PRONONCIMI I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA DHE KRYETARIT TË KOMUNËS SË BUJANOVCIT NAGIP ARIFI PAS TAKIMIT NË SELINË E PD.

Lulzim Basha: Kam kënaqësinë e madhe t’i uroj mirëseardhjen në Tiranë, në selinë e Partisë Demokratike kryetarit të Komunës së Bujanovcit, z.Negip Arifit dhe delegacionit që e shoqëron, këshilltarët të Këshillit Komunal dhe personelit të tij ndihmës në një takim vëllazëror ku kemi folur hapur për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen bashkëkombësit tanë në Komunën e Bujanovcit dhe në Luginën e Preshevës.

Në këtë korrik të nxehtë, të nxehta mbeten problemet e mëdha të mbartura prej vitesh për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ku do të veçoja si problem themelor spastrimin etnik që po i bëhet Komunës së Bujanovcit si dhe asaj të Medvegjës dhe të Preshevës, nga i ashtuquajturi “procesi i pasivizimit të adresave të shqiptarëve” në këto tre komuna.

Ky është një proces diskriminues, në shkelje totale të Kushtetutës së vet Republikës së Serbisë dhe angazhimeve të saj në kuadër të Këshillit të Europës dhe në kuadër të dokumenteve të bashkëpunimit në procesin e Integrimit Europian të Republikës së Serbisë.

Ndaj, Partia Demokratike dënon me forcë dhe i kërkon autoriteteve serbe, nga kreu i shtetit tek qeveria serbe, të ndalin menjëherë këtë praktikë të paligjshme, sikundër i bën thirrje Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, OSBE-së, Shteteve të Bashkuara të Amerikës që përmes presionit të drejtpërdrejt të bëjnë gjithçka për të ndalur këtë spastrim etnik që po ndodh tashmë prej vitesh përmes pasivizimit të adresave ku vetëm në komunën e Bujanovcit për shkak të këtij procesi të paligjshëm dhe me reminishencat e regjimeve të kaluara, mbi 2 mijë qytetarë të kësaj komune, shqiptarë, kanë humbur të drejtën e rezidencës, të sigurimeve shoqërore dhe të drejta të tjera që burojnë nga regjistrimi i ligjshëm si banor të kësaj komune.

Natyrisht ky proces është shqetësimi ynë më i madh dhe është shfaqja me e hapur e hendekut midis fjalëve dhe veprave të autoriteteve të Serbisë ku nga njëra anë trumbetohet lëvizja e lirë dhe klima e bashkëpunimit dhe nga ana tjetër goditen vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike shqiptarët në Serbi ne veçanti shqiptarët e Luginës së Preshevës. Por diskriminimi nuk ndalet këtu. E gjithë zona e Luginës së Preshevës ka vetëm një institucion shëndetësor që është Spitali i Vranjës, ku ndonëse i shërben një territori prej 7 komunash, mbi 30% e popullsisë së këtyre 7 komunave janë shqiptarë. Kryesisht në 3 komuna të Preshevës, Bujanovcit dhe Metvegjës, nuk ka një mjek të vetëm shqiptar. Diskriminimi vazhdon me pengesat për studentët, nxënësit e shkollave të mesme për të patur dhe mësuar në gjuhën e tyre amtare.

Diskriminimi vazhdon në mosnjohjen e diplomave të të rinjve dhe të rejave që kanë studiuar në Universitetin e Prishtinës dhe procedurave të tejzgjatura për ata që kanë studiuar në universitetet e Shqipërisë, me rezultat emigracionin masiv të rinisë nga kjo zonë dhe të gjitha këto kulmojnë në atë që pa diskutim ne e shohim si një përpjekje të organizuar dhe të stimuluar në mënyrë shtetërore nga autoritetet në Beograd për të spastruar etnikisht Luginën e Preshevës nga banorët shqiptarë që kanë jetuar dhe jetojnë aty në trojet e tyre stërgjyshore.

Por kundër kësaj situate dhe sfidave të mëdha ekonomike dhe sociale me të cilat përballen qytetarët në Luginën e Preshevës, shurdhon heshtja dhe mosveprimi i qeverisë së Tiranës apo veprimi i pa mjaftueshëm. Disafish më shumë para janë shpenzuar për ngjarje vanitoze dhe protagonizëm pa asnjë efekt sesa ç’i jepet ndihmë këtyre komunave dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Natyrisht kjo është në kundërshtim flagrant me vizionin tonë, me vlerat tona por edhe me detyrimet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe me vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Partia Demokratike dhe unë personalisht do të bëjmë gjithçka për t’i dhënë fund kësaj neglizhence të qeverisë aktuale ndaj detyrimeve kushtetuese që çdo qeveri shqiptare ka dhe për t’i dhënë gjithë mbështetjen e nevojshme politike dhe financiare shqiptarëve të Luginës së Preshevës, partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës, autoriteteve të zgjedhura të cilët përballen me këtë situatë jashtëzakonisht të vështirë me kurajo të lartë, me profesionalizëm dhe me vendosmëri për të cilën dua t’i shpreh gjithë mirnjohjen time, të Partisë Demokratike të opozitës, pa diskutim edhe të gjithë shqiptarëve, z. Arifi dhe të gjithë drejtuesve të tjerë lokal në Luginën e Preshevës dhe t’ju them që pavarësisht sfidave dhe problemeve aktuale jemi në krahun tuaj dhe do të jemi në krahun tuaj me të gjitha format, mënyrat dhe instrumentet që kemi sot në dispozicion dhe natyrisht edhe kur ti kemi të shumta në një të nesërme që shpresoj nuk dol të jetë e largët. Edhe një herë mirënjohje të thellë për punën dhe përkushtimin tuaj. Një përshëndetje të përzemërt dhe vëllazërore të gjithë bashkëkombësve tanë në komunën e Bujanovcit dhe të Luginës së Preshevës.

Nagip Arifi: Sot ne patëm një takim me kryetarin Basha, që ishte një takim vëllazëror. Unë paradite kam pasur takim me Presidentin Ilir Meta, kam pasur takim edhe me  ministrin Pandeli Majko dhe tani  me kryetarin e Partisë Demokratike dhe e njoftova me problemet dhe sfidat të cilat i kanë shqiptarët të Luginës së Preshevës, konkretisht në Bujanovc. E njoftova me situatën se si është duke vepruar Serbia ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Është duke përdor metodën e pastrimit etnik sepse edhe State Departament Amerikan por edhe Komuniteti i Helsinkit ka dhënë një vlerësim se është shteti i Serbisë një spastrim etnik ndaj shqiptarëve duke e bërë. Njoftova mbi situatën politike dhe të sigurisë po ashtu edhe me situatën ekonomike. Ne kërkuam ndihmën e shtetit shqiptar sepse Shqipëria e fortë, Shqipëria në NATO, Shqipëria në BE, po ashtu një Kosovë e pavarur me pretendime të jetë anëtare e NATO-s dhe BE-së, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës do të jenë më të sigurt, më të fortë. Unë mendoj dhe shumë shpresoj se shqiptarët një ditë do të jetojnë të bashkuar në Europën e bashkuar.

Pyetje: Zoti Basha si e komentoni takimin për Mini Shengenin ose sic do të quhet ndryshe Ballkani i hapur dhe a keni një koment për mospjesëmarrjen e zotit Kurti në këtë takim të sotëm?

Lulzim Basha: Mendoj që këto takime po bëhen kaq shpesh sa nuk e kuptojmë përse po bëhen dhe çfarë të reje po prodhojnë, përveç fotografive dhe protagonizmit të tepruar politik të atyre që janë në këto takime. Pozicioni është ai që ka qenë gjithmonë i imi dhe i Partisë Demokratike që lëvizja e lirë në rajonin tonë të funksionojë duhet t’i japim fund hipokrizisë, duhet urgjentisht të punohet për eleminimin e kërcënimit të fundit për paqen dhe stabilitetit në rajon që është njohja e ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Dhe pa diskutim lehtësimi i lëvizjes së lirë është një përparësi dhe një synim dhe një kërkesë e të gjitha proceseve integruese kur janë të përfshira vendet e Ballkanit Perëndimor që nga procesi i Integrimit Europian në të cilat janë anëtare si Shqipëria ashtu edhe Serbia dhe shoresojmë fort së shpejti edhe Kosova. Natyrisht Maqedonia e Veriut dhe Malini Zi e Bosnje Hercegovina, po kështu edhe procesi i Berlinit, po kështu edhe CEFTA, kështu që kanë dëshirë me protagonizëm për të dalë në këto ditë të nxehta për të bërë fotografi, nuk është ndonjë çudi e madhe për mua, po të na kursejnë përsëritjen e një filmi të parë e stërparë që s’prodhon asgjë të mirë për qytetarët, por po kthehet në një alibi për ngecjen në vend të objektivave që duhet të ketë secili prej kryeqyteteve ne rajon, e që fillojnë siç e thashë me një trajtim të barabartë të të gjithë shteteve sovrane, duke filluar me njohjen e ndërsjellë midis Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës, për të cilën pa diskutim përgjegjësia është e qartë, përgjegjësi është i qartë dhe do të marrë të gjitha përgjegjësitë. Partia Demokratike e ka mbështetur dhe e mbështet dialogun midis dy republikave, por nuk kemi lënë asnjëherë dilemë se cili duhet të jetë përfundimi i këtij dialogu, do të jetë njohja e ndërsjellë.

Ne jemi të lumtur që të shohim që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian janë pa ekuivok shumë të qartë përsa i përket këtij objektivi. Nga ana tjetër në prani të kryetarit të komunës së Bujanovcit dua të theksoj dhe njëherë se asnjë takim nuk mund të shërbejë si alibi për ti ikur detyrimeve kushtetuese që ka çdo kryeministër shqiptar, në preambulën e Kushtetutës për t’u kujdesur për fatin e shqiptarëve kudo ku ata jetojnë, dhe fati i shqiptarëve të luginës së Preshevës, fati i vajzave dhe djemve në qytetin e Bujanovcit dhe në fshatrat shqiptare të Bujanovcit është që çregjistrohen në mënyrë të paligjshme për t”u zbrazur, për ta zbrazur demografikisht, etnikisht, për të bërë spastrim etnik të Luginës së Preshevës. Nuk e di sa kohë i kushton, apo i ka kushtuar Edi Rama këtij problemin kur flet me mikun e tij Vuçiç, në qoftë se i ka kushtuar ndopak kohë e ka mbajtur sekretin mjaft mirë.

Ju faleminderit!