Sot në datën 25 shkurt është mbledhja e fundit e Komisionit Hetimor për Inceneratorët e cila shënon edhe fundin e hetimeve.

Dëshira e përfaqësuesve të Partisë Demokratike ka qenë që ky Komision t’i vazhdonte hetimet, të kishim më shumë kohë në dispozicion, por ne fatkeqësisht nuk arritëm dot që të gjejmë dakordësi për këtë çështje.

Java e fundit me shumë dëshmitarë, e ngjeshur me shumë informacione por njëkohësisht me dosje voluminoze të cilat i kanë ardhur këtij Komisioni, besoj janë lexuar nga të gjitha palët.

Unë dje bëra një thirrje të fundit për z. Gledis Nano, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për të cilin ne jemi akoma në pritje për të marrë të dhënat TIMS të personave të përfshirë në hetim, të cilat i kemi kërkuar që në datën 4 shkurt.

Zonjës Brunilda Lilo, Avokate e përgjithshme e Avokaturës së Shtetit.

z. Erjon veliaj i cili nuk ka sjellë procedurat e komunikimit ndërmjet institucioneve, përsa i përker vendimmarrjes për inceneratorin e Tiranës. Megjithëse, ne patëm një dëshmi shumë të rëndësishme dhe ai pjesën më të madhe të elementëve sigurisht, i pranoi këtu.

Bankës së nivelit të dytë, Credins, për të dhënat e kompanisë.

Z. Petrit Vasili, për të cilin jemi  akoma në pritje.

Ndërkohë, në mbledhjen e ditës së artë, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisdë premtoi përpara këtij Komisioni, që përpara fundit të ditës së martë, ose përpara dëshmisë së kryeministrit ditën e mërkurë, do të sillte procesverbalet e mbledhjes së Këshillit të Ministrave kur ishin diskutuar kontratat konçesionare, do të sillte Relacionin e vendimit të Këshillit të Ministrave 907, që është baza, që i hap rrugë financimit të Inceneratorit të Elbasanit por njëkohësisht dhe kërkesën e Ministrisë dhe autoritetit kontraktues për këtë vendim Këshilli Ministrash, por njëkohësisht do të interesohej për raportin e inspektimit financiar për të cilin siç dukej nuk kishte dijeni askush.

Këto elementë nuk kanë ardhur akoma në Komisionin Hetimor dhe unë pres brenda ditës së sotme që ne ti administrojmë këto dokumenta.

Ndërkohë që në mbledhjen e fundit të Komisionit Hetimor unë dua të bëj shkurt një përmbledhje të asaj që ka ndodhur në katër muajt e fundit dhe jo vetëm.

Çështja e incenertorëve është ngritur si një aferë korruptive e supozuiar nga Partia Demokratike në vitin 2016.

Pas denoncimeve të shumta të kontratave konçesionare të Elbasanit të cilat nisën nga disa media kryesisht sporadike, të vogla. Më pas kjo çështje filloi të bëhej publike nga gazetari Artan Rama me denoncimet e tij e më pas nga mediat, Monitor dhe BIRN.

Denoncimi i parë për kontratën e Elbasanit nxori në dritë procedurat korruptive të kësaj kontrate të cilat ne i diskutuam gjatë në këtë Komision. Në vitin 2017 denoncimet vazhduan sepse përveç  kontratës së Elbasanit vazhdonte njëkohësisht procesi për kontratën e Impiantit të trajtimit të mbetjeve në Fier.

Ndërkohë që nisi edhe procedura e Impiantit të trajtimit të mbetjeve në qytetin e Tiranës.

Në shkurt të vitit 2018 Partia Demokratike ka bërë një interperlancë me ish-Ministrin Gjiknuri për këtë çështje.

Të gjithë ju kujtohet se si i gjithë Parlamenti u ngrit në këmbë për të mbrojtur këto tre kontrata konçesionare me vlerë 430 milionë euro.

Të tre kontratat konçesionare duke përfshirë edhe atë të Tiranës, që nga formula, mënyra e hartimit të kontratës, por edhe zbatimi është më korruptivja, përbëjnë atë që, besoj për të gjithë qytetarët, gjatë këtyre tre muajve, është bërë e qartë si afera më korruptive e firmosur nga qeveria Rama gjatë 8 viteve të fundit.

Partia Demokratike në mënyrë konstante, pothuajse të përditshme, ka denoncuar pagesat që i shkonin këtyre kontratave, personat e përfshirë në këto kontrata.

Media ka ndihmuar për të zbuluar lidhjet e ministrave me personat, tre kompanitë, të cilët kanë marrë tre kontrata abuzive pa pasur asnjë ditë ekspriencë në fushën e trajtimit të mbetjeve.

Tre kompani të cilat nuk kishin kapitalin për t’i zbatuar këto projekte, të cilat menjëherë morën kredi bankare për t’i zbatuar këto projekte, por nga ana tjetër ngritën në këmbë një qeveri të tërë, duke krijuar proçedurën ekstraligjore më korruptive të njohur ndonjëherë në Republikën e Shqipërisë.

Që të gjithë këtu kemi parë se si dëshmitarët një nga jë kanë dhënë dëshminë e tyre dhe pjesa më e madhe e tyre kanë treguar të paktën, deri në nivelin politik, përfshirjen e tyre.

Faktin se askush nuk mban mend se si këto tre kontrata janë hartuar dhe zbatuar.

Se si askush nuk mban përgjegjësi për kontrollin financiar, auditin e këtyre kontratave. Se si të gjithë kanë harruar, nuk dinë, nuk kanë parë, nuk mbajnë mend se çfarë ka ndodhur gjatë procesit të hartimit dhe zbatimit të këtyre kontratave. Por më e rëndësishmja gjatë këtyre tre muajve dhe sidomos javën e fundit ne kemi parë mbrojtjen politike që i është bërë tre kontratave konçesionare me vlerë 430 milionë euro e cila kulmoi ditën e mërkurë me kryeministrin e vendit, z. Edi Rama, dëshmitarin e fundit.

Unë besoj se në sytë e të gjithë shqiptarëve sot është e qartë se çfarë ka ndodhur.

Në sytë e të gjithë shqiptarëve sot të gjithë e kanë të qartë që mbrojtja politike e dhënë, justifikimet, shfajësimet, mënyra se si është proceduar, lidhja e këtyre kontratave, njohjet me ministrat, kontratat shtesë që kanë marrë këto kompani, favoret që kanë marrë këta persona dhe fakti që sot këto tre persona janë në kërkim, tregojnë lidhjen e drejpërdrejt, implikimin e shtetit dhe mbështetjen e shtetit .

Nuk ndodh siç tha Edi Rama, ai i cili ndjek punët nga mëngjesi në mëngjesin tjetër, ditë e natë që t’i shpëtojë gjë atij.

Nuk ndodh kurrë në Republikën e Shqipërisë që të firmoset diçka pa e ditur stafi i tyre, pa analizuar stafi i tyre, pa ia çuar në tavolinë stafi.

Nuk ndodh në Republikën e Shqipërisë që askush të mos ketë parë, mos ketë dëgjuar, mos dijë se çfarë ndodh.

Ne këtu morëm dëshmi shumë të rëndësishme dhe unë dua të veçoj atë të Kryetarit të Bashkisë Tiranë.

z. Erjon Veliaj këtu në betim tha që ka marrë një angazhim pa pasur një vendim të Këshillit Bashkiak.

Ka nënshkruar një kontratë me pjesën takuese të Bashkisë Tiranë, 91 milionë pa pasur një vendim të Këshillit Bashkiak dhe kjo është shkelja më e rëndë, arroganca më e rëndë që i është bërë ndonjëherë pushtetit lokal në këto vite.

Ashtu siç tha edhe vetë Kryeministri i vendit, kam qenë Kryetar Bashkie tha se sa herë lindte nevoja shkoja në Këshill Bashkiak. Por këtë arrogancë në 30 vite pushtet lokal ka arritur vetëm Erjon Veliaj, të shpërfillë Këshillin Bashkiak, të shkelë ligjin, të injorojë institucionet dhe të marrë një përgjegjësi financiare prej 91 milionë Euro.

Ndërkohë që Kryetari i Bashkisë këtu pranoi edhe një monopol, një konçesionqë është dhënë për dherat, 45 milionë euro konçesionarit të Tiranës.

Ne nuk arritëm dot që të marrim dëshminë e rëndësishme të z. Alqi Bllako sepse ai erdhi të dëshmonte por sigurisht preferoi të mos përgjigjej për të mos cënuar personin e tij nën hetim, që organi i akuzës ka hapru, por z. Bllako në gjykimin tonë është i përfshirë në dhënien e kësaj kontrate konçesionare me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, por njëkohësisht në mbështetjen që i është dhënë kësaj firme konçesionare të Tiranës për të marrë njëkohësisht dhe projektin e Porto Romanos, dokumente të cilat ne ia treguam Kryetares së Bashkisë, zonjës Emiriana Sako, e cila me arrogancë u largua nga ky Komision.

Unë besoj që ky Komision ka pasur shumë pengesa.

Ka pasur pengesat e mossjelljes së materialeve dhe dokumentave.

Ka pasur pengesat e moslënies së dëshmitarëve për të ardhur deri këtu.

Pengesat e mosdërgimit edhe të shkresave

Shumë shkresa janë refuzuar për t’u dërguar. Pengesa të gjata proceduriale edhe gjatë dëshmive. Pengesa që i kemi hasur deri ditën e fundit. Por unë nuk besoj se i ka mbetur diçka për të bërë në këtë komision sepse ka bërë maksimumin. Për këtë arsye dua t’i falënderoj kolegët për punën, për angazhimin, për vigjilencën, për durimin edhe për faktin se u bëmë ne tabelë qitje, ndërkohë që duhej të ishte qeveria tabelë qitje. Kemi ruajtur etikën, kemi ruajtur komunikimin dhe asnjë rast nuk besoj se kjo është çeduar.

Shqetësimi kryesor që kam ngritur në këtë komision që nga dita e parë lidhej me procedurat. Me procedurat të cilat sot kemi një pamje të qartë, kemi dokumentet, kemi dosjet dhe e dimë që ishin procedurat korruptive është e provuar dhe e faktuar, pavarësisht se shumë dokumente shtetërore nuk na janë vënë në dispozicion. Ashtu siç e kam thënë dhe e them, e përsëris përsëri ka pasur zyrtarë të guximshëm të shtetit shqiptar të cilët na i kanë sjellë këto informacione.

Ashtu siç kemi pasur zyrtarë të përgjegjshëm të shtetit shqiptar të cilët na kanë sjellë informacione edhe për kontrata, leje, favore, koncesione të tjera të këtyre tre kompanive.

Unë besoj se në përfundim të këtij hetimi, ky komision hetimor pavarësisht vështirësive, pengesa, sulmeve, pavarësisht çdo gjëje që ka ndodhur ka arritur të bëjë maksimumin. I ka kthyer parlamentit rëndësinë e komisioneve hetimore. I ka kthyer parlamentit përgjegjësinë e tij me rolin e kontrollit dhe të monitorimit. I ka kthyer parlamentit llogaridhënien. Por ajo që është më e rëndësishme i ka dhënë qytetarëve transparencën për 430 mln euro.

Sot nuk ka të madh e të vogël në Republikën e Shqipërisë që nuk e di që Edi Rama me Engjëll Agaçin kanë bërë 17 procedura brenda ditës për të dhënë kontratën e koncensionit të Elbasanit, ndërkohë që janë dhënë tre koncensione me 460 mln euro.

Sot nuk ka shqiptarë që nuk e ka kuptuar që të gjithë njerëzit politikë që erdhën në këtë komision kishin vetëm një qëllim, të shpëtonin veten, të mos përfshinin veten.

Nuk ia arritën dot. Ishte shumë e vështirë ta bëjë këtë krahas provave dhe fakteve.

Ndjejmë keqardhje të vogël që ndoshta nuk arritëm të shfaqnim të gjitha provat dhe dokumentet që kemi patur këtu për arsye se disa nga dëshmitarët nuk dëshmuan, p.sh z.Alqi Bllako, anëtarët e komisionit të koncensionit, por janë të gjitha dokumente që do të jenë pjesë e raportit final por edhe dosjes dhe informacioneve që ne do t’i dërgojmë organit të akuzës.

Unë besoj se në fund të këtij komision hetimor arritëm të tregojmë diçka:

Që mbrojtja politike që ofroi qeveria,

Mbrojtja politike që ofroi kushdo që ishte i përfshirë në këtë proces,

Mbrojtja politike që i është bërë tre kompanive dhe pronarëve të kompanive që sot janë persona në kërkim.

Është asgjë kur ofrohet transparenca dhe llogaridhënia për publikun.

Falënderoj të gjithë qytetarët që kanë ndjekur komisionin hetimor të cilët kanë bërë pyetje pa fund, të cilët na kanë dhënë informacione pafund, të cilat nuk kemi arritur t’i transmetojmë të gjitha por do të jenë pjesë e dosjes hetimore.

Ajo që është më e rëndësishmja falënderoj çdo punonjës përgjegjës të administratës publike që ka refuzuar të firmosë.

Më lejoni të them që ka shumë të tillë, që nuk kanë firmosur, që janë larguar, që kanë dhënë dorëheqjen nga komisioni i koncensionit, që kanë refuzuar të firmosin vendime korruptive dhe qeveria është detyruar të ndryshojë rrugë dhe të marrë vendime të tjera, të ndryshojë formën dhe mënyrën e këtyre koncensioneve.

Sot në fund të ditës, pasi këto koncensione kanë filluar të zbatohen në mënyrë abuzive. Pasi 430 mln euro janë tenderuar, koncensiuonuar dhe dhënë nga shtetit shqiptar, inceneratorët nuk ekzistojnë.

Ne e pamë me sytë tanë dhe e vërtetuam që pas gjithë këtyre procedurave korruptive, kësaj mbrojtje politike, këtyre sulmeve që i bëjnë anëtarëve të komisionit hetimor veçanërisht opozitës për guximin që kanë treguar për të folur me fakte, me prova dhe me argumente por njëkohësisht zbatimit të kësaj kontrate në mënyrë abuzive, pagesave të jashtëzakonshme abuzive që ka patur kjo kontratë, ne pamë që nuk ka incenerim, që inceneratorët e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit nuk punojnë, që nuk justifikon asgjë, as foto me ngjyra, as bojë, asgjë nuk e justifikon vjedhjen. Sepse qëllimi i ligjit pavarësisht asaj që duan të mbulojnë është një dhe vetëm një, zbatimi i ligjit. Qëllimi i këtij komisioni hetimor ka qenë dhe kjo ka dalë, me shumë maturi dhe guxim, që këto tre afera korruptive, këto tre afera koncensionare prej 430 mln eurosh sot kanë përfshirë nga punonjësi më i thjeshtë që ka firmosur deri tek Kryeministri i vendit.

Seanca e ditës së mërkurë ishte ndriçuese në shumë aspekte për qytetarët, sepse kushdo që e pyeste Kryeministrin, ai e sulmonte. Unë dua t’i kërkoj ndjesë zonjave në këtë komision, edhe në emrin tim si kryetare e komisionit që ndoshta nuk kam bërë maksimumin për ta ndaluar Kryeminsitrin e vendit që të mos sulmonte anëtarët e këtij komisioni. Por dua t’i falënderoj që i patën guximin t’i thonë të vërtetën në sy Kryeministrit të vendit dhe kjo nuk është pak; t’i thuash atij që ka shkelur ligjin, ka bërë korrupsionin e ka abuzuar me 430 mln euro që je personi përgjegjës, sigurisht që nuk është pak.

Ka shumë njerëz, shumë qytetarë, politikanë që thonë sikur të ishim ne komisionin hetimor; kushdo do kish bërë punën e vet, kushdo do kish mënyrën e vet. Unë jam e sigurt që opozita ka bërë maksimumin, dha maksimumin, zbuloi një nga aferat më të mëdha, që jam e sigurt që nuk ka filluar dhe nuk mbaron me Lefter Kokën.

Lefter Koka është vetëm një, mban përgjegjësi individuale.

Sot kushdo që ka firmosur në këtë proces, çdo ministër që është përfshirë, çdo ministër ka dhënë firmën, çdo ministër që ka dështuar të kontrollojë, çdo ministër që ka dështuar të zbatojë ligjin, që ka dhënë para e që po vazhdon të japë para për tre kriminelë në kërkim, çdo ministër është përgjegjës.

Ne në raportin përfundimtar do t’i tregojmë shqiptarëve çdo provë, çdo argument që kemi mbledhur.

Sot kemi disa vendime për të njoftuar, përveç përfundimit të hetimit, njoftojmë që në datën 7 Mars do  të sjellë raportin përfundimtar. Raporti përfundimtar, ashtu siç e përcakton edhe ligji për komisionet hetimore, duhet të jetë i përbashkët dhe të miratohet bashkërisht në këtë komision. Unë nuk do ta paragjykoj që ne do të kemi dy raporte të ndara. Por jam e sigurt që ato mendime që ne ndajmë nuk do të konvergojnë në një raport për faktin se kurrë s’kemi për t’i dhënë dot mbrojtje politike tre kriminelëve që sot janë në kërkim dhe që marrin fonde nga buxheti i shtetit edhe ndërkohë që flasim.