• “Me helikopter ushtarak për fushatën e PS”, PD padit në SPAK Ministren e Mbrojtjes: Shpërdoroi detyrën për qëllime elektorale. Ja sa vjet burg rrezikon Olta Xhaçka.​

NJOFTIM PËR SHTYP I PARTISË DEMOKRATIKE DEKLARATAT E PLOTA TË ALBANA VOKSHIT DHE GENT STRAZIMIRIT

Partia Demokratike dorëzoi sot në SPAK kallëzimin penal kundër Ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe autoriteteve ushtarake që kanë manipuluar të dhënat për përdorimin e helikopterit ushtarak për fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste. Në kallëzim, argumentohet me fakte konkrete të fluturimeve dhe të aktiviteteve elektorale të PS në Dibër në të njëjtën ditë, se Ministrja e Mbrojtjes ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe të përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike dhe zgjedhore.

Për secilën nga shkeljet e ligjit, Kodi Penal parashikon përkatësisht deri në 7 dhe deri më 3 vjet burg.  Në kallëzimin penal, të dorëzuar nga përfaqësuesit e PD, Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri, jepen detaje për shkeljen e ligjit nga Ministrja e Mbrojtjes, duke përdorur helikopterin ushtarak për qëllime elektorale, pasi është emëruar drejtuese politike e PS në Dibër.

Pas shpalljes nga Presidenti të datës së zgjedhjeve, janë të paktën 8 data të dy muajve të fundit, që Olta Xhaçka ka përdorur helikopterin ushtarak për të shkuar në zonën e saj elektorale dhe për të kryer aktivitete për PS.

Duke theksuar se ka pamje filmike dhe foto që provojnë veprën penale të Olta Xhaçkës dhe ia bëjnë punën më të lehtë SPAK-ut, zonja Vokshi vuri në dukje kontrastin e thellë mes pushtetit dhe qytetarëve.

“Në kohën që ministrja e Mbrojtjes, për pushtetin e Edi Ramës, abuzon me helikopterin, i cili kushton deri në 10 mijë euro për një udhëtim, nënat nuk ç’t’u japin fëmijëve për të ngrënë, nuk mundet t’i arsimojnë, mijëra prej tyre jetojnë akoma në çadra me kushte mizerabël, në varfëri ekstreme, nuk mund të përballojnë kurat dhe ilaçet, nuk mund të bëjnë një tampon. Janë me mijëra mësuese që rrezikojnë çdo orë, që shfrytëzohen si skllave, me dhjetëra orë të papaguara ne javë që nuk arrijne te paguajnë për ilaçet dhe kurat anticovid.”- u shpreh Albana Vokshi.

Përveç Ministres së Mbrojtjes, faktet në kallëzim penal implikojnë rëndë edhe Komandantin e Forcave Ajrore, i cili ka manipuluar arsyet e udhëtimit të helikopterit, duke i deklaruar për qëllime stërvitore, kur është e provuar se qëllimi ka qenë elektoral, në interes të PS.

“Partia Demokratike kreu detyrën e saj qytetare duke ia sjellë SPAK-ut të gjithë dokumentacionin që disponon së bashku me provat përkatëse duke i dhënë një mundësi për të treguar që nuk është e kapur nga qeveria, por është në shërbim të ligjit dhe të interesit publik”- u shpreh Gent Strazimiri.

Edhe në kallëzimin e dorëzuar sot, Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut që të trajtojë të gjithë njësoj përpara ligjit.

“Ky kallëzim apo kallëzimet e ngjashme me të, janë rasti ideal që edhe SPAK të sprovohet në sytë e mbarë opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar dhe të tregojë me vepra se organet ligjzbatuese shqiptare do të vendosin përpara përgjegjësive çdo shkelës të ligjit, pavarësisht nëse është apo jo i pasur apo i veshur me pushtet.”- thuhet në kallëzimin penal të Partisë Demokratike.

DEKLARATË E PARTISË DEMORKATIKE,  ALBANA VOKSHI 

Jemi tek Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të sjellë kallëzimin për Ministren e Mbrojtjes, znj.Olta Xhaçka dhe drejtuesin e Forcës Ajrore të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me denoncimin që kemi bërë që prej dy javësh tashmë, me abuzimin me fondet publike dhe shpërdorimin e postit.

Sikurse e përmenda, prej dy javësh Partia Demokratike ka denoncuar me fakte konkrete, me prova filmike abuzimin me fondet publike të minsitrës se Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Ajo që në momentin që ëshët caktuar drejtuese poiltikë e Edi Ramës në Qarkun e Dibrës, ka përdorur si taksi personale, helikopterin e Forcave të Armatosura. E ka përdorur këtë helikopter në mënyrë të përsëritur, të vijueshme që prej një viti. PD ka shfaqur edhe prova filmike në lidhje me vërtetësinë e këtij denoncimi. Gjithashtu kemi shfaqur datat të cilat ajo ka udhëtuar.

Vetëm në dy muajt e fundit janë 22 udhëtime të bëra nga Olta Xhaçka në Qarkun Dibër, udhëtime që nuk kanë asnjë lidhje me postin e Ministres së Mbrojtjes, por kanë lidhje me organizime të strukturave të partisë Socialiste, pra me fushatën elektorale të PS në Qarkun Dibër. Një udhëtim kushton nga 5 deri në 10 mijë euro. Në vetëm dy muajt e fundit janë mbi 100 milionë lekë të shpenzuara, pra të abuzuara, nga ministrja e Mbrojtjes. Në kushtet e një krize të thellë ekonomike, shoqërore, shëndetësore, ky akt abuzimi të fondeve publike shkon përtej papërgjegjshmërisë.

Këto ditët e fundit unë kam marrë me qindra mesazhe nga gra, nga nëna të cilat janë të revoltuara, janë të frustruara për abuzimin që një grua, një nënë ka bërë me paratë e taksave të tyre. Në kohën që Ministrja e Mbrojtjes abuzon me helikopterin i cili kushton deri në 10 mijë euro për një udhëtim për ruajtjen e pushtetit të Edi Ramës, nënat nuk ç’t’u japin fëmijëve për të ngrënë, nuk mundet t’i arsimojnë, Janë me qindra, me mijëra gra të cilat ende sot jetojnë në çadra sepse banesat e tyre u shembën nga tërmeti, Jetojnë më kushte mizerabël, në varfëri ekstreme.

Në kohën kur ministrja shpenzon në 2 muaj mbi 100 milionë Euro nënat jetojnë më shumë se në varfëri. Nuk mund të përballojnë kurat dhe ilaçet për të afërmit e tyre, për fëmijet e tyre, nuk mund të bëjnë një tampon. Janë me mijëra mësuese që rrezikojnë çdo orë që shfrytëzohen si skllave sepse ka me dhjetëra orë të papaguara ne javë që nuk arrijnë të paguajnë për ilaçet dhe kurat anticovid.

Kjo shkon përtej papërgjegjshmërisë. Kemi pritur prej dy javësh që ministrja dhe Kryeministri të reagojnë. Ndaj jemi këtu pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në mënyrë që të dërgojmë këtë kallëzim. I kërkojmë prokurorisë, SPAK-ut, që të kryejë hetime të thelluara, profesionale.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, GENT STRAZIMIRI

Të gjitha këto që tha zonja Vokshi përbëjnë vepër penale dhe në bazë të Kodit Penal përmblidhen në tre vepra penale, për Ministre e Mbrojtjes  shpërdorim i detyrës dhe përdorim i funksionit për veprimtari politike apo fushate zgjedhore si dhe secilin prej atyre ushtarakëve të cilët kanë pasur për detyrë të ndalojnë këtë abuzim dhe viedhje të saj veçanërisht në këtë kohë pandemie dhe halli të madh për pjesën më të madhe të shqiptarëve, do te duhet të pergjigjen për shpërdorim të autoritetit ushtarak.

Ligji është i qartë që funksionari publik, Ministri apo cilido prej drejtuesve te lartë të shtetit, veçanërisht përsa i perket mjeteve ushtarake, nuk mundet t’i përdorë perveçse brenda funksionit të tij zyrtar.

Shqipëria që duam, apo secila prej slloganeve te PS, apo secila prej mbledhjeve të PS, nuk kanë lidhje me funksionin publik apo funksionit shtetëror të Ministres Olta Xhaçka.

Kështu që, përdorimi i mjeteve ushtarake, të Forcave të Armatosira, për të shkuar në këto mbledhje siç ajo vetë dëshmon përmes facebook-ut të saj, përbën vepër penale dhe janë vepra të rënda për te cilat merret Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit dhe Prokuroria përkatëse dhe janë vepra që dënohen në jo më pak se 7 vjet burg, ose jo më pak se 3 vjet burg.

Partia Demokratike kreu detyrën e saj qytetare duke ia sjellë SPAK-ut të gjithë dokumentacionin që disponon së bashku me provat përkatëse duke i dhënë një mundësi për të treguar që nuk është e kapur nga qeveria, por është në shërbim të ligjit dhe të interesit publik.