• “Qeveria me luks në Dubai, banorët në Zall-Bastar rrezikojnë jetën për një urë”, Jorida Tabaku denoncon mungesën e investimeve: Mjaft më me fasadën. Njerëzit duan ndryshim.

 

 

Reshjet e shiut kanë nxjerrë në pah vjedhjen e qytetarëve dhe premtimet e pambajtura nga qeveria. Në Zall – Bastar, përfaqësuesja e PD, Jorida tabaku u takua me disa banorë, të cilët treguan se vetëm 15 kilometra larg Tiranës gjendja e tyre është mjerueshme. Nuk kanë rrugë, nuk kanë një urë të sigurtë për të kaluar fëmijët, nuk kanë asnjë investim, me gjithë premtimet e shumta të Edi Ramës dhe Erion veliajt.

 

“Gjendja e fshatit është katastrofike. Ne po vuajmë për gjithçka, këtu rrugë nuk ka, njerëzit janë pa punë, nëpër çadra, por pushtetarët po paguajnë miliona për të bërë qejfet e tyre”- tha një banor  “Nuk bëhet fjalë për investime. Këtu bëhet fjalë vetëm për mashtrime të qeverisë. Edhe dëmet e tërmetit i kanë ndarë këto të PD-së, këto të PS-së.”- u shpreh një banori tjetër, ndërsa një kryefamiljar tregoi sesi mungesa e investimeve ndikon në jetën  e përditshme.

 

“U bë 8 vjet Edi Rama, dhe 6 vjet Erjon Veliaj në fshatin Vilëz nuk ka asnjë investim dhe rruga siç e shihni, fëmijët e shkollës së mesme nuk kanë ardhur, sepse nuk kalohej.”

 

Bashkë me banorët, Jorida Tabaku vizitoi disa zona në Zall-Bastar, ku një pjesë është e izoluar për shkak të reshjeve dhe pamundësisë për të kaluar një urë të vjetër dhe të rrezikshme.

 

“Jemi vetëm 15 km larg Tiranës, ndërkohë që këtu nuk ka absolutisht asnjë lloj investimi, nuk ka asnjë zyrtar të qeverisë. Dhe kemi një situatë ku 2000 banorë të fshatit Vilë që ndodhen në anën tjetër të urës, janë të izoluar. Sot kur Shqipëria është nën shi, kur qeveritarët e zhytur në luks udhëtojnë për dreka dhe për darka me oligarkët dhe me delegacionet me burimet financiare të buxhetit të shtetit, sot kur qeveria tallet. Banorët e harruar të Zall-Bastarit vuajnë vetëm si rezultat i investimit të munguar, që nuk i kushton asgjë buxhetit të shtetit, që është asgjë në krahasim me shpenzimet miliona euroshe që kjo qeveri ka bërë. “- u shpreh tabaku.

 

Jorida Tabaku dënoi politikën diskriminuese të qeverisë dhe të bashkisë për mungesën e investimeve dhe mos mbajtjen e premtimeve.

 

“Nuk ka pse të këtë qytetarë të Tiranës, që kanë 8 vite që presin një urë. Nuk ka pse të ketë qytetarë që diskriminohen politikisht, pse janë të majtë e të djathtë, për të marrë fondet e rindërtimit apo për t’iu rregulluar shtëpitë. Ka ardhur koha që shqiptarët të mendojnë për veten e tyre. nuk mundet që qeveritarë si Edi Rama të mbajnë peng zhvillimin e qytetarëve, të mbajnë peng ekonominë e qytetarëve, të mbajnë peng të ardhmen e të rinjve. Janë banorë të Tiranës që janë të harruar, janë banorë të harruar nga qeveria, të përdorur politikisht sa herë u nevojitet për vota Edi Ramës dhe Erjon Veliajt. Ka ardhur koha që t’i themi mjaft përdorimit politik, t’i themi mjaft qeveritarëve  që vetëm abuzojnë me paratë e shqiptarëve, me taksa paguesit e ndershëm si këta që kam takuar sot këtu, që shkojnë për dreka e për darka e nëpër udhëtime dhe nuk shpenzojnë as 1/10 e atyre fondeve për të siguruar kushte minimale jetese. Nuk ka përse të ketë Shqipëria qytetarë të dorës së dytë, nuk ka përse të ketë Tirana, qytetarë të dorës së dytë. Shqipëria ka nevojë për investime, qytetarët kanë nevojë për shpresë, kanë nevojë për mundësi ekonomike. mjaft më me modelin e Rilindjes fasadë, mjaft më me lënien e qytetarëve, 15 km larg Tiranës, në harresë të plotë.”- theksoi Jorida Tabaku.