• Tre aferat korruptive të inceneratorëve të Fierit, Tiranës dhe Elbasanit me mbi 400 milion euro, janë vjedhja e shekullit. Kjo aferë nuk mund të bëhej pa aprovimin e Edi Ramës

 

  • Buxheti i 2021, inceneratorit të Tiranës i rritet pagesa nga 7 në 11 milion euro. Gjendja inceneratorit të Elbasanit i ngjan një burgu mafioz. Në ditët e tij të fundit planifikon të marrë 148 milionë dollarë nga xhepat e shqiptarëve.

 

  • Buxheti i vitit 2021, më i papërgjegjshmi në 30 vite, tabloja më e qartë e dorës së Edi Ramës në xhepat e shqiptarëve. Buxheti i 2021 është i pavlefshëm, akti i fundit i një qeverie pa legjitimitet.

 

  • Çdo qindarkë që kjo bandë e babëzitur ka grabitur do t’i merret e do t’u rikthehet shqiptarëve. Çdokush që ka ndërmend të hyjë në një marrëdhënie kontraktuale me shtetin në katër muajt e fundit të pushtetit, të ketë kujdes.

 

  • Plan me ynë me 5 pika na ka sjellë në mënyrë të natyrshme tek vjedhja e shekullit me inceneratorët. Kjo nuk është një kacafytje politike, kjo është një luftë për të shpëtuar Shqipërinë nga një e keqe e madhe.

 

  • Edi Rama është i mbaruar, kjo është vetëm çështje kohe. Opozita do ti fitojë thellë zgjedhjet dhe do ti kthejë shpresën dhe sigurinë për të nesërmen çdo shqiptari. Sa më shpejt të shkurtohet rrugë e vuajtjeve për shqiptarët aq më mirë do të jetë për të gjithë.

 

 

KONFERENCA E PLOTË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA

 

Mirëdita! Ju përshëndes përfaqësues të medias!

Ditën e sotme përfaqësuesit e Partisë Demokratike po dorëzojnë kallëzimin e tretë penal për inceneratorin e Fierit në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit, që njihet SPAK.  Në momentet që flasim po depozitohet ky kallëzimi i tretë, ndërkohë që së bashku kemi qenë dëshmitarë se ditën e hënë është dorëzuar kallëzimi për inceneratorin e Tiranës dhe dje për inceneratorin e Elbasanit.

Për më shumë se një orë e gjysmë kolegët tuaj kanë pasur përpara tyre të akuzuarin kryesor të  një grupi të përbërë nga kryeministri, ish-ministri i Financave, aktualisht ministri për Rindërtimin, ish-ministri i Ekonomisë dhe i infrastrukturës, Damian Gjiknuri, kryetari i bashkisë së Tiranës dhe individë pjesëmarrës në këtë skemë jo thjesht korruptive, po mafioze.

I pari i këtij grupi, për një orë e gjysmë sot nuk ka dhënë një minutë të vetme, llogari për atë që tashmë është një kallëzim zyrtar, penal për vjedhjen e shekullit. Mbi 400 milionë euro të shqiptarëve, për tre afera korruptive, të cilat vetëm deri sot i kanë kushtuar shqiptarëve plot 75 milionë euro të taksave të tyre.

Arsyeja pse i ka bërë bisht edhe sot pyetjeve, që ka dy javë që nuk i përgjigjet është zbuluar në vendimin e djeshëm të qeverisë për të prezantuar buxhetin e vitit 2021.

Buxheti më i papërgjegjshëm në 30 vite, gënjeshtra më e madhe në 30 vite, por edhe tablo më e qartë e Edi Ramës në njëra anë dhe të gjithë qytetarët shqiptarë në anën tjetër, përballë njëri-tjetrit.

Shqiptarët përballë një njeriu, që edhe në muajt e tij të fundit të pushtetit, vazhdon të zgjasë dorën e tij në xhepat e shqiptarëve dhe të vjedhë paratë e tyre për koncesione, për PPP dhe afera të tmerrshme korruptive si ajo e inceneratorëve.

Kam përpara jush dhe do t’ju shpërndahet gjerësisht nga zyra e shtypit, tabelën që tregon se sa para ka planifikuar Edi Rama t’ju japë kontratave korruptive të koncesioneve dhe PPP-ve për vitin e  ardhshëm.

Vetëm inceneratorët, do të marrin vitin e ardhshëm 30 milionë euro, sipas këtij plani.  Në total, afro 120 milionë euro janë planifikuar t’u paguhen këtyre kontratave dhe koncesioneve korruptive.

Kjo shumë është 6 herë më e lartë sesa shuma që qeveria ka planifikuar për indeksimin e pensioneve të të gjithë pensionistëve të Shqipërisë.

Kjo shumë është 3 herë më  e lartë sesa shuma që është dedikuar për të gjithë familjet në nevojë dhe në ndihmë ekonomike.

Kjo shumë do të mjaftonte për të mbuluar, për Janarin, Shkurtin dhe për Marsin, deri në javën e dytë të Marsit paketën tonë, planin tonë me 5 pika kundër pandemisë.

Kurrë nuk ka qenë më e qartë zgjedhja e një qeverie, të zbatojë planin tonë me 5 pika apo të vazhdojë vjedhjen deri në ditët e saj të fundit.

Para se ta vazhdoj këtë argument, le të ndjekim live, shpresoj pa probleme teknike të gjithë televizionet, deklaratën e përfaqësuesve tanë që sapo kanë depozituar kallëzimin e tretë për inceneratorin e Fierit.

Besoj është e qartë, çdo shqiptar që e ka ndjekur këtë prononcim. Sepse të gjithë e dimë, ndodh një ngjarje më e rëndomta kriminale dhe policia dhe prokuroria japin informacion. U pyet i moshuari, u  morën gjurmët e gishtërinjve, u krahasuan të dhënat, u thirr dëshmitari. Ndërsa këtu, ndonëse kjo është afera më e madhe dhe e rëndë korruptive këto 30 vite, vjedhja e shekullit, akoma asnjë veprim dhe asnjë komunikim nga Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion. Kjo natyrisht inkurajon hajdutët të bëjnë edhe më shumë.

Ja çfarë kanë planifikuar për vitin e ardhshëm:

120 milionë euro të tjera për kontratat korruptive të ashtuquajtura PPP dhe  koncesione. Vetëm për koncesionet 20 milionë euro. Madje ia kanë rritur. Tiranës i kishin parashikuar 7, ia kanë çuar 11 milionë euro. Tiranës, ku plehrat i mbledh kompania bijë e kompanisë në Verona, drejtues i së cilës është arrestuar nga anti-mafia italiane, Milioraci si përfaqësuesi i Ndraghet-ës në Verona.

A ka fakt më ulëritës se ky?

Se e njëjta kompani, dhe këtu akoma nuk janë thirrur të dyshuarit kryesorë, ata që kanë firmosur aferën. Ndërkohë që faktet i ka mësuar çdo shqiptar, çdo shqiptar. Na vijnë mesazhe nga brenda rrethimit të Tiranës dhe Elbasanit. Ditë për ditë na thonë që situata brenda është si të jesh brenda një burgu mafioz. Qindra qytetarë që na çojnë mesazhe, përfshirë edhe socialistë të ndershëm. Të vetmit që nuk lëvizin akoma janë  prokurorët e SPAKU-t. Ndërkohë, banda apo grupi i strukturuar kriminal vazhdon të lëvizë.

Shikoni çfarë planifikon për vitin e ardhshëm:

Në ditët e tij të fundit planifikon të marrë 145 milionë dollarë apo 118 apo 120 milionë euro prapë nga xhepat e shqiptarëve.

Kjo nuk është një betejë midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

Ky nuk është një debat politik midis meje dhe kryeministrit në ikje.

Kjo është një aferë që përball çdo shqiptar me një grup të strukturuar kriminal, me një bandë që po u vjedh paratë në kohën e  pandemisë, në kohën e krizës ekonomike, në kohën kur s’kanë mjaftueshëm të ardhura për të ushqyer fëmijët e tyre, në kohën kur s’paguajnë dot as për maskën për të cilën ky kërkon gjobë në qoftë se nuk e vendos.

Në kohën kur mbi 100 mijë shqiptarë e kanë humbur vendin e punës dhe s’ka as paketë të tretë dhe asnjë lloj ndihme ekonomike.

Në kohën kur numri i të infektuarve rritet, dyfishohet brenda 2-3 ditëve dhe s’ka asnjë masë konkrete. As për mjekësinë, as për bonusin e premtuar për mjekët dhe infermierët, as për rritjen e testimeve në shifrat minimale prej 2500  testimesh, që kemi 6 muaj që e kërkojmë.

As për rimbursimin e ilaçeve të të sëmurëve me COVID që trajtohen në shtëpi, që zoti e e di se nga ku i nxjerrin 600 mijë lekë minimum për trajtimin e tyre.

Sepse paratë e shqiptarëve, kjo bandë i ka vjedhur dhe vazhdon t’i vjedhë.

Ndaj përballja është midis të gjithë shqiptarëve dhe Edi Ramës, kreut të kësaj bande, pa firmën e të cilit asnjëra prej tyre nuk kishte për të ndodhur.

Nuk ka njeri në botë që të mos ta kuptojë që një aferë e tillë nuk mund të bëhet kurrsesi pa dijeninë, pa aprovimin, pa miratimin dhe pa përfitimin e drejtpërdrejt të të parit të qeverisë.

Nuk ka shqiptar që nuk e kupton se kjo paralizë totale e drejtësisë, edhe e drejtësisë së re dhe kjo vello censure që u është hedhur shumicës së mediave shqiptare për këtë aferë, komandohet vetëm dhe vetëm nga  bashkimi i interesave mafioze të mafies së plehrave me interesat korruptive të Edi Ramës, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknurit, Lefter Kokës, Erion Veliajt dhe përfaqësuesve të mafies së plehrave në këto afera.

Kjo, është një arsye më shumë dhe një angazhim dhe për qeverinë e ardhshme, që në krye të listës së sfidave dhe problemeve me të cilat do të ballafaqohet vendi, shumë shpejt të jetë edhe ligji anti-mafia që prezantova këtu para jush dhe që t’i gjurmojmë paratë e tyre kudo ku i kanë, në Maltë apo në Qipro, në Singapor apo në Hong Kong.

Kudo ku i kanë fshehur paratë që u kanë vjedhur shqiptarëve dhe me ligjin që kemi propozuar t’ua gjurmojmë, t’ua sekuestrojmë, konfiskojmë dhe kthejmë këto para zotërve të tyre të vërtetë, që i kanë nxjerrë kacidhe pas kacidhe dhe nga xhepat e tyre që janë taksapaguesit e varfëruar shqiptar.

Natyrisht, buxheti i 2021-it nuk ekziston, është akti i fundit i hajdutërisë e një qeverie e cila ka humbur çdo legjitimitet demokratik, moral, institucional.

Ndaj dua t’i drejtohem çdokujt që ndoshta sheh veten e vetë të pasqyruar në këtë buxhet, të jetë shumë i kujdesshëm. Sepse bashkëpjesëmarrja në zhvatjen e parave të shqiptarëve do t’i bëjë bashkëfajtorë. Pavarësisht se zgjedhjet janë më 25 prill dhe do të doja të ishin këtë të dielë dhe jo më 25 prill, asgjë nuk do të na ndalojë që çdo qindarkë që këta, kjo bandë e babëzitur do të zhvasë përmes taksave e do të vjedhë përmes shpenzimeve publike korruptive, ta marrin e ta rikthejnë në cilindo xhep të shkojë. Se pa këtë nuk bëjmë dot asgjë tjetër.

Ndaj, në emër të prindërve shqiptarë, që kanë humbur vendin e punës dhe nuk kanë me çfarë të paguajnë bukën e fëmijëve të tyre, në emër të pacientëve shqiptarë me COVID, apo me sëmundje të tjera të cilët nuk marrin  as rimbursimin për ilaçet, në emër të mjekëve dhe infermierëve shqiptarë që janë të vetmit në rajon që nuk kanë përkrahje nga shteti, në emër të pensionistëve shqiptar për të cilët banda në pushtet ka ndarë 6 herë më pak vitin e ardhshëm sesa për koncesionet dhe PPP korruptive.

I bëj thirrje çdokujt që ka ndërmend që të ndërtojë një marrëdhënie kontraktuale me shtetin në katër muajt e fundit të qeverisë në ikje, të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm sepse çdo kacidhe, çdo tender, çdo marrëdhënie, çdo kontratë, do t’i nënshtrohet ligjit të ri anti-mafia.

Nuk kam për t’i lënë pensionistët pa pension.

Nuk kam për t’i lënë vogëlushët në kushte të mjerueshme të shkollave ku 70% e të cilave janë akoma pa ujë të rrjedhshëm.

Nuk kam për t’i lënë shqiptarët të vetëm në Ballkan, që nuk marrin kacidhen e bukës së gojës edhe kur kanë humbur vendin nga pandemia.

Jo!

Do t’ua nxjerrim nga pasuritë kudo që t’i kenë fshehur.

Do t’ua nxjerrim nga xhepat, do t’ua nxjerrim nga kontot bankare në Shqipëri dhe jashtë Shqipërie.

Do t’ua nxjerrim nga pasuritë e patundshme, do t’ua nxjerrim nga hunda çdo qindarkë që u kanë vjedhur shqiptarëve.

Ja kjo është arsyeja, vazhdimi i aferës korruptive. Thirrja ime e përsëritur për SPAK-un, ja çfarë bëni ju kur nuk veproni, kur nuk ndëshkoni hajdutët, kur mbroni dhe nuk ndëshkoni politikanët e korruptuar. Ja çfarë bëni ju!

Zotërinj të SPAK-ut, ju inkurajoni vjedhjen, ju inkurajoni hajdutërinë e parave të shqiptarëve, ju bëni bashkëpërgjegjës që shqiptarët mos të kenë masa lehtësuese që kanë tre javë e një ditë t’i përsërisë ditë për ditë për shëndetësinë, për vogëlushët dhe mësuesit, për shqiptarët e shpunësuar nga keqqeverisja dhe keqmenaxhimi i krizës. Për biznesin që nuk mban dot kokën mbi ujë.

Sot, është koha mos ta kyçni, por ta hapni gojën dhe të tregoni se kur keni ndërmend t’i kyçni në pranga anëtarët e grupit të strukturuar kriminal, për shkak të të cilëve shqiptarët janë i vetmi popull në Ballkan që nuk merr dot mbështetje financiare në këto kohë të vështirë nga lekët që ka paguar vetë si taksa, sepse taksat vazhdojnë të vidhen nga ky grup kriminal.

 

Pyetje: Z.Basha ju dy ditë më parë keni thënë se keni patur bisedime të gjata me krerët e disa agjencive të specializuara. Me aq sa mund të thuhet, kush janë këto agjenci dhe cilave vende i përkasin dhe cili ishte fokusi i bisedimeve? Kush ishte shqetësimi kryesor i tyre?

 

Lulzim Basha: Fokusi i bashkëpunimit të Partisë Demokratike, timit personal dhe departamenteve përkatëse me agjencitë e specializuara euroatlantike, të partnerëve tanë strategjikë euroatlantikë është ndihma e specializuar për të gjurmuar, gjetur, konfiskuar pasuritë e zyrtarëve të korruptuar të depozituara në konto bankare jashtë Shqipërisë apo të ngurtësuara në forma të tjera jashtë Shqipërisë dhe natyrisht edhe bashkëpunimi edhe më i gjerë kundër krimit të organizuar.

 

Pyetje: Z.Basha pak para jush ishte në konferencë edhe kryeministri Edi Rama dhe në bashkëbisedimin me gazetarët deklaroi se “nëse zgjedhjet do të ishin të djelën, Partia Socialiste i fiton”-referuar sondazhe, sipas kryeministrit. Partia Demokratike a ka sondazhe dhe si paraqitet?

 

Lulzim Basha: Ne kemi dy vjet që kërkojmë zgjedhje të parakohshme. Ne dogjëm mandatet për zgjedhje të parakohshme. Pse nuk i bëri zgjedhjet e parakohshme? Pse ky njeri që kontrollon edhe parlamentin, edhe qeverinë, edhe policinë, edhe Shërbimin Sekret, edhe buxhetin, edhe paratë e pista të drogës, edhe bandat kriminale, edhe oligarkët, edhe shumicën e mediave; pra kontrollonte gjithçka në këtë vend donte t’i merrte komisionerët opozitës në qoftë se qenka kaq mirë në sondazhe.

Pse hodhi në erë paktin e nënshkruar në rezidencën e Ambasadës Amerikane, të përshëndetur nga sekretari Pompeo, nga përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme, Borrel, nga komisioneri për Zgjerimin, Varhelyi? Dhe në këtë mënyrë i mbylli derën Shqipërisë për të nisur negociatat e anëtarësimit, sa kohë që ky është në pushtet, në qoftë se sondazhet i dilnin në rregull.

Këto janë deklaratat e një njeriu në panik dhe të një gënjështari të kapur në mënyrë të përsëritur në flagrancë.

Edi Rama ka mbaruar.

Është çështje kohe dhe sa më shpejt aq më mirë. Opozita do ti fitojë thellë zgjedhjet dhe do ta përdorë këtë fitore për ti kthyer çdo shqiptari, pavarësisht prej bindjeve politike, shpresen dhe sigurinë për të nesërmen. Për këtë ditë për ditë po bëjmë detyrën tonë, jo vetëm duke denoncuar por dhe duke treguar rrugën e vështirë por plotësisht të mundëshme për rikthimin e Shqipërisë në duart e shqiptarëve dhe jo në duart e një bande që I ka ditët të numëruara.

 

Pyetje: Ju thatë pak më parë se do të donit që zgjedhjet të ishin këtë të dielë, por referuar kësaj deklarate a do ti kërkoni ju Presidentit Meta shpërndarjen e Parlamentit, duke patur parasysh që një deklaratë e tillë ka ardhur edhe nga një prej aleatëve tuaj, zoti Mediu?

 

Lulzim Basha: Shqetësimi kryesor i imi sot, nesër dhe pas 25 prillit do të jetë gjithmonë shqetësimi kryesor kryesor i shqiptarëve dhe në funksion të kësaj nuk do të kursej absolutisht asnjë akt, veprim, thirrje apo lëvizje që do ta ndihmonte situatën.

Padiskutim nëse zgjedhjet do të ishin mbajtur në 2019-ën, atëherë kur ne dogjëm mandatet, rruga e të keqes do të ishte shkurtuar. Sa më shpejt të shkurtohet kjo rrugë e vuajtjeve për shqiptarët aq më mirë do të jetë për të gjithë.

Detyrat janë të përcaktuara dhe ne detyrën tonë si opozitë, dhe unë detyrën si kryetar i opozitës e kam bërë dhe do të vazhdoj ta bëj me një gjë në mendje: Interesat e shqiptarëve të thjeshtë.

Prandaj kemi dalë me këtë plan me 5 pika që na ka sjellë në mënyrë të natyrshme tek vjedhja e shekullit me inceneratorët. Kjo nuk është një kacafytje politike. Kjo është një luftë për të shpëtuar Shqipërinë nga një e keqe e madhe, për ta larguar këtë të keqe dhe për të nisur ndryshimin. Dhe unë do të mirëpres dhe përshëndes çdo hap që ia shkurton ditët së keqes.

Faleminderit!