·        Qeveria harxhoi 15.5 milonë euro për luks makinash në vitin e pandemisë. Dhurata Çupi:  Rama la në baltë njerëzit për luksin. Basha, kryeministri që sjell ndryshimin.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, DHURATA ÇUPI ​​

Gjatë 1 viti, që kur u zbulua rasti i parë me Covid 19, në Shqipëri kanë ndodhur shumë gjëra. Mënyra jonë e jetesës ka ndryshuar plotësisht, mijëra biznese janë mbyllur, shumë njerëz kanë humbur jetën, mbi 100 mijë të tjerë kanë humbur punën.

Njerëzit janë bërë akoma më të varfër dhe të gjithë e pranojnë se qeveria ka dështuar t’i mbështesë me masa lehtësuese.

Vetëm një gjë nuk ka ndryshuar gjatë gjithë periudhës së pandemisë. Qeveria e Edi Ramës nuk ka hequr dorë nga luksi.

Njësoj siç ka bërë për 8 vjet me radhë, pushteti i Edi Ramës ka shpenzuar miliona euro për makinat.

Në vetëm 1 vit, kur bizneset falimentonin dhe vazhdojnë të falimentojnë nga mungesa e mbështetjes së qeverisë, nga thesari i shtetit janë paguar 15.5 milionë euro për blerje makinash, për marrje me qira, për servis dhe goma makinash.

E kanë bërë këtu në Tiranë dhe në çdo cep të vendit. Nga njëra anë, siç provoi SPAK, vodhën me tenderat sekretë të ushqimeve për familjet në nevojë dhe për ilaçet e pajisjet anticovid, nga ana tjetër këta qeveritarë i kanë zhvatur shqiptarët edhe për rehatinë personale.

10 milionë euro kanë blerë dhe marrë me qira makina. 5.5 milionë euro kanë harxhuar për servis dhe për goma, megjithëse administrata më shumë ka qendruar në shtëpi sesa ka dalë në punë.

Tani që po flasim kanë hapur tendera të tjerë për luksin e tyre, ndërsa njerëzit nuk kanë bukë të hanë në kuptimin e parë të fjalës.

Ja ku janë faktet!

Është një listë e gjatë me institucione, ministri, bashki që punë nuk kanë bërë, por kanë harxhuar në periudhën e pandemisë 15.5 milionë euro për makinat e tyre.

Me kaq shumë para mund të ndihmoheshin me mijëra biznese, ose mund të sigurohej mësim normal online për nxënësit me internet dhe tableta falas. Po të mos donte më pak luks dhe më shumë shërbim për shqiptarët, me 15.5 milionë euro, Edi Rama mund të kishte bërë shumë gjëra të mira për vendin në këtë periudhë të vështirë.

Si gjithmonë, Edi Rama mendon vetëm për Edi Ramën. Në 8 vjet ai nuk punoi asnjë ditë për shqiptarët, por i la në baltë dhe Shqipëria nuk bëri asnjë hap përpara.

Rama, i cili ka dështuar për 8 vjet në çdo drejtim nuk ka për të marrë edhe një tjetër mandat nga njerëzit! Në 8 vjet Shqipëria ka mbetur në vendnumëro, pikërisht për shkak të vjedhjeve, abuzimeve, shpërdorimeve, si ky me tenderat 15.5 milionë euro në vitin e pandemisë.

Shqipëria nuk mund t’i përballojë edhe 4 vite të tjera me Ramën. Prandaj, në 25 prill shqiptarët do të bëjnë ndryshimin me votë, duke zgjedhur kryeministër Lulzim Bashën, një kryeministër për njerëzit, që do të sjellë ndryshimin!  ​