• Angazhohem se do të sigurojmë tekste shkollore të reja falas, për 350 mijë nxënës. Po kështu fëmijët e të gjitha familjeve në nevojë do të përfitojnë paketa shkollore dhe tekste falas gjatë gjithë arsimit parauniversitar. Ne nuk do të lëmë asnjë fëmijë pa ndihmuar.
• Ne do të rrisim me 60% pagat e mësuesve dhe as edhe një mësues nuk do të marrë më pak se 700 Euro në muaj rrogë. Kështu ne do sjellim më shumë të ardhura dhe mirëqenie për 35 000 familjet e mësuesve tanë të arsimit parauniversitar.
• Nëpërmjet programit “Shqipëria fiton arsimin” ne do të ofrojmë program pas-shkollor dhe ushqim për orët shtesë e cila do t’ju vijë në ndihmë fëmijëve për përforcimin e dijeve të marra. Ky program do ti mbajë fëmijët të sigurt në shkollë dhe larg rrugës.
• Ne do të sjellim arsimim cilësor për të gjithë. As edhe një nxënës nuk do të lihet pas dore e të diskriminohet. Ne do të arsimojmë çdo fëmijë, pavarësisht statusit të tyre social, ekonomik apo aftësive të kufizuara.
• Do të japim bursë të plotë për çdo student që vjen nga familje me të ardhura nën 64 000 Lekë. Dhe gjysmë-bursa (50%) për studentët nga familje me të ardhura mbi 64 000 Lekë.
• Praktika pune të paguara për studentët që bëjnë kërkime shkencore pranë universiteteve tona. Financimi i dedikuar për gratë dhe vajzat në sektorët me përparësi të lartë. Nuk ka as edhe një arsye pse të mos i mbajmë të rinjtë tanë në Shqipëri, po për këtë na duhet të përmirësojmë arsimin e lartë.
• Angazhohem se do të hartojmë një program arsimor modern, përmes të cilit do t’u japim mundësinë të rinjve të Shqipërisë që duan një profesion, ta mësojnë atë gjatë periudhës së arsimit të mesëm.
• Ne do investojmë tek studentë të shkëlqyer duke i çuar ata në universitetet më të mira të botës, si dhe duke mbështetur programin Brain Gain (Përfitimi i Mendjeve), i cili nuk do të bazohet më mbi nepotizëm e ndërhyrje politike, por mbi bazën e meritokracisë.
• Unë angazhohem se do garantoj pavarësinë e universiteteve dhe lirinë e nevojshme akademike, duke e miratuar menjëherë sapo të zgjidhem kryeministër ligjin e ri për arsimin e lartë, në bashkëpunim me akademikët, specialistët më të mirë e vetë studentët.
• Do të rrisim pagat me 50%, duke ju garantuar pedagogëve paga prej 900 Eurosh në muaj dhe profesorëve paga prej 1300 Euro.
• Grante për Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, për modernizimin e infrastrukturës fizike e pedagogjike. Ofrimi i arsimit të lartë të digjitalizuar, me investim në vlerën 40 milionë dollarë, me fokus laboratorët e parqet e teknologjisë së informacionit, zona me internet falas dhe pajisje të teknologjisë së informacionit,
PREZANTIMI I PROGRAMIT PËR ARSIMIN SHQIPËRIA FITON, NGA KRYETARI I PD, LULZIM BASHA
Të dashur qytetarë shqiptarë
Jam përsëri sot përpara jush, këtë herë me ndjenjë të veçantë entuziasmi.
Planet tona për ekonominë dhe shëndetësinë, të cilat u prezantuan këto ditë, kanë marrë shumë komente dhe mesazhe mbështetjeje nga ju.
Kjo na jep forcë dhe besim sepse shqiptarët kanë pritur shumë gjatë të dëgjojnë një plan serioz që vërtet do të realizohet.
Jo më premtime boshe, jo më premtime të pambajtura. Përpara jush janë vetëm angazhimet tona me përgjegjësi të plotë për çdo sektor të jetës tonë. Janë angazhimet tona për të ardhmen tonë të përbashkët që shumë shpejt do të trokasë këtë pranverë.
Në politikë angazhimet duhen bërë realitet, përndryshe, si në çdo vend normal, populli e dërgon qeverinë në shtëpi. Fatkeqësisht në këto 8 vite, premtimet u shndërruan në mashtrime dhe manipulime. Faturën e paguajnë shqiptarët. Edi Rama do duhej të ishte larguar prej kohësh.
Unë jam këtu për t’iu garantuar se gjërat mund dhe do të ndryshojnë. Se bashkë do ta arrijmë ta sjellim këtë ndryshim.
Të dashur vëllezër dhe motra.
Ne po prezantojmë planet për çdo fushë, po ka vetëm një plan që na prek të gjithë, një plan që është për të ardhmen e Shqipërisë, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të ardhmen e familjeve tona, për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve.
Jam krenar t’ju prezantoj sot planin tonë të arsimit. Një plan që pas shumë muajsh punë edhe ekspertizë të lartë, e them me bindje se është më i miri për Shqipërinë.
Të dashur qytetarë shqiptarë kudo ku ndodheni,
Arsimi është baza e shoqërisë tonë.
Suksesi i fëmijëve tanë, është suksesi ynë.
Nëse ata nuk ia dalin, ne jemi të dështuar. E ardhmja jonë vihet në pikëpyetje.
Gjatë muajve të fundit kam punuar me specialistët më të mirë të arsimit, si nga Shqipëria, edhe nga jashtë vendit, për t’i dhënë Shqipërisë një plan pune konkret. Një plan pune që do të ndryshojë rrënjësisht sistemin tonë arsimor dhe përfitimet për ju.
Ajo çka i duhet fëmijës, është një i rritur që beson tek ai.
Por qeveria aktuale nuk beson as tek fëmijët shqiptarë dhe as tek shqiptarët.
Çdo fëmije duhet t’i garantohen kushtet nga shteti, që të jetë në gjendje të sigurojë jetën dhe të ketë mundësi dhe shanse të ecë përpara, si të gjithë moshatarët në Europë. Dhe jo të përjashtohet pa iu dhënë fare shansi të studiojë në kushte të barabarta.
Është e papranueshme për mua që të kemi fëmijë dhe familje shqiptare që nuk janë në gjendje të përballojnë dot kostot e teksteve shkollore! Kjo ka pasoja të pariparueshme për gjithe jetën e tyre. Pa shkollë, pa arsim, pa përgatitje, ata do të ndihen dhe në fakt do të jenë të përjashtuar nga shoqëria, nga tregu i punës. Dhe jo për fajin apo paaftësinë e tyre. Por vetëm sepse qeveria u tregua e padrejtë me ta.
Është e papranueshme që fëmijët të detyrohen të braktisin shkollën vetëm sepse e kanë të pamundur prej kushteve sociale dhe ekonomike të familjeve të tyre. Ne duhet të garantojmë që do të bëjmë gjithçka që fëmijët tanë që fëmijët tanë, brezi i ri të marrë një shkollimin dhe profesionin që meriton për jetën.
Kjo është beteja më e madhe për të ardhmen e Shqipërisë.
Një betejë që kryeministri në ikje e ka braktisur, ashtu si edhe shumë të tjera, në këta 8 vite.
Siç ju kam thënë, edhe plani në vijim, njësoj si planet e tjera të shpalosura deri tani, nuk është premtim!
Është angazhimi që ndërmarr ndaj jush me përgjegjësinë më të lartë.
Një kryeministër që nuk i mban zotimet, pas 4 vitesh nuk mund të kandidojë më për mandat të dytë.
Unë do t’i mbaj angazhimet e mia! Ju jeni ata që do më gjykoni nesër.
Dhe tani pikat kryesore të plani tonë për arsimin:
1. Angazhohem se do të siguroj tekste shkollore të reja falas, për 350 000 nxënës.
Po kështu fëmijët e të gjitha familjeve në nevojë do të përfitojnë paket shkollore dhe tekste falas gjatë gjithë arsimit parauniversitar. Nuk do të lëmë asnjë fëmijë pa ndihmuar.
2. Angazhohem se do të hartojmë një program arsimor modern, përmes të cilit do t’u japim mundësinë të rinjve të Shqipërisë që duan një profesion, ta marrin atë gjatë periudhës së arsimit të tyre.
3. Do të ofroj për çdo të ri dhe çdo të rritur shqiptar deri në 35 vjeç kurse private pa pagesë të platformës së mirënjohur amerikane Ëducation Ëorld Ëide për 5 gjuhë të huaja—anglisht, gjermanisht, spanjisht, frëngjisht dhe italisht! Të rinjtë tanë në shkolla dhe ata në tregun e punës duhet dhe do të jenë gati për investimet e mëdha që do të vijnë në Shqipëri me qeverinë e re, do të jenë gati për të mbushur vendet e reja të punës në turizëm, në prodhim, IT apo shërbime.
4. Angazhohem që nëpërmjet programit “Shqipëria fiton arsimin” ne do të ofrojmë program pas-shkollor dhe ushqim për orët shtesë e cila do t’ju vijë në ndihmë fëmijëve për përforcimin e dijeve të marra dhe do t’i mbajë fëmijët të sigurtë në shkollë dhe larg rrugëve.
5. Nëse fëmijët janë e ardhmja jonë, atëherë përgjegjësit për këtë të ardhme janë mësuesit e fëmijëve tanë. Ata meritojnë më shumë. Po ama vërtet më shumë. Dhe unë angazhohem që t’u jap më shumë. Ne do të rrisim me 60% pagat e mësuesve dhe as edhe një mësues nuk do të marrë më pak se 700 Euro në muaj rrogë. Kështu ne do sjellim më shumë të ardhura dhe mirëqenie për 35 000 familjet e mësuesve tanë të arsimit parauniversitar.
6. Kjo periudhë e tmerrshme e pandemisë, nxori zbuluar se si kjo qeveri ka vetëm fjalë dhe premtime boshe. Qeveria i detyroi fëmijët të mësonin nga shtëpia, kur shumë prej tyre nuk kanë as tabletë, as leptop, as kompjuter! Prandaj shumë fëmijë shqiptarë rrinë sot në shtëpi duarkryq dhe të përjashtuar, sepse kjo qeveri e shkëputur nga njerëzit, nuk e di që ata s’i kanë mundësitë të mësojnë nga shtëpia.
Ne do ta ndryshojmë këtë!
Unë angazhohem që brenda 4 viteve, çdo familje do të ketë të paktën 1 tabletë, leptop ose kompjuter në shtëpi.
Kjo është e ardhmja jonë dhe ne të ardhmen tonë s’mund ta lëmë në duart e atyre që janë shkëputur krejtësisht nga hallet e përditshme dhe hallet e njerëzve.
Ne do të sjellim arsimim cilësor për të gjithë. As edhe një nxënës nuk do të lihet pas dore apo diskriminohet. Do të arsimojmë çdo fëmijë, pavarësisht statusit të tyre social, ekonomik apo aftësive të kufizuara. E përsëris, nuk do të ketë bir dhe bijë shqiptari që të mbetet pa arsim për shkak të pamundësive ekonomike të prindërve të tyre.
Të dashur bashkëqytetarë. Të dashur student dhe pedagogë.
Kjo qeveri e ka lënë pas dore arsimin e lartë dhe i ka braktisur universitetet dhe studentët. Studentët shqiptarë shkëlqejnë në mbarë botën përveçse këtu në vendin e tyre. Nuk ka asnjë arsye pse mos t’i mbajmë të rinjtë tanë në Shqipëri po për këtë duhet urgjentisht të përmirësojmë arsimin e lartë.
1. Unë angazhohem se do garantoj pavarësinë e universiteteve dhe lirinë e nevojshme akademike, duke e miratuar menjëherë sapo të zgjidhem kryeministër ligjin e ri për arsimin e lartë, në bashkëpunim me akademikët, specialistët më të mirë dhe vetë studentët dhe në përputhje me standardet dhe parimet më të avancuara bashkëkohore europiane.
2. Angazhohem se do të rrisim pagat me 50%, duke ju garantuar pedagogëve shqiptarë paga prej 900 Euro në muaj dhe profesorëve paga prej 1300 Euro.
3. Ne do të paguajmë plotësisht koston e tarifave të ciklit të parë apo të dytë të studimeve pasuniversitare për çdo studentët dhe studente që vjen nga familje me të ardhura nën 64.000 Lekë të vjetra në muaj. Dhe ne do të financojmë 50% për studentët nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj.
4. Ne do investojmë tek studentë e shkëlqyer duke i mundësuar atyre studimin në universitetet më të mira të botës, si dhe duke mbështetur programin Brain Gain, i cili nuk nuk do të bazohet më mbi nepotizëm e ndërhyrje politike, por mbi bazën e meritokracisë.
5. Përsëris sot angazhimin tim para studentëve shqiptarë se me qeverinë e re të dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit, ne do të paguajmë 10 mijë stazhe 12 mujore për studentët më të mirë çdo vit.
6. Grante për Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, është angazhimi tjetër i qeverisë tonë për modernizimin e infrastrukturës fizike e pedagogjike. Ofrimi i arsimit të lartë të digjitalizuar, me investim në vlerën 36 milionë euro, me fokus laboratorët e parqet e teknologjisë së informacionit, zona me internet falas dhe pajisje të teknologjisë së informacionit, që do të përdoren falas nga pedagogët dhe studentët pa pagesë.
7. Një vend të veçantë në platformën tonë ka financimi i dedikuar për gratë dhe vajzat në sektorët me përparësi të lartë.
Të dashur qytetarë shqiptarë. Në mënyrë të përmbledhur këto janë disa prej pika kryesore të planit tonë të arsimit.
Ky është plani ynë për të ardhmen e Shqipërisë.
Me këtë plan, Shqipëria fiton!
Me këtë plan, shqiptarët fitojnë, sepse ne mund të bëjmë më shumë!
Ne do të bëjmë më mirë!
Dhe ne të gjithë do bëhemi më mirë!
Më 25 prill do ta largojmë qeverinë më të keqe në historinë e Shqipërisë dhe bashkë do ta ndryshojmë të ardhmen tonë.
Ju falemnderit!