Mirëmbrëma dhe ju falënderoj nga zemra për këtë pritje të jashtëzakonshme.
Miqtë e mi këtu nuk jemi në një takim të zakonshëm dhe unë qëndroj sot këtu në mesi tuaj, i rrethuar nga një dashamirësi e jashtëzakonshme, i rrethuar nga një shpresë dhe nga një besim i jashtëzakonshëm në një kohë shumë të vështirë, në një kohë shumë të vështirë për vendin të cilit i është mohuar padrejtësisht ndryshimi që shumica e shqiptarëve dëshironin me 25 prill.
Uji që rri qelbet! Rotacioni është i shëndetshëm për demokracinë, siç është qarkullimi i gjakut për trupin. Këto nuk janë fjalët e mia, janë fjalët e partnerëve tanë. Por çfarë ndodhi atëherë? Dy gjëra ndodhën. Në dukje të palidhura me njëra-tjetrën, por besoj që sot, në veçanti që sot nuk ka shqiptar që nuk i ka kuptuar. E para që ndodhi është që mosndëshkimi i krimeve elektorale, dosjeve të famshme të Dibrës dhe të Durrësit dhe të Shijakut, prishja e marrëveshjes së 5 Qershorit, mos përmbushja e detyrimeve të reformës zgjedhore që buronin nga raportet e OHDIR-it, çoi në një masakër zgjedhore të përmasave të tilla, saqë OHDIR-i vet tha: Në Shqipëri sfida e parë është që shteti të garantojë lirinë dhe sekretin e votës.
Masakra zgjedhore e 25 prillit, është burimi i këtij depresioni ekonomik, që pastaj është kthyer edhe ne depresion social, edhe psikologjik dhe është përkthyer në drama të shumta. Nga dramat që kanë ekzistuar edhe para 25 prillit, që është drama për shembull e fermerëve, që janë edhe pjesa më e madhe e degës 14, që edhe kur ju shkon djersa qull, nuk arrijnë dot që t’ia shohin të mirat prodhimeve të tyre. Nuk është faji i tyre, nuk është faji i vendit, është vendi i bekuar, nga njerëz punëtorë, është faji i atyre që kemi mbi krye, që nuk janë të zgjedhur, por i kanë uzurpuar ato vende. Dhe prandaj nuk japin llogari, nuk përgjigjen. Sa herë ua kam thënë në parlament, apo në media, apo në takime bashkë, pse s’jepni as 1/10 e asaj që jep Maqedonia e veriut apo Kosova? E shikoni sa e kanë gojën dhe sa flasin nga mëngjesi deri në darkë për çdo gjë? Pse nuk u përgjigjen pyetjeve të tilla?! Pse Shqipëria nuk ka mundësi të japi 1/10 e subvencioneve për fermerët që jep Maqedonia e Veriut apo Kosova?! Kësaj nuk i japin përgjigje. Pse është karburanti më i shtrenjtë në Ballkan, ndër më të shtrenjtët në Europë, ku fuqia blerëse e jona s’është as sa 1/3 e mesatares së vendeve evropiane, ku futen shumë vende që kanë dal nga komunizmi. I kujt është faji? I qytetarit shqiptar? Ju e keni dëgjuar se sa herë që nuk kanë, sa herë që ai nuk ka përgjigje për këto përgjegjësi, se e keni dhe këtu, thotë: Popull dembel, ka vende pune po nuk ka specialist, ouu! Po si ka mundësi që çdokush prej jush këtu, gjysh, baba, nënë, e di vet nga përvoja e dhimbshme, ose nga përvoja e komshinjve, ose e kushërinjve, që kur shkojnë jashtë në një vend ku funksionon ligji, funksionojnë normat, shqiptarët jo vetëm ia dalin mbanë, por shkëlqejnë në çdo fushë. Kur shkojnë për të studiuar, janë më të mirët, dalin më të mirët në universitet. Kur shkojnë për të punuar, dalin më të mirët në profesionin e tyre. E njëjta gjë në sport, në art në shkencë, kudo. Pra, jo vetëm që s’ka asgjë keq dhe gabim me shqiptarët, por mund ta themi me gojën plotë, pa qenë racist, pa kaluar në fantazi, që jemi popull i talentuar. E gjithë kjo tymnajë ngrihet vetëm për të mbuluar të pambulueshmen. Shqipëria është një vend i pasur, por i vjedhur. Është i vjedhur sepse këtu vidhen zgjedhjet. Po mos të vidhen zgjedhjet, këtu qeveritë shkojnë e vijnë me votën e qytetarëve, pushteti është në duart e qytetarëve. Çfarë do të thotë pushteti në duart e qytetarëve? Vota pra. Dhe qytetari logjikon, votuesi logjikon, u mbajtën premtimet, votohet, s’u mbajtën, largohet qeveria. Mekanizmi i dytë, është mekanizmi i politikës së vjetër. I asaj politike e cila kërkon sundim të përjetshëm, që ka bërë edhe ndryshime kushtetuese në 2008-ën, marrëveshje, meqë akuzohem unë për marrëveshje, ajo është marrëveshja e marrëveshjeve, shkatërrimi i Kushtetutës në 2008-ën për përjetësuar sundimin e pushtetarëve. Për të shkatërruar pavarësinë e institucioneve, për të zvogëluar përfaqësimin. A nuk do të ishte më mirë që ju vet si zonë të kishit përfaqësuesin mazhoritar të kësaj zone? Dhe ai përfaqësues ta dinte mirë që para se gjithash, e mbi të gjitha, kryetar mbi kryetar ka gjithsecilin prej jush, ose familjet tuaja. E të ushtronte presion maksimal në qeveri, në ministri, në institucionet përkatëse, kudo ku bëhet padrejtësi, të shkonte t’ia vente vetë gjoksin padrejtësisë? Kudo ku planifikoheshin investimet, të shkonte t’i binte derës, të thoshte duhen investime për zonën? Kështu ndodh në vende normale, prandaj kemi propozuar prej kohësh sistemin e përfaqësimit të drejtpërdrejt, përfaqësimit mazhoritar. Politik e vjetër e ka përvetësuar, apo mendon se e ka përjetësuar sundimin dhe akti më i fundit është akti i sotëm, e keni parë çfarë ka ndodhur apo jo? Ju e dini që në 30 qershor 2019-të nuk pati një proces normal votimi. Pati votime si në komunizëm, një parti që me zi i nxori 9% vota të vlefshme, me shkelma edhe ata. 13-14% shkojnë gjithsej, pavarësisht e frynë, e fyen, vet votuan, vet numëruan dhe iu desh 2 muaj për të nxjerr rezultatin, imagjinoni. Dhe prape iu dolën 4-5 me rekorde kriminale, që kanë ikur. Dhe tani për shkak të këtyre, gjetën sebep për procesin e 6 Marsit. Shikoni si kanë dal hapur, hapur fare. Atë që ua kam thënë, sa muaj ka që ua kam thënë? Nuk bëhet fjalë për luftë, për parime, bëhet fjalë për hallin që i lidh bashkë. Halli që i lidh bashkë këta 3, është që janë mbetjet e tranzicionit 30-vjeçar. Halli që i lidh bashkë këta 3, është që shqiptarët e kanë kuptuar instrumentin e politikës së tyre të vjetër, që është premto, mos bëj, pastaj justifiko, gënje, e premto prapë. Ja, vijnë paketë. Paketë kanë ardhur të 3. Këto ditë, e sotmja, e gjithë beteja, edhe sulmi, denigrimi që u është bërë demokratëve të ndershëm, si shumë prej jush në këtë sallë, drejtuesve, të gjithëve. S’po flas ndaj meje si kryetar i partisë, se vet zgjodha t’i vija gjoksin kësaj, pikërisht që mos të futej përçarja përmes demokratëve apo deputetëve, zonjave, anëtarëve të kryesisë. E gjitha kjo për çfarë paska qenë? Për t’i dorëzuar PD-në LSI-së dhe Ilir Metës?! Gjithë ajo skenë barbare atje e sulmit kundër shtëpisë së demokratëve, për çfarë paska qenë? Që shtëpia e lirisë të kthehet në shtëpinë e Ilirit?!
Se kështu i bie! Apo jo?!
Kohët janë të errëta, sfidat janë të mëdha, por çfarë është shqiptare do të mbetet shqiptare, çfarë është demokrate do të mbetet demokrate, e nuk do të përlyhet as nga hijet e korrupsionit, as nga mbetjet e të shkuarës, dhe as nuk do të lejojmë të komprometojnë e të mbajnë peng Shqipërinë, e të mbajnë në vend Shqipërinë. Jemi kaq afër arritjes, i një prej ëndrrave me të cilat kemi lindur, një Shqipërie normale, të zhvilluar. Një Shqipërie të lirive, të lirisë së fjalës, lirisë së pronës, lirisë së besimit në Zot, lirisë së lëvizjes, lirisë së tregut, dhe mishërimit të tyre në kornizën e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Po! Kemi shpresuar që do ta arrinim ne! E arritëm një pjesë. Pa diskutim, ato pjesë të mira që kemi arritur, jo vetëm që nuk duhet të ulim kokën, por duhet të ngremë kokën, e ti themi çdo shqiptari…e keni prej sakrificës së demokratëve! Edhe lëvizjen e lirë, edhe anëtarësimin në NATO! Dhe gjithçka të keqe që keni këto 9 vjet, e që mundohen t’ia faturojnë partisë demokratike, duke shpikur ditë për ditë fabula e gënjeshtra, nuk i kanë prej demokratëve.
Dy gjëra na kanë bashkuar dhe na kanë thirrur në këtë betejë, bashkë me gjithë shoqërinë shqiptare; opozitarizmi ballor dhe pa kompromis kundër Edi Ramës dhe vlerat euroatlantike! Rreth këtyre vlerave na janë bashkuar dhe të tjerë, edhe njerëz që jo domosdoshmërisht fillimisht e kanë parë shpresën tek partia demokratike. Sot po bashkohen edhe më shumë! Pas vendimeve tona të kuvendit, pas vendimit tonë të kuvendit ; “Zgjedhim të ardhmen!”, shumica dërrmuese e shqiptarëve, ka një shpresë, dhe iu siguroj se ajo shpresë nuk janë tre kalorësit e apokalipsit. Nuk janë mbetjet e të shkuarës, nuk janë treshja e tranzicionit, që do ta mbajë Shqipërinë peng, por është partia demokratike. Jemi ne! Jeni ju! Është rinia! Dhe prapëseprapë, edhe ata demokratë, shumë prej të cilëve sot më kanë shkruajtur mua dhe jam i sigurt iu kanë shkruajtur dhe shumë prej jush, disa prej tyre i kanë shkruajtur publikisht në facebook, kritikë të rreptë të mi është ta them butë, kritikë të egër, dhe i shkruajnë;” Sali Berisha na paske mashtruar!”. “Gjithë betejën e paske bërë për t’ia dorëzuar partinë Ilir Metës!” Kurrë! Partia demokratike është e demokratëve! Partia demokratike është e sakrificës së demokratëve! Partia demokratike është e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar!
Të sfiduar kemi qenë dhe jemi, por në ato sfida vetëm sa jemi forcuar e jo dobësuar vendosmërinë tonë, për ti shkuar deri në fund betejës. Po e them në numrin shumës, por kështu ndihem unë. Nuk e di, a e shpreh apo jo dhe mënyrën se si ndiheni dhe ju. Kjo betejë nuk na përkul! Asnjë hap pas nuk hedhim! Nuk mund te themi;” zgjedhim të ardhmen”, e të sprapsemi! Jo! Ditë për ditë nga një hap përpara! Ditë për ditë me më shumë shqiptare e shqiptare ne krahun tonë! Çfarë duan shqiptarët?! Duan ndryshim! Çfarë është ndryshimi?! Nuk është ndryshim karrigesh! Nuk është ndryshim fytyrash! Dua një ndryshim, i cili, njësoj si para 32 vjetësh, është një ndryshim i thellë, jo vetëm politik, por kulturor. Nuk duan më kultin e individit! Zoti na bën të gjithë të barabartë. Të gjithë jemi të barabartë përpara Zotit. Sigurisht na jep mundësi e fakultete të ndryshme, dhe pastaj secili, në jetën tonë, në përgjegjësinë e vet, i zhvillon ato, por duhet të ketë mundësi ti zhvillojë. Nuk ka Zot mes nesh. Askush nuk mund ti vihet tjetrit, dinjitetit të tjetrit. Askush nuk mund të gllabërojë pronën, nderin, mundësinë, dinjitetin. E që të jemi të tillë, duhet në radhë të parë që, ajo, instrumenti i shërbimit ndaj njerëzve në tokë, që është politika, ta ketë këtë fytyrë njerëzore, ta ketë këtë tipar njerëzor, që e ka humbur.
Një politikë me fytyrë njerëzore, do të thotë në radhë të parë ti japim fund politikës si biznes, si mundësi pasurimi përmes korrupsionit. Sepse është korrupsioni armiku i mirëqenies së shqiptarëve. Si do ta bëjmë këtë? Së pari, patjetër, me çdo kusht, me çdo çmim, me të gjitha betejat. Të kthejmë atë që i kemi premtuar shqiptarëve, që me 27 prill, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe legjitimitetin e çdo institucioni , duke nisur nga parlamenti i Shqipërisë. Së dyti, të bëjmë të funksionojë drejtësia, jo me fjalë, as me akte sipërfaqësore, as duke i rënë nganjëherë bishtit, por duke i rënë kokës, me akte të vërteta në të gjitha aferat. Që nga ajo e inceneratorëve, që është vjedhja e shekullit. 430 mln euro që vetëm djegin lekët e taksave të shqiptarëve, dhe ashtu siç e kam paralajmëruar para një viti, dy nga ato figurinat që ishin vënë aty për të fshehur njerëzit që janë brenda, tani janë në kërkim ndërkombëtar. Kanë kapur një nga ministrat, e kanë futur aty, emrin e ka koka ai, por ai është bishti. Është bishti ai! Doni s’doni, këtë do ta them, koka është në Surrel!
Këtu është koka, këtu është koka ndaj drejtësia duhet veprojë. Por ne nuk mund të presim gjithë jetën sigurisht që do të shtyjmë me të gjitha format dhe mënyrat kjo është detyra që na keni ngarkuar. Ky është misioni jonë të bëjmë gjithçka edhe kur vështirësitë duken më të larta se Mali i Dajtit, edhe kur mundohen të na ndalojnë komisionet hetimore. E keni parë si mundohen të na ndalojnë? Prapë se prapë ne do të shtyjmë, me të gjitha forcat, me të gjitha format, me të gjitha mënyrat, por ka dhe mënyra tjera. Mbrojtja më e mirë është sulm kështu, sa here që ne dalim dhe themi të vërteta për Trekëndëshin e Bermudës, çohet trekëndëshi dhe fillon sulmin, i pari, i dyti, i treti nga njëherë ngatërrojnë radhën por nuk harrojnë asnjë ditë, të tre dalin me sulme. Po shumë mirë hajde bëjmë vetting, hajde bëjmë vetting, vetting politikaneve e kemi propozuar me shkrim që në 2018, Komisioni i Venecias ka thënë është masë proporcionale, kushtet e korrupsionit dhe të lidhjes së politikaneve në Shqipëri, kjo është një masë proporcionale. E kemi detajuar ka që në shtator amendamentet kushtetuese janë në parlament, hajde bëjmë vetting. Çfarë frike ka? Le ta fillojë nga unë, ta filloje nga kryetari opozitës, kjo e ndan shapin nga sheqeri, kollaj të tregosh me gisht ti kështu, ti kështu, ti kështu, me fakte çdo denoncim i ynë është i bazuar mbi fakte, çdo kundërsulm i tyre që bëhet për tu mbrojtur është me gënjeshtra dhe shpifje dhe mashtrime.
Një parti e bashkuar rreth vlerave, jo rreth kultit të individit jo rreth një njeriu e bashkuar jo për interesa personale askush prej jush këtu nuk ka ardhur për interesa personale, të gjithë jemi bashkë sepse bashkë na bën forca dhe vendosmëria që kemi se mund ti dilni për zot dhe do ti dilni për zot Qesarakës, Dajtit, Shëngjergjit, Zall-Herrit, Zall-Bastarit, Shkozës, Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, po apo jo? PO! Dhe mos harxhoni asnjë sekondë duke pyetur kryetarin apo deputeten apo sekretarin si është kryetari? Ja ku e keni kryetarin, më keni të fortë, më keni të vendos për ta çuar betejën deri në fund. Të fort dhe të vendosur ju dhe ju se kështu në krahë të njëri tjetrit do ta çojmë betejën deri në fund. Do ti japim Shqiptarëve çlirimin e miratuar nga treshja e tranzicionit, do t’i japim Shqiptarëve ëndrrat për një Shqipëri normale ku të rrisë fëmijët e tyre. Faleminderit e zoti ju ruajt dhe ju bekoftë ju dhe familjet tuaja.
Faleminderit.