• Plani 6 mujor i Rimëkëmbjes nga kriza e pandemisë, Basha takon bizneset në Durrës: Ky plan është plotësisht i mundur, nëse qeveria heq dorë nga shpenzimet për aferat e veta .

 

  • “Siç ka lista për ushqime, ka lista edhe në farmaci për ilaçet”, Bizneset tregojnë realitetin e vështirë dhe i kërkojnë qeverisë të zbatojë planin e propozuar nga kreu i opozitës.

 

  • Paketa nuk ka të bëjë me zgjedhjet, ka të bëjë me njerëzit. Ky 6 mujor do të jetë i vështirë dhe plani injekton para më xhepat e zbrazur të qytetarëve.

 

 

Kryetari i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha zhvilloi sot në mëngjes takime me biznese dhe qytetarë në Durrës.

 

Sipërmarrësit i shprehën z. Basha shqetësimet e tyre për rënien e madhe të shitjeve dhe mungesën e ndihmës nga ana e qeverisë. Veçanërisht shqetësues për bizneset është rënia e fortë që është rikthyer në dy javët e fundit të shtatorit, si ogur se pas një zbutjeje të rënies në fund të gushtit, po hyjmë në një zonë të errët të kolapsit të konsumit dhe falimentimit të bizneseve.

 

Shqetësimeve të shprehura nga drejtuesit e një fabrike nënproduktesh të mishit, z. Basha iu përgjigj me një shpjegim të hollësishëm të Planit të Rimëkëmbjes në 5 Hapa që Partia Demokratike i propozoi qeverisë.

 

Në 15 ditëshin e dytë të shtatorit ka filluar prapë të bjerë. Kjo është ajo që themi edhe ne. Se dëgjova dje, ju e patë këtë javë, ne shpallëm planin për gjashtë muajt e ardhshëm, se e ngatërrojnë njerëzit se kujtojnë se është programi ekonomik. Nuk është programi ekonomik, është Plani i Rimëkëmbjes për gjashtë muajt e ardhshëm. E gjithë bota po thotë duhet të përgatitemi edhe nga ana shëndetësore, por edhe nga ana ekonomike. Edhe ne kemi shpallur një plan me disa pika. Sa i përket biznesit, një nga pikat kryesore është që çdo biznes i vogël të ndihmohet me një çek direkt 1 mijë euro. Nuk është ndonjë gjë e madhe, por është plotësisht e përballueshme, edhe është një injektimi kapitali tek biznesi i vogël.

 

Ndërkohë, te personat që kanë humbur punë, që llogariten mbi 100 mijë, duke përfshirë dhe ata që nuk janë të regjistruar, t’u jepen një pagesë prej 160 mijë lekë të vjetra në muaj, që është minimum jetik. Për ata që rimerren në punë, për shembull: ti më the që ke patur 13 veta në punë, në qoftë se ke larguar dikë nga pandemia për shkak të pamundësisë dhe detyrohesh ta rimarrësh.

Shumë biznese të tjerë s’ia kanë dalë dot t’i mbajnë njerëzit dhe i kanë hequr nga puna. Me këtë paketë i propozojmë qeverisë të stimulohet rimarrja e tyre në punë duke i dhënë çdo punëdhënësi 200 mijë lekë të vjetra për të rimarrë dikë që ka humbur punën.

 

  1. Basha vijoi me rimbursimin 20 mijë lekë të vjetra në muaj të pensionistëve. Kjo sjell ka një impakt – tha ai. Impakti i parë është që rrit konsumin. Është problemi kryesor që ju keni, se janë lekë që si do u jepen njerëzve, do shpenzohen direkt.

 

Rritjen e konsumit, nuk është se e kemi shpikur ne si formulë, se këtë po bën e gjithë bota: këto po bën Kosova, këtë po bën Maqedonia. Tani, në vend që ta marrin propozimin dhe ta zbatojnë një orë e më parë, sepse siç e thatë vetë ka filluar prapë rënia, dhe rënia ekonomike është pasojë e drejtpërdrejtë e rënies së konsumit, rrinë në televizor dhe na thonë ne që kemi dhënë kaq. Se sa ke dhënë, e dinë mirë shqiptarët, s’ka nevojë të dalësh ti dhe të thuash sa ke dhënë. Se ke dhënë më pak se çdokush tjetër.

Nuk ka vend në Ballkan të ketë dhënë më pak se sa Shqipëria. Po pyetja nuk është sa ke dhënë, po sa do japësh tani. Nuk mund të fshehësh sa ke dhënë ti apo të fillosh të flasësh me premtime elektoral, çfarë do japësh ti po të besuan shqiptarët dhe njëherë. Atë lerua shqiptarëve, po të besuan më.

 

Se atë e kanë në dorë shqiptarët. Ne po themi, tani duhet t’i dalim përpara kësaj dhe që të dalësh përpara, biznesi i vogël merr një çek 1 mijë euro. Aq sa janë, nuk janë më shumë 100 mijë biznese, të regjistruara. Janë edhe me pak. Ndërsa për të nxitur konsumin në veçanti të këtyre shtresave, atyre që kanë humbur vendin e punës, 160 mijë lekë është minimum jetik. Nuk themi se është e mjaftueshme natyrisht për një kryefamiljar, po është minimum jetik. Atyre që kanë humbur vendin e punës, 160 mijë lekë është minimum jetik. Atyre që rimerren në punë, 200 mijë lek në muaj për 6 muaj paketën. Për 6 muaj, nga sot deri në fillimit të prillit.

 

Kaq është paketa. Nuk ka të bëjë me zgjedhjet, ka të bëjë me njerëzit. Nuk ka të bëjë me shfaqje propogande partish, ka të bëjë me xhepat dhe tavolinat e shqiptarëve. Është plotësisht e mundur. Është e llogaritur. Plotësisht e mundur, po të heqim dorë nga çdo shpenzim tjetër, edhe biznesit të vogël mund t’i vijmë në ndihmë, edhe qytetarëve mund t’u japim një injeksion të vogël, se u janë zbrazur xhepat. Ju e dini fare mirë, edhe me lista nuk ia dalin dot. Pra, nuk bëhet fjalë, as për çfarë ka ndodhur, as për ça do bësh ti pas një viti. Bëhet fjalë për këtë 6 –mujor, që do jetë shumë i vështirë. I vështirë për ekonominë, i vështirë për njerëzit, i vështirë për familjet. Natyrisht i vështirë dhe për bizneset.

 

Nuk është ndonjë mrekulli, se unë e di që 1 mijë euro për ju është pak, por të paktën t’u heqë disa shpenzime shtesë, të cilat janë shtuar këto 7 vite. Ju keni dhe transportin dhe koston e transportit. Nafta mbetet më e shtrenjta në rajon. Korenti mbetet më i shtrenjti në rajon. Taksat, taksat prapë se prapë, se për taksa s’pyesin! Taksën e duan në kohë, ose përndryshe të bllokojnë xhirot. Isha vjet në një biznes dhe më tha nuk paguaja dot sigurimet shoqërore, se kishte 170 punonjës. Nuk paguaja dot, i thashë m’i shtyni.  Nuk ia shtynë, i bllokuan, i ngrinë xhiron. Kjo sjellje është e dëmshme për ekonominë, edhe në kohë normale, jo më në pandemi!

 

Në fakt çdo shqiptar e kupton që ekonomia është një zinxhir, po u këput një hallkë, vuajnë të gjithë hallkat e tjera. Hallka kryesore është konsumi. Po ra konsumi, bini ju si biznes. Po ratë ju natyrisht, do bjerë dhe blegtoria, do bjerë dhe fermeri. Prandaj edhe ndihma më e madhe ndonëse jo e drejtpërdrejtë për fermerin është të nxisim konsumin, edhe 5 pikat që kemi propozuar ne dhe në veçanti plani për ata që humbën vendin e punës, për njerëzit me ndihmë ekonomike, për pensionistët, për biznesin e vogël, këtë ka synim kryesor: të nxisë konsumin. Këto para siç u jepen njerëzve, e para e punës do t’i japë për bukën e gojës. S’po i ofrojmë ndonjë luks, po i ofrojmë bukën e gojës se aty ka ardhur puna. Ka kohë, edhe para pandemisë. Pandemia vetëm sa e thelloi gropën, ju e dini vetë – u shpreh z. Basha.

 

Tërmeti dhe pandemia vetëm sa i nxorën këto gropa zbuluar – tha Basha. Se unë kam ardhur shumë shpesh Durrës dhe kam parë lista pafund në dyqane ushqimesh në 2-3 vitet e fundit duke u shtuar. Tani më thonë nuk japim dot më me listë, s’ja dalim dot të japim ushqime me listë. Vetë pronarët e bizneseve, vetë dyqanxhinjtë. Prandaj për t’i dalë para kësaj injektohet ky kapital. Hiqen ato 3-4 kontrata korruptive të qeverisë dhe i çohet njerëzve drejtpërdrejt. Është plotësisht e përballueshme t’i jepet biznesit një çek 1000 Euro, aq mund të përballojë Shqipëria. Ta bënim 2000 do të ishte më mirë, por ne kemi propozuar diçka që do ta bënim vetë po të ishim sot në qeveri.

 

Plani me 5 pika që do ta zbatonim vetë po të ishim në qeveri, ndaj për këtë s’dua të humb fare kohë. Po më vjen mirë që jemi këtu dhe dëgjoj situatat direkt nga goja juaj, sepse shpresoj ta dëgjojnë dhe ata që duhet ta dëgjojnë, pa zbukurime, pa propagandë. Ky është realiteti në fund të fundit. Çfarë po kërkojmë?  T’i vëmë veshin realitetit, dëgjojnë njerëzit, të kujdesen për njerëzit e zakonshëm, të mos jetojnë në pallatin e ëndrrave duke folur me gjëra të paqena sepse vetëm kur ta kuptojnë realitetin do ta kuptojnë se sa e mundshme është të marrin masat që ne kemi propozuar. Dhe në fund të fundit çfarë kemi bërë ne si opozitë? Kemi ofruar planin tonë të masave të hartuar nga ekspertët në bazë të masave që kanë marrë edhe vendet e tjera si Kosova, Maqedonia, për ta zbatuar.

 

Basha u shpreh se me paketën prej 5 pikash, PD nuk po po kërkon të bëjë fushatë. As po themi që ky është plani ekonomik për pas zgjedhjeve. Tbëhet fjalë për shëndetin e njerëzve, për shëndetin e fëmijëve, se janë hapur dhe shkollat dhe për bukën e gojës. Ndihma që u jepet juve nuk ju jepet thjesht se jeni biznes, ju jepet pikërisht që të ndihmoni komplet zinxhirin e ekonomisë. Të jeni në gjendje të shkoni tek ai fermeri t’ia bleni produktet ta përpunoni dhe ndihma që u jepet njerëzve jepet po kështu për të gjithë konsumin dhe për t’i ndihmuar për të arritur të paktën një minimum, minimum absolut të bazës ushqimore mujore për veten e tyre dhe fëmijët e tyre.

 

Shpresoj që e sotmja të vlejë sadopak për t’i ndërgjegjësuar dhe vetëdijësuar qeveritarët – tha Basha – se koha nuk pret. Vetë më thatë që 2 javët e fundit të shtatorit ka filluar prapë rënia dhe ne e dimë që rënia do të thellohet, tetor-nëntor rënia ekonomike do të thellohet, prandaj duhet filluar që tani duke u ardhur në ndihmë njerëzve me ato masa që kemi propozuar. Pastaj janë gjëra të tjera që do të zgjidhen pas 25 prillit.

 

Unë s’kam ardhur këtu për atë, se ju i dini, për biznesin e vogël propozimi ynë është një taksë unike 0.5% e xhiros dhe asnjë taksë tjetër lokale apo qëndrore, asnjë lloj takes tarife tjetër 0.5% e xhiros për biznesin e vogël është më se e mjaftueshme për të shlyer detyrimet për pushtetin vendor. Për biznesin e vogël është mëse e mjaftueshme të shlyejë detyrimet e pushtetit vendor dhe më e rëndësishmja është që në biznesin e vogël, do të marrë fund xhiroja e përditshme e inspektoriateve për të vjelur ryshfete apo për të terrorizuar. Me një pullë në hyrje të biznesit që vërteton që është paguar tatami prej 0.5% e xhiros, t’i ndalohet prania e çdo punonjësi të shtetit tek biznesi i vogël. Çdo punonjësi të shtetit i ndalohet prania, përveçse kur vjen si konsumator për të blerë suxhuk me lekë.

 

Njeriu punon 15-16 orë në ditë dhe në vend që të dali me fitim apo të sigurojë bukën e gojës, e të futet në borxh. I gjithë sistemi kështu si është shkatërruar këto 7 vite demotivon punën, demotivon njerëzit për të shkuar në punë. Të gjitha propozimet tona shkojnë në drejtimin e kundërt: t’i motivojmë njerëzit të punojnë dhe t’u japim shpërblimin e merituar për punën e bërë.

 

Duhet të fillojmë t’i japim frymë një shtrese të mesme shqiptarësh që të kenë mjaftueshëm të ardhura, të ndihen të pavarur, të mos kenë frikë për të nesërmen, të ndihen të sigurtë, se ata janë shtresa që e stabilizon dhe ekonominë, edhe demokracinë, edhe shoqërinë, edhe  arsimin, edhe shëndetësinë.

Edhe më tragjike paraqitet situata nga vizita e z. Basha në farmacitë e zonës. Farmacistët i shprehën z. Basha shqetësimin për rënien e shitjeve të ilaçeve dhe për një dukuri të zymtë të listave të borxheve edhe në farmaci.

 

“Ashtu siç ka lista në dyqane dhe markete, ka lista borxhesh edhe në farmaci” u shpreh farmacistja. U bë e qartë se medikamentet e paketës së trajtimit ambulator të të sëmurëve me COVID nuk rimbursohen nga shteti. Kosto e tyre shpeshherë kalon edhe pragun prej 600 mijë lekësh të reja për pacient. Veçanërisht, pacientët që kanë nevojë për aparatin e oksigjenit duhet të paguajnë 800 euro për ta siguruar.

 

Lekët nuk po shkojnë aty ku duhet – u shpreh z. Basha – se duhet të vijnë tek ju, duhet të vijnë te individi, te qytetari. Qeveria ka marrë një vendim për të hequr 1.8 million dollar, që ishin për ndihmë për bujqësinë për kanalizime për ujitje, ia ka dhënë prapë inceneratorëve. Inceneratorët na janë bërë si fantazma që përpijnë lekët e buxhetit të shtetit. Pra lekët janë, por po shkojnë në drejtim të gabuar. Prandaj edhe propozimi ynë ky është, ndërsa qëllimi i këtyre takimeve që zhvilloj është që të tregoj si është realiteti pa zbukurime, pa e nxirë. Kështu siç është!

 

Vizita e z. Basha në Durrës vijoi me takime të shumta me biznese të vogla dhe qytetarë që i shprehën atij pakënaqësitë me harresën nga qeveria dhe nevojën për një ndryshim të shpejtë.