- PD: KAS shkel ligjin e dekriminalizimit, merr ne mbrojtje kryebashkiakun që fshehu dënimin me 3 vjet burg.
- PD nuk tërhiqet, çon në Gjykatën Administrative vendimin për kryebashkiakun e Mallakastrës. Nuk pranojmë modelin e Edi Ramës për të bashkëqeverisur me krimin.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, BELIND KËLLIÇI
Me të njëjtin zell me të cilin KAS refuzoi të bënte transparencë para shqiptarëve për masakrën zgjedhore të 25 prillit, sot vendosi të shkelë Ligjin e Dekriminalizimit dhe të marrë në mbrojtje uzurpuesin e paligjshëm të bashkisë së Mallakastrës, pavarësisht dënimit të padeklaruar me 3 vite burg në Greqi.
Në kundërshtim me interesin e qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët mbështetën dhe mbështesin Ligjin e Dekriminalizimit, KQZ dhe KAS vendosën të marrin në mbrojtje shkelësit e këtij ligji të rëndësishëm për pastrimin e politikës nga krimi.
Ligji i Dekriminalizimit erdhi në jetë pas betejës së gjatë të Partisë Demokratike për t’ua kthyer institucionet qytetarëve shqiptarë dhe për të kthyer andej nga erdhën djajtë që Rama nxori nga shishja, duke i strehuar në Parlament, bashki dhe administratë.
Precedenti i rrezikshëm që KQZ dhe KAS po krijojë me rastin Ismailaj, nuk mund të përshkruhet ndryshe veçse si një përpjekje për të goditur vullnetin e shumicës së shqiptarëve për të pasur institucione të çliruara nga njerëz me të shkuar kriminale dhe pranimi i modelit të bashkëqeverisjes me krimin të ndërtuar nga Edi Rama.
Partia Demokratike nuk i pranon këto hapa prapa dhe do ta çojë këtë çështje në Gjykatën Administrative. Ligji i Dekriminalizimit është një fitore e shoqërisë shqiptare, ndaj nuk mund të shkelet për të amnistuar modelin që sundon dhe që e ka lënë Shqipërinë në vendnumëro.