Basha, takime me biznesin e taksive në Tiranë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha zhvilloi sot një varg takimesh me bizneset e taksive në qytetin e Tiranës.

Taksistët janë kategoria më e goditur nga karantina 3 mujore, ndërsa masat e distancimit fizik kanë dekurajuar kërkesën për këtë shërbim.

Vetëm në qytetin e Tiranës më shumë se 2000 taksistë paguajnë çmimin më të lartë të karburantit në kontinent, tarifa të larta të liçensimit dhe kosto të rritura nga burokracitë e panevojshme.

Kërkesat kryesore të qytetarëve të vetëpunësuar në këtë sektor ishin po ato urgjenca që programi ekonomik i Partisë Demokratike parashikon të zgjidhë.

Basha u prezantoi taksistëve planin e tij për përgjysmimin e taksës së qarkullimit. Ky përgjysmim i taksës – tha Z. Basha – do të ulë kostot për të gjithë sektorët e ekonomisë.

Më shumë para në xhepat e sipërmarrësve dhe qytetarëve do të thotë konkurrencë më e madhe për shërbime më cilësore dhe ekonomi më të madhe.

Problemet kryesore – tha Z. Basha – mund të përmblidhen në çmimin e lartë të karburantit për shkak të taksave të larta, konkurrencën e pandershme dhe monopolin në sektorin e taksive. Regjimi ka bllokuar me monopolet e oborrit të tij edhe këtë segment të biznesit të vogël dhe vetëpunësimit.

Plani ynë i Rimëkëmbjes me 5 pika është një ndihmë shpëtimtare veçanërisht për biznesin e taksive në 6 muajt e ardhshëm:

Çeku prej 1000 eurosh për gjashtë muajt e ardhshëm mbulon kostot e larta të liçencës, taksave lokale dhe shërbimeve teknike shtesë, që taksistët kanë vite që s’i përballojnë dot;

Pagesa mujore shtesë prej 160 mijë lekësh pë rata që kanë humbur punën, shtesa prej 20 mijë lekësh për të gjithë pensionistët dhe nxitja e ripunësimit duke ndihmuar me 20 mijë lekë në muaj bizneset për çdo ripunësim;

E gjithë paketa do të ndihmojë konsumin me mbi 300 milion euro dhe do të zbusë ngërçin e konsumit në tërësi.

Basha u angazhua, në fund të këtij takimi, se programi i Partisë Demokratike do të ulë taksat, do të luftojë monopolet dhe rikthejë konkurrencën në këtë sektor si në të gjithë sektorët e ekonomisë.