FJALA E PLOTË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, LULZIM BASHA, NË KUVEND
Të nderuar qytetarë, u bë një javë e disa ditë që tellalli i të keqes i njohu shqiptarët me një krizë që do të godiste vendin, me pasoja të rënda për ekonominë, për jetët tuaja dhe të fëmijëve tuaj. Pasoja të ngjashme me ato të tërmetit dhe të pandemisë. Por, pakkush e besoi.
Në vijim të strategjisë së tij, nxori një plan për të zgjidhur këtë krizë, ku ajo që ra menjëherë në sy ishte një borxh i ri. Pra, marrje e miliona eurove të tjera borxh në emrin tuaj, nga xhepat tuaj dhe të fëmijëve tuaj, për t’iu ngarkuar edhe më shumë, jo pak por 200 milionë eurosh borxh.
Të dielën në drekë doli si lugat dhe tha: Krizë që vetëm pak ditë më parë dhe pak ditë më pas asaj të diele të shtrinte dorën edhe një herë për ta zhytur Shqipërinë edhe më thellë në borxh.
Kjo shifër e lartë nuk do të vij tek ju, as tek familjet tuaja, kjo shifër e lartë do të vihet në dispozicion të OSHEE-së, bandës më të madhe të patronazhistëve dhe kryekriminelit Ardian Çela, si mëlçitë që i varen në qafë ujkut dhe të gjithë e kuptuan dhe e kuptojnë, edhe ata me pak ndërgjegje në këtë anë të sallës, se gjuha e Ramës shkoi aty ku i dhimbte dhëmbi, te paratë që mungonin, sepse i kanë vjedhur, i kanë future në xhepat e tyre dhe i kanë përdorur për të blerë deri 400 euro votën.
Si përshembull në Pukë, siç e dinë fare mirë i zgjedhuri i ri që vjen nga radhët e kaskadës në këtë sallë. Jo për shkak të qytetarëve, që kanë paguar dhe paguajnë qindarkë pas qindarke energjinë e shtrenjtuar, por për shkak të shpartallimit që korrupsioni dhe keqmenaxhimi kanë shkaktuar në sektorin e energjisë.
Tendera luksi, kompani konsulence fantazëm, që mbushin xhepat në mënyrë korruptive, klientelizëm, punësime politike, punësime në KESH dhe OSHEE, që përdorën politikën e tokës së djegur edhe për shkak të zgjedhjeve, kur paratë e dala nga këto institucione shërbyen për të kalcifikuar këtë pushtet të paligjshëm.
Natyrisht të bëra bashkë me dritëshkurtësinë menaxhimin skandaloz të eksporteve, fitimet e të cilave avulluan edhe pse këmbanat e rritjes së çmimeve kishin rënë prej marsit, por atë kohë, këta e kishin mendjen tek vjedhja e zgjedhjeve dhe jo te planifikimi.
Duke shkurtuar në korrik dhe gusht, pasuritë hidrike të shqiptarëve, rezervat ujore, në atë që ekspertët cilësojnë si viti më i mirë historik, hapën një pjesë të madhe të gropës që tani duan ta mbyllin me borxhin që kanë marrë, jo nga xhepat e tyre, por nga xhepat tuaj. Të gjitha këto shpërdorime duhet të hetohen me përparësi.
Ndaj në mungesë dhe në memecëri, të SPAK qilimkuqit, ne do të depozitojmë nesër kallzimin penal për t’ia vënë para fytyrës ato që në fakt duhet të ishin subject hetimi për shkak të detyrës dhe për shkak të fakteve të bëra botërisht. Sepse korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë nuk duhet ta paguajnë qytetarët, por ata që abuzuan dhe abuzojnë me djersën e tyre.
Sigurisht kjo është vetëm një pjesë e krizës së korrupsionit që ka kapur prej fyti çdo familje shqiptare, që ka kapur vendin tone. Sepse përtej sektorit energjitik, ajo që po ndodh me ekonominë publike dhe financat publike është po kaq e rëndë.
Ajo pasqyrohet në jetët e përditshme të njerëzve, varfërinë që sa vjen e shtohet për shumicën dërrmuese të shqiptarëve që jetojnë varfëri të skajshme, e në varfëri thellë e më thellë këto 8 vite. Por po kështu për shtresën e mesme, për njerëzit që e ndjejnë se si fatura e korrupsionit po pengon çdo shans për zhvillimin e vendit.
Ajo po ndodh dhe pasqyrohet jo thjesht në qëndrimet e Partisë Demokratike e të opozitës, duke qëndruar në detyrën që na keni ngarkuar, por edhe në ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që dy ditë më parë e bën rezil modelin ekonomik të kësaj pakice, nëse mund ta quajmë të tillë zhvatjen dhe vjedhjen me çdo kusht dhe çdo çmim, pasurive dhe parave të shqiptarëve.
Është Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili duke vënë në shënjestër PPP-të, që pritet të arrijnë shifrën marramendëse të 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, çka tregon se ajo që shqiptarët paguajnë nga taksat e tyre, shkon në një masë të madhe për projektet e klientësh të këtij dhe qeverisë së tij. Pasojat janë këto, janë shumë të qarta dhe s’kanë nevojë për shpjegime sepse i ndjeni nga zgjimi, mëngjesi, dreka, darka dhe nata e ftohtë e varfërisë që ka pllakosur shumicën dërrmuese të familjeve.
Një borxh publik jashtë kontrollit, ia lidh duart qeverisë për të vepruar në ndihmë të qytetarëve dhe sipërmarrjeve, për arsyen e thjesht sepse prioriteti nuk janë ata, por oligarkët me të cilën ndan pushtetin dhe buxhetin.
Prandaj, nën shtrëngimin e zgjidhjeve korruptive që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë, sot nuk kanë sjellë, sepse nuk kanë asnjë masë mbrojtëse për familjet shqiptare dhe asnjë masë mbrojtëse për ekonominë tuaj që fatkeqësisht me këtë qeveri do të vazhdojë përkeqësohet në ditët dhe muajt në vazhdim.
Sepse përveç borxhit që do të marrin, deklaruan vetëm që nuk do të ketë ndërprerje energjie dhe nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë, një çmim që në fakt është i lartë, sepse këta e rritën, sepse ishin po këta që e çuan në nivele të papërballueshme për familjet dhe biznesin e vogël.
Edhe po t’i marrim të mirëqena këto deklarata, që përvoja e hidhur na mëson që s’duhet t’i marrim të mirëqena, ajo që nënkuptohet është se do të ketë një rritje për sipërmarrësit e mesëm dhe të mëdhenj të vendit. Ky nuk është aspak lajm i mirë. Jo vetëm për sipërmarrësit që janë në radhë të parë e mbi të gjitha punëdhënës e taksapagues, por edhe për qytetarët.
Sepse ajo që di çdokush është që energjia elektrike është pjesë e kostos bazë për gjithçka që prodhohet dhe gjithçka që shërbehet. Dhe kur ka një rritje të kësaj kostoje, ajo që do të vij është qartë, dinamika për ta thënë në gjuhën e ekonomistëve, është fare e qartë, do të rriten 3 më shumë çmimet për qytetarët për të gjitha produkteve dhe shërbimeve që konsumojnë. Këtë kemi një javë që e themi, dilni në treg dhe shikojeni se si ka nisur rritja e çmimeve. Pyetja që shtrohet është çfarë ndodh në vendin me të ardhurat më të ulta për frymë në Europë, e dhënë kjo e Eurostat-it, kur ndodhet përballë çmimeve të larta që vazhdojnë të rriten?
Fatkeqësisht përgjigja është e thjeshtë, është e dhimbshme, rënie e fuqisë blerëse, pra njerëzit do të blejnë më pak, rënie të konsumit, pra njerëzit do të konsumojnë më pak dhe falimentim të bizneseve. A ka një zgjidhje tjetër?
Sigurisht që po.
JO shtim i mëtejshëm të borxhit publik, sikurse përgatiten të bëjnë tani. Jo rëndim edhe më shumë për qytetarin e thjeshtë, por frenim i babëzisë duke hequr dorë nga PPP-të dhe projektet që po i marrin frymën ekonomisë shqiptare dhe duke i vendosur taksat që ata paguajnë në shërbim të rimëkëmbjes ekonomike. E bëjnë dot këtë?
Pa pikë diskutimi që këta nuk e bëjnë dot! Përgjigja është jo! Sepse për dorën e padukshme për të cilën fliste Adam Smith, e kanë shndërruar në dorën e dukshme të korrupsionit, që nuk ka raport ndërkombëtar që nuk e thekson, e cila është futur thellë, dhimbshëm, makutërisht në xhepat e qytetarëve dhe sipërmarrjeve.
Nuk e them këtë vetëm për shkak të 8 viteve të shkuara dhe dëmeve që i kanë shkaktuar interesit publik në këto vite vite, por edhe për çfarë janë duke bërë ndërkohë që ata po vetëhipnozitohen me renat e tyre për krizën e korrupsionit që përpiqen ta shesin si krizë energjie.
Po e ilustroj me tre raste flagrante. Vetëm midis shtatorit dhe tetorit i kanë krijuar qytetarëve shqiptar një dëm ekonomik prej afro 40 milionë euro. Për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, kanë përzgjedhur kompaninë që ka ofertën më të lartë, 12 milionë euro më shumë. Pse? Për ndërtimin e Unazës së madhe të Tiranës, kanë përzgjedhur ofertat më të larta, 17.4 milionë euro më shumë. Pse? Blerje të energjisë me çmime më të larta se ato të bursës. Siç i shpjeguam për ditë me radhë 10 milionë euro më shumë, se sa është në treg energjia.
Pse? Sigurisht as unë dhe as qytetarët, nuk e presim përgjigjen nga këta. Sepse një shtet i kapur nga korrupsioni, e ka të qartë dhe gati përgjigjen. Kriza për të cilën këta flasin nuk është tyrja, por është e juaja të dashur qytetarë. Prandaj duan t’iu trembnin, duan t’iu mbajnë në ankth, t’iu thoni që kjo është një fatkeqësi natyrore, sepse duan të mbulojnë mynxyrat e tyre.
Dhe gjithë kjo frikë që po përpiqen të mbillni, duke përfituar nga varfëria në të cilën e kanë zhytur vendin me korrupsionin dhe me vjedhjen e tyre, ka një emër Terrorizëm. Quhet terrorizëm! E dini cili është përkufizimi i terrorizmit? Është përdorimi i dhunës për qëllime politike.
Dhe varfëria, që keni ushqyer me korrupsionin dhe makutërinë tuaj, është dhunë, që ju po përdorin vetëm për një qëllim politik, mbajtjen me çdo mjet pushtetit. Sa më të varfër qytetarët, aq më lirë ua blini votën. Aq më lehtë i shkelni me këmbë apo me rrotat e makinave luksoze të kriminelëve që i keni bërë ortak në institucione e shtëpitë tuaja. Sepse përveç pushtetit tuaj, nuk ju intereson asgjë tjetër. As familjet që gdhihen me ankthin e pamundësisë për të përballuar jetesën dhe ngrysen me pasigurinë e të nesërmes së tyre ekonomike.
As gjyshërit dhe gjyshet që shtrëngojnë qindarkat në grushtin e rrudhur për të arritur pensionin e radhës e blerë bukën ditët e para të muajit tjetër. As kryefamiljarët që hedhin emrat e tyre në listat, që vetëm shtohen e shtohen si asnjëherë në 30 vite, në listat e gjata të dyqaneve e të shërbimeve për mallrat më bazike. As sipërmarrjet që mbyllen për shkak të ekonomisë së pandershme, që ju keni krijuar me oligarkë, me pastrues të parave të korrupsionit tuaj dhe të trafiqeve kriminale.
Ndaljen e marrëzisë së PPP-ve, ia keni për detyrim këtyre njerëzve. Jo opozitës, jo Partisë Demokratike që ka vite që e kërkon, as Fondit Monetar, që ua nxori zbuluar, lakuriq babëzinë me taksat e shqiptarëve; por qytetarëve dhe sipërmarrësve, që paguajnë kostot e makuturisë dhe papërgjegjshmërisë tuaj politike dhe fiskale. Ju mund të përpiqeni t’i trembni me terrorin e krizës, me relativizimin e përgjegjësive, me sportin e preferuar të dështakut 8 vjeçar, çuarjen e fajit dikujt tjetër.
Sepse për të 8 vite, fajin gjithmonë e ka dikush tjetër, deri te pellazgët mund të shkoni për të gjetur fajtorin e këtyre 8 viteve keqqeverisje, korrupsion dhe krizës së thellë të korrupsionit që po mbërthen përsëri Shqipërinë. Por ky acarim social mban firmën, emrin dhe fytyrat tuaja! Sepse jeni ju që keni vendosur, që keni zgjedhur të qeverisni për një grusht të vogël njerëzish, dhe herët apo vonë, një tjetër grusht do t’iu kthehet fytyrës nga shumica dërrmuese e shqiptarëve që keni braktisur dhe varfëruar.
Të dashur qytetarë, sikurse e kam thënë prej ditës së parë, ne jemi në këtë sallë me fuqinë që ju na dhatë pavarësisht masakrës zgjedhore për një arsye madhore, për të kthyer legjitimitetin dhe demokracinë në vend dhe jo për të përligjur zdërhalljen e përfaqësuesve të krimit e korrupsionit që paligjshmërisht kanë zënë shumë prej karrigeve të kësaj salle. E për këtë qëllim do të përdorim të gjitha mjetet parlamentare në dispozicion.
Jo vetëm për të vënë para përgjegjësisë këtë pakicë të korruptuar, sikurse janë dy komisionet e para hetimore që kemi kërkuar për Inceneratorët e mafies së plehrave dhe për çështjen Beçhetti. Por edhe për të ndalur me të gjitha mjetet përsëritjen e një tjetër masakre zgjedhore, duke hetuar në komisionin parlamentar të gjitha ato krime dhe shkeljet që ndaluan përdhunshëm ndryshimin që shumica dërmuese e shqiptarëve e dëshiruan më 25 prill.
Duke luftuar për të bërë të gjitha gjetjet pjesë të ndryshimeve të domosdoshme, që në zgjedhjet e ardhshme, kurdo qofshin ato, të mos kemi një tjetër raport të ODIHR të ngjashëm me atë të Bjellorusisë së Lukashenkos. Por mbi të gjitha, që ju të mos keni një qeveri që edhe në ditët tuaja të më të vështira, të sjell në parlament akte normative për blerje dronash, për heqje TVSH jahtesh apo që i kalojnë Bashkisë së kryeqytetit 900 milionë lekë për aferën e radhës korruptive që fshihet me emrin Teatër i ri Kombëtar, që e shkatërruan barbarisht.
Aq më tepër, të mos kemi një qeveri që kërkon të sanksionojë me ligj, zëvendësimin e të paktën 500 mijë shqiptarëve, vëllezërve dhe motrave tona, bijve dhe bijave të baballarëve dhe nënave shqiptare që u larguan për shkak të kësaj qeverie, me bangladeshas apo kombësi të tjera që do të vijnë këtu për të shërbyer si skllevër, gojëmbyllur, me shpresën e ligë të hartuesve të këtij ligji malinj dhe antikombëtar, se largimi i forcës më vitale, më të kualifikuar, më krijuese, i të rinjve e të rejave tanë, do të mbushet me të shkretë që nuk presin asgjë tjetër veçse një kothere dhe një kapanon ku të kalojnë natën. Kjo fatkeqësi kombëtare duhet të marr fund!
Përpara se ta mbyll, kam një thirrje për zonjat dhe zotërinjtë e pushtetit të tretë, të gjyqësorit. Ju drejtohem atyre edhe si qytetarë të këtij vendi, edhe si familjarë dhe dëshmitarë të asaj që po ndodh në këtë vend. Kur të mbyllet kjo seancë, në mungesën e veprimit tuaj të stërzgjatur, në mungesë së ndëshkueshmërisë, ajo që do të mbetet janë qëndrimet politike të të dyja kampeve, debatet tona, propaganda e regjimit do përpiqet t’i shpërfaq si thjesht llafe apo propagandë. E vërteta në fakt është aty jashtë.
Është te çmimet që rriten, te sipërmarrjet që mbyllen, tek investimet e huaja që nuk vijnë, te korrupsioni që han buxhetin e shtetit dhe përparimin e ekonomisë. Zonja dhe zotërinj të gjyqësorit, u bë kohë që shqiptarët po ju presin. Mos lejoni që mosveprimi dhe vonesa juaj të bëhet penguese për demokracinë dhe interesat e qytetarëve, po aq sa ky regjim, apo baraz me aq sa ky regjim i ka shpallur luftë interesave të shqiptarëve.
Mos u bëni bashkëpunëtorë në krim, por ndëshkojeni krimin në të gjitha nivelet. Lëreni tapetin e kuq për artistët e vërtetë, dhe mos parakaloni krah për krah me subjektet e drejtësisë, uriahipet e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Me ata të cilëve në vend të gotave të shampanjës duhet t’iu trokisni prangat e drejtësisë. Ju faleminderit!
PËRGJIGJA E PARË E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, PËR KRYEMINISTRIN NË KUVEND
Ata pak student të psikologjisë që mund ta kenë ndjekur fjalën, e dinë se për çfarë fenomeni mjekësor bëhet fjalë. Quhet projektimi, e ka mendjen tek dikush tjetër dhe flet për dikë tjetër. Zemra i rreh për ustain për të cilat ia ka kaluar në të gjitha drejtimet e këqija. Si është afruar asnjëherë në gjërat e mira që ai ka bërë për këtë vend. Por çfarë ka pasur të këqija dhe vese i ka pasur 500 herë më të mëdha. Por para se ti kthehem asaj dua të them dy gjëra fare qartë.
Nuk jam në këtë sallë për të qenë dikush tjetër veçse vetja ime , por të jeni të sigurt që jam vetja ime kur ju them jo vetëm atë që ju thash por më shumë se aq , se guxoni të vini në këtë foltore e të vini të na bëni moral ne , opozitës të Shqipërisë, të ardhur këtu me zemrat dhe dëshirën e Shqiptarëve për ndryshim , ju përfaqësues të listës më të zezë të kriminelëve dhe oligarkëve që ka njohur ky vend 30 vite.
Jua thashë dhe një herë , ne jemi në këtë sallë për një arsye, për te kthyer demokracinë dhe legjitimitetin, përndryshe ky është një kotec krimi dhe korrupsioni , që po të kishte një fije guxim drejtësia, gjysma prej jush do ishin në hekura sot. Pra mos guxo as ti as langot e tu të provokojnë opozitën.
Mirëmëngjes nga unë s’ke për të dëgjuar, siç nuk ke dëgjuar asnjëherë , se prej ditës time të parë në politikë je sjellë siç je, armiku im, për atë që unë përfaqësoj dhe s’ke faj sepse sa herë më sheh të del para syve ora e rërës. Po, po por ta ka mbajtur pak dorën llumi i tranzicionit .
Kështu që nëse nuk do të dëgjosh atë pjesë timen që ti e njeh shumë mirë, siç e njeh një pjesë e deputetëve të tu këtu dhe një pjesë e atyre me të cilët darkon e drekon , kriminelët e kam fjalën , qoftë ata që bëjnë si të fortë, qoftë ata që ulin sytë kur ndeshen me ish ministrin e brendshëm që ndryshe nga ministri yt i brendshëm i tanishëm, i mëparshëm e i mëparshëm, ju tregonte vendin, nuk bënte pazare me ta.
Në qoftë se nuk do të provokosh një reagim të tillë thuaji langonjve të vetëpërmbahen kur i drejtohen kësaj opozite, se kjo është pasuria e vendit, kjo është shpresa e vendit , kjo është shpresa edhe për atë pjesë të këtyre këtu shumë të vogël dhe të atyre socialistëve jashtë kësaj salle që mezi presin t’iu heqin qafe ju që e mbani veten për sheikë të përjetshëm.
Kjo është e para, e dyta të gjithë mund të jemi prindër më të mirë , në veçanti ne politikanët , unë kam një borxh të paparë ndaj fëmijëve të mi dhe jam gati të marr leksione prindërie nga çdokush në Shqipëri përveç teje , jo prej teje .
Tani të vijomë tek halli, halli im o Edi Rama janë shqiptarët, por ty kaq ta ka prerë që në ditën e parë që je futur në politikë e kështu do ta presë deri ditën e fundit që je në politikë. Ti hallet i mat me kutin tënd, halli yt është se të ka mbaruar vaji i kandilit, ti këtë e di shumë mirë , e dije para 25 prillit, e di pas 25 prillit. Doje të digjje prap vajin tetë vjeçar , ja që se djeg dot më vajin tetë vjeçar.
Nuk ke më me çfarë të merresh dhe e di që nuk ka më dhjamë për të shtrydhur shqiptarëve. Kështu që ke vendosur sa herë që përmende foltoren këtu, dhjetë herë?! Foltorja nuk është halli im, është halli jot, foltorja është ding-dong u, bëhu gati dhe ti për foltore sepse nuk ka foltore të të shpëtojë ty , nuk ka foltore të të shpëtojë ty.
Unë kam guximin që në atë komision të inceneratorëve do të hetohen të gjithë, edhe llumi dhe të korruptuarit gjatë qeverisjes tonë. Ti që thua moratorium heshtje, që guxon të më përmendësh mua heshtjen, ti more pse nuk i arrestove ata tetë vjet? Pse nuk i çove në prokurori? Pse nuk i dënove? A më fal, sepse e ke ortak , nga Elbasani në Shijak , apo se ta ka qejfi ti greposh e ti gradosh për ti hedhur kundër opozitës ? Lojë e vjetër Edi Rama, mund ta luaje katër vitet e para sepse me të vërtetë isha i ri dhe nuk i kisha mësuar truket e tua , por tani ti ka mësuar gjithë bota . Llumi i tranzicionit është një dhe vetëm një, pavarësisht nëse buron nga një parti apo nga një parti tjetër.
Pavarësisht se drekon apo darkon me të njëjtët oligarkë apo aktorë të krimit të organizuar dhe përpiqet të influencojë opinion publik përmes të njëjtave ekrane, ekraneve të kapura. Është i njëjti llum dhe ka të njëjtat interesa, ju bashkojnë të njëjtat gjera, Status quo-ja. Dhe status quo-ja është kjo që të flisni për satelitë ndërkohë që njerëzit nuk kanë bukë për të ngrënë. Pse? Sepse ju notoni në luks dhe pushtet.
Sepse zotrote ka harxhuar vitin e kaluar më shumë kohë me sheikë dhe darka sheikësh e kriminelësh e oligarkësh sesa duke takuar njerëzit e thjeshtë të zonës elektorale që përfaqëson. Këto janë interesat tuaja dhe prandaj e keni shkatërruar edhe reformën në drejtësi, keni kapur përbishti drejtuesit e drejtësisë së re, i bëtë rezil ambasadorët e partnerët tanë strategjikë duke shkuar javë për javë duke u thënë veproni, veproni, veproni.
Sa dalin ata nga dera kërcasin telefonat e 184, të tërmetit, e të tjerëve këtu dhe u thonë mos veproni. Mbushen sarajet dhe zyrat e tua me prokurorë që të vijnë natën që mos shkarkohen nga vetingu. Po ti mos kujto se këto i di vetëm unë. Edhe këtë vaji i kandilit ka mbaruar. Edhe perëndimorët e kanë kuptuar që bëre sikur ndërtove hierhimën e drejtësisë, por e ke pa ashensor, pa elektricitet, pa sistem hidraulik, të papërdorshëm.
Nga jashtë duket bukur që ta shesësh ti në ato panairet e kotësive ku shkon me atlete. Por nga brenda të gjithë e kanë kuptuar që ti je rreziku më i madh i mundshëm për Reformën në Drejtësi e cila aktualisht është në koma të thellë pikërisht prej teje. Tani para se të kthehem tek rrenat e tua për energjinë dhe krizën e korrupsionit që po han shpirtin e nënave që nuk shtrojnë dot një drekë apo një darkë normale, që po u ul kokën baballarëve para fëmijëve të tyre, por ti s’do t’ia dish për këto. Që ia ka ngushtuar lakun deri në fyt sipërmarrjes shqiptare.
Dua të them fare qartë se në fushën e ligjeve të drejtësisë jo vetëm që nuk merr vesh asgjë, por je rrethuar nga injoranca. Injorantë totale, e frikshme, sovjetike. E kotë të të shpjegoj ty “ius cogens”. E dinë studentët e viti të parë shyqyr zotit. Po ku ka detyrim më të madh të shtetit se sa të mbrojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut? Ti thua është shpallur në kërkim dhe ne po mbrojmë një njeri të shpallur në kërkim. Jo more jo. Arrestoje Beketin sot.
Ti që ke marrëdhënie të shkëlqyera, por në fakt s’ta hap derën njeri sepse e dinë që je babai dhe nëna e kokainë në të gjithë Europën Perëndimore. Arrestoje Beketin, por nga ana tjetër ti je i dënuar me vendim që ti nuk e fsheh dot nga ministria jote e Drejtësisë ka dalë, nga 184 ka dalë. Ja ku është vendimi. Ky është vendimi që ky thotë nuk ekziston.
Bashkë me interesat 120 milionë euro të cilat duhet t’i paguajë Shqipëria për shkak të luftës së tij personale me atë që thotë është në kërkim. Është në kërkim, merre arrestoje. Por kësaj si do ia bësh? Sepse Eurocontrol ka filluar t’ua marrë paratë shqiptarëve, Albcontrol-it. Madje ka informacione që na kanë zënë edhe pronat në Bruksel për të paguar këtë që është në kërkim. Ky që është në kërkim arrestoje pra.
Megjithëse me këta në kërkim nuk ke ndonjë rekord të mirë ti se Zaganin e çove në kërkim dhe mbrojte Saimir Tahirin. Kjo është qeveria jote. Zagani në kërkim Saimir Tahiri në dhomën e gjelbër në Shtëpinë e Bardhë, ky je ti. Ia ule kokën edhe presidentin Obama. E more kryetrafikantin e çove në Shtëpinë e Bardhë. Por prapë po të them, ai vaji i kandilit ka marrë fund.
Ta kanë marrë vesh. S’ka thes që të shpëton më me vulë shqiptare, turke apo serbe që çon në Washington për të paguar lobistë. Tani të kthehemi pak tek çështja kryesore. Ti s’ke rritur çmimin e energjisë? Kush e çoi nga 7.4 në 9.4 lek? Unë e çova? Kush e çoi në 2014-ën apo 2015-ën? Kush e shtoi 240 lekë çmimin e karburantit me taksën Rama? Dikë këtu e detyroi që të firmoste VKM-të se kishe frikë se shkoje në burg dhe detyroje atë të firmoste VKM-të ditën dhe shante qeverinë natën. Të dilet ë gënjente. Kujt t’i djegë lë të qeshë. Doli tha është taksa që ka vendosur PD-ja. Jo more jo. Transferimi i taksës së qarkullimit në taksën e karburantit ishte 7 lekë bashkë me TVSH-në 8.4. Kush ia shtoi 240 lekë karburantit? Ishte 8.4, kush ia shtoi? Ky këtu.
Prandaj karburanti edhe javën e kaluar se tani nuk e kemi kontrolluar ishte më i shtrenjtë se në Austri, prej këtij këtu. Qetësohu mo qetësohu, kaq shumë të dogji mo burrë? S’të detyrova unë të firmosje VKM-të. Kur të thërrasi SPAK-u thuaj më detyroi ai. SPAK-u me dhëmbë jo ky me protezë, por do të vijë edhe ai se ndalni dot gjatë pa merak. Tani këto çmime prekin 650 mijë familje. E di ti çfarë do të thotë një familje që s’paguan dot faturën e energjisë? Apo s’ta vërshëllen fare ty? Po 2 familje? Po një lagje? Po 650 mijë familje që nuk paguajnë dot energjinë e rritur nga ty e di se çfarë do të thotë? Ti, lideri global i satelitëve në vendin ku njerëzit blejnë gjysmë buke, dy karota dhe dy qepë.
A nuk je ti që ke 12 jetë kryefamiljarësh në ndërgjegje sepse kanë vrarë jetën në qeli kur i ke plasur brenda për energjinë elektrike? 1 mijë të tjerë i ke futur në burg, 400 mijë të tjerë kanë kaluar të paktën 1 natë në komisariat. Në cilin vend tjetër ka ndodhur kjo? Sado të përdridhesh dhe spërdridhesh këtu faktet janë ato që janë. Faktet janë se ti je përgjegjësi për vjedhjen 10 milionë euro me vetëm 3 tenderët e fundit. Shiko çmimin e bursës dhe sa i ke blerë. Ku i ke faktet? I kemi publikuar 3 herë vetëm 5 ditët e fundit. I ka parë e gjithë Shqipëria vetëm ti refuzon t’i shohësh sepse ti jeton në gënjeshtrën tënd. Rrena, propagandë, luks dhe terror ndaj të varfërve. Kjo është bota jone ndaj nuk ke veshë të dëgjosh . Pse e ke blerë 10 milionë euro më shumë në 3 tendera sesa çmimi i tregut. Tunelin e Llogarasë pse e ke 12 milionë euro më shtrenjtë se oferta më e ulët? Pse e zbraze kaskadën e Drinit dhe e shite 60 apo 70 milionë euro në gusht, kush ta kishte fajin? Zoti ta kishte fajin? Apo shquhet Shqipëria për përmbytjet e gushtit dhe e blen tani 3-4 fish, pse? Në rastin më të mirë për ty, më të mirin e mundshëm, tregon që je njëri që s’ke aftësinë të jesh as drejtor kopshti fëmijësh. Në rastin e vërtet tregon që je në krye të një kupole hajdutërie, edhe ma ke marrë dhe shef, drejtues politik aty ku je deputet, kryehajdutin e OSHEE-së.
Aty lidheni bashkë, aty lidhni dhe të tjerët. Kështu që, mos u përpjek të bësh kot diversion, kjo nuk është krizë, kjo është kriza e korrupsionit tënd. Dhe korrupsioni jot konsiston në marrjen e parave nga taksat e shqiptarëve, për një grusht oligarkësh. Tani ta sqarojmë, meqë ti bën sikur se kupton diferencën midis sipërmarrësve të mëdhenj, të ndershëm dhe oligarkëve të tu të cilët, nga 12 shkuan 6 dhe tani janë katandisur sa gishtat e një dore.
Një nga një t’i marrë unë. Pse të ra heshtja të në mbledhjen e kaluar, kur të thanë që 30% e karburantit futet kontrabandë? Do emra ti? Emra do? Ti them unë. Të mori baca Çet ty? Të mori baca Çet? Kështu? Zamiri të mori për tynelin e Llogarasë? Ça emri tjetër do? Se janë futur dhe ca të tjerë që si dihet ku fillojnë paratë e drogës dhe ku mbarojnë paratë e tua dhe të zyrtarëve të tu. Se gjysmën e gropave i paguan droga në Tiranë, gjysmën i paguani me paratë që keni vjedhur shqiptarët. Se Tirana thotë nuk merret vesh nëse Çet Kastrati është pronari apo administratori i pasurive tua?
S’të vjen mirë ty!
Kujtove se do të vazhdosh teatrin ti, prandaj kapesh me thonj pas foltores. Mbari koha e teatrit! Shihi mirë statistikat, se dhe INSTAT-i që e ke kapur prej fyti, thotë që të ka rënë 15% edhe konsumi, edhe eksporti korrik me gusht. Ndoshta ti shikon vetëm importin e bananeve. Ai të është rritur. Bananet janë rritur, bravo! Të janë rritur bananet se të gjithë ata që bëjnë trafikun e drogës që vjen me bananet, edhe ata që i ke pasur jashtë oborrit, i ke futur në oborr sot, I do emrat? Ta mban? I do emrat apo jo? Shko tako përfaqësuesit e Agjensive Ligjzbatuese të partnerëve, unë të siguroj që i kam. Në qoftë se nuk t’i kanë dhënë, shko takoi.
Edhe pastaj mos i bëj presion Gledis Nanos të mos veproj. Tani, një gjë të jetë e qartë. Moratorium heshtjeje për opozitën s’ka më. Vetpërmbajtja e këtyre viteve ka qenë forca ime, jo dobësia ime. Ka qenë dhe bindja ime shpeshherë e gabuar për një diferencë absolute midis palëve. Nuk ka diferencë absolute, po padiskutim jemi të pakrahasueshëm.
Më i keqi dhe më hajduti i qeverisjes tonë, i cili meqë ra fjala, s’ke arritur të çosh para prokurorisë, nuk krahasohet me më të mirin tuaj. Megjithatë, ne e kemi nisur dhe do ta çojmë deri në fund pastrimin tonë. Unë nuk pështy mbi 16 vite bashkëpunimi dhe partneriteti me Sali Berishën. Nuk pështy. Sikundër nuk kam ndërmend të bëhem pjesë e procesit që kaq shumë të pëlqen ty tek citon ndoshta në çdo sens të përbaltjes, të llumit, të gënjeshtrave, të renave. Sigurisht vetëdijësohem për gabimet tona, për këto 16 vite dhe për këto 30 vite si Parti Demokratike.
Pyes veten time, çfarë duhet të bëjë që Partia Demokratike të bëhet sërish valvula dhe zemra e shpresë jo thjesht për demokratët, por të paktën për ata 63% që na votuan në 1992-in. Dhe e di që ka një rrugë për të shkuar atje dhe ajo rrugë ka nisur. Fatkeqësisht për ty ajo rrugë të merr dhe ty tatëposhtë dhe nuk ka fuqi mbi tokë ta ndal.
Dhe me sjelljen blastfemuese dhe mungesën totale të dijes e jo më të respektit që ke për fenë, nuk ka Zot që të shpëton.
PËRGJIGJA E DYTË E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, PËR RAMËN NË KUVEND
Po të mos ishe njeriu që ke në dorë, fatkeqësisht buxhetin e shtetit, fatet e vendit me thënë të drejtën nuk do të aktroje dot as sa një aktor i dështuar shfaqjesh në kopshte fëmijësh. Kaq mjerueshëm ka zbritur niveli yt i intelektit, i argumentit dhe i përballjes.
Por sigurisht kjo nuk është një foltore për përballje personale. Kjo është një foltore që ti të japësh llogari përpara shqiptarëve edhe ngaqë ri nuk jep dot llogari para shqiptarëve rrëshket në këtë lloj llogoreje siç the zotrote sepse mendon se kështu shqiptarët do ta shtyjnë edhe një ditë pa bukë me fatura të shtrenjta, me pasiguri për fëmijët duke parë teatrin e shëmtuar 30-vjeçar. Dhe për këtë po të them edhe njëherë je kapur me thonj pas foltores.
Dhe pjesën më të keqe të këtyre 30 viteve nuk ka njeri tjetër ta ketë përvetësuar e ta ketë kthyer në formën më të shëmtuar e më neveritëse të retorikës se sa ti. Prapë gjërave kryesore jo vetëm që nuk u dhe përgjigje, por mashtrove me pacipësi njësoj si herën e kaluar. Vjen këtu dhe flet për taksë karboni. Po këtë bën për budalla ti, shqiptarët? Kush të foli ty për taksë karboni? Sa herë të kam thënë nga kjo foltore, kush e rriti me 100 lekë plus 20 TVSH në hajnar të 2014-ës çmimin e naftës dhe benzinës në Shqipëri, unë apo ti?
Kush e rriti edhe me 120 lekë të tjera 1 vit më vonë? 240 lekë për litër sot shqiptarët, jo taksë karboni jo, taksa e rritur e qarkullimit? Kush ia shtoi? 65% e çdo litri shkon taksë për ty dhe ortakët e tu. Sepse siç të thashë herën e kaluar shëndetësinë e ke futur në gropë, njerëzit i le në çadra dhe u dhe vetëm javën para zgjedhjeve 85 herë më shumë seç u dhe pjesën tjetër të kohës. Shkollat nuk i hap sepse “Naim Frashërin” ta thashë në Durrës e ke fshirë sepse do të pastrosh lekët e Gjushit dhe të Çelës me qendër tregtare. Po kujt i flet ti për taksë karboni? Si karboni i zi është vetëm mashtrimi yt, gënjeshtra jote. Prandaj them që je në ajër, ke kohë që je në ajër.
Ti që flet për kilometrat që bën dhe shtëpitë ku futesh. Ti futesh për të nxjerrë vetëm atë ‘blipin’ në rrjetet sociale dhe pastaj nuk mban mend as emrin e gjynahqarit. Siç mashtrove djalin e vogël që e çove tek Ronaldo dhe pastaj e le aty ku e le. U kujtove vetëm kur ta denoncoi opozita. Sepse s’ke faj, je në ajër. Je në ajër në të gjitha kuptimet. Edhe kur bie flaka ti merr helikopterin e vetëm të ushtrisë dhe i shikon zjarret nga ajri. Është kështu apo jo? Apo edhe këtë ta sajova unë? Ti padiskutim ke bërë betejat e tua. Ti ke ardhur apo të kanë sjellë nga Parisi siç thoshte ai që të ka sjellë nga Parisi ke bërë betejat e tua, siç thonë shokët e tu, sot kritikët më të mëdhenj qëkur je ulur në karrigen e ministrit të Kulturës. E ke lidhur aleancën me krimin me bashkinë e Tiranës ta dinë të gjithë t’i njohin, të gjithë se cilat banda fute në 2000-in. Se si e nise traditën e kthimit të kryeqytetit në lavatriçe të pastrimit të parave. Se si kërciste anti-tanku në mes të rrugës dhe ti dilje ne mbrëmje nëpër festa sikur s’kishte ndodhur asgjë. Se si ndërrove banditët vdekur me banditë të gjallë për 2003-shin dhe të gjitha me radhë deri në 2011-ën. Aty u duk sikur u stopove por për fatin e keq të shqiptarëve dhe për fatin e keq të Partisë Socialiste , shumicës dërrmuese të socialistëve u riktheve si Drakula në një vend që sot në çdo indikator është më keq se ku ishte para 8 vjetësh.
Ndërsa unë s’kam gjetur asgjë gati. Përveç tigrit në zonën time elektorale, ku s’kishte fituar që në 92-shin PD-ja, e që e kishte shtruar fushatën në të gjitha aspektet me buxhet të pakufizuar dhe prapë se prapë kur humbi tha që ia vodha zgjedhjet unë. 6 muaj në Shqipëri, i kthyer nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe studimet në Holandë i vodha zgjedhjet tigrit. E di unë që të dhemb 2009-ta dhe më shumë se 2005-sa. Të dhembin ata 7 deputetë të Elbasanit që të mohuan delirin tënd të pushtetit një-partiak. Për të mos thënë pastaj kur të hoqa bankomatin në 2011-ën se ti nuk kishe bashki, ti kishe bankomat. Se po të kishe bashki ti i kishe mbyll të paktën gropën Hajdin Sejdisë. Se ngaqë s’e mbylle 11 vjet kryetar bashkie të gjithë qytetarët mbyllnin hundën sa herë kalonin në qendër të qytetit. Ti punëtori i madh që s’të zë gjumi. Që s’të zë unë e besoj, por s’të zë për arsye të tjera dhe në ato ke të drejtë, duhet t’ia lëmë fjalën mjekëve të flasin më mirë se unë. Kështu pra megjithëse ja paske kërcit, pasi i the fjalët, si burrë i madh, i fortë dhe trim që je dhe s’ke ndenjur të dëgjosh të vërtetat, këto janë të vërtetat , por e vërteta e të vërtetave është që sot ti po bën gati të vjedhësh prapë shqiptarët me pretekstin e një krize , që nuk është krizë energjie, por është krizë korrupsioni.
Sepse je ti që në këtë kohë po paguan 12 milionë euro më shumë për tunelin e Llogarasë, je ti që në këtë kohë kë blerë 10 milionë euro më shumë energjinë se sa bursa, je ti dhe vetëm ti që në këtë kohë kë tenderuar lotët e Unazës së Tiranës mer dhjetëra milionë euro më shumë sesa oferat tjetër më e ulët. Është hajdutëria dhe babëzia jote që vazhdon e vazhdon të gërryejë financat e shtetit. Është mungesa e ndëshkueshmërisë që shkatërron moralin edhe të nënpunësit më të fundit në një shtet të rënë dhe të kapur nga korrupsioni, siç e thotë bota dhe nuk e thotë opozita, nuk e thotë Partia Demokratike, nuk e them unë . Shqipëria është një shtet i kapur nga korrupsioni. Departamenti Amerikan i Shtetit ta ka thënë të zezë mbi të bardhë , je vendi më i korruptuar në rajon, nuk është ndonjë histori e bukur për të qenë kur vjen fjala për korrupsionin .
Pra me dy fjalë, mjerimi dhe varfëria vijnë prej teje dhe korrupsionit tënd. Ah ke të drejtë, për diçka ke të drejtë, edhe me 25 prill me banditë, me shkrirjen e shtetit me partinë, siç e thotë raporti i ODIHR, jo unë. Me patronazhistët që janë sigurimi i ri i shtetit, me të vetmin ndryshim që i pret një fat ndryshe nga ish-Sigurimi i Shtetit. Sado zemër t’i japësh t, o do të tërhiqen o do t’i gjej belaja, kudo ku janë.
Edhe në gjykata, po dhe në rrugë, edhe në lagje, do t’i gjej belaja, se këtu nuk do të instalohet më Sigurimi i Shtetit. Edhe me paratë e tërmetit për vota, legalizimet për vota, shpërdorimin e fatkeqësisë më të madhe të shqiptarëve, pandemisë, me tendera sekret dhe vjedhje dhe përdorimin e këtyre parave për vota. Me të gjitha këto, prapë se prapë nuk ja dole.
Nuk ja dole përveçse të zgjasësh edhe disa “blipa” të tjerë, jetën e kësaj fatkeqësie kombëtare që ti e quan qeveri dhe shqiptarët e quajnë lemeri. Ne jemi këtu më shumë dhe më të fortë. Jo aty ku do ishim me votën e lirë dhe të ndershme të shqiptarëve, si e vetmja forcë politike me një program, se ti ke 8 vite që nuk e di se çfarë është programi, por jemi këtu për të bërë detyrën tonë, për të kthyer një orë e më parë vendin në shinat e demokracisë dhe legjitimitetit. Dhe për të çuar ty, bashkë me llumin e tranzicionit 30-vjeçarë aty ku e ke vendin.
Së pari, jashtë kësaj salle, e pastaj kur t’i rriten kicat SPAK-ut, i cili mesa duket ka nevojë për më shumë steroide nga vendi i “Pfizer” dhe nga vendet e “Astrazenekës” e të “Modernës”, por jo të “Sinovakut” e të “Sputnikut”, se do na ngrej dhe satelitë zotëria jote, pastaj edhe vendin do ta tregojë pushteti i tretë, i cili për momentin duket se e ke vënë nën gjunjë dhe e kontrollon. Por edhe një herë po të them, bën mirë që i ndiqke ngjarjet brenda familjes tonë politike me kaq kërshëri, mëso, po shikoje deri në fund sepse as ty, askënd tjetër që ka bërë hesap të vendos interesat personale mbi interesat e shqiptarëve, nuk i pret ndonjë fund i ndryshëm nga ai që i rezervon çdo shoqëri dhe çdo komb që ka vendosur të ec përpara. Dhe po të them, Partia Demokratike ka vendosur të ec përpara dhe të udhëheq përpara shqiptarët drejt ndryshimit që meritojnë. Dhe kjo rrugë mund të bëhet duke mobilizuar të gjitha shqiptarët, që pikë së pari të heqim, shkulim, çmontojmë dhe gërryejmë tash 8 vjeçare që je ti dhe lemeria jote që e quan qeveri.