Të dashur motra dhe vëllezër nga Kosova,
Në këtë datë, të dytën më të rëndësishmen të kombit tonë, dua t’ju uroj nga zemra gëzuar Ditën e Pavarësisë!
Sot kujtojmë me nderimin më të thellë presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën. Komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin dhe mijëra bijat dhe bijtë e Kosovës që vunë në altarin e lirisë dhe pavarësisë jetët e tyre dhe gjakun e tyre.
Sot Kosova përballet me sfida të mëdha. Po unë jam i sigurt se qytetarët e Kosovës, forcat politike të Kosovës dhe të gjitha institucionet e Kosovës kanë tashmë të gjithë përvojën, energjinë dhe vendosmërinë për ta çuar Kosovën përpara drejt njohjeve të reja ndërkombëtare, drejt fuqizimit të ekonomisë së saj dhe prosperitetit për çdo qytetar të Kosovës.
Në këtë rrugëtim nuk do të jeni kurrë vetëm. Shqipëria do të jetë krah për krah me ju dhe unë ju garantoj se çdo ditë të jetës time, sot si kryetar i opozitës dhe nesër në krye të qeverisë, do të bëj gjithçka që Shqipëria të jetë në krah të Kosovës në përmbushjen me sukses të sfidave dhe të pritshmërive të qytetarëve të Kosovës.
Edhe një herë ju uroj nga zemra, Gëzuar Ditën e Pavarësisë!