofe të ujit dhe dritave, që qeverisë së Edi Ramës të mos i mungonin paratë për luks.

 

Nëse prokuroria do të bënte detyrën dhe do t’i hetonte këto tendera, do të gjente abuzime dhe shkelje ligji. Do të gjente se shumica është me garë fiktive, se fituesi është i paracaktuar dhe shpesh me ofertën më të lartë.

 

Më herët, Partia Demokratike ka bërë publike të dhëna dhe dokumenta zyrtarë që provojnë se Drejtori i Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, në konflikt interesi me postin që mban, ka përfituar për kompaninë e tij private të transporteve, mbi 220 milionë lekë para publike.

 

Prokuroria heshti për këtë skemë vjedhjeve, njësoj siç hesht dhe për skemën gjigande të korrupsionit me patentat, të denoncuar vazhdimisht nga qytetarët dhe media.

 

Tenderat abuzivë për fasada dhe luks zyrash në kohë pandemie, përfitimi në konflikt të hapur interesi dhe në shkelje e ligjit e 220 milionë lekëve me kompaninë private, tregojnë babëzinë e kësaj qeverie dhe të drejtorëve të saj si  Blendi Gonxhe.

 

Miqësia me Edi Ramën dhe Belinda Ballukun mund ta shpëtojë tani, por shkeljet janë aty dhe një ditë do të përgjigjet para drejtësisë.