​·         Dorëzohet kallëzim penal edhe për inceneratorin e Fierit. PD: Inceneratorët si trekëndëshi i Bermudeve, ku zhduken miliona euro.

 

·         Fituesi inceneraotort të Fierit ishte paracaktuar Klodian Zoto. Të tre inceneratorët janë në një dorë të vetme, që çojnë paratë e shqiptarëve në parajsa fiskale.

 

·         SPAK duhet t’u shpjegojë shqiptarëve menjëherë aktivitetin e grupit të strukturuar kriminal për të vjedhur shqiptarët me incineratorët

 

 

DEKLARATA E ENKELEJD ALIBEAJ DHE ÇLIRIM GJATA PAS DORËZIMIT TË PADISË SË PD NË SPAK

 

 

Enkelejd Alibeaj: Sot është dita e tretë që ne jemi këtu në SPAK dhe sapo kemi depozituar kallëzimin penal për inceneratorin e Fierit. Janë bërë tre, tamam si trekëndëshi i Bermudeve, ku çdo gjë humbet pa nam dhe nishan në mënyrë misterioze. E njëjta skemë e humbjes dhe zhvatjes në mënyrë misterioze të parave të shqiptarëve në këtë trekëndësh të Bermudeve.

Inceneratori i Fierit ka një karakteristikë në fakt. I mbani mend protestat e bëra nga banorët e Portëzës, protestat e bëra nga banorët e Vërrisë, ku që në momentet e para nuk pranon që të shndërroheshin në një kosh të madh plehrash? Nuk e dinin në fakt asnjëri nga ata që jo vetëm do të shndërroheshin në një kosh të madh plehrash por që paratë e tyre do të vidheshin.

Historia e inceneratorit të Fierit ka të përbashkët me atë të inceneratorit të Elbasanit një emër, Klodian Zoton. Klodian Zoto i cili inicioi aferën në Elbasan, i cili në Tiranë së bashku me dy shoqëri të tjera formuan një guaskë në Holandë. Në Fier ka dalë me gjoksin përpara, ka dalë vetë, ka bërë një kërkesë për të marrë inceneratorin e Fierit, ndërkohë që nuk kishte asnjë lloj eksperience. Për këtë arsye ka bërë sikur ka gjetur një shoqëri të huaj italiane, “Energy Due” dhe ka lidhur një bashkim shoqërish, 80% ai dhe 20% shoqëria italiane dhe janë paraqitur në Ministrinë e Mjedisit për të marrë inceneratorin e Fierit.

SHKELJA E PARË:

Gara është bërë në shkelje të ligjit. Do të duhej që për shkak të shumës prej 28 mln euro, do të duhej që së paku të botohej në një gazetë europiane, në mënyrë që të kishte garë, sepse kishte edhe të tjera investitorë që mund të merrnin pjesë në garë.

Asgjë e tillë nuk u bë sepse fituesi ishte i paracaktuar, ishte Klodian Zoto.

SHKELJA E DYTË:

Sapo u deklaruan fitues, atë ditë ka ndodhur një gjë e çuditshme. Firma italiane, ajo e cila u mor për eksperiencën, si kusht i domosdoshëm ligjor, shiti kuotat e veta, 20% e saj.

Për sa e kanë shitur? Për 20 mijë lekë të reja, 200 mijë lekë të vjetra.

Vetëm për 20 mijë lekë të reja është shitur 20% e kapitalit të shoqërisë italiane.

SHKELJA E TRETË:

Sapo ka dalë fitues, pa hedhur një lopatë dhe siç thuhet në këto raste, ka marrë plot 5 milionë euro në xhepin e tij. Zero investim.

30 milionë euro ishte e gjitha në fakt.

Ka aplikuar për të marrë një kredi, se s’kishte para, kredi për të bërë investimin.

Kur bën një aplikim për kredi, ti merr aq para sa duhen për investimin. Rezulton nga dokumentet, se kredia e marrë është 15 mln euro.

Ta marrim sikur të gjitha këto para janë dedikuar për impiantin me avangard i mundshëm. Ndërkohë që nga qeveria shqiptare i janë dhënë 28 milionë euro. Me një dorë kostoja e bërë nga Klodian Zoto ishte 15 mln euro, qeveria shqiptare i jep 28 mln euro. Diferenca 13 mln euro janë paratë e shqiptarëve që i thith kjo gropë e zezë e inceneratorëve.

Do të duhej të kishte përfunduar apo jo, ka filluar në vitin 2015?! Nuk ka filluar akoma.

Kjo shoqëri në vitin 2017 do të duhej të kishte në borderonë e saj njerëz, të cilët do të kishin punuar për inceneratorin e Fierit.

E dini ju sa punonjës të deklaruar ka? Zero, asnjë, madje as administratori vetë nuk deklarohet si i punësuar. Pra, një shoqëri fantazëm e cila merr 13 milionë euro në dorë vetëm me një ditë, pa bërë asnjë punë, pa asnjë të punësuar dhe incenerator që nuk punon.

Shoqëria e Klodian Zotos, e përfshirë në Elbasan dhe në Fier është duke u hetuar së bashku me skandalin e madh të TVSH-ve. Është shoqëria e cila kryeson renditjen për shifrën e madhe të vjedhjeve përmes TVSH-së, janë plot 8 milionë euro e gjysëm të cilat për shkak të makinacioneve i ka futur në xhep.

Kjo është pra çka ka ndodhur në Fier, ndaj dhe themi se Fieri, Elbasani dhe Tirana  është trekëndëshi i Bermudeve ku parashikohet në totalin e tyre 500 milionë euro që do t’ju zhvaten shqiptarëve dhe do të shkojnë në xhepat e Klodian Zotos, Mirel Mërtirit e Arben Ahmetajt, Edi Ramës, Lefter Kokës, Alqi Bllakos, dhe që janë emra që ne i kemi kallëzuar sot.

Çlirim Gjata: Jemi si të thuash në një rreth brenda të njëjtëve njerëz, të cilët kanë përfituar. Prandaj dhe janë konsideruar si një grup i strukturuar kriminal, që fillojnë nga kryeministri, ministrat përkatës e deri tek ata persona që drejtojnë këto kompani.

Kemi përsëri një kompani e cila pa para, pa garë, pa asnjë eksperiencë merr 28 milionë euro nga qeveria, ndërkohë që 15 milionë euro merr kredi për të bërë shpenzimet përkatëse.

Lidh një kontratë, për të cilën edhe ju vetë jeni shumë koshient se çfarë hetimi të thjeshtë kërkon nga ana e SPAK-ut, sesi një kompani italiane në këto 28 milionë euro të dhënë nga qeveria shqiptare, hyn me 20% dhe i shet për 20 mijë lekë të reja.

Pra, shet 20% të aksioneve të një kompanie 28 milionë euro për 150 euro. Për këtë paska ardhur italiani nga Italia, për 150 euro?!  E kuptoni se çfarë ka këtu?!

Pa folur që është ndryshuar vendi tre herë.

Po këta paskëshin bërë një studim që thuhet se ku duhet të ngrihej, ku është vendi më i përshtatshëm në Portëz, ndërkohë që vendi ndryshon tre herë dhe rezulton se nuk kishte as studim dhe asgjë.

Po këta persona, që përveç gjithë këtyre shkeljeve, në vitin 2019 duhej të fillonte inceneratori nga puna.

Jemi në vitin 2020 dhe akoma nuk ka filluar nga puna. “Do të fillojë në dhjetor se ashtu kanë qenë disa probleme teknike”, -por ato probleme teknike janë para, janë shpërdorim detyre, janë vjedhje, duhet të shkojë dikush në burg për ato.

Po këta njerëz bëjnë vendime qeverie dhe akte brenda ditës, me dhjetëra dhe qindra akte; nëpunës administrate, një makineri gjigante që punon në mënyrën më efikase të mundshme. Nuk kemi të bëjmë me funksionim të shtetit por me kemi të bëjmë me vjedhje galoponte, prandaj edhe funksionojnë në mënyrë kaq efikase këta.

Brenda ditës firmoset dhe mbyllet gjithçka. Dhe ajo që është më e rënda dhe që duhet hetuar, çfarë koncesioni është ky që shteti thotë “na paratë e mia dhe thotë  bëje ti. Dhe pastaj me kismet kur të fillojë nga puna do ndajmë.”

Çfarë koncesioni është ky që shteti jep 28 milionë euro?

Koncesioni këtë logjikë ka: investimi do të bëhet nga privati dhe më këste shlyhet gradualisht, por kjo ndodh kur të fillojë nga puna.

Sapo ka lidhur kontratën ka filluar të marrë para. Por s’ka kontratë në botë që fillojë dhe të shlyejë sapo të firmosë. Ndaj këtu, detyrimisht duhet që të fillojë hetimi. Hetimi mund të jetë voluminoz por është shumë i thjeshtë.

Pyetje: Kush është paditur nga ju sot dhe përse nuk i keni bashkuar në një paditë?

Çlirim Gjata: Janë të njëjtët persona që kemi paraqitur pardje dhe dje, kryeministri Edi Rama, Arben Ahmetaj ish ministër i Financave, Lefter Koka ish ministër i Mjedisit, Alqi Bllaku ka qenë sekretar i Përgjithshëm, ekzekutor i këtij projekti kriminal bashkë me Zoton dhe Mërtirin. Sigurisht që ka një ushtri të tërë pas, me punonjës administrate që kanë patur një efikasitet për t’u patur zili.  Të gjithë janë këtu. Tani nuk ka ngelu gjë tjetër vetëm SPAK-u.

Enkelejd Alibeaj: Ajo çfarë kemi kërkuar ne dhe kërkojnë të gjithë qytetarët shqiptarë, janë paratë e qytetarëve shqiptarë të cilat janë vjedhur. Kërkojmë që të fillojë hetimi. Hetimi të fillojë për së mbari dhe pyetja juaj kërkon bashkimin apo jo, unë po e them thjeshtë dhe vetëm për aq sa publiku e kupton: Në këtë hetim ka një dhe dy individë. Klodian Zoto, Klodian apo Mirel Mërtiri, janë ata të cilët kanë xhiruar gjithçka me mbështetjen e Edi Ramës, të ministrit të mjedisit, të Arben Ahmetajt, dhe të një turre tjetër administratorësh të lartë. Që do të thotë se në fakt është një aferë e vetme korruptive e cila i ka grumbulluar të gjithë si mizat për të zhvatur paratë e shqiptarëve. Për të arritur deri tek bashkimi i hetimeve, duhet të fillojë hetimi. Dhe besoj që kjo e jona, ardhja e jonë, pardje, dje, edhe sot, është në fakt një detyrim politik. Është së dyti një detyrim institucional dhe së tretë është një kërkesë për të testuar drejtësinë e re. e Mbani mend?! Në të gjithë sagën e reformës në drejtësi një ligj ishte ai që e votuam dhe e mbështetëm fort: ishte ligji për këtë ndërtesë (SPAK). Dhe sot po i japim shansin, siç ia kemi dhënë dhe disa herë të tjera, për të provuar sa të pavarur janë? Sa të aftë janë për të zbatuar ligjin? Sa të pakapur janë nga pushteti dhe paratë e krimit? E kuptoj që midis këtyre dhe zbatimit të ligjit qëndron një mal i tërë prej 500 milion eurosh. Por në fakt, për këtë arsye janë të mirëpaguar. Për këtë arsye janë me imunitet të plotë. Për këtë arsye janë trumbetuar se do të jetë institucioni që do të vendosë drejtësinë. Ne kemi bërë detyrën tonë. E kemi bërë dhe më përpara në raste të tjera. E ka pasur detyrimin siç e ka legjislacioni i ri i reformës në drejtësi pa ardhur ne, thjeshtë dhe vetëm me të dhënat dhe me sinjalet mediatike ta fillonin kryesisht. Por ne po bëjmë edhe këtë si një detyrim institucional dhe si një detyrim politik.

Çlirim Gjata: E dëgjoj shpesh këtë “që ka filluar hetimi”! Të më thotë dikush: ka thirrur njeri? Ka marrë ndonjë dokument? Ka tërhequr ndonjë kontratë? Çfarë ka bërë? Çfarë do të thotë “do fillojë hetimi?” Është bërë ndonjë veprim hetimor? Ku ta gjejmë që të kishte filluar. Të gjitha të tjerat janë dytësore.

Pyetje: A keni ndonjë informacion se ne na është thënë se është tërhequr dokumentacioni?

Çlirim Gjata: Vetëm Kaq? Ky është hetimi?

Enkelejd Alibeaj: Është një detyrim ligjor përderisa është një nga çështjet më me tepër impakt publik duke ruajtur gjithmonë edhe sekretin hetimor, të bëjnë publike atë se çfarë kanë bërë. Së pari për atë hetim që ju thoni duhet të japin një vendim të fillimit të hetimit, apo jo?! Së dyti duke ruajtur gjithmonë sekretin hetimor, në mënyrë që puna të bëhet në mënyrë të paanshme, për publikun duhet të tregojnë se deri në ç’fazë  të hetimit janë? Apo e njëjta gjë presim ne me këto kallëzime!

Pyetje: Do të prisni reagimin e SPAK-ut në lidhje me këto tre kallëzime apo do të ketë edhe kallëzime të tjera nga PD për raste të ngjashme që i keni goditur deri tani politikisht?

Enkelejd Alibeaj: Ne i kemi goditur sigurisht politikisht sepse ky është detyrimi primar i një opozite për tja bërë publikut, si presion i publikut ndaj pushtetit, por në mënyrë të veçantë opozita ka qenë këmbëngulëse, ka qenë rigoroze që çfarëdolloj deklarimi të natyrës politike ta bashkëngjisë gjithmonë edhe me reagimin institucional. Fjalët i merr era, letrat janë ato të cilat kanë rëndësi. Dhe letrat ne i kemi dërguar edhe më parë, ju keni qenë dëshmitar, po i dërgojmë tani, do ti dërgojmë edhe më vonë për ѯfarëdolloj skandali korruptiv apo afere korruptive që fatkeqësisht për shqiptarët me këtë qeveri janë të bollshme. Këtu do të jemi dhe do të bëjmë të njëjtën gjë.

Faleminderit!