- Këshilli Bashkiak i Tiranës hoqi fondin cash për bebet e Tiranës. Zëdhënësja e PD Ina Zhupa denoncon: Shporta e padobishme, edhe më vlerë 10 mijë lek më pak sesa bonusi që kishin familjet prej 50 mijë lekësh.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ZËDHËNËSJA INA ZHUPA
Ndodhemi këtu përpara Maternistetit “Koço Gliozheni”.
Ky është një ndër dy maternitetet publike ku vijnë në jetë bebet e qytetit të Tiranës.
Kemi ardhur pikërishgt këtu sepse bebet që vijnë në jetë që nga sot në këtë maternitet dhe në maternitetin tjetër tashmë nuk do të përfitojnë bonusin e bebeve prej 50 mijë lekësh të vjetra të cilën e akordonte që nga viti 2007 Bashkia e Tiranës, por me vendim të Këshillit Bahskiak, do të marrin një shportë me produkte që e ka nxjerrë Bashkia e Tiranës për bebet e Tiranës.
Pagesa cash që u shkonte nënave të Tiranës, nuk do t’u shkojë më.
Problemi i parë i kësaj shporte është që me shpalljen e tenderit dhe fituesit të tenderit është vendosur që me një shumë prej 363 milion lekësh të blihen 9 mijë shporta, për 9 mijë bebe të Tiranës.
Me një llogari të thjeshtë, nëse përpjestojmë vlerën e tenderit me vlerën e shportave, i bie që secila shportë të ketë 40 mijë lek të vjetra mall brenda, për t’ia dhuruar bebeve të Tiranës.
Ndërkohë që bvonusi ishte 50 mijë lek, me produkte sikur t’i marrim të mirëqëna në atë vlerë, do të marrin 40 mijë lek, 10 mijë lek të vjetra të hequra që sa vijnë në jetë në maternitetin publik të Tiranës.
Ky është problemi i parë i vendimmarrjes që ka marrë Veliaj dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës.
Së dyti ka të bëjë me produktet që ka brenda shporta që është vendosur për t’iu dhuruar nënave dhe bebeve të qytetit të Tiranës.
Kemi të bëjmë me një shportë e cila është e njëjtë për të gjithë bebet që do të vijnë në jetë në Tiranë. Kjo shportë përmban produkte që nga shampo e deri tek vaji dhe pelenat, të cilat me hulumtimin tonë në treg në rast se do t’i blesh me çmimin më të shtrenjtë që mund të gjesh në farmaci apo në market, duke u nisur nga kriteret që kanë vendosur vetë autorët e tenderit, nuk shkon më shumë se 32 mijë lekë të vjetra. Pra, ky është problemi i dytë dhe së treti unë si nënë e re e di shumë mirë që nuk mund të gjenden dy fëmijë që përdorin të njëjtat produkte dhe që kanë të njëjtën lëkurë dhe të njëjtat nevoja.
Kështu janë edhe fëmijët e Tiranës, ti nuk mund të bësh një shportë të përbashkët për çdo fëmijë, ndërkohë që nënat nuk do t’i përdorin kurrë dhe do të jenë të padobishme për familjet e tyre. Ndërsa paraja cash, 50 mijë lekëshi që jepte Bashkia e Tiranës që prej vitit 2007 është një dobi sado e vogël që nëna mund ta përdori në shërbim të fëmijës së vet.
Pra, e gjithë kjo vendimmarrje është bërë vetëm e vetëm me qëllimin që nënat e fëmijëve, banorë të Tiranës të mos përfitojnë cash ato pak para për të mbaruar një punë në rastin e mirërritjes dhe shëndetit të fëmijëve të tyre. Shporta nuk mund të jetë kurrsesi zëvendësimi i parave cash në xhepat e nënave të bebeve të Tiranës.
Në emër të Partisë Demokratike i bëj thirrje Erion Veliajt dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës të rikthejë bonusin e bebeve për nënat e Tiranës dhe të shqyrtojë mundësinë që ky fond të rritet cash për nënat e Tiranës dhe jo t’iu jepet një shportë me produkte që ndoshta janë të padobishme në shumë raste, por për më tepër që nuk janë në vlerën që ishte bonusi i bebeve, pra janë minus 10 mijë lekë të vjetra për çdo bebe të Tiranës.