Marsid Cerriku drejton prej vitesh një qendër rezidenciale, ku ofron ushqim, strehë, dhe edukim për rreth 40 të mitur jetimë, ose të braktisur nga familjet për shkak të varfërisë dhe vështirësive financiare. E mbështetur totalisht nga fonde gjermane, kjo qendër në zonën e NSHU në Elbasan, ka rreth 20 të punësuar, nga mësuesit, tek psikologët, kuzhinierët dhe mjekët.
Megjithëse mban larg rrugës 40 të mitur, kjo punë e lavdërueshme nuk merr vlerësimin e duhur nga shteti.
“Eshtë paradoksale, që teksa bëjmë këtë bamirësi, ne e paguajmë energjinë elektrike sikur të jemi biznes”, i thotë Marsidi, Gazment Bardhit, Drejtues Politik i PD për Elbasanin.
Bardhi shprehu mirënjohjen dhe respektin për shërbimin që kjo organizatë garanton.
“Kjo është një ndihmë e jashtëzakonshme duke qënë se Elbasani është epiqendër e varfërisë dhe e pamundësisë. Ju bëni një punë të shkëlqyer. Do duhej shteti të ishte aktori kryesor, dhe pastaj ju”, u shpreh Bardhi.
Kjo shoqatë i mban fëmijët deri në moshën 18 vjec, por drejtuesi i saj pohon se i ndjekin edhe më pas rastet, si shkojnë në rrugën profesionale e çfarë fati ndjekin.
“Eshtë një punë heroike të mbash larg rrugës të mitur jetimë që potencialisht do të ishin pre e veseve dhe krimit. Do të doja dhe unë të bëja një gjë si ju, por do të mundohem seriozisht të ndihmoj në një pozicion tjetër, në një mënyrë tjetër”, tha Bardhi.
Mungesa e vemendjes së qeverisë dhe Bashkisë për këtë qendër shihet që tek fakti se prej vitesh askush nuk kujtohet të sistemojë sadopak rrugën që të çon tek kjo rezidencë, e rrugë e cila kalohet me shumë vështirësi me makinë, dhe gjatë reshjeve bëhet edhe më problematike.