• “Shumicë absolute”, Gazment Bardhi bën transparencën për Kuvendin Kombëtar të 18 Dhjetorit: Konfirmojnë pjesëmarrjen 69% e anëtarëve ose 5259 delegatë.

 

KONFERENCA E PLOTË E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI

 

Përshëndetje të gjithëve!

Jam së bashku me zëdhënësen e partisë dhe Kolegjin e Kryetarëve të degëve të Partisë Demokratike në këtë komunikim me median dhe nëpërmjet jush me anëtarët e PD për t’ju informuar për organizmin e Kuvendit Kombëtar të PD të datës 18 Dhjetor.

Siç jeni në dijeni, pas një rrëmuje disamujore, me gjoja nevojën apo kërkesën për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD, në ditën kur do të duhej të dorëzohej kërkesa zyrtare pranë institucionit të Partisë Demokratike për të mbledhur Kuvendin u krye një proces talljeje me anëtarët e partisë, veçanërisht me anëtarët e Kuvendit Kombëtar.

Duke vlerësuar këtë situatë, Kryesia e partisë me datën 15 Nëntor 2021, vendosi thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike në datën 18 Dhjetor, ora 11.00 në Pallatin e Kongreseve.

Për fat të keq, gjuha përçarëse dhe retorika përçarëse e z.Berisha vijoi edhe pas vendimit të Kryesisë për të thirrur Kuvendin Kombëtar të PD, ku çdo demokrat, çdo delegat i PD do të duhej dhe do të duhet të marrë pjesë për të diskutuar të gjithë sëbashku, si një familje e madhe çdo problematike që cilido prej anëtarëve gjykon që ekziston në Partinë Demokratike.

Unë dua fillimisht, përpara se të ndjekim një material dhe më pas t’ju informojmë mbi ecurinë e procesit të organizimi të Kuvendit të datës 18 Dhjetor, të falënderoj çdo kryetar të degëve të PD-së që sot më mua janë në këtë komunikim publik, për përgjegjësinë e lartë të treguar gjatë gjithë këtij procesi, për komunikimin intensiv që kanë patur me strukturat e partisë dhe me anëtarët e Kuvendit Kombëtar gjatë gjithë kësaj periudhe dhe me ndjekjen me përgjegjësi të lartë, në raport me çdo demokrat, të procesit të informimit dhe konfirmimit të pjesëmarrjes në Kuvendin Kombëtar të PD të datës 18 Dhjetor.

Siç thash, edhe pse Kryesia e partisë vendosi thirrjen e Kuvendit Kombëtar, u shpall fillimisht jolegjitime dhe u bë thirrje anëtarëve të Kuvendit Kombëtar të mos marrin pjesë në Kuvendin e tyre Kombëtar, në Kuvendin Kombëtar të demokratëve në datën 18 Dhjetor.

Dua shkurtimisht të shohim deklaratën, që është një retorikë përçarëse ndaj demokratëve dhe më pas do t’ju informoj për përgjigjen që i kam dhënë kësaj deklarate anëtarët e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Sali Berisha: “Në fakt i përshëndes ata qindra dhe mijëra demokrate dhe demokratë që i kanë grisur dhe po i hedhin në kosh, dhe po refuzojnë mençurisht antikuvendin e turpshëm, apo si të themi themelimin e shoqatës Basha-Bardhi.

Në fakt anëtaret e Kuvendit nuk i kanë hedhur në kosh me përgjegjësinë e tyre ndaj demokratëve që përfaqësojnë në Kuvendin Kombëtar. Kanë firmosur masivisht pjesëmarrjen në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike.

Gjithsecili prej tyre ka nënshkruar nën prezencën e një zyrtari të partisë një formular që konfirmon pjesëmarrjen në Kuvendin Kombëtar të PD të datës 18 Dhjetor, ora 11.00.

Kësaj thirrje përçarëse nuk i janë përgjigjur duke konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike 5259 anëtarë të Kuvendit Kombëtar, ose 69% e tyre.

Konkretisht, kanë konfirmuar pjesëmarrjen:

 

  • Qarku Dibër 352 anëtarë të Kuvendit Kombëtar
  • Qarku Korçë – 326 anëtarë të Kuvendit Kombëtar
  • Qarku Berat – 287 anëtarë të Kuvendit Kombëtar
  • Qarku Lezhë – 258 anëtarë të Kuvendit Kombëtar
  • Qarku Shkodër – 389 anëtarë të Kuvendit Kombëtar
  • Qarku Gjirokastër- 205 anëtarë të Kuvendit Kombëtar
  • Qarku Vlorë – 342 anëtarë të Kuvendit Kombëtar
  • Qarku Fier – 508 anëtarë të Kuvendit Kombëtar
  • Qarku Durrës – 308 anëtarë të Kuvendit Kombëtar
  • Qarku Elbasan – 544 anëtarë të Kuvendit Kombëtar
  • Qarku Tiranë – 1326 anëtarë të Kuvendit Kombëtar
  • Qarku Kukës – 112 anëtarë të Kuvendit Kombëtar

 

Ndërkohë që nga anëtarësia e Këshillit Kombëtar dhe me gjasë pas konferencës sime edhe Këshilli Kombëtar do të shpallet ilegjitim, kanë konfirmuar pjesëmarrjen 302 anëtarë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

 

Në total kanë konfirmuar 5259 anëtarë të Kuvendit Kombëtar ose 69% e totalit të anëtarëve të Kuvendit.

 

Ndërkohë gjatë kontakteve që strukturat e partisë kanë patur me anëtarët e Kuvendit Kombëtar, dua të bëj transparencën e plotë 1046 anëtarë të Kuvendit Kombëtar nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike duke refuzuar pjesëmarrjen në Kuvendin e thirrur nga Kryesia e partisë.

 

Ndërkohë që janë në proces njoftimi, një pjesë prej tyre raportohet se janë në emigracion ndërkohë që në në 11 degë të partisë për shkak se kryetarët e degëve nuk ja ë përfshirë në ketë proces, procesi procesi i njoftimeve ka nisur më vonë dhe vijon me afat deri të mërkurën e javës që vjen. Lidhur me degët e partisë që nuk janë përfshirë në këtë proçes njoftimi, si Sekretar i Përgjithshëm kam përgatitur një raport të plotë dhe do të kërkoj thirrjen e mbledhjes së Kryesisë për të parë veprimet që do të duhet të ndërmarrë kryesia e partisë në raport me këtë papërgjegjshmëri të treguar nga një numër i vogël i kryetarëve të degëve.

 

Unë do të lexoj personalisht listën e Këshillit Kombëtar, më pas zëdhënsja e partisë do të bëjë transparencë të plotë emër, mbiemër të çdo anëtari të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike që ka konfirmuar me shkrim dhe me vullnet të lirë pjesëmarrjen në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga kryesia e Partisë më 18 dhjetor.

 

Do të jetë një proces i gjatë por i nevojshëm për shkak të situatës së krijuar për të bërë një transparencë të plotë.

 

Anëtarët e Kuvendit nuk mbyllen dot në kasafortë.

 

Sikundër nuk caktohen dot as në rrugë dhe as në shkallët e partisë. Anëtarët e Kuvendit janë zyrtarë të përgjegjshëm të partisë. I kemi patur dhe do të vazhdojmë t’i kemi në krah në çdo përballje me regjimin e Edi Ramës. Në çdo fushatë zgjedhore kanë qenë aty në mbrojtje të votave të demokratëve dhe për të përfaqësuar interesat e demokratëve, kanë treguar konfirmimin masiv të pjesëmarrjes në Kuvendin e datës 18 që mes interesit personal të doktor Berishës dhe interesave të PD-së, interesave të demokratëve, zgjedhin interesin e PD, interesin e demokratëve.

 

Mes hallit të Sali Berishës dhe mes halleve të shtuara për shkak të keqqeverisjes 8 vjeçare të regjimit të Edi Ramës kanë zgjedhur të jenë në krah të halleve dhe problemeve të anëtarëve të thjeshtë të PD, të halleve dhe problemeve të qytetarëve shqiptarë.

 

Unë do të lexoj emrat e këshillit Kombëtar, e bëra të qartë se edhe Këshilli Kombëtar të dalë jolegjitim. Sikundër do të dalë edhe Kuvendi Kombëtar. Pra çdo isntitucion i partisë për shkak se nuk kontrollohet dhe nuk i nënshtrohet dot interesit personal të doktor Berishës por ka zgjedhur të jetë krah demokratëve në mbrojtje të interesit të PD dhe demokratëve. Keni parë gjatë këtyre ditëve dhe do të shikoni në vijim që do të shpallen jolegjitime.

 

Anëtarë të Këshillit Kombëtar që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvendin Kombëtar të PD-së më datë 18 dhjetor ku përfshihen deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, anëtarët e kryesisë së partisë, si edhe anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi Kombëtar i 17 korrikut dhe kryetarët e degëve të PD-së.

 

Shumica absolute e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar, 69% e tyre, ose 5259 anëtarë të Kuvendit Kombëtar, kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvendin Kombëtar të PD-së të datës 18 dhjetor.

 

I hapur për pyetjet tuaja për çështjet që keni interes.

 

 

Pyetje: Z.Bardhi ju deklaroni se mbështetja e delegatëve të PD për Kuvendin Kombëtar të datës 18 Dhjetor është 69%. Nga ana tjetër mbështetës të “Foltores”, Sali Berisha deklaron se ka 5 mijë firma të delegatëve të PD. Sa anëtar të Kuvendit Kombëtar ka Partia Demokratike? 

Gazment Bardhi: Ka një dallim dhe një diferencë të madhe midis konfirmimit të pjesëmarrjes dhe pretendimit për ekzistencën apo firmave për thirrjen e Kuvendit Kombëtar. Ju e dini që procesi për thirrjen e Kuvendit ka nisur, nëse nuk gaboj, në javën e dytë të muajit shtator dhe ka vijuar deri në 10 Nëntor. Ndërkohë që procesi i konfirmimeve për pjesëmarrjen, nënkupton se në cilin apo kush është Kuvendi legjitim i një partie. 5259 anëtarët e Kuvendi Kombëtar kanë firmuar pjesëmarrjen, pra nuk kanë kërkuar thirrjen e Kuvendit. Dhe nuk është sekret t’ju them që një pjesë prej anëtarëve të Kuvendit Kombëtar kanë deklaruar gjatë këtij procesi që kanë deklaruar se mund të kenë firmosur për thirrjen e Kuvendit Kombëtar sepse kanë gjykuar se mund të kishte nevojë për Kuvend Kombëtar, mirëpo nuk mbështesin as retorikën përçarëse, as tentativën për përçarjen e Partisë Demokratike dhe kësisoj kanë zgjedhur të marrin pjesë në Kuvendin Kombëtar të demokratëve. 18  Dhjetori është Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike.

Në total Kuvendi ka 7646 anëtarë, prej të cilëve 5259 kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvendin Kombëtar të datës 18 Dhjetor. E për ta vazhduar logjikën, që njëra nuk kundërshton tjetrën, konfirmimi i pjesëmarrjes në datën 18 Dhjetor konfirmon edhe për dikë që ka firmosur për thirrjen e Kuvendit, heqjen dorë nga ajo kërkesë. Sepse kërkesa e tyre nuk ka qenë për të përçarë partinë, siç e finalizoi për fat të keq dr. Berisha gjithë lëvizjen e tij. Duke treguar përpara çdo demokrati që nuk kish pasur as shqetësim dhe as problem për demokracinë e brendshme apo për respektimin e Statuti në PD. I vetmi problem i tij, tashmë i bërë publik, ishte pushteti brenda PD. E mes të shkuarës dhe të ardhmes, anëtarët e Kuvendit Kombëtar të PD kanë zgjedhur të ardhmen e PD, kanë zgjedhur t’i qëndrojnë interesit të demokratëve dhe PD dhe jo interesit personal të z.Sali Berisha.

Pyetje: Z.Bardhi ju thatë se këtu është Kolegji Kryetarëve të PD. Por në fakt nga kontaktet që unë kam patur, disa prej tyre nuk e kanë marrë këtë njoftim. A është ky një ndëshkim që ju po i bëni atyre që kanë dalë hapur se do të shkojnë në Kuvendin e 11 Dhjetorit? 

Gazment Bardhi: Së pari, nëse keni qenë e vëmendshme gjatë fjalës time unë deklarova që 11 kryetare të degëve  të PD nuk kanë pranuar të përfshihen në procesin e organizmit të Kuvendit Kombëtar të PD, të datës 18 Dhjetor. Kanë refuzuar të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në kuadër të këtij procesi.  Dhe sigurisht që nuk mund të jenë pjesë e këtij procesi.

Ky komunikim sot me opinionin publik është pjesë e procesit të organizimit të Kuvendit Kombëtar të datës 18 Dhjetor. Është i nevojshëm për shkak të rrëmujës së madhe të krijuar dhe shifrave, që sikurse iu kam deklaruar që ditën e parë, nuk është çudi që nesër të dalin 110%. Mos u habisni fare nga kjo! Dhe çdo kryetar dege që është angazhuar me përgjegjësinë e tij në raport me demokratët dhe PD është sot këtu në sallë.

11 kryetarët, të cilët nuk kanë pranuar të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre, e thash në cilësinë time si Sekretar i Përgjithshëm, ndërkohë që sekretariati i Partisë ka përgatitur një raport të plotë dhe shumë shpejt do të kërkojë thirrjen e Kryesisë së Partisë për të marrë veprimet e mëtejshme në përputhje me Statutin e partisë.

Pyetje: Nga përfaqësues të “Foltores” ka patur deklarata se në 11 Dhjetor do të ngrihet një Komision i Posaçëm për të ngritur pjesën e punimeve të këtij Kuvendi dhe do të përdorë asetet e PD. si do ta mbroni PD, në rast se këto persona do të vijnë në seli dhe do duan të përdorin asetet.  

Gazment Bardhi: Së pari, nuk e kam dëgjuar këtë deklaratë. Së dyti, nuk e kuptoj se çfarë do të thotë ajo deklaratë. Selia e Partisë Demokratike është pronë e Partisë Demokratike, është pronë e demokratëve. Asnjë demokrat nuk është i përjashtuar për të qenë në selinë qendrore të partisë së tij. Nuk keni parë ndonjëherë ju që ne të kemi mbyllur ndonjë derë. Çdo demokrat, çdo anëtari i PD është i ftuar t’i vizitojë selinë qendrore të PD.

Pastaj deklarata të papërgjegjshme të një njeriu, nëse i referoheni zëdhënëses të asaj që ju e quajtët “Foltore”, që flet në emër të demokratëve, ndërkohë që nuk përfaqëson asnjë demokrat, se nuk ka bërë asnjë betejë përkrah këtyre burrave dhe grave, e përpara mijëra demokratëve që këto 8 vite kanë qenë përballë me regjimin e Edi Ramës, nuk mund që as të na tregojë se çfarë të bëjnë demokratët, as t’i mësojë se çfarë do të bëjnë demokratët.

Demokratët i kanë dalë për zot PD edhe në momente të vështira të kaluara më parë. Do t’i dalin për zot PD për të kryer një betejë, një betejë kemi ne. Këta burra dhe gra që kemi këtu në sallë dhe mijëra të tjerë jashtë kësaj salle, përfshi 5259 anëtarët e Kuvendi Kombëtar kanë përballje dhe betejë me Edi Ramën. Dikush tjetër ka vendosur për problemet e tij personale, për interesin e tij personal të ketë betejë me demokratët. Në këtë moment përgjegjësia e jona, e çdo institucioni të PD është të mos vendosë qoftë edhe një demokrat përballë një demokrati tjetër.

Dhe ne kemi bërë gjithçka gjatë gjithë kësaj kohe që kjo të mos ndodhë. Nuk keni dëgjuar kurrë edhe pse jemi provokuar, edhe pse jemi fyer, edhe pse jemi baltosur, edhe pse ndaj nesh shpifet çdo ditë; nuk keni dëgjuar kurrë asnjë prej nesh të anatemojë askënd sa kohë është anëtar i PD.

Në momentin që nuk do të jetë anëtar i PD do të marrë përgjigjen e merituar. Sa kohë është anëtar i PD është përgjegjësia jonë për të mos i fryrë një fryme përçarjeje që ka vetëm një qëllim, të krijojë rrëmujë për interesin personal të një individi.

Pyetje: Përgjatë këtyre dy muajve personat që kanë qenë më në pozitë, besoj kryetarët e degëve e dinë, është që çdo person që mban pozicionin e delegatit të Kuvendit Kombëtar, dy javët e fundit bashkëpunëtorë të z. Berisha në Partinë Demokratike kanë lexuar me mijëra emra të pretenduara si emra të firmosura për mbledhjen e Kuvendit të datës 11, ju pak momente më parë thatë se edhe ju vetë përgjatë procesit të mbledhjes së konfirmimeve të Kuvendit të datës 11, ka patur nga ata delegatë që kanë konfirmuar se kanë firmosur edhe për atë të datës 11 dhe ju thatë se…

 

Gazment Bardhi: kanë kërkuar thirrjen e Kuvendit Kombëtar pa caktuar datë, e kam thënë edhe më parë.

 

Pyetje: … dhe ju thatë që çdo delegat që e ka konfirmuar tashmë prezencën në datën 18 ka injoruar Kuvendin e mëparshëm.

 

Gazment Bardhi: Ky është pohim i tyre, jo i imi.

 

Pyetje: … ditën e nesërme do të ketë një tubim, e konsideroni ju, pjesa tjetër e konsideron Kuvend Kombëtar. Nëse persona të cilët do të marrin pjesë në atë Kuvend, kryetarët e degëve e dinë se kush janë delegatët e Kuvendit Kombëtar, me emër dhe mbiemër dhe me fytyrën e tyre e cila deri tani nga pala organizatore është konfirmuar se secili prej tyre do të konfirmohet, automatikisht këta persona heqin dorë për thirrjen e Kuvendit më datë 18?

 

Gazment Bardhi: Së pari, nuk ka kërkesë të tyre për thirrjen e Kuvendit të datës 18, Kuvendi i datës 18 është thirrur nga kryesia e partisë. Konfirmimi për të marrë pjesë nënkupton marrjen pjesë në Kuvend. Unë uk dua të komentoj se çfarë do të ndodhë nesër, sepse në një tubim ndodh gjithçka. Ai që organizon tubimin mund të bëjë çfarë e shikon ai të arsyeshme në atë tubim. Është e drejtë e tij, është përgjedhje e tij. E sigurt është që nesër nuk ka mbledhje të asnjë organi të Partisë Demokratike. E sigurt është që asnjë institucion i PD-së nuk është nesër në tubim. Nuk organizon asnjë tubim. Kur të organizojmë tubim do t’ju vëmë në dijeni detajet se çfarë do të ndodhë në atë tubim. Procesin e vetëfirmos, vetëverifikoj, vetëskanoj, vetëvotoj dhe vetënumëroj, e kam thënë edhe një herë, 31 vite më parë burrat dhe gratë e familjes sonë politike e hodhën poshtë, e rrëzuan.

 

Pyetje: A keni kërkuar informacione nga krerët e degëve lidhur me ata delegatë të cilët kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e të dy Kuvendeve, ose tubimit të ditës së nesërme dhe Kuvendit të datës 18. Ndërsa ditën e nesërme do të ketë një tubim që ka parashikuar edhe shkarkimin e kryetarit të Partisë Demokratike z. Basha, po Kuvendi i datës 18 çfarë ka parashikuar? Do të ketë përjashtime atje?

 

Gazment Bardhi: Nuk kam informacion nga drejtuesit e degëve për konfirmime për pjesëmarrje në dy kuvende. Kam patur konfirmim që disa prej anëtarëve të Kuvendit kanë konfirmuar që kanë firmosur kërkesën për thirrjen e Kuvendit Kombëtar sepse kanë gjykuar që situata në Partinë Demokratike nuk zgjidhjet as me mitingje e as me foltore. Zgjidhet në institucione, dhe do të duhet të zgjidhet në institucione dhe kjo ka qenë arsyeja përse i janë bashkuar kërkesës për thirrjen e Kuvendit Kombëtar. Në momentin që Kryesia e partisë ka miratuar Kuvend Kombëtar, kanë konfirmuar se do të marrin pjesë në Kuvendin Kombëtar të datës 18.

 

Përsa i përket pyetjes së dytë, nuk ka për të pasur shkarkim të askujt. Sigurisht për z. Berisha, kryetari i Partisë Demokratike është shkarkuar që në 9 shtator, në momentin kur vendosi që përballë interesit personal të doktor Berishës të mbronte interesin e demokratëve dhe interesin e Partisë Demokratike. Në atë moment, Sali Berisha vendosi që për të, Lulzim Basha është i shkarkuar, sepse deri në atë moment e kishte menduar kryetarin e Partisë Demokratike si institucion për të mbrojtur interesin personal të z. Berisha. Momentin që kontatoi që Lulzim Basha është kryetari i Partisë Demokratike, i mandatuar nga demokratët, me përgjegjësinë për të udhëhequr demokratët dhe për të mbrojtur interesin e tyre, sigurisht që mendoi se në atë moment nuk mund të ishte më ai që z. Berisha kishte menduar.

 

Ka një proçedurë statutore se si mund të kërkohet shkarkimi i kryetarit të partisë.

 

Sikundër ka një proçedurë statutore se si kërkohet shkarkimi i Sekretarit të Përgjithshëm, i nënkryetarëve të partisë, i kryetarit të Këshillit, të kryetarëve të degëve. Ka proçedurë në Statut. Dhe për ta sqaruar për çdo demokrat që nuk e njeh apo nuk ka rënë rasti për ta njohur aq mirë Statutin e partisë, do të duhet të ketë një mbledhje paraprake të Këshillit Kombëtar, një mocion për shkarkim i miratuar nga shumica e anëtarëve të Këshillit Kombëtar që i nënshtrohet për vendimmarrje mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike. As është kërkuar mbledhja e Këshillit Kombëtar, as ka patur një debat për këtë çështje, prandaj nuk mund të ketë kurrë një vendimmarrje të tillë në asnjë Kuvend. Aq më tepër se z. Basha është konfirmuar si kryetar partie tre muaj përpara këtij momenti. E vetmja gjë që ka ndryshuar nga ai moment është se z. Berisha nuk është më anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Vetëm kjo gjë ka ndryshuar, asgjë tjetër.

 

Pyetje: A mund të na tregoni se cilët janë 11 kryetarët e degëve të cilët kanë refuzuar të marrin pjesë në procesin e konfirmimit për Kuvendin e 18 dhjetorit? Cili do të jetë vendimi që do i propozoni kryesisë së partisë duke qenë se thatë dhe keni mbledhur të dhëna për këta 11 kryetarë degësh dhe do të shkoni me një propozim në kryesinë e partisë. Nëse ne Kuvendin e 18 dhjetorit nga delegatë të PD do të mblidhen firmat e nevojshme për të paraqitur një mocion mosbesimi ndaj kryetarit apo lidershipit aktual të PD, a do të aprovohet një mocion i tillë? Do të hidhet në votim?

 

Gazment Bardhi: Nuk e kuptova pyetjen e dytë.

 

Pyetje: Nëse në Kuvendin e 18 dhjetorit disa delegatë të PD do të kërkojnë një mocion mosbesimi ndaj kryetarit Basha dhe lidershipit aktual të PD, a do të aprovohet një kërkesë e tillë? Do të hidhet në votim?

 

Gazment Bardhi: Mocioni zhvillohet në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike. Nëse shumica e anëtarëve të Këshillit Kombëtar miratojnë një mocion të tillë i kalohet për votim dhe përfshihet automatikisht si pikë në rendin e ditës. Nuk ka patur asnjë kërkesë të tillë sepse nuk ka patur asnjë arye për të patur një kërkesë të tillë. Përsa i përket raportit që do të prezantoj në kryesinë e Partisë sigurisht që do më lejoni në të drejtën time që fillimisht t’ia prezantoj kryesisë dhe më pas të informoj median mbi këtë raport.

Bëhet fjalë për degën Tropojë, Shijak, Fushë-Krujë, Tirana 1, Tirana 3, Tirana 9, Paskuqan, Devoll, Kolonjë, Vlorë dhe Gjirokastër.

 

Pyetje: Na ndajnë shumë pak orë nga Kuvendi i 11 dhjetorit që z. Berisha ka thirrur dhe aty do të shohim se sa do të jetë pjesëmarrja reale e delegatëve pasi z. Berisha ka thënë se janë mbi 5 mijë e 200. Nëse rezulton se është një shifër e tillë, do të thotë që shumë prej atyre që kanë konfirmuar se do të jenë edhe në Kuvendin e 18 dhjetorit. Do të marrin pjesë në të dy Kuvendet/ dhe si procedohet në të tilla raste kur delegatët pranojnë të jenë të pranishëm në të dyja Kuvendet që janë thirrur.

 

Gazment Bardhi: Anëtarët e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike 5259 anëtarë të Kuvendit të PD kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvendin Kombëtar të datës 18. Nuk ka asnjë Kuvend tjetër të PD-së. Nuk kanë ku të marrin pjesë anëtarët e Kuvendit Kombëtar.

 

Pyetje: Po ata që janë me kartë delegati?

 

Gazment Bardhi: Kush është pajisur me kartë sepse nuk i kemi shpërndarë akoma.

 

Pyetje: Organizimi…

 

Gazment Bardhi: Cili organizim?

 

Pyetje: Ju jeni në dijeni që delegatët janë pajisur me një kartë.

 

Gazment Bardhi: Sikundër ju jeni në dijeni që ka një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë që do të ndjekë çdo hap ligjor për lindo që ka guxuar të falsifikojë dokumenta duke vendosur logon, stemën indentifikuese të Partisë Demokratike pa asnjë autorizim apo vendimmarrje të organeve të PD. Për këtë do të keni informacion shumë shpejt. Flas për individët që për interesa personale keqpërdorin simbolet e PD-së. Nuk fola për anëtarët. Çdo anëtar partie përdor simbolet e partisë në ato raste kur lejohet të përdoren por nuk lëshon dokumenta në emër të ndonjë organi partie. Dokumentat lëshohen vetëm në emër të organeve të partisë.

 

Dua të bëj një saktësim, në listën që kam lexuar të Këshillit Kombëtar, nuk janë konfirmuar dy emra, më njoftojnë nga sektori i organizimit, z. Alban Daci nuk ka konfirmuar, z. Spiro Vaso nuk kanë konfirmuar. Është lexuar gabim gjatë kohës së kalimit të listës. Pra janë me shënimin, nuk kanë konfirmuar.

 

Pyetje: Mqse ndaluat tek kjo çështja e moskonfrimimit, unë kam dy emra të tjerë që konfirmojnë për Syri.tv, z. Kreshnik Bozho dhe z. Xhulian Guçe si anëtarë të Këshillit Kombëtar, thonë se nuk kanë firmosur për Kuvendin e datës 18. Na e tregoni dot formularët e këtyre dy përfaqësuesve të Këshillit Kombëtar?

 

Gazment Bardhi: Një pjesë të anëtarëve të Këshillit Kombëtar janë njoftuar nga Sekretari i Përgjithshëm, ndodhen në zyrën time, ndërkohë që një pjesë tjetër ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim me Sekretarin e Përgjithshëm, Kryetarin e Partisë apo me kryetarët e degëve. Emrat që ju përmendi, mqse njërin prej tyre e njoh, ka firmosur dhe formulari ndodhet në zyrën time për 1 minutë jua vendos në dispozicion.

 

Pyetje: Ju deklaruat që një pjesë e delegatëve ndodhen jashtë vendit. Do të kemi një listë se kush janë këta delegatë për të mos patur keqinterpretime apo falsifikime dhe aludime gjatë kësaj kohe. A keni një listë të deegatëve se kush është jashtë vendit përveç pjesës që do të lexohen emrat e 5259 delegatëve që kanë firmosur për datën 18 dhjetor.

 

Gazment Bardhi: Ajo që unë thash është se nuk kanë arritur të kontaktohen dhe arsyeja që jepet është se mund të jenë në emigracion. Unë nuk kam marrë të dhënat e TIM-sit se kush ka dalë jashtë dhe kush është në territor. Strukturat e partisë kanë raportuar pamundësinë e një numri të caktuar anëtarësh për t’u kontaktuar për shkak se numri i telefonit të tyre del i fikur dhe nga intersimi që kam bërë pranë strukturave përkatëse, ka rezultuar që janë jashtë vendit. Unë nuk kam marrë dhe nuk kam asnjë të drejtë të jap të dhëna se a ndodhen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë dhe kush ndodhet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Nuk është kjo as e drejta ime, as përgjegjësia ime.

 

Pyetje: Gjatë kësaj kohe janë lexuar 4890 emra në selinë blu të delegatëve të cilët kanë firmosur për datën 11 dhjetor. Mqse keni drejtuesit e degëve në këtë konferencë për shtyp, shpesh janë ngritur aludime se disa nuk janë delegatë të Kuvendit. A ka ndonjë përfaqësues dege që të hedhë poshtë ndonjë nga emrat që është lexuar dhe nuk është delegat?

 

Gazment Bardhi: Po sigurisht. Kam një raport të plotë edhe pse të pakërkuar nga kryetarët e degëve, jo vetëm për emra që janë lexuar tek shkallët apo në rrugë që nuk janë anëtarë të Kuvendit Kombëtar, jo vetëm për deklarime me zë dhe figurë të disa prej emrave që janë lexuar që deklarojnë se nuk kanë firmosur, pra nuk i ka pyetur askush dhe dikush tjetër ka firmosur në emër të tyre. Një listë të gjatë të personave që nuk ndodhen fare në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe deklarohen sikur kanë firmosur, por për shkak të rrëmujës së madhe që kjo krijon dhe për shkak se kjo do të na kthente në sytë e opinionit publik jo si një parti që synon të marrë drejtimin e vendit, por si një celulë ilegale, kam porositur çdo kryetar dege që të mos bëjë publike të dhëna të tilla sepse kjo do të dëmtonte në mënyrë të parikuperueshme imazhin e Partisë Demokratike në sytë e opinionit publik. Por mund të konfirmoj që një numër i konsiderueshëm, sipas raportimeve të verifikuara, nuk janë anëtarë të Kuvendit Kombëtar të PD-së.

 

Pyetje: Z. Berisha pak më herët në një deklaratë për mediat i bëri ftesë kryedemokratit Lulzim Basha por edhe të gjithë deputetëve të PD-së që të merrnin pjesë në Kuvendin e 11 dhjetorit apo në tubimin që ju e quani të 11 dhjetori. A do të jeni ju pjesë e këtij Kuvendi, apo këtij tubimi?

 

Gazment Bardhi: Nuk e kam ndjekur deklaratën e z. Berisha. Konfirmoj pjesëmarrjen time në Kuvendin Kombëtar të PD-së të datës 18 dhjetor, ora 11.00 në Pallatin e Kongreseve. Ftoj edhe z. Berisha të jetë aty prezent të parashtrojë çështje që mendon se do të duhet të diskutohen mes demokratëve. E kam përgjegjësi statutore ta ftoj si anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

 

Pyetje: Jemi të qartë për rendin e ditës së 11 dhjetorit. Po ashtu, edhe për Kuvendin e 18 dhjetorit. Nuk jemi shumë të qartë se çfarë do të ndodhë më 12 dhjetor. A keni një strategji konkrete në rast se mbështetës të z. Berisha do të vinin dhe do të protestonin përpara selisë blu për largimin e z. Basha duke u mbështetur në vendimet që do të merren me 11 dhjetor?

 

Gazment Bardhi: Unë nuk parashikoj dot se çfarë ka në mendje z. Berisha. E sigurt është që institucionet e partisë do të jenë 24 orë në 24 në punë në mbrojtje të interesit të Partisë Demokratike dhe në mbrojtje të interesit të demokratëve.

 

Për t’iu kthyer pyetjes së Syri.tv, në funksion të transparencës. Ky është formulari (tregon formulatin) i z. Xhulian Guçe. Një kopje mund t’jua vendosim në dispozicion televizionit tuaj për të bërë verifikimet e mëtejshme në transparencë të plotë të informimit të demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë.

 

Ju falemnderit.