• Basha: Kriza është e dyfishtë: shëndetësore dhe ekonomike. Nuk do të rresht së përsërituri kërkesën që shteti t’u kthejë qytetarëve paratë e taksave në formën e mbështetjes që po marrin edhe qytetarët e vendeve fqinje.

 

  • Basha: Paratë janë, po ato shpërdorohen dhe nuk shkojnë për të siguruar testet. Rimbursim i plotë për të gjithë ata që kurohen në shtëpi nga Covid.

 

  • Basha: Rimbursimi i plotë i pacientëve që trajtohen në shtëpitë e tyre është çështje e jetës së qytetarëve.

 

  • Basha: Mijëra mjekë të familjes mund të angazhohen nëse pajisen me mjetet e nevojshme mbrojtëse dhe paketat e medikamenteve.

 

  • Basha: 70% e shkollave nuk kanë ujë të pijshëm. Nuk është marrë asnjë masë për mësuesit dhe për dezifektantë.

 

  • Basha: Inceneratorët janë aferë e pastër kriminale. Pyetja është se ku kanë shkuar paratë e shqiptarëve?! Ku janë?!

 

  • Basha: Kemi një grup të strukturuar kriminal i cili po e lë me qëllim pandeminë të përparojë, po e lë me qëllim krizën të përparojë në mënyrë që këto para që sot mund të shërbenin për të forcuar shëndetësinë, për të forcuar kujdesin ndaj njerëzve në nevojë dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë, t’i vjedhë dhe t’i gllabërojë. Dhe këto janë llogaritë e grupit të strukturuar kriminal të Edi Ramës.

 

  • Basha: Rama s’ka asnjë plan as për pandeminë, as për ekonominë. Ai është vetëm një gjobëvënës. Asnjë masë e paligjshme e vënë nga Rama nuk do njihet.

 

  • Basha: Për të tre gënjeshtrat e vemjes, që bëhen për të shmangur vëmendjen nga aferat e tij dhe të shefit të tij, është dorëzuar padi në Prokurori.

 

  • Basha: Për të tre aferat s inceneratorëve, fytyra dhe zëri i gënjeshtrës nuk do të shpëtojnë nga hetimi dhe ndëshkimi.

 

  • Basha: Kosto e përpunimit të mbetjeve në Sharrë sipas projektit tonë do të ishte 12 euro/ton, ndërsa sot është 29 euro.

 

  • Basha: Projekti ynë i studiuar nga Banka Botërore dhe GIZ, i konsultuar me grupet e interesit dhe qytetarët.

 

  • Basha: Projekti i inceneratorëve i pakonsultuar, i kritikuar nga partnerët dhe i lidhur me Ndraghetta-n, sipas prokurorisë italiane.

 

  • Basha: Do t’i gjurmojmë të gjitha paratë e drogës të pastruara në ndërtimet shumëkatëshe në Tiranë.

 

KONFERENCA E PLOTË PËR SHTYP E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA ​ME GAZETARËT.

 

 

Ju përshëndes, ju uroj edhe një herë mirëseardhjen në selinë e Partisë Demokratike!

 

Shqiptarët e gjendur mes dy krizash që po thellohen, të marrin ndihmën që meritojnë. Ndihma, të cilat kanë të drejtë të kenë mbështetjen dhe paratë e shtetit nga taksat që kanë paguar këtij shteti dhe kësaj qeverie për një kohë të gjatë. Dy krizat janë: kriza shëndetësore dhe kriza ekonomike. Kam marrë me qindra e mos të the, me mijëra mesazhe gjatë këtyre ditëve, në veçanti ditët e fundit nga qytetarët të cilët pak a shumë thonë, çlodhesh, ai s’ka bërë gjë prej 7 vitesh, nuk do të bëjë gjë as këto muaj që i kanë mbetur.

 

Dhe në pamundësi për t’i kthyer përgjigje secilit prej mesazheve, duke i falënderuar për interesin dhe për mbështetjen për planin tonë me 5 pika kundër krizës, dua t’ju them se nuk do të lodhem, sepse situata po rëndohet ditë për ditë. Ndaj, nuk do të lodhem duke përsëritur kërkesën që shteti shqiptar t’ju kthejë qytetarëve shqiptarë sot që kanë më shumë nevojë se kurrë, paratë e taksave të tyre në formën e mbështetjes që kanë sot nevojë. Në formën e mbështetjes që po merr sot qytetari i Kosovës dhe qytetari i Maqedonisë së Veriut, për të mos folur për qytetarët e vendeve të tjera.

 

Qindra qytetarë që sot kanë nevojë të bëjnë testin e COVID, nuk e bëjnë dot. Nuk e bëjnë dot! Qindra të tjerë nuk kanë mundësi të marrin mjekimin e duhur, nuk kanë mundësi financiare të paguajnë faturën e kurimit nga COVID-i. Mijëra familje nuk kanë mundësi të sigurojnë shportën ushqimore apo minimumin e ushqimeve për fëmijët e tyre. Këta njerëz presin sot ndihmë nga shteti. Një në tre shqiptar nuk siguron dot ushqimin e mjaftueshëm dhe ky është një fakt para pandemisë. Imagjinoni se si është rënduar situata tani që e dimë që qindra e mijëra kryefamiljar që kanë humbur vendet e punës.

 

Shumica e bizneseve, jo që nuk nxjerrin fitim por janë në prag falimentimi. Ndaj nevoja për ndihmë është e menjëhershme. Ndaj dhe unë nuk do të lodhem së përsërituri kërkesën që shteti shqiptar të kryejë detyrimin që ka ndaj qytetarëve, ndaj taksapaguesve, me lekët që u ka marrë taksapaguesve dhe urgjentisht të vërë në lëvizje këto fonde t’u vinë në ndihmë si vijon:

 

  • Së pari, mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor. Shqipëria është vendi me testimet më të ulëta në Europë.

 

Një arsye madhore e shpërndarjes së infeksionit është mos marrja e masave në kohë për të pasur testime të mjaftueshme, të cilat tregojnë gjendjen reale të infeksionit në terren, dhe më pas gjurmimin e infeksioneve të kontakteve të të infektuarve dhe izolimin e tyre për të ndërprerë zinxhirin e infektimeve. 2500 testime ne ditë është minimumi që kjo qeveri duhet të kryejë kjo qeveri sot. Kemi më shumë se dy javë që përsërisim këtë kërkesë, kemi më shumë se 6 muaj që ia kemi parashtruar dhe ka heshtje totale. Paratë janë, por paratë vidhen dhe shpërdorohen, në vend që të blihen teste për të administruar testet.

 

Siç e bëri të qartë Zëri i Amerikës kësaj jave, numri i infektimeve është shtuar, numri i testimeve ka rënë.

 

Ky është një krim i rëndë që ngarkon me përgjegjësi drejtpërdrejt të parin e qeverisë, ministrin e shëndetësisë dhe gjithë zinxhirin përgjegjës për administrimin e testeve COVID në Shqipëri.

 

 

  • Së dyti, rimbursimin e plotë për mjekimin ambulant për pacientët që trajtohen në shtëpi. Pagesa minimale për t’u trajtuar nga COVID-I është 600 mijë lekë. Shkon deri në 1 milion 500 mijë lekë të vjetra. Asnjë bar, asnjë medikament, i cili jepet për të trajtuar COVID-in nuk rimbursohet.

 

Mosrimbursimi I COVID-it në kushte normale është i pafalshëm dhe i palejueshëm, në kushtet të një kolapsi ekonomik, ku shumica dërmuese e njerëzve nuk marrin dot barnat, i blejnë me lista. Apo siç kemi qenë bashkë nëpër farmaci kërkojnë hapjen e kutive për të marrë një apo dy tableta është një krim i pafalshëm. Qindra apo mijëra pacientë që trajtohen në shtëpi në mënyrë ambulatore, urgjentisht të kenë mbështetjen e shtetit me rimbursimin e plotë të shpenzimeve që u duhet të kryejnë për të blerë ilaçe për t’u trajtuar nga COVID-i.

 

Kjo është çështje jete, kjo është çështje shëndeti. Sigurimin e pajisjeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve spitalore.

 

Kemi 2 javë e gjysëm që kërkojmë që i gjithë sistemi shëndetësor të vihet në alert të plotë, po kjo nuk ndodh nga kolltuqet e ngrohta të ministrisë apo të kryeministrisë në konferenca për shtyp pa asnjë thelb, por vetëm me propagandë dhe vetëm me sulme dhe vetëm më gënjeshtra.

 

Mijëra mjekë familje mund të angazhohen në këtë betejë, nëse ju jepen mjetet e nevojshme mbrojtëse, mjetet e nevojshme për diagnozën, mjetet e nevojshme për trajtimin dhe protokollet e trajtimit të të sëmurëve me COVID. Të gjitha spitalet rajonale kanë mundësinë nëse do të kenë mbështetjen shtetërore. Por sot që flasim buxheti i shëndetësisë së Shqipërisë vazhdon të jetë afërsisht sa gjysma e buxhetit të shëndetësisë së Maqedonisë.

 

Sepse paratë që duhet të shkonin për të mbështetur shëndetësinë në këtë krizë të thellë, po përpihen nga aferat korruptive. Duke përfshirë afera korruptive brenda sistemit shëndetësor.

 

Bonusin prej 1 mijë eurosh për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm.  Siç është premtuar prej ditës së parë nga kryeministri, vazhdon të mbetet një gënjeshtër, një premtim i pambajtur. Dhe personeli shëndetësor i gjendur në kushte jashtëzakonisht të vështira e ka çdo ditë e më të pamundur  të përballë fluksin e të infektuarve me Covid. E ka çdo ditë e më të pamundur të kryejë siç duhet detyrat ndaj pacientëve me sëmundje kronike dhe sëmundjeve të tjera, që duhet të trajtohen në këto spitale dhe qendrat e tjera të sistemit shëndetësor në Shqipëri.

 

Vazhdojnë infektimet masive në shkolla. Ditë për ditë ka raportime të infektimeve dhe akoma më shqetësues është fakti që shumë infektime që ndodhin për shkak të transmetimit përmes shkollave mbeten pa raportuar. Arsyeja kryesore është sepse nuk ka qenë marrë asnjë masë në këtë drejtim. Asnjë masë, vetëm fjalë, vetëm propagandë, vetëm gënjeshtra.

 

Në momentin që  flasim e prej 14  shtatorit ku janë hapur shkollat,  70% prej tyre nuk ka ujë të  rrjedhshëm për të larë duart. Asnjë masë nuk është marrë për t’i pajisur as mësuesit, as stafin pedagogjik me maska mbrojtëse. Asnjë masë reale për dezinfektimin e ambienteve shkollore.

 

Harrojmë pastaj të bëjmë të paktën atë që Kosova e garantoi për arsimtarët e saj, që është testimi periodik i mësuesve dhe i stafit ndihmës. Dhe së fundmi  investimi për teknologjinë, në rastin  kur mund të shkohet  drejt mësimit në distancë  dhe vëmendja për fëmijët në nevojë nuk mund të mbulohet me kronika  propagande, me shpërndarjen e 5 apo 6 tabletave, por duhet  të organizohet urgjentisht  pa asnjë vonesë  përgatitja për përdorimin e teknologjisë  dhe në veçanti për sigurimin e tabletave  për familjet   që nuk kanë asnjë mundësi që t’ua sigurojnë  këto fëmijëve të tyre, në mënyrë që asnjë fëmijë shqiptar të mos mbetet pa mësuar.

 

  • Së treti, kriza ekonomike që ka futur në një vorbull edhe më të thellë shqiptarët për shkak të keqmenaxhimit  të pandemisë.

 

Katër pikat tona që asnjë shqiptar të mos lihet pas dore.

 

  • 160 mijë lekë çek për 6 muajt e ardhshëm për çdo muaj për të gjithë ata  që kanë humbur vendin e punës.

 

  • Një çek prej 200 mijë lekësh  për çdo sipërmarrës që  rimerr në punë ata që kanë humbur vendin e punës.

 

  • Dyfishimi i ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike.

 

  • Një çek prej 20 mijë lekë të vjetra  në muaj për çdo pensionist për përballimin e kostove shtesë siç janë  maskat apo dezinfektantët.

 

  • Së katërti, një masë që po zbatohet në Kosovën fqinje me buxhetin sa gjysma e buxhetit të Shqipërisë, mbështetje për biznesin e vogël. Një mijë euro për çdo biznes të vogël për të përballuar kostot shtesë, rënien e konsumit për të bërë të mundur, të paktën të mos shkojnë drejt mbylljes përfundimtare dhe t’i shtohen ushtrisë së të papunëve dhe të paushqyerve të Shqipërisë.

 

  • Dhe së pesti, mbështetja për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj ku konsiston në shkurtimin e disa kostove në mënyrë që  këto të përdoren për të mbajtur në punë njerëzit dhe për të mos i nxjerrë nga puna, siç është subvencionimi 50% i qerasë për ambientet e punës apo heqja e taksës së pronës për bizneset  pronare të ambienteve të punës, apo shtrirja në kohë dhe rikonceptimi i kritereve të përfitimit nga skemat e garancisë sovrane në mënyrë që çdo biznes që e ka lakun në fyt, të jetë në gjendje  të marrë kredi me interesa  të pranueshme. Do të thotë 0 interesa  në qoftë se i duhet të marrë kredi  për të paguar punëtorët sepse s’ka asnjë mundësi  tjetër  dhe jo më shumë se 2% interes  për kredi marrjen që do të përdorë për shpenzime operative apo investime kapitale  dhe me shtetin  garant për të mbuluar  diferencën midis këtyre  interesave  dhe interesave të bankave.

 

Ky është plani rimëkëmbjes me 5 hapa kundër krizës. Çdo ditë që kalon e rëndon më shumë krizën. Çdo ditë që kalon pa marrë masa e rëndon më shumë shëndetin e shqiptarëve. Afro dy javë e gjysmë për përpara e shpalosa këtë plan tek kjo sallë.

 

Numri i raportuar i infektimeve ishte pothuajse gjysma e asaj  që është raportuar dje.  Numri i viktimave edhe më i ulët.

 

Kurrë nuk kam dalë para jush  për të bërë “Kasandrën”, por tani është momenti për t’ju thënë se kjo rritje e infektimeve dhe i viktimave dhe mos marrja e asnjë mase  nga ana e qeverisë  tregon qartë  se shkaktari, fajtori, përgjegjësi për këtë situatë të krizës në shëndetësi si dhe të krizës  që po thellohet në ekonomi, nuk është më pandemia, por është keqqeverisja, është papërgjegjshmëria, është makutëria dhe  babëzia, që i ka veshur sytë dhe që po rrezikon ditë për ditë  jetën e shqiptarëve.

 

Pyetje: Z.Basha ju thoni që do të anuloni koncesionet korruptive me ardhjen në pushtet, por a keni  menduar mënyrën se si do t’i anuloni këto koncencione? Sepse duhet patur parasysh se çdo prishje kontrate ndikon edhe në paratë e shtetit? 

Lulzim Basha: Çdo kontratë e lidhur në kundërshtim me ligjin dhe në thyerje të ligjit, çdo kontratë e lidhur në kushtet e korrupsionit është e pavlefshme, me efekt prapaveprues. Ne kemi një plan të detajuar, të cilin e kemi bërë prezent para mediave para shumë kohësh. Me kërkesën tuaj të përsëritur brenda javës së ardhshme do të rishpalosim këtë plan, hap pas hapi, me të gjitha masat që do të ndërmerren; që nga ngritja e strukturës së veçantë shtetërore që do të merret me shqyrtimin e çdo kontrate korruptive, tek kriteret që do të ndiqen për çdo kontratë korruptive e deri tek mekanizmi i anulimit, i vënies para së përgjegjësisë së autorëve dhe i ndjekjes së parave të marra nga taksat e shqiptarëve,  kudo që ato të jenë.

Pyetje: Ditën e sotme presidenti Meta është shfaqur i shqetësuar për nivelin e varfërisë në vend duke thënë se : “Në rritjen e varfërisë në vend ka ndikuar edhe kriza politike”- duke patur parasysh se në krizën politike ka ndikuar prishja e Marrëveshjes së 5 Qershorit, çështje për të cilin ju nuk po diskutoni më. A duket se presidenti Meta po merr rolin e  liderit të opozitës për të çuar në një farë mënyre kauzat e saj, gjë që ju nuk po e bëni? 

Lulzim Basha: Vetëm në qoftë se ju mendoni se unë kam marrë rolin e Presidentit të Republikës. Presidentit i Republikës është në rolin e tij, ndërsa beteja jonë për standarde zgjedhore ka qenë një betejë e përditshme dhe vazhdon të jetë një betejë e përditshme. Sigurisht nuk mund t’i mbivendoset krizës shëndetësore dhe krizës ekonomike që po bëjnë kërdinë në shëndetin, xhepat, tavolinat dhe mirëqenien e shqiptarëve.

Ndërsa sa i përket pjesës së parë të pyetjes është e qartë se përpara kemi një grup të strukturuar kriminal i cili po e lë me qëllim pandeminë të përparojë, po e lë me qëllim krizën të përparojë, në mënyrë që këto para që sot mund të shërbenin për të forcuar shëndetësinë, për të forcuar shëndetin ndaj njerëzve dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë, t’i vjedhë dhe t’i gllabërojë. Këto janë llogaritë e grupit të strukturuar kriminal të Edi Ramës.

“Pse të paguajë”,- thotë Edi Rama,- “1600 mjë lekë një të papuni për 6 muaj”?

“Pse t’i paguaj 20 mijë lekë çdo pensionisti për 6 muaj, çdo muaj?”

“Pse të paguaj 200 mijë lekë për çdo njeri që rimerret në punë nga sipërmarrja?”

“Pse t’i jap bonus 1000 euro mjekët dhe 500 euro infermierëve?”

“Pse të rimbursoj unë recetën e ilaçeve e të sëmurëve me Covid?”

“Pse të shpenzoj unë para shkollat ku sa më të varfër të jenë, aq më lirë do t’ua blejë votën?”

Pra, këto para i marr dhe ua çoj tek inceneratorët e plehrave, i çoj tek ata që bëjnë rrugët e florinjta me 5-fish çmimin, se kur të vijë dita që të jem për bukën e gojës në vend që t’iu jap 160 mijë lekë në muaj, ua mbyll gojën kur të jenë edhe më të uritur, edhe më të lodhur me një 50 mijë lekësh për të qëndruar në shtëpi e për të mos votuar kundër bandës me të cilën qeverisë.

Kjo është llogaria e Edi Ramës, ua thash edhe para dy ditësh.

Llogaria është ta çojë gjendjen sa më keq, që pastaj të shpërndajë ndihmë me pikatore apolekët që duhet t’i çonte për ndihmë, dhe që ia ka çuar koncensionarëve t’i përdorë për të blerë dinjitetin dhe votën e shqiptarëve.

Dhe kjo e bën atë një kriminel të pashoq në raport me shëndetin, me shëndetin, me ekonominë dhe jetën e njerëzve.

Pra, ky është problemi i të ashtuquajturës krizë politike. Është një kolaps, është një republikë pa institucione ku fati i çdo shqiptari ka mbetur në dorën e një bande hajdutësh që ditë për ditë sillen e vërtiten, e përdridhen për të mbrojtur aferat të tilla si ajo që kemi denoncuar në vijimësi, si ajo afera e mafies së plehrave që i kanë grabitur popullit në këto kohë miliona euro, vetëm javën e kaluar 2 milionë euro. Në vend që të bënin pagesat për shëndetësinë, pagesat për ilaçet, pagesat për të papunët, grup i strukturuar kriminal.

Pyetje: Z.Basha për sa i përket çështjes së inceneratorëve. Një ditë më parë, bashkia e Elbasanit ka reaguar duke thënë se “Ky incenerator është në punë që prej 2017 dhe prodhon energji elektrike”-, ndërsa shton se “nuk e ka marrë në dorëzim për shkak të kontratës koncencionare dhe se kjo gjë do të ndodhë në dhjetor të vitit 2021”. Pak minuta më parë një përfaqësues i kësaj kompanie kishte dalë në një deklaratë për mediat, por arrita të lexoj që thuhej se “Basha mos gënje!”. Keni një koment për këtë çështje? 

Lulzim Basha: Në 2021 të gjithë ata të përfshirë në këtë aferë do të jenë në bankën e të akuzuarve, ndoshta edhe të dënuar.

Sot pyetja është: Ku i ke çuar 23-24 milionë euro që ia ke marrë taksapaguesve shqiptarë, vetëm për inceneratorin e Elbasanit? Sepse inceneratori nuk punon. Është ndezur 2, 3, 4 apo 5 herë, pak rëndësi ka, nuk punon.

Ti e pe si e kapi gazetari me presh në duar Edi Ramën para dy netësh kur i tha “Sa energji ke prodhuar ti me këtë incenerator?”.

Inceneratori i Elbasanit, i ashtuquajturi incenerator i Elbasanit, njësoj si të ashtuquajturit incenerator të Fierit dhe të Tiranës janë afera të pastra mafioze. Ndërsa këta të shkretët që i nxjerrin aty, se iu ka dalë boja dhe Edi Ramës, edhe Arben Ahmetajt, edhe Erion Velisë; këta i nxjerrin aty me shpresën se mund të heqin vëmendjen nga një fakt i thjeshtë: kanë marrë 75 milionë euro të shqiptarëve, ia kanë dhënë një njeriu të vetëm pa asnjë ditë përvojë në trajtimin e mbetjeve, me një kapital prej 1000 eurosh. Ndërkohë që Shqipëria është e mbuluar nga plehrat. Ndërkohë që ministria e Financave të Edi Ramës vetëm 12% janë investuar.

Pyetja është: Ku janë paratë? Pse janë regjistruar në parajsa fiskale jashtë Shqipërisë kompanitë  pronare të këtyre inceneratorëve? Pse u morën 17 vendime në një ditë, më 16 dhjetor 2019, për inceneratorin e Elbasanit? S’është mbledhur qeveria 17 herë për pandeminë, për të dhënë lekë për shqiptarët?

Këto janë pyetjet e vërteta, të tjerat janë propagandë e mjerë dhe një përpjekje shumë e dobët për të fshehur përgjigjen ndaj këtyre pyetjeve.

Se ja po e bëj me pyetje, nuk po e bëj me konkluzione. 75 milionë euro janë dhënë, 12% është investuar. Ku janë paratë e tjera?  Ku kanë shkuar? Ku janë paratë, ka mundësi të tregosh ku i ke çuar?

Si ka mundësi inceneratori i Fierit ka marrë 20  e ca milionë euro dhe s’ka asnjë punëtor në bilancin e deklaruar deri para pak muajsh?

Këto janë faktet.

Tani unë e kuptoj se kur merr 75 milionë euro mund t’i paguash të gjithë. Kur vjedh me sasi të tilla mund t’i mbyllësh gojën edhe medias, edhe prokurorëve, edhe gjyqtarëve.

Por dy gjëra nuk i bën dot:

1-Njerëzit nuk i bën dot për budallenj, se janë paratë e tyre, edhe po të ishim në kulmin e  lumturisë dhe rritjes ekonomike, jo sot që po vuajnë për bukën e gojës.

2-Dhe mua dhe Partisë Demokratike nuk ua mbyll dot gojën.

Kështu që ju thash dhe ju them se i kanë bërë hesapet pa shqiptarët. Kjo aferë do të hetohet deri në fund, ndërsa ata që thonë se do ta marrin në dorëzim në fund të 2021-it do të jenë bashkë në gjithë zinxhirin nga i pari tek i fundit që kanë firmosur do të jenë në bankën e të akuzuarve dhe jo në dhjetor të 2021-it, por shumë shpejt, menjëherë pas 25 prillit.

Pyetje: Sot keni publikuar një biznes në zonën e Kombinatit, i cili ndodhet në vështirësi ekonomike. Ndërsa në daljet për mediat keni deklaruar se z.Rama po fshihet pas gjobave. Me ardhjen e opozitës në pushtet do amnistohen këto gjoba, pasi z.Rama ka deklaruar se ndryshe nga falja e gjobave të mëparshme këto gjoba nuk do të falen? 

Lulzim Basha: Gjobat për Edi Ramën janë një mjet për të mbushur buxhetin dhe për të paguar oligarkët dhe tenderat dhe koncesionet korruptive. Ky është një shtet gjobëvënës, ua thash edhe para disa ditësh.

Cila është përgjigja për humbjen e vendeve të punës, gjoba për maskën. Cila është përgjigja për shëndetësinë në kolaps, për mungesën e investimeve për të blerë teste covid-i, për të blerë maska mbrojtëse për mjekët, për të blerë pajisje mbrojtëse për shëndetësinë, gjobat.

Aq sa luftohet covid-i me autoblinda, kur i nxori para 6 muajsh, i mbani mend apo jo, aq luftohet edhe me gjoba.

Ky është një shtet gjobëvënës. Kjo është një qeveri gjobëvënese. Ky është një kryeministër gjobëvënës. Nuk ka asnjë alternativë, asnjë masë, asnjë plan për tu përballur as me pandeminë, as me krizën ekonomike.

Pa diskutim, çdo masë e marrë në arbitraritet dhe në shkelje të drejtave themelore të qytetarëve, në shkelje të ligjit nuk njihet nga ne. dhe jo vetëm që nuk njihet dhe do të zhbëhet, por edhe at aqë i kanë marrë këto masa do të mbajnë përgjegjësi.

Dhe kjo është një nga arsyet kryesore pse i ka kap tmerri dhe paniku, se kanë bërë kaq shumë  zullume në kurriz të njerëzve dhe e dini farë mirë se çfarë i pret pas 25 prillit.

Pyetje: Z.Basha gjatë dy javëve të fundit ju keni përsëritur çdo ditë planin me 5 pika. Ndërkohë ende nuk ka një reagim nga qeveria. Si do të vijoni javën tjetër, të njëjtën strategji duke dalë në konferenca me gazetarët duke përsëritur sërish këtë plan apo keni një skenar të dytë? 

Lulzim Basha: Përditë. Dhe po ju them që ditën që opozita do të ketë më shumë se fjalën, nuk është më opozitë por qeveri, dhe në qeveri këtë  që kam propozuar sot si plan, nesër do ta bëj realitet.

Por sot detyra ime si opozitë është që ditë për ditë të gris dhe të hedh në koshin e plehrave propagandën qeveritare dhe t’u tregojë shqiptarëve se ka një rrugëdalje, ka një mënyrë për tu përballur me krizën dhe se shteti i ka mundësitë për tu përballur. Dhe në këtë mënyrë të shtoj ditë për ditë presionin për të hedhur poshtë gënjeshtrat e qeverisë dhe për t’i kërkuar të bëjë të paktën atë që po bën Kosova për qytetarët e saj.

 Pyetje: Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj ka hedhur akuza ndaj jush dhe thotë se keni shitur “Astirin” për makinë dhe pushuat akuzat për oligarkët pasi morët vilat në “Lalëz” dhe “Rrolling Hills” dhe thotë gjithashtu se “për inceneratorët ke hallin e pazarit të prishur të kunatit më kompaninë. A keni ju një kundërpërgjigje për z.Veliaj? E dyta, jemi shumë pak muaj përpara zgjedhjeve. Kemi dëgjuar planin me 5 pika, kemi dëgjuar shpeshherë se ku do të përqendrohet qeveria juaj nëse do të fitoni zgjedhjet, kur do ta kemi gati planin qeverisës që qytetarët dhe ne të njihemi me të për të kuptuar se cilat do të jenë prioritetet e qeverisë Basha?

 

Lulzim Basha: Për të tre gënjeshtrat e vemjes që bëhen për të hequr vëmendjen nga afera ku është kapur ai dhe shefi i tij, është dorëzuar padi penale në Prokurori. Pra, si për gënjeshtrën për vilat, si për gënjeshtrën për makinat është dorëzuar padia dhe dua t’ju informoj se të hënën dorëzohet padia tjetër për shpifjen tjetër që ka bërë në raport me inceneratorët.

 

Tani sa i përket inceneratorëve.

 

Ky është studimi i Bankës Botërore dhe i Bashkisë së Tiranës i cili bënte të mundur që brenda një viti nga fillimi i punës kontejnerët e plehrave të futeshin nën tokë brenda “Unazës së Vogël”. Brenda 3 vitesh të futeshin nën tokë në të gjithë Bashkinë e Tiranës së vjetër dhe trajtimi i tyre në “Sharrë” të bëhej për 12 euro, nga 29 euro që e bën ky hajduti bashkë me hajdutët e tjerë. Dhe këto janë fakte për të cilat kam bindjen se, në mos sot, nesër Prokuroria do t’i marrë në shqyrtim, për të treguar se çfarë çmimesh kishte përgatitur Banka Botërore, një proces transparent për përpunimin në Sharrë, dhe me çfarë çmimesh po i bën mafia e Edi Ramës, e Arben Ahmetaj dhe Erjon Veliaj.

 

Nuk kanë për t’i shpëtuar kësaj me gënjeshtra.

 

Unë e kuptoj që sot kanë kapur disa media për fyti dhe nxjerrin ditë për ditë fytyrën e gënjeshtrës dhe zërin e gënjeshtrës në ekran.

 

Por, nuk mjafton kjo.

 

Shumë shpejt do të përballen edhe në Prokurori, edhe në Gjykatë me faktet të cilat janë të patjetërsueshme.

 

Ky studim fizibiliteti që u bllokua nga Edi Rama dhe Erjon Veliaj, po të vihej në punë, qytetarët e Tiranës do të kishin këtë trajtim të mbetjeve, si në çdo vend tjetër normal, pra, me kontejnerë nën tokë, me një flotë të re automjetesh të cilat do të ishin të përgatitura për t’i futur dhe për t’i nxjerrë kontejnerët, për të bërë shërbimin e përditshëm apo të përnatshëm të pastrimit të mbetjeve në qytet, ndërsa kosto e përpuimit të tyre në “Sharrë” do të ishte 12 euro krahasuar me 29 euro që është kosto sot.

 

Këtu e keni edhe arsyen përse bllokuan këtë projekt të hartuar me Bankën Botërore, me transparencë.

 

Po të gërmoni në arkivat tuaja, do të shikoni konsultimet që kemi bërë me grupet ambientaliste para se të miratohej studimi i fizibilitetit dhe natyrisht do të hapej një garë transparente, ndërkohë çfarë kem?

 

Pa asnjë studim, pa asnjë garë, pa asnjë konsultim me grupet e interesit, brenda ditës i është dhënë një personi të vetëm e drejta pa asnjë përvojë në trajtimin e mbetjeve, për të ndërtuar tre inceneratorë dhe janë paguar deri më sot 75 milionë euro nga taksat e shqiptarëve.

 

Kompani me 1 mijë euro kapital.

 

Të shkojmë pak më tutje.

 

Kompania me të cilën ka bërë ndërmarrjen e pastrimit të qytetit, e dini fare mirë, se e keni raportuar, që drejtori i kësaj kompanie mëmë në Verona, si edhe kryebashkiaku i Veronës, janë arrestuar nga Anti Mafia italiane si përfaqësues të Ndraghet-ës.

 

Ky pra është jo vetëm kontrasti midis transparencës dhe shërbimit ndaj qytetarëve që ofronte projekti ynë, por është po kështu edhe arsyeja përse ky projekt u bllokua sepse nga 12 e çuan në 29 euro.

 

Nga një garë e hapur siç do të bëhej me kushtet e Bankës Botërore, ia dha një njeriu me 1 mijë euro kapital dhe pa asnjë përvojë të mëparshme në trajtimin e mbetjeve.

 

Dhe pyetja shtrohet: Ku janë këto para? Se Tirana është e mbushur me plehra.

 

Dilni tani me kamera dhe do të shikoni se Tirana është e mbushur me plehra.

 

I ashtuquajturi “Inceneratori i Tiranës” është një karabina pa incenerator brenda. Ku janë paratë? Ku janë paratë? Ku kanë shkuar paratë? Dhe sa do të hidhet dhe të përdridhet Edi Rama apo gënjeshtari i tij, apo hajduti i tij në Bashkinë e Tiranës, të vërtetën nuk e fshehin dot dhe ato para do të gjenden. Si ato para që ka futur në xhep mafia, dhe ato para që u ka futur në xhepa këtyre të dyve dhe të tjerëve.

 

Për këtë ju garantoj.

 

Ka agjensi të specializuara sot në botë që do t’i gjurmojnë deri në parajsat më të largëta fiskale të botës.

 

Do t’i gjurmojmë në çdo veprimtari korruptive të kullave të Tiranës ku janë derdhur paratë e korrupsionit të Edi Ramës, Erjon Veliajt dhe të qeveritarëve të tjerë të korruptuar.

 

Do i gjurmojmë kudo ku i kanë dhe kudo ku i kanë futur.

 

Dhe dita kur do të mbajnë përgjegjësi përpara shqiptarëve po afron.

 

Nuk do të jetë thjeshtë 25 prilli dita e përgjegjësisë politike, po i garantoj të gjithë shqiptarët se pas kësaj do të ketë edhe një ditë të përgjegjësisë penale.

 

Këto janë faktet, kjo është e vërteta.

 

Sa për akuzat që ju thash, dy padi i ka të depozituara, e treta do të depozitohet ditën e hënë, për mashtrimet dhe gënjeshtrat që mendon se mund të fshehë milionat që u ka vjedhur shqiptarëve, me mafian e plehrave, me Edi Ramën dhe me Arben Ahmetaj.

 

Pyetje: Po në lidhje me programin?

 

Lulzim Basha: Po, disa aspekte i kemi prezantuar tashmë. Do të vazhdojmë në bashkëpunim me grupet e interesit të prezantojmë edhe aspekte të tjera dhe pa diskutim mjaftueshëm në kohë shqiptarët do të kenë të plotë planin ekonomik dhe planin qeverisës të PD, duke përfshirë prioritetet tona kryesore, luftën kundër korrupsionit, pa të cilën nuk mund të ketë zhvillim ekonomik, dhe dy objektivave të mëdha që kemi shpallur.

 

Krijimin dhe konsolidimin e një shtrese të mesme në Shqipëri. Ku jo brenda natës, sigurisht, as brenda një viti, por brenda një kohe jo fort të gjatë, numri i atyre që kanë të ardhura mbi 1 milionë lek të vjetra në muaj të mos jetë më 20 mijë sa është sot shtresa e mesme, por të rritet vit pas viti. Dhe në funksion të kësaj është plani ynë ekonomik, është ulja e taksave. Taksa 9%. Është stimulimi i biznesit të vogël dhe i prodhimit. Është investimi në sektorë strategjikë, siç është Turizmi. Është investimi tek fermerët, sepse gjysma e popullsisë pothuajse vazhdon të jetojë në zonat rurale.

 

Pra, është një pla, sepse nuk bëhet me dekret shtresa e mesme.

 

Nuk bëhet me “urdhrin e peshkut”, edhe kur “peshku” është kryeministër.

 

Bëhet me një plan.

 

Dhe pjesë e këtij plani është ulja e taksave, krijimi i një klime miqësore ekonomike, dedikimi i të gjitha fondeve buxhetore, jo për koncesione korruptive dhe as për buzëkuq elektoral dhe as për fasada, por për masa që ndihmojnë zhvillimin ekonomik.

 

Përmes të gjithë këtyre masave ne do t’ia dalim që të gjithë këta shqiptarë që kanë 300 apo 400, 500 mijë lek të ardhura, ta shohin veten brenda një kohe jo fort të gjatë, në atë që mund ta quajmë shtresën e mesme shqiptare me të ardhura mbi 1 milionë lek të vjetra në muaj, që u jep siguri për të nesërmen, u heq frikën për të ardhmen, u jep një pavarësi financiare, i bën ata aksionerë të interesuarit e parë për një  stabilitet ekonomik, politik, për institucione që funksionojnë, për institucione të pavarura, për cilësi në arsim, për cilësi në shëndetësi.

 

Objektivi i dytë është; institucionet e shtetit që janë të hapura për njerëzit, janë të aksesueshme për njerëzit dhe nuk u përkasin partive politike por u shërbejnë interesit qytetar. Dhe këto dy objektiva janë të ndërthurura me njëra-tjetrën dhe sigurisht janë të detajuara në një sërë hapash dhe masash për të cilat do të na duhet sigurisht një kohë shumë më e gjatë se sa ajo që kemi ndarë sot në këtë bashkëbisedim.

 

Pyetje: Z. Basha, një pyetje politike e cila lidhet me interesin e gazetarëve që ndjekin Partinë Demokratike. Sigurisht pandemia duket se do t’i imponohet realitetit ekonomik shqiptar midis akuzave dhe kundër akuzave mes jush dhe qeverisë por ndërkohë që Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve është duke finalizuar procesin e përzgjedhjes së emrave, a do të kemi gati drejtuesit e qarqeve, kur do të jenë gati të publikohen emrat e tyre, pasi emrat e kandidatëve për deputetë, besoj se do të priten afatet ligjore për publikimin e tyre?

 

Lulzim Basha: Puna në terren nuk ka ndaluar për asnjë sekondë të vetme. Dhe çdo hap që do të hidhet, do të jetë publik dhe transparent. Pa diskutim që në çdo degë, bashki, qark të Shqipërisë sot PD dhe anëtarët e Partisë Demokratike, drejtuesve të PD, janë në ritëm 100%.

 

Pra, janë në angazhim 100% dhe ky është një realitet që ka nisur prej të paktën që në qershor kur nisi procesi për evidentimin e kandidaturave por që nuk kanë ndalur as me denoncimet, as me qëndrimin afër qytetarëve të goditur nga pandemia, apo nga tërmeti dhe do të vazhdojë me të gjithë hapat e tjerë duke vazhduar me evidentimin e drejtuesve në qarqe, kandidatët për deputetë dhe të gjitha strukturat që do të angazhohen për të përfaqësues denjësisht dhe për të marrë besimin e qytetarëve shqiptarë.

 

Falemnderit, ditë të mbarë dhe të shtunë të mbarë.