- Xhepat e njerëzve janë boshatisur, për shkak se qeveria nuk nxori një paketë të re ndihme dhe dy paketat e para ishin gjysmake. Batutat pa kripë të Edi Ramës as nuk hahen, as nuk pihen. Njerëzit duan mbështetje konkrete.
- Plani 6 mujor i rimëkëmbjes shpëton biznesin nga falimentimi. Ky plan nuk ka të bëjë me konkurrencën politike mes partive, ka të bëjë me jetën dhe shëndetin e njerëzve.
- Për 6 muaj, çdo i papunë të marrë 160 mijë lekë/muaj, ndihma ekonomike të dyfishohet, pensionistët të marrin çek 20 mijë lekë/muaj, biznesi i vogël çek 1 mijë euro, biznesit të madh t’i jepet për çdo të ripunësuar 200 mijë lekë, ndihmë financiarë për shëndetësinë dhe arsimin.
- Kam një dhe vetëm një kërkesë, ky plan me 5 pika të nisë të zbatohet një orë e më parë, jo për qejfin tim, as për inatin e Edi Ramës, por për të ndihmuar afro 1 milionë shqiptarë, të cilët, për shkak të krizës sot rrezikojnë bukën e gojës dhe shëndetin e tyre.
- Ekonomia dhe rruga pa krye ku ka futur vendin Edi Rama këto 7 vjet, është arsyeja kryesore e largimit të të rinjve nga Elbasani dhe Shqipëria. Thirrja ime është: të bashkohemi për të nisur së bashku një rrugë tjetër.
- Rruga tjetër është ajo e bashkimit të shqiptarëve rreth parimeve që sjellin shpresë dhe normalitet për ekonominë dhe qeverisjen. Për të ndryshuar menjëherë kursin përqëndrimit të pushtetit dhe shkatërrimit të shtetit dhe të ekonomisë.
- Zgjidhja kryesore për situatën e krimit në Elbasan është shkëputja e lidhjeve të krimit me pushtetin. Ky është një nga zotimet e mia të para. Kjo do të jetë pa diskutim një nga arritjet e mia të para për qytetin e Elbasanit dhe për të gjithë Shqipërinë.
KOMUNIKIMI ME GAZETARËT NË ELBASAN I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA
Po futem në biznese të ndryshme apo para dyerve të mbyllura të shumë bizneseve, në një nga rrugët kryesore të qytetit të Elbasanit.Kam qenë në dyqane buke, ku më kanë thënë se ka rënë gjysëm për gjysëm konsumi, ka rënë gjysëm për gjysëm xhiro, sepse njerëzit nuk kanë lekë të blejnë bukë. Ta themi shkoqur edhe shkurt: S’kanë lekë të blejnë bukë.
Jemi para një dyqani të mbyllur që është “Linja 1500”, që do të thotë që çdo gjë blihet me 1500 lekë të vjetra. Ka falimentuar.
Isha në farmaci dhe me tha “vijnë e më kërkojnë një kokërr paracetamol”, “80% e kutive të ilaçeve i kam të hapura”,-më tha- “sepse askush nuk blen dot një kuti të plotë”. Hapet kutia e ilaçeve dhe jepet një blister ilaçe, ndërkohë lista në farmacitë e vendit vazhdon të rritet. Të njëjtën gjë më thanë edhe në Durrës.
Në veçanti, në dyjavëshin e fundit të shtatorit konsumi ka rënë në pikiatë, që do të thotë se xhepat e njerëzve janë boshatisur. Janë boshatisur, sepse është i vetmi vend nga të gjithë vendet e rajonit, që jo vetëm nuk pati paketë të tretë e paketë të katërt, siç po japin vendet e rajonit, por edhe dy të parat ishin paketa gjysmake dhe ato para që shpërndau kanë mbaruar.
Ke 100 mijë njerëz që kanë dalë të papunë. Kush kujdeset për ta? Kush mendon për ta? Çfarë përgjigje ka për ta qeveria? Çfarë ndihme do të japë për ta Edi Rama?
Nga mëngjesi deri në darkë del dhe bën batuta pa kripë, por ato as nuk hahen, as nuk pihen, me ato as nuk blen bukë, as nuk blen ilaçe, as nuk ushqen fëmijët e qindra familjeve shqiptare që janë pa bukë.
Pyetje: Z. Basha sa i përket Kodit Zgjedhor….
Lulzim Basha: Nuk kam ardhur për Kodin Zgjedhor këtu, kam ardhur për diçka që ka të bëjë me jetën e përditshme të banorëve në Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë. Dhe kam ardhur t’ju them se plani me 5 pika që kemi shpalosur është zgjidhje për këto 6 muaj, se njerëzit nuk presin dot. Ne kemi padiskutim një program për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza pas 25 prillit, por me të drejtë njerëzit thonë “Sot çfarë do të bëhet?”. Sot biznesi ka nevojë për ndihmë se po falimenton. Sot qindra familje, mijëra familje, anembanë vendit, nuk kanë të ardhura për të blerë bukën, për të blerë ushqimet. Sot që po flasim, mijëra mjekë dhe infermierë janë pothuajse të dorëzuar para kushteve të vështira dhe punës me rrezik vdekjeprurës para së cilës ekspozohen për shkak të COVID-it.
Pyetje: Po ua merr planin Edi Rama?
Lulzim Basha: Le ta marrë. E lus sot nga Elbasani që t’i lerë broçkullat dhe gërrverret dhe të marrë planin që kemi përgatitur pasi kemi studiuar situatën.
Pyetje: Jeni të gatshëm t’ia jepni?
Lulzim Basha: Po e kemi bërë publike dhe ditë për ditë i themi “merre këtë plan dhe zbatoje”. Se ky plan nuk ka të bëjë me konkurencën politike mes partive, ka të bëjë me jetën dhe shëndetin e njerëzve.
Sot çfarë do të bëjnë këta njerëz? Si mund t’u thuash “ti prit të vijë 25 prilli dhe nëse voton për mua, pastaj shohim se çfarë do të bëjë”. Ajo është çështje tjetër. Do të ketë kohë për t’i marrë përgjegjësitë çdokush dhe, në veçanti, ai që ka sjellë vendin në këtë situatë për 8 vite.
Sot po flasim për 6 muaj midis tetorit dhe prillit, ku njerëzit janë në pikë të hallit. Prandaj po e përsëris edhe një herë, planin e kemi bërë bashkë me ekspertët pikërisht që ta zbatojë qeveria, sepse ata e kanë në dorë ta zbatojnë dhe plani është plotësisht i zbatueshëm.
5 pikat e planit tonë mund të mos japin mrekulli, pro një falë lehtësimi do ta japin.
- Çdo i papunë do të marrë 160 mijë lek në muaj për 6 muaj, që është minimumi jetik.
- Familjeve në ndihmë ekonomike do t’u dyfishohet ndihma.
- Pensionistët do të marrin një çek prej 20 mijë lekësh në muaj për 6 muaj, për ato shpenzime shtesë që kanë të bëjnë me pandeminë.
- Biznesi i vogël që po mbyllet masivisht, do të marrë një çek gjatë këtyre 6 muajve, 1 mijë euro që të paguajë detyrimet, sepse nuk i paguajnë dot.
- Biznesit të madh do t’i jepet për çdo njeri 200 mijë lek të vjetra.
Dhe e gjithë kjo paketë çfarë ka për qëllim? Të ndalë rrokullisjen e ekonomisë në një kolaps total.
Po kështu, vëmendje të veçantë ka për shëndetësinë.
Ku janë ato 1 mijë eurot për mjekët dhe 500 euro për inferierët që janë premtuar? Përse nuk jepen? Sepse ditë për ditë qeveria kalon vendime, Edi Rama kalon vendime për t’u kaluar paratë inceneratorëve, oligarkëve dhe kontratave korruptive.
Prandaj, e nderuar zonja gazetare unë jo vetëm jam i gatshëm, por kam që ditën që kemi shpalosur programin, kam një dhe vetëm një kërkesë, ky plan me 5 pika të nisë të zbatohet një orë e më parë jo për qejfin tim, as për inatin e Edi Ramës, por për të ndihmuar afro 1 milionë shqiptarë, të cilët, për shkak të krizës, sot rrezikojnë bukën e gojës, rrezikojnë shëndetin e tyre.
Pyetje: Z.Basha, një tjetër problem që ne vërejmë çdo ditë të paktën në qytetin e Elbasanit, por që është konfirmuar zyrtarisht sipas statistikave të INSTAT, Elbasani po boshatiset dita- ditës, pjesa më e madhe e të rinjve po zgjedhin të largohen. Mendoni se janë vetëm shkaqet ekonomike ato që po largohen të rinjtë?
Lulzim Basha: Pa diskutim që ekonomia është arsyeja kryesore. Pa diskutim. Por, arsyeja tjetër është se rruga ku jemi futur në këto 7 vite është një rrugë pa krye. Është një rrugë që nuk na çon kërkund. Prandaj, thirrja ime është, të bashkohemi për të nisur së bashku një rrugë tjetër. Për të ndryshuar menjëherë kurs sepse kjo rrugë e përqëndrimit të pushtetit, e shkatërrimit të institucioneve, ka shkatërruar ekonominë dhe ka shkatërruar të ardhmen e të rinjve.
Një rrugë tjetër është ajo e bashkimit të të gjithë shqiptarëve rreth parimeve që sjellin normalitet për ekonominë, normalitet për qeverisjen dhe shpresë për të gjithë shqiptarët dhe nëveçanti për rininë.
Pyetje: Z. Basha, përveç ekonomisë Elbasani po vuan edhe krimin, si e komentoni?
Lulzim Basha: Situata e krimit në Elbasan është rënduar pikërisht për shkak të bashkëpunimit të krimit me pushtetin. Atë që kemi thënë tash 7 vite besoj nuk ka njeri në Elbasan që nuk e ka kuptuar që nuk është e vërtetë. Ndaj, dhe zgjidhja kryesore për situatën e krimit në Elbasan është shkëputja e lidhjeve të krimit me pushtetin dhe ky është një nga zotimet e mia të para dhe kjo do të jetë pa diskutim një nga arritjet e mia të para për qytetin e Elbasanit dhe për të gjithë Shqipërinë.