• Basha: Paratë kudo që t’i kenë çuar do të gjurmohen dhe peshqit e mëdhenj, jo vetëm do të vihen përpara drejtësisë, por do të detyrohen të kthejnë prapa çdo qindarkë që i kanë zhvatur popullit.
  • Basha: Në llogari bankare sekrete janë fshehur milionat e përfituara nga shqiptarët. Kudo që t’i kenë, në Maltë, në Singapor, në Hong Kong, në Dubai apo kudo tjetër, dua t’i garantoj sot se nuk do të kenë shpëtim.
  • Basha: Unë kam kontaktuar dhe kam harxhuar ditë të tëra me krerët e agjensive ndër më të specializuara në botë të aleatëve tanë strategjikë. Puna ka nisur dhe nesër me ne në qeverisje, do të finalizohet. Nuk kanë shpëtim. Nuk kishte shpëtim as Escobari, nuk do të kenë shpëtim as këta tanët.
  • Basha: Në Zimbabve arrestohet ministri. Në Shqipëri heshtje totale! Në Verona peshku i madh është ish-kryetari i bashkisë; në Zimbabve, është ministri. Po në Shqipëri? SPAK ti japë përgjigje kësaj pyetje. Kush fshihet pas kësaj afere? Kush është peshku i madh?
  • Basha: Mediave po u bëhet shantazh për të mos transmetuar denoncimet e aferës së inceneratorëve.
  • Basha: Platforma jonë anti-oligarki dhe anti-korrupsion do të dënojë fajtorët dhe do t’i rikthejmë paratë shqiptarëve.
  • Basha: Një ndër ligjet e para që do të miratohet dhe zbatohet nga qeveria e PD është ligji i ri Anti-Mafia. Çdo konçesion, tender, liçencë korruptive që është në thyerje të ligjit, është e pavlefshme.
  • Basha: Zgjidhjen ne e kemi konceptuar te mekanizmi anti-mafia, që do të bazohet te parimi ku çdo e ardhur e paligjshme do t’i kalojë buxhetit te shtetit. Ligji i ri Anti-Mafia vepron ndaj pasurive të kompanive, individëve të përfshirë në kontrata korruptive, të paligjshme.
  • Basha: Mekanizmi ynë anti-mafia, Ky proces kalon në tre hapa: Qeveria që verifikon, Prokuroria E Poscaçme, Gjykata e Posaçme. Model i suksesshëm në Itali në luftën kundër mafias në përputhje me konventat ndërkombëtare.
  • Basha: Mekanizmi i ri anti-mafia, rikthejmë konkurrencën në çdo sektor, kthen paratë publike të grabitura nga abuzuesit tek qytetarët, përmirëson klimën e biznesit dhe nxit sipërmarrjen.
  • Basha: Mekanizmi ynë anti-mafia, paratë e rikthyera përdoren për investime dhe programe publike.
  • Basha: Skemat korruptive, kompani të krijuara pak kohë para akordimit të kontratës. Kompani pa përvojë në sektorin e kontratës së akorduar. Kompani në pronësi të njerëzve me të shkuar kriminale. Shpikja e konçesioneve të pakërkuara, rritje shumëfishe e çmimit të kontratës.
  • Basha: Tre javë nga plani ynë me 5 pika, asnjë masë nuk është marrë për t’i shpëtuar shqiptarë nga kriza. Nëse paratë për inceneratorët, do të shkonin në ndihmë për qytetarët, situata sot do ishte ndryshe.

 

Prezantimi i Mekanizmit Anti-Mafia dhe Kundër Korrupsionit të Oligarkisë

 

Lideri i opozitës, z. Lulzim Basha prezantoi përpara mediave kornizën e mekanizmit të ri anti-mafia që do të miratohet dhe vihet në zbatim nga qeveria e Partisë Demokratike pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

 

Mekanizmi Anti-Mafia i prezantuar nga Kryetari Basha, do të marrë fuqi ligjore prapavepruese në kuadër të ligjit ekzistues anti-mafia që do të amendohet nga mazhoranca e Partisë Demokratike dhe aleantëve.

 

Masat parandaluese të mekanizmit do të veprojnë mbi:

 

  1. Pasuritë e kompanive private përfituese të kontratave korruptive dhe pronarëve të këtyre kompanive;

 

  1. Pasuritë e zyrtarëve publikë që kanë abuzuar me detyrën;

 

  1. Pasuritë e personave të afërt apo të lidhur me pronarët e kompanive private apo zyrtarëve publikë që kanë abuzuar me detyrën;

 

Drafti i hartuar nga ekspertët e Partisë Demokratike klasifikon si forma të abuzimit me kontratat shtetërore rastet kur:

 

  1. Kompanitë e liçencuara janë krijuar pak ditë përpara tenderit;

 

  1. Kompanitë përfituese nuk kanë përvojë në sektorin e kontratës;

 

  1. Kompanitë e kontraktuara janë offshore;

 

  1. Kontratat janë dhënë mbi bazën e propozimeve të pakërkuara;

 

  1. Përfaqësuesit ligjorë të përfituesve kanë të shkuar kriminale;

 

  1. Kriteret e përzgjedhjes së fituesve janë preferenciale;

 

  1. Tenderat kanë pësuar rritje fiktive të vlerës;

 

  1. Ka përjashtime të padrejta për qëllime klienteliste;

 

  1. Bizneset janë intimiduar për të mos marrë pjesë në tendera;

 

Kryetari Basha paralajmëroi se dispozitat e miratuara do të kenë fuqi prapavepruese dhe do të zbatohen ndaj të gjitha kontratave në kundërshtim me ligjin, në shkelje të procedurave të konkurrimit publik, në shkelje të parimeve të përzgjedhjes dhe produkt të akteve të dyshuara të korrupsionit nga zyrtarët publikë.

 

  1. Basha u shpreh se ndryshimet ligjore të draftuara nga Partia Demokratike do t’u kthejnë taksapaguesve paratë publike të përfituara në mënyrë korruptive, do të ndëshkojnë korrupsionin e zyrtarëve publikë, do të përmirësojnë klimën e biznesit duke rikthyer konkurrencën e lirë dhe barazinë përpara ligjit dhe do të demotivojnë përfshirjen e sipërmarrjes private në skema të padrejta të përfitimit.

 

Paratë dhe pasuritë e konfiskuara dhe të rikuperuara – u angazhua Z. Basha – do të përdoren për shërbime dhe investime publike.

 

 

 

KONFERENCA E PLOTË PËR SHTYP E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA ​ME GAZETARËT.

 

 

 

Ju përshëndes, ju uroj mirëseardhjen! Ju uroj një javë të mbarë, juve dhe kolegëve tuaj në terren!

 

Një javë e cila premton të jetë shumë e ngarkuar me zhvillime, po pa diskutim do të bëj çdo përpjekje që të paktën në komunikimin tone, vëmendjen ta mbajmë në zhvillimet që nuk kanë rëndësi, thjesht dhe vetëm për politikën, por kanë rëndësi për njerëzit.

 

Dhe një nga këto zhvillime sot, është këmbëngulja jonë për të zbardhur një aferë e cila ka përpirë deri më sot një shumë të mjaftueshme për të financuar të gjithë biznesin e vogël dhe prapë teprojnë lekët, me një çek prej 1 mijë eurosh për 6 muajt e ardhshëm, por në vend që të shkojë tek sipërmarrja e vogël e cila po falimenton dhe po mbyll dyert, në vend që të shkojë tek paga prej 160 mijë lekësh për çdo të papunë në Shqipëri, po shkon tek një grusht njerëzish.

 

Te një pronar i fshehur pas disa ndërmarrjeve dhe një grusht njerëzish, të cilët ndan paratë. Para se të vazhdojmë më tutje, duke qenë se disa prej mediave që ju përfaqësoni këtu, jo për fajin tuaj, por për arsye teknike e kanë pasur të pamundur të transmetojnë një zhvillim të rëndësishëm sot, që është denoncimi i depozituar nga Partia Demokratike në strukturën e posaçme Anti-Korrupsion, ju ftoj ta ndiqni të plotë, duke qenë se disa prej mediave kanë pasur probleme teknike.

 

Shpresoj, në këtë moment t’i kenë rregulluar problemet teknike dhe të jenë në gjendje ta transmetojnë live.

 

Nuk dua të përsëris ato që u thanë. Natyrisht pyetja që kërkon përgjigje është kush është, kush fshihet pas kësaj afere dhe kush është peshku i madh? Kush është peshku i madh? Ëho is the big fish? Kush është peshku i madh? Në Verona është Miloraci, i arrestuar nga anti-mafia italiane si përfaqësues i “Ndraghet-ës”.

 

Bashkë me kryetarin e bashkisë së Veronës, të dy kanë hapur këtu ndërrmarjen “Eco Tirana”, bashkë me Erion Veliajn. Në Zimbave është ministri përgjegjës për ambientin apo për plehrat. Është arrestuar në Zmbabve ministri. Zimbabve është në Afrikë. Këtu heshtje totale! Asnjë veprim i vetëm! Ndaj dhe padia e sotme e depozituar në Prokurorine e Posaçme Anti-Korrupsion, në SPAK, ka për qëllim të nxisë prokurorët të bëjnë detyrën e tyre. Të mos tremben nga presioni, që me siguri është në përmasat mafioze dhe kriminale, siç i bëhet edhe gazetarëve, siç i bëhet dhe medias, siç u bëhet edhe përfaqësuesve tanë që shkuan për të denoncuar në landfillin e Sharrës. Një pjesë e madhe e mediave kanë pasur problem teknike, s’e kanë transmetuar dot dje. Por një pjesë tjetër e mediave e kanë transmetuar.

 

Me këto problemet teknike, kam përshtypjen që nuk janë të gjitha të palidhura me presionin mafioz dhe shantazhin që u bëhet. Po kush ka në dorë këtë fuqi? Që brënda një dite të vetme të marri gjithë ato vendime qeverie dhe t’I japi një personi me një mijë euro kapital, me një mijë euro kontratë, që për të tre inceneratorët bashkë kalon shifrën e 400 milion eurove. Kush e ka këtë në dorë? Kush është peshku i madh? Edhe një herë ju them, në Itali është Miloraci dhe kryetari i bashkisë së Veronas, të arrestuar nga anti-mafia italiane si përfaqësues të “Ndraghetas”. Edhe në Afrikë, në Zimbabve është ministri, e arrestuan. Këtu kush është? Kush fshihet pas kësaj? Pse nuk ka një arrestim të vetëm?!

 

Asnjë të vetëm!

 

Dhe kjo është një pyetje të cilës prokuroria ka detyrimin para shqiptarëve t’i japë përgjigje një orë e më parë. Por unë sot dua të përqëndrohem tek një çështje tjetër për të cilën interesi lindi edhe nga qytetarët, edhe nga ju gazetarët që keni ndjekur këtë çështje nga konferencat për shtyp, edhe nga analistët dhe gazetarët që kanë mbuluar për sa është e mundur afërën e inceneratorëve të plehrave.

 

Dhe pyetja është: çfarë do të ndodhë nesër me Partinë Demokratike në pushtet? Si do të bëhet e mundur ndalimi i kësaj afere dhe i aferave të tjera si kjo të ashtuquajtura koncesione me PPP? Si do të bëhet e mundur parandalimi i këtyre në të ardhmen, mos të përsëritet e njëjta gjë?

 

Dhe si do të bëhet e mundur që paratë që u kanë marrë shqiptarëve, pasurinë publike që e kanë grabitur, ta gjurmojmë, ta sekuestrojmë dhe t’jua kthejmë shqiptarëve? Dhe në funksion të kësaj dua ta vazhdoj këtë bashkëbisedim sot me dy ndërhyrje.

 

E para, do të jetë një prezantim i shkurtër, riprezantim i platformës tonë anti-oligarki dhe anti-korrupsion. Dhe së dyti, do të hyj në disa nga aspektet e kësaj platforme, për të proçeduar pastaj me pyetjet tuaja për këtë çështje dhe për të përfunduar sigurisht me apelin tjetër sa i përket pandemisë dhe ekonomisë.

 

Me anë të këtij ligji, i cili do të jetë ndër ligjet e para që do të miratohet nga parlamenti i ri dhe që do të jetë një nga ligjet e para që do të zbatohet nga qeveria e dalë me votën e lirë të shqiptarëve.

 

Në këtë gjendje të jashtëzakonshme, prej kohësh ne kemi evidentuar nevojën për masa të jashtëzakonshme. Masa ekstreme për të zgjidhur një situate ekstreme. Ku është situate ekstrema?

 

A ka situatë më të rëndë për një vend, sesa në momentin më të vështirë të qytetarëve, paratë e tyre të zhduken dhe të vazhdojnë të vidhen, e të përfundojnë në duart e një grushti njerëzish dhe askush mos të japë llogari. Si kemi arritur deri këtu?

 

Çfarë mund të bëjmë për ta zhbërë, për ta parandaluar dhe për t’i rikthyer këto para? Zgjidhjen ne e kemi konceptuar prej kohësh tek mekanizmi anti-mafia, të cilën ekspertët tanë e kanë draftuar në formën e një ligji që do të jetë ndër ligjet e para që do të miratohet, njekohësisht, siç e thashë, nga parlamenti i ri legjitim i Shqipërisë.

 

Dhe ky ligj do të bazohet në një premisë bazë. Në një bazë logjike dhe ligjore, që është dhe sot dhe që funksionon dhe sot në legjislacionin shqiptar. Çdo koncesion, çdo PPP korruptive, çdo tender korruptiv, çdo licensë korruptive, ju e dini që kalon përmes kanalit të një kontrate.

 

Një kontratë që ka nga njëra anë privatin dhe nga ana tjetër sektorin publik. Dhe legjislacioni shqiptar ka një rregull të qartë, kontratat që është në përputhje me ligjin, ka forcën e ligjit. Kontrata që është në kundërshtim me ligjin, është e pavlefshme.

 

Dhe çdo kontratë e çdo akt publik që vjen në kundershtim me ligjin, është i pavlefshëm. Ky rregull do të thotë që çdo gjë e marrë, e zhvatur, e përfituar në mënyrë abuzive, do të duhet t’i kthehet publikut me efekt prapaveprues.

 

Dua ta theksoj me efekt prapaveprues. Qoftë kjo para, qoftë pasuri, qoftë investim, gjithçka i kthehet publikut, i kthehet buxhetit të shtetit, i kthehet qytetarëve. Pra, mekanizmi bazë është mekanizmi i ndryshimeve me ligjin anti-mafia, ku siç ju thashë kontrata e paligjshme çon në pavlefshmëri dhe gjithçka që palët i kanë dhënë apo i kanë marrë njëri-tjetrit, kalon në të ardhurat e qytetarëve, kalon nga të ardhurat e buxhetit të shtetit. Këto masa të parashikuara me ligjin tonë anti-mafia, të përditësuara, do të veprojnë ndaj pasurive të kompanive private përfituese të pronarëve të këtyre kompanive.

 

Pasurive të zyrtarëve publikë që kanë abuzuar me pushtetin. Pasurive të personave të afërt apo të lidhur me pronarët e kompanive private apo zyrtarë publikë që kanë abuzuar me pushtetin dhe detyrën. Dhe parimi i Anti-Mafias është: dënohen apo nuk dënohen penalisht pasuritë e këtyre personave, verifikohen, sekuestrohen dhe konfiskohen.

 

Pavarësisht nëse dënohen apo jo penalisht. Pavarësisht nëse janë në proces apo jo të hetimit apo të dënimit nga organet e drejtësisë penale. Cilat janë format e abuzimit? Po rreshtoj disa forma abuzimi këtu, të cilat janë të njohura për qytetarët, përmes denoncimeve që ne kemi bërë dhe disa denoncimeve që ka bërë media. Kompani që lincensohen pak para tenderit, ju kujton gjë kjo?

 

Një nga koncensionet e incerneratorëve. Kompania është regjistruar një ditë para tenderit. Kompani pa përvojë. Meqë jemi tek incerneratorët, asnjë prej kompanive nuk ka pasur asnjë ditë përvojë. Në Fier kanë marrë dikë që gjoja kishte përevojë nga Italia dhe sapo kanë marrë kontratën ia kanë blerë prapë pjesën e aksioneve për 200 mijë lekë të vjetra. Kompani off-shore, ja ku jemi prapë.

 

Nuk e di sa prej jush keni patur rastin të ndiqni një denoncim apo një intervistë  shumë interesante  të një shkrimtareje të njohur, Flutura Açka, poete dhe shkrimtare, e cila personalisht kishte evdentuar se  adresa dhe numri i telefonit të kompanisë  guaskë në Holandë, që është  deklaruar si një nga  pronaret e  sistemit të ndërlikuar të plehrave, ishte në fakt adresa dhe numri i telefonit të një familjeje.  Shpikin propozime të pakërkuara, ja ku i keni.

 

Propozim i pakërkuar, sepse strategjia e trajtimit të plehrave në Shqipëri e financuar nga partnerët tanë, nga Banka Botërore, nga Gjermania, ka qenë diçka tjetër. Nuk ka qenë djegia e tyre. Ka qenë diferencimi, ka qenë riciklimi, jo djegia e tyre. Tendera për eksponentë të krimit të organizuar.

 

Njerëz që nuk do të marrin pjesë në tendera, marrin pjesë në tendera dhe fitojnë tendera, si kontraktorë apo si nënkontraktorë. Kemi shembullin e këtij miku të Taulant Ballës, ia harrova emrin, i dënuar dhe merr kontrata në rrugën e Elbasanit. Fare mire, këtu mund të shikoni se kush janë këta persona dhe kush është Klodian apo Mirel Mërtiri.

 

Çfarë lidhje kanë me krimin e organizuar?  Kritere preferenciale. Bëhen kritere të tilla që mund t’i plotësojë vetëm dikush. Mirë që nuk i shkruajnë edhe ngjyrën e syve që duhet të ketë drejtuesi i kompanisë. Rritje fiktive e vlerës së tenderit.  Kjo mund të ndodhë në disa forma. Për shembull me tenderat e koncensioneve kanë ndërtuar kapacitete sa për të djegur plehrat e italisë dhe Greqisë bashkë. Me rrugën Korçë-Leskovik, ajo që do të kushtonte 1 milionë euro për kilometer. E kanë bërë 5 milionë euro për kilometër.

 

Skualifikime të padrejta për qëllime klienteliste. Një kompani i plotëson kriteret, e skualifikojnë ose akoma më keq ka avancuar edhe më shumë. Tani u thonë: futuni, por do t’i bëni në mënyrë të tillë ofertat që të skualifikoni. Siç ishte rasti i Unazës, ku një kompani u përdor për t’u futur pa ofertë financiare. Si dhe intimidimi i bizneseve për të mos marrë pjesë në tenderat të paracaktuar. Do të thotë që u thotë atyre: mos u fusni se këtu, do t’i marrë ky, se po u futët ne do t’u futemi me themel, ne do t’u nxijmë jetën.

Këto pra janë disa nga format e abuzimit me të cilat i kanë lidhur këto kontrata, dhe sikur njëra prej tyre formave të evidentohet, ajo kontratë është e paligjshme. Ajo kontratë është e paligjshme, është e pavlefshme dhe çdo qindarkë që u është marrë shqiptarëve me atë kontratë, duhet dhe do t’ju kthehet shqiptarëve me ligjin tonë anti-mafia. Ky është thelbi i propozimit tonë.

 

Ju thashë për subjektin e zbatimit të masave, janë përsonat dhe kompanitë private, janë zyrtarë të çdo niveli të përfshirë në këto afera. Zbatimi i masave do të kalojë nga tre halka. Hallka e parë i takon qeverisë. Eshtë qeveria e para, e cila me një strukturë të veçantë do të ketë detyrën e verifikimit. Një detyrë e cila normalisht do t’i takonte një strukture si drejtoria anti-korrupsion, por që nesër ju siguroj që do të jetë një nga dikasteret më të fuqishme të qeverisë së re.

 

Do të jetë një nga dikasteret më të fuqishme, do të thotë të ketë burime njerëzore, fondet dhe ndihmën dhe ekspertizën ndërkombëtare dhe do të jetë prioritet politik numër një, që ky institucion të bëjë verifikimin e të gjitha këtyre rasteve ku qindra, miliona, miliarda euro të shqiptarëve janë vjedhur dhe shpërdoruar në këtë mënyrë.  Kjo do t’I kalojë pastaj për hetim prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK-ut dhe natyrisht vendimmarrja do të jetë gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

 

Barra e provës me mekanizmin Anti – Mafia, nuk është tek prokurori, por është tek kompania private dhe tek zyrtari, që ka miratuar kontratën apo aktin publik. Dhe ky është mekanizmi i shpikur në Itali në vitet 70, për të luftuar fenomene të ngjashme, i çertifikuar nga Gjykata Europiane të Drejtave të Njeriut, si një mekanizëm i ligjshëm ku shteti përballet me mafian. Me këtë mekanizëm janë ata që duhet të justifikojnë pse kontrata është e lidhur në mënyrë të paligjshme dhe çfarë kanë bërë me paratë që kanë marrë nga kjo kontratë e paligjshme.

 

Ditët e ardhshme do të kemi një prezantim të plotë sa i përket verifikimit nga Drejtoria Antikorrupsion apo nga Ministria Anitkorrupsion, apo nga  dikasteri i veçantë antikorrupsion, në  bashkëpunim me institucionet e shtetit, procedurat që do të ndiqen, hetimi dhe procedurat që do të ndiqen me ligjin e ri nga SPAK-u dhe nga  gjykatat dhe vendimmarrja, duke përfshirë këtu rregullat e reja për vendimmarrjen gjyqësore që kanë të bëjë me  aspektin e  sekuestrimit, konfiskimit dhe kthimit të parave të këtyre kontratave tek qytetarët.

 

Kushtet për zbatimin e masave parandaluese dhe goditëse janë që kontratat apo aktet publike, të cilat dyshohen të jenë në kundërshtim me ligjin, të jenë shkelje të procedurave konkurruese publike, të jenë në shkelje të parimeve të përzgjedhjes, që janë trajtimi i barabartë, është transparenca në procedurë, është  barazia në detyrime, si dhe rrjedhojë e akteve të dyshuara korruptive apo pasojë e shpërdorimit të detyrës nga zyrtarët publikë përgjegjës.

 

Këto janë kriteret që automatikisht do t’i çojnë këto kontrata, qofshin koncensione, qofshin tendera, qofshin PPP apo të ashtuquajtura koncensione dhe PPP, automatikisht do t’i fusim në  procesin e  verifikimit, hetimit dhe vendimmarrjes  në këto tre hallka.

 

Elementi apo departamenti Anti-Korrupsion, ministria Anti-Korrupsion, prokuroria dhe gjykata.

 

Llojet e masave parandaluese dhe goditëse. Anullimi  dhe shfuqizimi i aktit apo kontratës publike,që do të thotë që  një kontratë, që akoma vazhdon të konsiderohet e vlefshme, ndonëse ka qenë e pavlefshme që në momentin që  është lidhur, si hap i parë do të anullohet zyrtarisht.

 

Konfiskimi i pasurisë së zyrtarëve publikë të përfshirë në procedurat e nënshkrimit apo miratimit të akteve ose kontratave publike. Konfiskimi i plotë apo i pjesshëm i pasurisë së paluajtshme publike të tjetërsuar së bashku me investimet e kryera në të. Konfiskimi i vlerës së plotë apo të pjesshme të fondit financiar të përfituar, pavarësisht nëse nuk është kryer apo jo shërbimi.

 

Detyrimi për të rikthyer pasurinë e paluajtshme publike në gjendjen që ishte përpara nënshkrimit apomiratimit të aktit, apo kontratës publike dhe përjashtimi i kompanisë nga çdo procedurë konkurruese publike, ose punë ose shërbim publik për një periudhë 20 vjeçare.

 

Këto pra janë masat që parashikon ligji ynë për luftën kundër korrupsionit, oligarkisë dhe mekanizmit anti-mafia. Qëllimi është i qartë, të parandalojmë dhe të godasim korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin, të mbrojmë pasurinë publike dhe garantimin e  konkurencës së lirë dhe në funksion të kësaj, procesi i verifikimit do të përfshijë të gjitha kontratat koncensionare, të gjitha kontratat e  prokurimit public, ku ka flamuj të kuq të kritereve që përmenda pak më lart. Të gjitha kontratat, të ashtuquajtura të partneritetit publik privat apo PPP.

 

Të gjitha kontratat e tjetërsimit të pasurive publike, ku pasuritë publike iu janë dhënë privatit. Të gjitha aktet e lejeve, licensave apo autorizimeve për shfrytëzimin e pasurive publike. Njësoj si në ligjin Anti -Mafia, edhe rregullat kundër korrupsionit kundër PPP-ve, koncensioneve korruptive, do të veprojnë për aktet ose kontratat publike të nënshkruara apo miratuara përpara dhe pas hyrjes në fusi të këtij ligji. Çfarë presim si efekte të këtij ligji?

 

Së pari, paratë e përfituara në mënyrë korruptive dhe klienteliste, i kthehen qytetarëve, i kthehen buxhetit të shtetit, i kthehen pasuritë publike qytetarëve. Pasuritë publike të përfituara në mënyrë publike dhe klienteliste, po kështu u kthehen qytetarëve edhe kur nuk janë fonde, nuk janë financa. Kompanitë private përgjigjen me pasurinë e tyre për përfitime abuzive.

 

Zyrtarët publikë përgjigjen me pasurinë e tyre personale për abuzimet me pushtetin. Një qasje kaq e fortë dhe e efektshme do të parandalojë korrupsionin, shpërdorimin e parave dhe të pasurisë publike edhe në të ardhmen. Pra është një ligj që bëhet edhe për nesër, jo vetëm për dje dhe sot.

 

Do të përmirësojë, pa diskutim të gjithë parametrat që janë shkatërruar të klimës së biznesit, të konkurrencës, barazisë para ligjit dhe subjekteve private, qofshin aktivitet privat, qofshin ata që janë në marrëdhënie me shtetin. Do të demotivojë dhe të parandalojë përfshirjen e biznesit privat në përfitime të padrejta në kurriz të interesit publik, në kurriz të taksave të shqiptarëve, dhe siç ju thashë edhe më parë, kontratat klienteliste dhe korruptive janë të pavlefshme dhe ligji vepron me fuqi prapavepruese. Paratë dhe pasuritë e konfiskuara përdoren për shërbime dhe investime publike.

 

Kjo është me një kalim të shpejtë thelbi i ligjit Anti-Mafia, që është mekanizmi me të cilin ne do të mundësojmë anulimin e këtyre kontratave, evidentimin e pasurive të përfituara padrejtësisht dhe rikuperimin e tyre në favor të qytetarëve. Pra, rikthimin e tyre tek njerëzit që u janë vjedhur, në radhë të parë që janë qytetarët e Shqipërisë. Dhe së fundi, për të kaluar pastaj direkt tek pyetjet. Nëse ky ligj do të ishte sot në fuqi, të gjitha këto kontrata do të ishin të anuluara.

 

Të gjitha këto para që janë paguar dhe vazhdojnë t’u paguhen oligarkëve dhe koncesioneve dhe PPP-ve korruptive, do t’ju paguheshin qytetarëve. Dhe kjo është arsyeja të nderuar përfaqësues të medias, pse nesër që mbushen tre javë që kur unë kam shpallur planin tonë me 5 pika, nuk është marrë asnjë masë.

Asnjë masë për t’i dalë përpara së keqes, edhe tani që e keqja po ulet këmbëkryq me numrin e lartë të infektimeve, infeksioneve. Me numrin në rritje të fataliteteve, vdekjeve. Me krizën ekonomike që thellohet, sepse qeveria e kapur me presh në duar dhe kryeministri i kapur me presh në duar në një vjedhje si kjo e inceneratorëve, e ka mendjen që këto javë dhe këto muaj të fundit të vazhdojë vjedhjen dhe jo të ndihmojë njerëzit. Në qoftë se paratë që kanë shkuar në këtë drejtim do të rialokoheshin, atëherë do të kishte para mjaftueshëm për planin tonë, madje mund t’ju them me gojën plot, do të kishte më shumë sesa ajo faturë që kemi prezantuar për këtë plan, që shkon afërsisht 52 milionë euro në muaj.

 

Po me 52 milionë euro në muaj, ne do të jemi në gjendje të ndihmojmë mbi 100 mijë të papunë, me një pagesë prej 160 mijë lekësh në muaj. Me 52 milionë, ne do të jemi në gjendje të stimulojmë biznesin që të rimarrë në punë ata që kanë humbur vendet e punës me jo më pak se 200 mijë lekë të vjetra në muaj për këdo që marrin në punë. Me këto para, ne do të mundësojmë që çdo mjek dhe infermier të marrë bonusin e premtuar nga kryeministri prej ditës së parë të pandemisë dhe që se ka bërë realitet 1 mijë euro për mjekët dhe 500 euro për infermierët.

 

Me 52 milionë euro në muaj, të cilat sot vazhdojnë të vidhen dhe të shpërdorohen, ne do të mundësojmë që çdo pensionist të marrë 2 mijë lekë të reja, 20 mijë lekë të vjetra çek çdo muaj, për 6 muaj me radhë për të përballuar shpenzimet shtesë, e çdo biznes i vogël të ketë një mijë euro për ta kaluar këtë periudhë 6 mujore, me të paktën një dorë në shpatulla dhe jo një shuplakë të kësaj qeverie.

 

Ndaj plani ynë me 5 pika është plotësisht i zbatueshëm. Ai ka brenda të gjitha shtresat dhe grupet që kanë rrezik të lartë për shkak të pandemisë dhe për shkak të krizës ekonomike, që vjen si rezultat i keqmenaxhimit të pandemisë, dhe ai ka brenda një faturë realiste plotësisht të pagueshme nga shteti dhe nga qeveria. Mjafton që shteti, qeveria dhe kryeministri, paratë që ju marrin qytetarëve përmes taksave, t’i kthejnë sot tek qytetarët dhe jo të vazhdojnë pagesat e aferave korruptive siç është afera e inceneratorëve.

 

Pyetje: Kam një pyetje për rrugën e Partisë Demokratike deri më 25 prill. Aktualisht që flasim nga gjiri i PD ka disa parti që garojnë në 25 prill, i referohem këtu; Bamir Topi ka partinë e vet ish-nënkryetar i Partisë Demokratike, ish-nënkryetar i Partisë Demokratike Astrit Patozi, ish-nënkryetarja e Partisë Demokratik, Jozefina Topalli ka një lëvizje, Myslim Murrizi ish –deputet i Partisë Demokratike, Rudina Hajdari ish–deputete e Partisë Demokratike. Të gjitha këto parti të dala nga Partia Demokratike do të garojnë më 25 prill. A i minojnë këto parti mundësitë e Partisë Demokratike për të fituar? 

Lulzim Basha: Te gjithë ata që ndajnë bashkë me ne dëshirën dhe vullnetin për ndryshimin që kërkon shumica dërrmuese e shqiptarëve janë pjesë e një përpjekjeje.

Ata që kanë vendosur të bëhen patericë e një qeverie, e një kryeministri të dështuar, të falimentuar që ka shkelur çdo premtim, që për dy mandate me radhë vetëm ka gënjyer, ka vjedhur dhe ka shkatërruar shqiptarët dhe ekonominë e tyre, ata mendoj se e kanë të lidhur fatin me të.

Kështu që kushdo që është për ndryshimin, kushdo që njësoj si shumica dërrmuese e shqiptarëve kërkon ndryshim e ka të hapur rrugën e opozitarizmit, në të gjitha format dhe mënyrat, ku padiskutim Partia Demokratike si forca më e madhe opozitare, ka dhe do të ketë edhe përgjegjësinë edhe rezultatin për t’iu përgjigjur sfidës së  madhe të ndryshimit që presin shqiptarët.

Është e pandalshme energjia jonë, vullneti jonë, pozitiviteti jonë, përgjigjet që kemi ndaj krizës, janë vetëm një pjesë e vogël e asaj që unë prek dhe shoh në terren ditë për ditë, nevojës ulëritëse për ndryshim dhe nuk ka forcë minore apo madhore që ta ndalë këtë. Ndryshimi është i pandalshëm.

Çdokush që ka vullnetin e sinqertë dhe dëshirën për t’iu bashkuar këtij qëllimi, në mënyrën më të sinqertë ka tek PD një aleat të natyrshëm.

Pyetje: A është përgjegjësia juaj z.Basha për t’i bashkuar të gjithë këta njerëz si lider i opozitës ? 

Lulzim Basha: Përgjegjësi të cilën e kam marrë shumë seriozisht dhe është një nga arsyet kryesore pse opozita ka sot koalicionin më të madh në historinë 30 vjeçare të pluralizmit që e shtyu njeriun që ka tmerr dhe frikë nga zgjedhjet, të bëjë të pabërën në 30 vite, të ndryshojë Kodin Zgjedhor me shpresën që do të gjëjë formula që e shpëtojnë nga e pashmangshmja.

Pyetje: Prej 4 muajsh Partia Demokratike ka nisur një proces për përzgjedhjen e kandidatëve. E para, a mund të na shpjegoni se çfarë solli ky proces për PD? Çfarë do të ndodhë me ish-kryetarët e bashkive, ish–deputetët që u s’kualifikuan, do të futen në 20% e kuotës që ka Kryesia apo ata tashmë janë jashtë listës? 

Lulzim Basha: Çdo vendimmarrje e jonë e para punës është transparente; që nga propozimet e anëtarësisë, tek procesi i verifikimit të kandidatëve, tek votimi tek anëtarësia dhe do të vazhdojë të jetë transparent. Kjo është garancia e parë që ju jap.

Ka qenë dhe do të jetë transparent çdo vendim, sot në opozitë dhe nesër ne qeverisje.

Dhe e dyta, dua t’ju them se PD nuk do të zhgënjejë shqiptarët. Zgjedhjet tona për t’i përfaqësuar shqiptarët në nivel parlamentar dhe në nivel qeverisjes vendore do të duhet të plotësojnë kriteret më të larta të integritetit moral, të përgatitjes profesionale dhe politike për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve dhe padiskutim të ndarjes së vlerave, mbi të cilat PD vepron si parti anëtare e PPE, vlerave të lirisë, të demokracisë, të lirisë së tregut, dinjitetit individual, qeverisjes së vogël por eficente, të taksave të ulëta, të çlirimit të ekonomisë nga makthi dhe ngërçi që e ka kapluar në këto 7 vite keqqeverisje të Edi Ramës. Pra, të përqafojnë vlerat e programit tonë.

Për këto të dyja keni garancinë time të plotë, gjithçka tjetër do të jetë proces, siç ka qenë deri tani dhe do të jetë një proces i hapur dhe transparent.

Pyetje: Emrat e s’kualifikuar do të hyjnë nga kuotat e Kryesisë apo jo? 

Lulzim Basha: Edhe një herë sot ju garantoj për këto dy parime: parimin e transparencës dhe faktin që nga PD publiku shqiptar, qytetarët shqiptarë do të kenë me përgjegjshmërinë më të lartë njerëz të integritetit moral dhe politik, njerëz të kapaciteteve njerëzore dhe profesionale, njerëz që do të garantojnë një qasje të re ndaj politikës, shërbimit ndaj njerëzve, shërbimin ndaj qytetarëve në veçanti në këto kohë të krizës. Çdo hap i yni do të jetë transparent siç kanë qenë të gjitha hapat e ndërmarra deri tani.

Pyetje: A ka patur përplasje mes jush dhe komisionit në lidhje me përcaktimin e kandidaturave? 

Lulzim Basha: Asnjë lloj përplasjeje, edhe për faktin se komisioni ka veprimtarinë e vet krejt të pavarur nga veprimtaria ime.

Pyetje: Në fund të punës së komisionit do të kemi drejtuesit e qarqeve apo tashmë ju i keni caktuar ata? 

Lulzim Basha: Çdo hap, çdo vendim do të jetë transparent siç ka qenë deri tani, për këtë ju siguroj.

Pyetje: Një pyetje lidhur me nismën që ju shpallët sot për antimafian. Në pamje të parë duket sikur ju po vini shenjën e barazimit mes biznesit dhe krimit të organizuar. Sepse antimafia është për krimin e organizuar. 

Lulzim Basha: Në asnjë gërmë të planit që sapo shpalosa këtu dhe të draftligjit që kemi përgatitur nuk rezulton të jetë kjo. Përkundrazi, biznesi do të ndihmohet, se i penalizuari i parë edhe në kuptimin kronologjik dhe ndër të parët edhe në kuptimin financiar është biznesi.

Shiko, në qoftë se ti merr një të panjohur dhe i thua: “Hajde këtu! Hajde të bëjmë bashkë këtë aferë. Ti bën një kompani me 1000 euro. Unë do të jap kontratë 400 milionë euro. Do bëjmë incenerator, do të sjellim plehra nga Italia, nuk do të lejojmë njeri në garë.” Kjo natyrisht dëmton interesat e shqiptarëve, dëmton interesat e qytetarëve, heq bukën e gojës të qindra, mijëra familjeve.

Po biznesin nuk e dëmton kur s’ka garë, kur tenderi është i mbyllur, kur kompanitë që marrin pjesë janë në parajsa fiskale?

Pra, pa diskutim që një nga afektet kryesore të ligjit Antimafia është që do të ndihmojë në një klimë biznesi ku biznesi të ndihet i lirë për të konkurruar, ku konkurrenca të jetë e vërtetë, ku çdokush të ketë mundësinë të marrë atë që i takon sipas meritës dhe jo sipas marrëdhënieve okulte apo akoma më keq, marrëdhënieve kriminale me të parët e qeverisë. Në këtë aspekt qoftë për atë që ka ndodhur deri sot, qoftë për atë që po ndodh sot dhe për atë që do të ndodhë nesër, ligji efektivisht do të pamundësojë që afera të tilla të tmerrshme dhe kriminale të ndodhin, dhe do të mundësojë që biznesi të ndihet i lirë të konkurrojë.

E mbani mend kur konkurronte biznesi për tendera, ku kishim 6, 12 kompani që konkurronin? Kur fitonte oferta më e ulët.  E mbani mend atë kohë apo jo? E mbani mend çfarë kursimesh kishte shteti? Në vitin 2009 kursimet nga prokurimet publike ishin 16%. Vetëm në sektorin e punëve publike në vitin 2007-2008 janë kursyer pothuajse 30%.

Tani çfarë ndodh? Preventivi 2-fishohet, 3-fishohet, 4-fishohet, 5- fishohet si në rastin e Korçë-Leskovik, dhe çdo ofertë fituese është afër fondit limit.

Nuk janë gjetjet e mia këto, as të departamenteve tona. Këto janë gjetjet e KLSH-së, këto janë gjetjet e institucioneve ndërkombëtare. Prandaj Shqipëria ka rënë poshtë e më poshtë në radhitjen e korrupsionit.

Lufta kundër korrupsionit me mekanizmin që kemi prezantuar dhe që kam përsëritur edhe sot, do të garantojë një klimë më të mirë për biznesin, do t’i mundësojë biznesit të ndihet i barabartë dhe i vlerësuar, dhe do t’i mundësojë shtetit të kursejë paratë e qytetarëve shqiptarë me gara të vërteta dhe jo me gara fiktive.

Pyetje: Ju z.Basha gjatë konferencës ngritët pyetjen :“Kush është peshku i madh?”. Këtë pyetje e cituat edhe në anglisht. Është një mesazh për ndërkombëtarët, për partnerët, doni që ata ta kuptojnë se çfarë po ndodh?  

 

Pse e thash në anglisht, por mund ta them edhe italisht mqse peshku i madh i Veronës është Miglioranzi, do ta them spanjisht, doni ta them arabisht? Ta themi në mandarinë apo kantoneze, ta themi në dialektin e Maltës? Mund ta themi në secilën prej dialekteve ku këta njerëz kanë llogaritë e tyre bankare sekrete dhe kanë fshehur milionat e përfituara nga shqiptarët. Pak rëndësi ka kjo. Kudo që t’i kenë, në Maltë, në Singapor, në Hong Kong, në Dubai apo kudo tjetër, dua t’i garantoj sot se nuk do të kenë shpëtim. Unë kam kontaktuar dhe kam harxhuar ditë të tëra me krerët e agjensive ndër më të specializuara në botë të aleatëve tanë strategjikë.

 

Puna ka nisur dhe nesër me ne në qeverisje, do të finalizohet. Nuk kanë shpëtim.

 

Nuk kishte shpëtim as Escobari, nuk do të kenë shpëtim  as këta tanët.

 

Paratë kudo që t’i kenë çuar do të gjurmohen dhe peshqit e mëdhenj, jo vetëm do të vihen përpara drejtësisë, por do të detyrohen të kthejnë prapa çdo qindarkë që i kanë zhvatur këtij populli.

 

Dhe ky është lajmi i mirë.

 

Se çfarë gjuhe e them unë, nuk ka pikë rëndësie, lajmi i mirë është që këto para nuk do t’i gëzojnë. Këto para do të kthehen tek shqiptarët.

 

Dhe për këtë nuk kemi thjeshtë fjalë, kemi një draft-ligj antimafia.

 

Ju siguroj që kemi garantuar tani bashkëpunimin me agjensitë më të specializuara në botë për gjumimin e parave të piosta të korrupsionit dhe të pastrimit të parave kudo që t’i kenë çuar.

 

Pyetje: Përsa i përket ligjin antimafia, ky ligj sa vota do të kërkojë në Parlamentin e ardhshëm, do të keni nevojë edhe për votat e mazhorancës së sotme, mund të kërkojë 84 vota, një shumicë të cilësuar.

 

Lulzim Basha: Unë pres dhe kam bindjen se shqiptarët do të votojnë masivisht për ndryshimin, për ndryshimin e vërtetë dhe pjesë e këtij ndryshimi do të jetë edhe kalimi i këtij ligji që do t’u kthejë atyre, pavarësisht nëse janë socialistë apo demokratë, paratë që një grusht njerëzish u kanë vjedhur dhe u ka zhvatur shqiptarëve gjithë këto vite. Prandaj jam i bindur se me mandatet që ata do t’i japin ndryshimit, një nga hapat e parë të ndryshimit do të jetë ky ligj.

 

Nuk do të ketë absolutisht asnjë pengesë. Asgjë nuk do ta pengojë dot vullnetin e tyre për një ndryshim real dhe pjesë e ndryshimit real do të jetë edhe ky ligj.

 

Pyetje: Z.Basha, ju folët, mund t’ju citoj, thatë: “Në Verona peshku i madh është ish-kryetari i Bashkisë, në Zimbabve është ministri”. Ndërkohë në media po qarkullon një foto e ministrit të Shëndetësisë të Zimbabve i arrestuar edhe për afera korruptive, rreth 60 milionë dollarë. Ndërkohë në këtë foto shfaqet edhe ish-deputeti Gert Bogdani. A e keni pyetur se çfarë ka ndodhur dhe a është pikërisht ky ministër për të cilin ju folët se është peshku i madh?

 

Lulzim Basha: Së pari shpresoj që Top Channel  do të japë edhe jesë të konferencës për shtyp dhe jo vetëm 4 lajme kundër konferencës sime për shtyp siç ka bërë dje dhe pardje.

Natyrisht që kjo s’është përgjegjësia jote Elda, por është përgjegjësia ime ta them sot dhe t’i kërkoj që të vazhdojë linjën e saj editoriale, është e qartë, çdo shqiptar e kuipton.

Por ajo që i bën më shumë keq Top Channel-it se sa mua është që nuk jep asgjë nga konferenca për shtyp por merret vetëm me sulmet personale ndaj meje nga ata që mendojnë se do të më mbyllin gojën.

 

Gojën s’ma mbyllin dot.

 

Ndërsa kjo sjellje e Top Channel ngre pikëpyetje.

 

Përse e bën To Channel këtë?

 

Se në fund të fundit këto janë para të qytetarëve shqiptarë. Janë para të taksapaguesve shqiptarë dhe Top Channel duhet të mbrojë edhe interesin e taksapaguesve shqiptarë, jo vetëm interesat e një partie politike.

 

Se ka një linjë editoriale pro Edi Ramës këtë e ka marrë vesh nga Australia në Alaskë.

 

Por një gjë është kjo, gjëja tjetër është të çensurosh. Mendoj që çensura nuk i bën nder, përkundrazi e diskretiton çdo media që e aplikon atë.

 

Ndërsa përsa i përket pyetjes që më shtruat, çdo person Partisë Demokratike është në dispozicion të drejtësisë për absolutisht që gjithçka që drejtësia kërkon ta marrë në dispozicion.

 

Nga unë i pari deri tek anëtari më i thjeshtë i Partisë Demokratike.

 

Pyetje: Z. Basha, për ta vijuar më tej atë që nisi kolegia e Vizion Plus, a ka një datë se kur do të prezantohen drejtuesit politikë të Partisë Demokratike në qarqe. Dhe pyetja e dytë, pak më parë Kryeministri Rama u ka bërë thirrje naftëtarëve që të dalin nga greva e urisë dhe të dialogojnë pasi greva e urisë nuk është zgjidhja e problemit. Si e shihni zgjidhjen e problemit të naftëtarëve?

 

Lulzim Basha: Për të parën, siç i thash edhe Oltës, çdo vendim do të jetë transparent, nuk do të mbajmë asnjë sekret për të gjitha vendimet tona të brendshme organizative.

 

Ajo që më pëlqen është interesi juaj i përditshëm për vendime të brendshme të Partisë Demokratike sepse unë e marr si shenjë e besimit, e shpresës këtë interes të madh për vendimet e brendshme të PD dhe ju garantoj si për çdo vendim të brendshëm të mëparshëm ne do të zbatojmë kutin e transparencës. Nuk do t’ju themi, kjo është punë e jona, a je anëtare, a s’je anëtar, përndryshe s’të kthej përgjigje, jo. Do të ketë transparencë për çdo vemdimmarrje. Do të njoftoheni, nuk do ta merrni vesh në mesnatë. Do të njoftoheni për çdo vemdimmarrje që bëj me përgatitjen e PD për fushatën elektorale.

 

Ndërsa kjo e naftëtarëve është vërtetë diçka e tmerrshme.

 

Të mos pranosh negociatat me njerëzit të cilëve u ke premtuar dhe je shkaktar që s’ke mbajtur premtimin prej vitit 2016 për rrogat e prapambetura, kësaj nuk di se çfarë emri t’i vësh.

 

Nuk negociohet me terroristët, por mos të negociosh me naftëtarët të cilëve vetë u ke premtuar dhe vetë u ke shkelur premtimin. U detyrohet 16 rroga Edi Rama. Ka dhënë premtimin. E keni me zë dhe me figurë.

 

E ka bërë me komunikim online përpara 2 vjetësh, në 2018-ën.

 

“Do të vij shumë shpejt aty, do ta zgjidh e do ta zgjidh”, gënjeshtra, pallavra, premtime të pambajtura.

 

Dhe tani thotë “Nuk negocioj”. Nuk negocion me kë? Njerëzve të cilëve u ke vënë lakun në fyt?

 

Me njerëzit të cilëve u ke dhënë premtimin ti, je ti përgjegjësi që nuk i kanë marrë ato para.

 

E dinë të gjithë se si ka ecur ajo aferë.

 

T’i vërë gishtin kokës një orë e më parë sepse për çdo jetë të çdo grevisti aty, përgjegjësi është vetëm një, kryeministri i vendit.

 

Do të ishte në çdo rethanë me kutin tim të përgjegjshmërisë. Kurse në këtë rrethanë ku është i drejtpërdrejt i përfshirë në të gjitha aferat e rafinerisë dhe të fushave naftëmbajtëse, është dyfish përgjegjës.

 

Në kushtet kur ka premtuar dhe ku s’ka mbajtur premtimin, është trefish përgjegjës për shëndetin dhe jetën e çdo naftëtari dhe çdo familjari të tyre.

 

Pyetje: Ndryshimet në ligjin antimafia do të rishqyrtojnë vendimet e SPAK-ut të marra gjatë kësaj kohe, për çështje që janë çuar qëllimisht nga qeveria përmes OFL-së dhe kanë marrë vendime pastërtie?

 

Lulzim Basha: Dua të sqaroj fare mirë se të gjitha këto ndryshime që ne prezantojmë, prezantohen për herë të parë, kështu që është e pamundur që çdo subjekt të thotë që e kam ezauruar një herë këtë proces. Ta sqaroj edhe një herë për qytetarët. Ky nuk është procesi i dënimit me burg. Ky është procesi i verifikimit, i sekuestrimit, konfiskimit të pasurive të vëna përmes aferave korruptive me principin antimafia.

 

Dhe kjo prezantohet për herë të parë me ligjin që ne do të miratojmë në javët e para të vitit të ri të dalë nga vota e shqiptarëve. Pra është e pamundur që të ndodhë ajo që thoni që e kemi bërë një herë, s’e kemi bërë, është e pamundur. Do të ndodhë për herë të parë pas kalimit të këtij ligji.

 

Falemnderit. Javë të mbarë!