• Sektori i bujqësisë dhe i blegtorisë janë më të goditurit nga kriza ekonomike. Paratë e subvencioneve shkojnë për klientët e qeverisë dhe oligarkët.
  • Për inceneratorin e Fierit, që nuk ekziston, janë zhdukur 24 milionë euro për llogari të Ramës, Ahmetajt dhe krimit të organizuar.
  • Në planin me 5 pika të PD me 24 milionë euro mund të ndihmoheshin 24 mijë biznese më një çek prej 1 mijë euro për 6 muaj, me mijëra fermerë apo mijëra të papunë.
  • Me PD në drejtimin e qeverisë, do të kemi, çdo vit, 100 milionë euro subvencione drejtpërdrejt tek fermeri dhe 50 milionë euro për infrastrukturën për bujqësinë.
  • Nga pamundësia dhe mbijetesa, fermeri do të kalojë tek mundësia për të krijuar të ardhura mbi 1 milionë lekë, siç është sot fermeri i Kosovës apo Maqedonisë. Fermeri nuk ka pse të jetë skllav si sot, por të jetë shtresë e mesme.
  • Plani ynë fuqizon bujqësinë dhe agrobiznesin me qëllim rritjen e punësimit. Shëron plagën e largimit të rinisë nga Shqipëria. Kjo që propozojmë, është një Shqipëri tjetër, ku nuk përfiton vetëm kryeministri me një grusht oligarkësh, por përfitojnë të gjithë.
  • Heqja e taksës “Rama” mbi karburantin 240 lekë për litër do të jetë ndihmë e jashtëzakonshme. Karburanti ynë është më i shtrenjti në rajon, duke bërë çdo mall dhe shërbim më të shtrnejtë dhe jo konkurues.
  • Brenda 100 ditëve të para do t’i jepet fund naftës pa cilësi në tregun shqiptar. Kjo nuk do të ulë të ardhurat, përkundrëzi. Në vitin e parë do të kemi 50 milionë euro më shumë në buxhet, sepse do t’i japim fund kontrabandës së karburanteve.
  • Kjo nuk është betaja e Lulzim Bashës, por betejë e çdo shqiptari. Jetojmë në një vend të bekuar nga Zoti, por të vjedhur dhe të keqqeverisur. Së bashku t’i japim fund të keqes, te ndalim largimin dhe të nisim ndryshimin, se nga ky ndryshim do të përfitojnë të gjithë.

 

DEKLARATË E KRYETARIT LULZIM BASHA PAS TAKIMIT ME AGROBIZNESIN NË LUSHNJE

 

Pyetje: Cila është situata e bizneseve këtu në Lushnje?

Lulzim Basha: Kam ardhur sot të vizitoj disa prej pikave të grumbullimit apo të përpunimit të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale. Kjo është një pikë e përpunimit të mishit, thertore dhe përpunimi i mishit.

Në të gjithë Shqipërinë sektori i bujqësisë dhe sektori i blegtorisë janë sektorët më të goditur nga kriza ekonomike.  Arsyeja e kësaj krize nuk është thjesht dhe vetëm pandemia, siç mund të kujtojnë disa, është fakti që prej 7 vitesh fermeri shqiptar është më i braktisuri nga fermerët e rajonit dhe është më i diskriminuari, në raport me çdo qytetar tjetër të Shqipërisë.

Pse e themi këtë?

Sepse prej 7 vitesh fermeri shqiptar nuk ka më, nuk e njeh më mbështetjen direkte, nuk e njeh më subvencionin.

Paratë që duhet të shkojnë për subvencionimin, për mbështetjen direkte, për fermerët, për blegtorët, për infrastrukturën magazinuese, frigoriferët, thertoret; këto para, të cilat janë paratë e taksave të shqiptarëve, sot merren nga qeveritarët dhe shkojnë tek aferat korruptive.

Jemi sot në Lushnje, por që është Qarku i Fierit dhe në Fier në një lëndinë në Fier ka një gardh që rrethon një gjysëm karabina të papërfunduar, ku janë zhdukur deri më sot 24 milionë euro të taksave të fierakëve dhe gjithë shqiptarëve. Kjo ndërtesë quhet inceneratori i Fierit por në fakt nuk ekziston. Është një gropë e zezë korrupsioni ku është përfshirë kryeministri, ministri i ashtuquajtur i rindërtimit dhe figura të krimit të organizuar. Vetëm për inceneratorin e Fierit kanë marrë nga taksat e shqiptarëve 24 milionë euro dhe inceneratorë nuk ka. Për të mos folur që në vetvete është një aferë e dyshimtë korruptive.

Tani imagjinoni përfaqësues të medias, të nderuar gazetarë se çfarë mund të bëheshin me 24 milionë euro.

Me planin tonë që kemi propozuar me 5 pika kundër krizës dhe kundër pandemisë, me 24 milionë euro mund të ndihmoheshin 24 mijë biznese, që do të thotë shumë më shumë biznese të vogla seç ka gjithë Qarku i Fierit me një pagesë prej 1000 eurosh për 6 muajt e ardhshëm, që do të jenë muaj shumë të vështirë për ekonominë e shqiptarëve.

Me 24 milionë euro mund të ndihmoheshin dhjetëra, mijëra familje që kanë humbur bukën e gojës sepse kryefamiljari ka dalë i papunë.

Dhe ne kemi propozuar çdo njeri që ka humbur vendin e punës gjatë këtij viti të bëhet një pagesë 6 mujore prej 160 mijë lekë në muaj.

Mund të paguheshin qindra, mijëra pensionistë me pagesën që kemi propozuar prej 20 mijë lekësh për t’iu ardhur në ndihmë në këto kohë të vështira.

Mund të jepeshin mbështetje direkte, subvencione për mijëra fermerë të Myzeqesë dhe gjithë Shqipërisë, që në vend që të shkojnë drejt falimentit të kenë mundësinë që të paktën të shesin prodhimet e tyre njësoj siç i shet edhe në kohë krize fermeri i Kosovës, fermeri i Maqedonisë së Veriut, fermeri i Malit të Zi, fermeri i Serbisë; për të mos thënë për fermerët e Greqisë dhe Bashkimit Europian.

Ja pra, kemi të gjithë mundësitë që t’iu vijmë në ndihmë fermerëve, t’iu vijmë në ndihmë biznesit të vogël që është në mbijetesë dhe po falimenton ditë për ditë, t’iu vijmë në ndihmë mbi 100 mijë shqiptarëve që kanë humbur vendin e punës këtë vit dhe papunësia vjen e thellohet.

I kemi të gjitha këto mundësi.

Por në vend që t’u vijmë në ndihmë qindra, mijëra shqiptarëve Edi Rama, Arben Ahmetaj dhe Klodian Mërtiri kanë vjedhur 24 milionë euro dhe ndërkohë vazhdojnë dhe planifikojnë vjedhje të tjera.

Me ne kjo do  të marrë fund me hir apo me pahir.

SPAK-u do të detyrohet ta hetojë dhe ta çojë para drejtësisë dhe prapa hekurave dhe të ndëshkojë këdo që është përfshirë në këtë vjedhje masive. Për këtë dua të zotohem sot këtu nga Lushnja.

Ndërsa fermerëve shqiptarë dua t’u them se plani ynë për bujqësinë dhe blegtorinë shqiptare nuk do të bëjë mrekullira por do të bëjë atë që bëjnë vendet e rajonit, atë që bën Maqedonia e Veriut për fermerët e vet, atë që bën Kosova për fermerët e vet.

Vit për vit do të kemi një paketë 100 milionë euro subvencione që do të shkojnë drejtpërdrejtë tek fermeri në bazë të kartës së identitetit.

Vit për vit ne do të kemi 50 milionë euro për të mbështetur infrastrukturën e zhvillimit rural; kanalet kulluese, kanalet vaditëse, energjinë elektrike, rrugët, rrugët e aksesit nëpër ara, por edhe infrastrukturën e agropërpunimit, magazinat, frigoriferët dhe përpunimin e prodhimit bujqësor dhe blegtoral që asgjë të mos hidhet në kanal, asgjë të mos shkojë kot dhe prodhimi i bujkut, i fermerit shqiptar, jo vetëm të konkurojë denjësisht dhe të jetë i preferuar në tregun e brendshëm por po kështu të konkurojë denjësisht e të eksportohet.

Djersa e fermerit shqiptar të mos shkojë kot.

Me këto masa ne do t’ia dalim që fermeri shqiptar të kalojë nga pamundësia dhe mbijetesa tek të ardhura mbi 1 milionë lek. Dhe në momentin që do të kemi fermerin shqiptar me të ardhura mbi q milionë lek siç është sot fermeri i Kosovës, siç është sot fermeri i Maqedonisë, atëherë fermeri shqiptar nuk do të jetë më skllav në mëshirën e pushtetit, nuk do të jetë skllav i tokës, por do të jetë shtresë e mesme shqiptare.

Ky është objektivi i Partisë Demokratike.

Shtresa e mesme që sot me zor bëhen 20 mijë veta dhe e gjithë pjesa tjetër e popullsisë është në varfëri me përjashtim të një grushti oligarkësh, që fermeri shqiptar me këto masa, të ketë mundësinëjo thjeshtë të punojë për mbijetesë e të zhytet në borxh, por të krijojë të ardhura prej mesatarisht 1 milionë lek duke u bërë shtresë e mesme, në kuptimin e pavarësisë financiare, në kuptimin e të ardhurave, në kuptimin e sigurisë për të nesërmen.

Ky është plani ynë.

Dhe me këtë plan ne do të shërojmë edhe një plagë që po bëhet gjithmonë dhe më e madhe që është plaga e largimit nga Shqipëria në veçanti të rinisë që me siguri, nuk ka familje në Lushnje dhe në Fier, si kudo në Shqipëri që nuk e ndjen këtë plagë thellë në mish.

24 dhe 24 vjeçarë që largohen ditë përditë në kërkim të një jete më të mirë sepse ata që duhet t’i marrin ose t’i mbajnë në punë, nuk kanë më të ardhura dhe në rastin më të mirë i nxjerrin paratë nga xhepi për t’i mbajtur në punë, për të mos i hequr nga puna.

Me planin tonë jo vetëm që do të fuqizohet bujqësia, blegtoria, agro – biznesi dhe biznesi në tërësi, por do të rritet mundësia e tyre, jo vetëm për të mbajtur në punë këta që i kanë, por të marrë në punë njerëz të tjerë, për të rritur punësimin me paga dinjitoze.

Kjo është një Shqipëri tjetër, një Shqipëri ku përfitojnë të gjithë, jo vetëm kryeministri, banditët e inceneratorëve, oligarkët dhe klientët e tij.

Kjo është zgjedhja që shtrihet para nesh.

Do të qëndrojmë në këtë rrugë që çon Lushnjen, Fierin dhe të gjithë Shqipërinë drejt shkatërrimit, drejt varfërisë, drejt izolimit, për hir të pasurimit dhe pushtetit dhe një grusht njerëzish, apo do ta braktisim këtë rrugë se e dimë ku na çon, se kemi qenë 30 vjet përpara, rrugën e absolutizmit, dhe do të shkojmë në një rrugë e cila u shërben të gjithë shqiptarëve e në veçanti u shërben njerëzve të punës.

Një nga masat e tjera që do të merren dhe që do të ketë efekt edhe tek bujqësia edhe tek blegtoria është heqja e “Taksës Rama” mbi karburantin.

Në vitin 2014 dhe 2015 përkundër kundërshtive dhe protestave popullore që thirri opozita, Edi Rama e rriti çmimin e karburantit me 240 lek për litër.

Si rezultat i kësaj karburanti në Shqipëri është më i shtrenjti në Ballkan.

Karburanti është gjaku i ekonomisë.

Karburanti më i shtrenjtë do të thotë që prodhimet tona janë më shtrenjta.

Prodhimet bujqësore, blegtorale, industriale, shërbimet tona janë më të shtrenjta, transporti ynë është më i shtrenjtë.

Ne nuk konkurojmë dot me Malin e Zi, ne nuk konkurojmë dot me Kosovën, me Maqedoninë, për shkak edhe të çmimit të naftës.

Heqja e “Taksës Rama” mbi naftën do të jetë një ndihmë e jashtëzakonshme, edhe për fermerët, edhe për biznesin, edhe për qytetarin shqiptar.

Por sot dua të deklaroj se kjo nuk do të jetë hapi i vetëm.

Cilësia e naftës shqiptare është cilësia më e keqe në Ballkan dhe rrjedhimisht edhe në Europë. Sepse nafta e dinë të gjithë, përzihet, e shkatërron automjetet e shqiptarëve, shkatërron automjetet e biznesit, rrit koston e transportit.

Ndaj brenda 100 ditëve të para unë zotohem t’i japim fund përmes një mekanizmi kontrolli, ndëshkimi, dhe vënie para përgjegjësisë, përzierjes së naftës dhe naftës pa cilësi në tregu shqiptar.

E gjitha kjo, përfshirë edhe uljen e taksave, të jeni të sigurtë se jo vetëm nuk do të ndikojë negativisht në buxhetin e shtetit, por dua të deklaroj me përgjegjësi se në vitin e parë do të kemi të paktën 50 milionë Euro më shumë, sepse ne do t’i japim fund kontrabandës dhe evazionit që vjen nga sektori i karburanteve.

Kjo luftë, kjo betejë, që paratë i përfitojnë oligarkët e inceneratorëve, abuzuesit me karburantet, këto para do të destinohen për shqiptarët.

Kjo nuk është beteja e Lulzim Bashës, as beteja e Partisë Demokratike, por është beteja e çdo shqiptari.

Dua t’i them sot të gjithë fermerëve të Lushnjes, të Myzeqesë, të Fierit e të gjithë Shqipërisë e çdo qytetari shqiptar se jetojmë në një vend të bekuar nga Zoti por të vjedhur dhe të keqqeverisur ndaj le ta ndalim kujën dhe vrasjen e shpresës, le ta ndalim largimin, të qëndrojmë së bashku këtu, dhe së bashku t’i japim fund së keqes, dhe të nisim ndryshimin se nga ky ndryshim do të përfitojnë të gjithë, do të përfitojë brezi i ri, do të përfitojnë fermerët, do të përfitojë sipërmarrja, do të përfitojnë të punësuarit dhe të papunët.

Falemnderit.