Të nderuar qytetarë!
Përgjithësisht unë në fakt, përpiqem që debatin që kemi në familjen tonë politike ta mbajmë brenda familjes tonë politike. Por të dëgjosh Elisën që të jep mend se çfarë duhet të bëjnë demokratët, në fakt nuk mundem të mos flas.Sigurisht, ka një debat në PD, ka zgjedhje, ka në PD diskutime, ka mendime ndryshe. Por me kokën ulur si ju, nuk janë njerëzit, ashtu në rresht pas njëri tjetrit, me një kryetar që keni 15 vite që nuk e votoni. Dhe këtu vjen dhe mbrohesh me suksese imagjinare. Dhe flet për ligje imagjinare që ndoshta zbatohen vetëm në mendjen tuaj, se në realitetin e shqiptarëve, sigurisht që nuk janë.
U diskutua këtu ligji për pronarët përfitues si një ligj për pastrimin e parave. E di ministrja se çfarë ndryshimesh sjell ligji?! Është shtyrje afati. Nuk zbatohet herën e parë. Shtyhet afati. E sillni herën e dytë. Është arritje shumë e madhe.
Në fakt është arritje shumë e madhe. Me kokën lart duhet të jemi sepse e futën Shqipërinë në listën gri të pastrimit të parave. Prandaj po miratohen këto ligje.Sepse e kthyen Shqipërinë në qendrën e pastrimit të parave, duke pastruar 3.2 mld euro ndërtimi këtu në Tiranë me kulla, të bizneseve që janë me zero kapital. Biznese të regjistruara me zero kapital, sot po ndërtojnë ndërtesa miliarda euro.
E futën Shqipërinë në listën gri të pastrimit të parave me drogën dhe kanabisin që trafikohej zyrtarisht me leje shtetërore dhe me lojërat e fatit që i certifikuan. Hoqën bizneset e vogla se do t’i luftojnë dhe i kthyen vetëm bizneset e mëdha.
Se çdo biznes këtu duhet të komandohet nga qeveria, nuk ka më treg të lirë.
Këto janë sukseset imagjinare.
Në fakt, raporti i dalë dje nga Transparency International tregoi situatën reale që ne e kemi thënë për vit. Unë ndihem shumë e lodhur që të them edhe një herë që ra edhe një herë indeksi, që ra edhe një herë indeksi; që ra 6 vende Shqipëria dje.
Në vend të vijmë këtu, me kokën ulur e të shohim se çfarë mund të bëjmë që ta ndryshojmë këtë situatë, vijnë dhe “krekosen këtu si gjeli majë plehut!”. Se në fakt plehu është plehu i inceneratorëve në Tiranë, në Elbasan, në Fier.
Vetëm për këtë mburren, për gjëra të tjera nuk besoj se mburren. Sot banorët e “5 Majit” po protestojnë. Kam një vit që e kam denoncuar atë aferë. Po protestojnë se do të prishen shtëpitë e tyre, një pjesë janë prishur e do ndërtohet për rindërtimin, thuhet. 5 godina për rindërtimin atje janë ndërtesa shtetërore, nuk janë banesa qytetarësh. Nuk janë banesa qytetarësh. Do të bëhet edhe një ndërtesë e re për Drejtorinë e Tatimeve ose Doganash; për kolegen e znj. Spiropali që do shkojë atje me zyra të reja, për të prishur shtëpitë e banorëve që sot po protestojnë përjashta. Kjo është qeveria e Edi Ramës. Unë jam lodhur duke përsëritur raportet ndërkombëtare vit pas viti; duke thënë se si përkeqësohet, se si rritet borxhi, se si varfërohen shqiptarët. Më mirë këtë na e thonë qytetarët sa herë që i takojmë.
Por të mburresh këtu me rezultatet e 25 prillit; se ke blerë vota me 120 mln euro para të rindërtimit, se ke përdor patronazhistët, se ke nxjerrë të dhënat personale të mijëra bizneseve, se sot po përdoren pagat e çdo e dhënë tjetër financiare e bizneseve në treg, unë nuk e di se si duhet të krenohesh?! Nuk e di se si mund të krenohesh!
Për të ardhur tek ligji që po diskutohet tani, sepse zonja nuk e di se për çfarë po diskutohet tani.
Në fakt jemi duke diskutuar ligin “Për procedurat tatimore” i cili ka lidhje me fiskalizimin. Fiskalizimin këtu e 4 vite më parë unë e kam denoncuar si një proces korruptiv. Një tender 16 mln euro. Një vit përpara se të jepej tenderi, thasë që do ta marrë një kompani kroate, sepse kompania kroate po shkruante termat e referencës. E njëjta kompani kroate që ne denoncuam e mori tenderin.
Çfarë ka ndodhur me fiskalizimin?
Në skandalin ku ndodhet sot qeveria me publikimin e pagave të punonjësve, të dhënave personale, duhet ta mendonte dy herë zbatimin e fiskalizimit se sot nuk ka më siguri të dhënave. Sot të gjitha të dhënat e bizneseve janë në treg. Të gjithë të dhënat e bizneseve i përdorin për zgjedhje, ua japin konkurentëve.
Sot ka vetëm shtet-parti, siç thotë raporti i OSBE/ODIHR-it; reflektohet në zgjedhje, reflektohet në ekonomi, reflektohet në çdo fushë e në çdo sektor.
Projekti i fiskalizimit sot është duke falimentuar masivisht bizneset e vogla. Me kosto të cilat në fillim ishin 200 euro, një biznes i vogël duhet të blejë kompjuterin, duhet të ketë lidhje me internetin, duhet të ketë punonjës.
Kur blihet një shishe ujë në një cep të rrugës duhet të miratohet nga Drejtoria e Tatimeve, të vijë “ok”-i në kompjuterin e biznesit të vogël dhe më pas të miratohet blerja. Pra, një procedurë e jashtëzakonshme që nuk i duhet shtetit.
Sistemi i mëparshëm kishte një mënyrë raportimi, nuk janë përdorur asnjëherë ato të dhëna të cilat i kishte sistemi i mëparshëm; që e sulmuan, e anatemuan, thanë që do ta anulojnë dhe asgjë nuk ndohdi. Në fakt kjo propaganda është bërë normale për çdo procedurë të mëparshme, në vitin e 9-të në pushtet, se të ishin në vitin e 1 sigurisht që mund të duroja që të flisnin ndryshe.
Procedura e fiskalizimit sot është duke dështuar, me tarifa jashtëzakonisht të larta. E kanë hapur tregun, janë ulur pak tarifat, por pak rëndësi ka sepse për një biznes të vogël është shumë e lartë ajo tarifë.Ndërkohë që e shikojnë se nuk zbatohet, vendosin gjobat. Kalojnë ligj për t’i shtyrë gjobat. Nuk është mënyra dhe presioni se si duhet të funksionojë një biznes i vogël. Biznesin e vogël e kanë bërë si kavie; e kanë futur tek TVSH-ja, e hoqën nga TVSH-ja; i ulën xhiron, i rritën xhiron. Në eksperimente pafund. Ndërkohë që bizneset mbyllen masivisht. Sigurisht që unë e kuptoj se kjo është një mënyrë e qartë se si funksionohet, një mënyrë e qartë me tendencën për të forcuar disa biznese të mëdhaja pranë qeverisë, për t’i nxjerrë nga tregu gjithë të vegjlit. Kush shkon dhe bën Pazar në lagje e shikon se nuk ka më biznese të vogla, duhet patjetër të shkosh në supermarkete të mëdhaja. Kush shkon nëpër qytete e shikon se masivisht janë mbyllur bizneset e vogla. Dhe kjo është drama më e madhe e ekonomisë shqiptare dhe me çengelin e fiskalizimit po i vendoset edhe një kosto shtesë bizneseve të vogla.
Për mua nuk ka asnjë kuptim kjo që duan të bëjnë dhe kjo që janë duke bërë; me vendosjen e gjobave, me shtyrjen e gjobave.
Fiskalizimi edhe në kushtet kur kanë dalë të dhënat e qytetarëve shqiptarë, edhe në kushtet kur janë publikuar të dhënat e pagave nuk duhet të ekzistojnë më se nuk ka siguri të dhënash me Edi Ramën për sa kohë që është Edi Rama në pushtet, për sa i përket bizneseve dhe qytetarëve shqiptarë.
Çdo gjë do të përdoret për zgjedhje, siç u përdor në 25 prill, çdo gjë do të përdoret për presion për biznesin.
Kam takuar biznese gjatë zgjedhjeve të pranverës të vitit të shkuar që më thonin se tatimorët që i shkonin në dyert e tyre bënin presion me gjoba për të votuar PS, i bënin presion me mbylljen e biznesit për të votuar PS.
Çfarë do të ndodhë sot me procesin e fiskalizimit?
Nuk kam qenë dhe nuk jam kundër asnjëherë procedurave që shërbejnë për formalizinin. Por në këtë rast ne po flasim për procedura tërësisht korruptive të paguara 16 mln euro nga buxheti i shtetit dhe po i marrin edhe një tarifë të dytë bizneseve. Është një koncension që po e paguajmë dy herë me taksat tona.
Taksapaguesit praktikisht po paguajnë dy herë; një herë nga buxheti i shtetit, një herë me tarifën që bizneset sot paguajnë.
Për sa i përket komisioneve hetimore do të flas tek pika tjetër e rendit të ditës, por nuk mund të lë sot pa thënë që është ndonjë krenari e madhe t’i dalësh për zot inceneratorëve, koncensionit të laboratorëve, t’i dalësh për zot koncensionit të check-up-it, t’i dalësh për zot 12 koncensioneve që janë të gjitha korruptive. Flejnë dosjet sot në SPAK.
Fatkeqësisht unë SPAK-un, nuk e kam qen sulmi siç e ka Erion Veliaj. Nuk e urdhëroj dot të bëjë gjë. Aq sa ka bërë mirë e ka bërë, megjithëse ka bërë shumë pak. Sepse në qoftë se i shkohet deri në fund aferës së inceneratorëve, përgjegjësit sot janë akoma në qeveri; tre ministra, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrit, tre kryetarë bashkish janë sot akoma vendimmarrës. Pa i shkuar deri në fund gjithë zinxhirit, rrjetit të strukturuar kriminal unë nuk besoj se do të ketë drejtësi.
Por unë e them përsëri, qen sulmi SPAK-un unë s’e kam, s’e ka PD, se ka përdorur ndonjëherë.
Ai që sot kërcënon me SPAK-un, me drejtësinë, që fatkeqësisht është edhe pastruesi i parave këtu në Tiranë, që para pak ditësh kërcënoi edhe figurat më të nderuara të këtij qyteti. Që unë ndjeva turp kur i dëgjova, ndjeva turp që s’i mundet që Sulejman Mema dhe Krenar Alimehmeti t’i drejtohesh me ato fjalë. Ai duhet të japë përgjigje përpara drejtësisë. Ai mban përgjegjësi. Dhe deri kur t’i shkohet deri në fund aferës së inceneratorëve, çdo afere tjetër, unë besoj se nuk kam për të pushuar së foluri për këtë e për shumë të tjera siç kam bërë këto 8 vite. Por unë nuk mund të dal këtu e të them se jam krenare pse kemi vjedhur; se jam krenare që ka rënë Shqipëria me 6 pikë në indeksin e TI; jam krenare se shteti u shtri bashkë me qeverinë në një për të vjedhur zgjedhjet e 25 prillit. Se u ngritën në këmbë të gjithë me kriminele e bënë të gjithë bashkë kundër PD.
Partia Demokratike është këtu, është në këmbë dhe do të jetë më e fortë se kurrë dhe e dimë se kush është kundërshtari jonë. Sot fatkeqësisht e qeverisni, nesër jo!
Faleminderit!
REPLIKA E NËNKRYETARES SË PD, JORIDA TABAKU ME ELISA SPIROPALIN DHE ANILA DENAJ
Në fakt për t’iu përgjigjur të dyja zonjave, për t’i përmbledhur në pak fjali.
Në qoftë se nuk e dinë në Laç, nuk ka njerëz akoma nëpër banesa, as tek “5 Maji”. E dhanë edhe mediat. Janë të inauguruara por pa njerëz, nuk banojnë akoma qytetarë. Në fakt është çdo gjë fake, propagandë, siç e kanë patur këto 8 vite, siç do të vazhdojnë ta kenë për sa kohë qeverisin sepse nuk kanë mënyrë tjetër të të bërit propagandë.
Për çështjen e komisionit hetimor.
Unë doja të flisja në pikën tjetër për komision hetimor, por dy fjali mund t’i them edhe tani. Grup të bashkuar rreth partisë ishin të gjithë anëtarët e Komisionit Hetimor të PS, në këmbë për të mbrojtur, për të folur për rregulla, për procedura. Edhe sot që flasim, kam një javë që i lutem sekretares për të nisur një shkresë. E votuan kundër planin e hetimit dhe thonë tani “pse nuk thërrisni dëshmitar?” Kjo është ironia më e madhe.
Të ngresh dorën dhe të votosh kundër për të vazhduar hetimin dhe të thuash që sot nuk kanë thërritur dëshmitar.
Unë do t’i çoj të gjitha në SPAK ato që kam mbledhur; edhe pamjet filmike brenda inceneratorëve që nuk ekzistojnë, edhe pagesat që janë bërë nga vendet e krimit. Komisioni hetimor me aq pak sa u mblodh e çoi Lefter Kokën në burg. Imagjinoni se çfarë do të bëhet me këto prova që ne kemi mbledhur dhe do vazhdojmë të çojmë?!
Besoj se të gjithë ato që mbrojtën dhe çuan dorën për të votuar kundër, nesër ndoshta mund të kenë një keqardhje. Mbrojtja politike e ka një fund e ka një limit dhe nuk mund të vazhdojë përjetësisht.
Faleminderit!