- Bojkoti i PS në Komisionin Hetimor, Jorida Tabaku: Mbrojtje politike për incineratorët.
DEKLARATË E N/KRYETARES SE PD JORIDA TABAKU, NË KRYESINË E KUVENDIT
Sesioni parlamentar është duke vazhduar dhe sot mbledhjet e komisioneve, ndërkohë që flasim, janë duke u zhvilluar.
Është për të ardhur keq që PS bojkoton mbledhjen e Komisionit Hetimor, pikërisht sot që drejtësia i ka dhënë mundësi Parlamentit të Shqipërisë të vazhdojë edhe më tej me planin e hetimit për të zbuluar se kush në të vërtetë arriti që të kryejë korrupsionin më të madh në Shqipëri me 430 mln euro.
PS premtoi që nuk do ketë mbrojtje politike për askënd që është i përfshirë në këtë aferë.
Ndërkohë që sot mbrojtja politike po jepet duke bojkotuar mbledhjet e komisionit.
Qytetarët e kanë të qartë se komisioni hetimor i inceneratorëve nuk flet pa prova dhe fakte, madje ky komision dhe SPAK-u po i afrohen të vërtetës. Dhe ndërkohë që Lefter Koka është vetëm fillimi, është vetëm i pari që duhet të shkojë përpara drejtësisë, PS është rreshtuar haptazi në mbrojtje të interesit korruptiv të Lefter Kokës, të Klodian Zotos që është sot në kërkim, të Stela Gugallias që është sot në kërkim dhe të Mirel Mërtirit.
PS me bojkotin e saj në këtë komision po përpiqet që të mbrojë njëkohësisht edhe personat e tjerë politikë të përfshirë në këtë aferë.
Në padinë e dorëzuar në SPAK, por edhe në indicet të Komisionit Hetimor për inceneratorët, ne kemi kërkuar që hetimi të vazhdojë me Edi Ramën si person i lidhur dhe mbrojtësi kryesor i aferës së inceneratorëve;
Me Arben Ahmetajn, ministrin përgjegjës dhe personin që ka njohje me pronarët e inceneratorëve; Me Damian Gjikurin, me atë që ka dhënë inceneratorin e Tiranës, pasi dy të parët u dhanë nga Ministria e Mjedisit, ai i Fierit dhe Elbasanit;
Me Qazim Sejdinin, Armando Subashin dhe sigurisht me Erjon Veliajn.
Pa bërë drejtësi për të gjithë këta persona, SPAK-u dhe Komisioni Hetimor nuk kanë për ta kryer punën e tyre.
Shqiptarët duhet të dinë se ku kanë shkuar 430 milionë euro të aferës së inceneratorëve.
Unë sot e kuptoj se përse institucionet shtetërore refuzojnë që të japin përgjigje dhe i njoftova sot anëtarët e Komisionit, përfaqësuesit e PD-së që kishin ardhur, që ne do të vazhdojmë me padi penale, nëse kjo vazhdon.
Unë e kuptoj se përse sektori bankar me urdhër dhe me një shkresë të Klodian Mërtirit nuk jep të dhëna për personat në hetim. Avokatë mediatikë, avokatë politikë nuk mund ta ndalojnë dot punën e PD dhe të këtij Komisioni hetimor që ka nisur duke denoncuar këtë aferë që nga viti 2016.
Unë e kuptoj sot përse konçesionari nuk jep të dhënat.
Ndërkohë që sot janë publikuar të dhëna sensitive të ardhurat e të gjithë shqiptarëve, pagat e të gjithë shqiptarëve që kanë dalë nga Drejtoria e Tatimeve, shteti refuzon t’i kthejë përgjigje Parlamentit për të ardhurat e shqiptarëve, për fondet e buxhetit shtetëror që janë djegur në aferën e inceneratorëve.
Sipas informacioneve që ka marrë Komisioni Hetimor rreth 40 kompani fiktive janë krijuar, që kanë pasur pagesa për individë pa kryer punë, babai i një deputeti të PS, z. Alqi Bllako është vërtetuar, përveç atyre që janë vërtetuar për z. Lefter Koka.
Partia Demokratike, unë dhe të gjithë anëtarët e Komisionit Hetimor, jemi të angazhuar t’i shkojmë deri në fund këtij grupi të strukturuar kriminal.
I bëj thirrje SPAK-ut të vazhdojë hetimet dhe të shtrihet tek personat me pushtet.
Sot Lefter Koka është pa pushtet dhe pa mandat deputeti.
Ata që janë me pushtet në zyrat e shtetit, ata që janë me mandat deputeti, nuk po hetohen akoma.
Askush nuk është mbi ligjin. Askush nuk ka për ta ndalur punën e këtij Komisioni.